Porosia e Ibën Kajimit për pasuesit e sunetit.
(Bashkë me disa fjalë të shejh Ibn Uthejminit.)
Mos u trishto edhe pse gjendesh i vetëm në mes njerëzve.
Në ndjesinë tënde në këtë rast njerëzit quaji të vdekur.
A nuk e di ti se pasuesit e sunetit janë si të huaj në çdo kohë?
Më thuaj a shpëtoi i Dërguari, shokët e tij dhe ata që i kanë ndjekur?
Prej injorantit, inatqarit, hipokritit, armikut të pabesë apo tiranit?
Mendon se je trashëgimtar i tyre pa përjetuar mundime në fenë e Mëshiruesit!
Jo, ti nuk ke bërë përpjekje të vërteta për Allahun as me dorë e as me gjuhë.
Pasha Allahun, ty të paska premtuar vetvetja të paarritshmen, të fundit.
Kështu që ndryshoje këtë mendim dhe këtë përjetim.
Po të ishe trashëgimtar i tij, të parët do të mundonin,
Që i kanë lënë trashëgim të gjitha llojet e armiqësisë ndaj tij. Mos u trishto edhe pse gjendesh i vetëm mes njerëzve që dikur të donin.
Allahu është më i madhi. Po thotë që nëse njerëzit janë në humbje e ti je në udhëzim, mos u trishto. Kjo sepse njeriu kur sheh që me të nuk është askush ndoshta trishtohet, ndalet, ose e lë udhëzimin që ka gjetur.
Prandaj i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka treguar për ‘ditët e durimit’ ku vepërmirët do t’a kenë shpërblimin sa pesëdhjetë prej shokëve të Profetit.
Shpërblim sa për pesëdhjetë shokë të Muhamedit?! E përse?! Sepse një person në kohën e shokëve të Profetit kur shihte se të gjithë njerëzit rreth tij ishin në rrugën e fesë nuk trishtohej, nuk lodhej, nuk ofendohej dhe nuk poshtërohej.
Mirëpo në ‘ditët e durimit’ të gjithë njerëzit janë në përplasje me njëri-tjetrin. Në atë kohë për njeriun bëhet e vështirë dhe e rëndë qëndrueshmëria në bindje dhe në praktikimin e fesë. Megjithatë ai tregohet i duruar , i vendosur e i palëkundur.
Autori (Allahu e mëshiroftë) me këto vargje thotë:
“Mos u trishto edhe pse gjendesh i vetëm mes njerëzve….”
Pasha Allahun se kjo është e vërteta. Përderisa je në dritën e Allahut atëherë nga se do të të vijë trishtimi?! Nuk ka trishtim! Ti je në këtë fe! Ti je në të vërtetën! Mos të të preokupojë askush sepse ti do të varrosesh i vetëm dhe po kështu njerëzit do të varrosen të vetëm. Pastaj do të dalësh Ditën e Ringjalljes pa pasuri me vete e pa fëmijë.
“Në ndjesinë tënde në këtë rast njerëzit quaji të vdekur.”
Njerëzit janë si të vdekur e ai i cili ecën në të vërtetën është i gjallë, është i gjallë edhe pas vdekjes së tij. Allahu i Madhërishëm thotë: “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!” El Enam: 122.
Dijetarët tani janë të gjallë. A nuk lexojmë për çdo ditë librat e dijetarit të islamit Ibën Tejmije? Pra ai dhe tani na mëson, është dijetari dhe profesori ynë, dhe me këtë është i gjallë. Kjo është jeta e vërtetë.
Poeti thotë: “Përmendja e të riut është jetë e dytë.”
Kjo pra është jeta reale. Qëndrimi yt në këtë dynja është orë dhe ditë të cilat ecin dhe shkojnë.
A nuk e di ti se pasuesit e sunetit janë vërtetë si të huaj në çdo kohë?
Po, pasha Allahun! Ndjekësit e sunetit janë vërtetë si të huaj, njerëzit e fesë janë si të huaj në çdo kohë. Po të hedhësh vështrimin përgjatë historisë ke për të parë se ata kështu janë.
Mosmarrëveshjet, idetë, besimet dhe fetë e ndryshme në tërë këtë i gjen pasuesit e sunetit si të ishin një shenjë në ballin e një kali. Pra, ata janë si të huaj në mesin e njerëzve.
“Më thuaj a shpëtoi i Dërguari, shokët e tij dhe ata që i kanë ndjekur?”
Nuk shpëtoi. Nuk shpëtoi dot as i Dërguari e as shokët e tij. Tre prej mëkëmbësve të tij u vranë prej armiqve të tyre; Umeri, Uthmani dhe Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me ta). I Dërguari dhe shokët e tij nuk shpëtuan prej mundimeve të injorantit, inatqarit që di, hipokritit që fshihet, vrasësit që shpall armiqësi të hapur padrejtësisht e tiranisht. Këta janë llojet e armiqve; injorant, inatqar, hipokrit dhe vrasës. Që të gjithë janë të gatshëm për të munduar të Dërguarin (alejhi selam), shokët dhe pasuesit e tij.
“Mendon se je trashëgimtar i tyre pa përjetuar mundime në fenë e Mëshiruesit?!”
Ky mendim është hamendësim dhe është tradhëtues. Mendon se je trashëgimtar i Profetit e nuk të ka goditur ajo që goditi atë, e ku është trashëgimia këtu? Nëse nuk të godet ndonjë mundim prej mundimeve që përjetoi i Dërguari i Allahut (alejhi selam) atëherë dije se je i mangët në trashëgimin e tij.
Personi i cili ndjek rrugën e Profetit nuk ka për t’a gjetur rrugën të shtruar me lule e trëndafila kurrë. Cilido që kërkon diçka të tillë le t’a dijë se po kërkon diçka të pamundur. Gjurmo përgjatë historisë. Cilido që është përpjekur me vërtetësi në rrugë të Allahut ka kaluar vuajtje e këto vuajtje kanë qenë të ndryshme. Keqbërësi ndonjëherë nuk mundet të përdorë forcën e pushtetit, nuk mundet të bëjë keq për shkak të pozitës që gëzon pasuesi i sunetit mes njerëzve apo diçka të ngjashme. Por atij patjetër që do t’i shkaktohen vuajtje.
Thotë: “Mendon se je trashëgimtar i tyre pa përjetuar mundime në fenë e Mëshiruesit?!
Jo, ti nuk ke bërë përpjekje të vërteta për Allahun as me dorë e as me gjuhë.”
Me gjuhë – duke përdorur fjalën. Me dorë – duke përdorur shpatën, shtizën dhe lapsin. Përkjekje me dorë – me laps, me shpatë, me shtizë dhe me hark.
“Pasha Allahun, ty të paska premtuar vetvetja të paarritshmen, të fundit.”
Do të thotë se ky njeri në vetvete shpreson të paarritshmen dhe të pamundurën. Cila është ëndërra dhe shpresa e tij këtu? Të mos i vijnë mundime prej armiqve të Allahut ndërkohë që ai mbështet fenë e Allahut. Kjo është e pamundur sepse patjetër që do të vuajë. Mirëpo, sikur thashë dhe më lart që vuajtjet ndryshojnë. Mund të gjendet ndonjë pengesë ndaj mundimeve por patjetër që do të ndodhë.
“Pasha Allahun, ty të paska premtuar vetvetja të paarritshmen, të fundit.
Kështu që ndryshoje këtë mendim dhe këtë përjetim.”
Pra gjej diçka tjetër.
“Po të ishe trashëgimtar i tij…”
Trashëgimtar i kujt? Trashëgimtar i të Dërguarit të Allahut (alejhi selam).
“Të parët do të mundonin, që i kanë lënë trashëgim të gjitha llojet e armiqësisë ndaj tij.”
Pra të gjitha llojet e mundimeve dhe vuajtjeve. Të vërtetën ka thënë bazuar dhe në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dhe, kështu, Ne çdo profeti i kemi kundërvënë një armik nga keqbërësit.” Furkan: 31.
Çdo profet ka patur armiq prej kriminelëve, dhe po kështu do të kenë armiq të tillë edhe pasuesit e profetëve. Kjo sepse kriminelët u bënë armiq ndaj profetit jo për faktin se ai ishte Muhamedi i biri i Abdullahut, por i’u bënë armiq për shkak të fesë. Cilido që ndjek fenë e tij e trashëgon atë në çdo aspekt. Armiqtë e profetit (alejhi selam) padyshim që kanë trashëgimtarë të cilët mundojnë trashëgimtarët e të Dërguarit, dhe ky është një fakt i dëshmuar.
Imam Ahmedit çfarë i ndodhi? U mundua shumë, e tërhiqnin zvarrë nëpër tregje të lidhur pas mushkës. Goditej me kamzhikë derisa i binte të fikët, u burgos etj. Po kështu dhe shejhul islam Ibën Tejmijen, e shumë e shumë të tjerë.
Kushdo që përpiqet për fenë e Allahut dhe për të vërtetën ka për të pasur më shumë armiq. Argumenti për këtë është: Sa prej bijve të Ademit janë në humbje?! Nëntë qind e nëntëdhjetë e nëntë në çdo një mijë. A mendon se gjithë këta të humbur i duan njerëzit e udhëzuar? Kurrë! Nuk i duan edhe nëse sa për syfaqësi hiqen sikur i duan. Si t’i duan kur nuk janë në rrugën e tyre, kjo është e pamundur!
Përktheu: Arjan Haskasa
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve