“Në këtë kohë është përhapur një dukuri ku një pjesë njerëzish që i referohen diturisë dhe thirrjes në të mirë, gjuajnë nderin e shumicës së vëllezërve të vet thirrësa të njohur, duke cënuar personalitetin e kërkuesve të dijes, thirrësave dhe ligjëruesve. E bëjnë këtë fshehurazi në ndejat e tyre, ose i ruajnë në kaseta për tua publikuar më pas njerëzve. Apo e bëjnë edhe haptazi në ligjëratat e përgjithshme nëpër xhamija. E kjo metodologji është në kundërshtim me atë që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij nga kënde të shumta:
1. Kjo dukuri është kapërdisje mbi të drejtat e njerëzve nga rradhët e muslimanëve, bile mbi të veçantët e tyre nga rradhët e kërkuesve të dijës dhe thirrësve, të cilët janë munduar në vetëdijësimin e njerëzve dhe orientimin e tyre, dhe korrigimin e besimit dhe metodologjisë së tyre. Dhe janë përpjekur në mbajtjen e mësimeve dhe ligjërimeve si dhe shkruarjen e librave të dobishëm.
2. Kjo dukuri shkakton përçarje në unitetin e muslimanëve dhe prishjen e rradhëve të tyre, kurse ata janë shumë të nevojshëm për unitet dhe distancim nga ndarja dhe përçarja, si dhe thashethemet mes tyre. Posaçërisht thirrësit – nderi i të cilëve është prekur – janë nga rradhët e ehli sunetit dhe xhematit dhe janë të njohur për luftimin e risive dhe përrallave, si dhe për qëndrimin përballë thirrësave të risive dhe janë marrë me zbulimin e planeve dhe lojrave të tyre.
E ne, në këtë dukuri nuk jemi duke parë kurrfarë leverdie, veçse interes në favor të armiqëve vëzhgues nga pabesimtarët dhe hipokritët, ose nga risimtarët dhe të devijuarit.
3. Kjo dukuri, poashtu ndihmon qëllimkëqinjtë nga rradhët e sekularistëve, prodegjeneruesve dhe ateistëve të tjerë, të cilët janë të famshëm në gjuajtjen e thirrësve, në shpifjen ndaj tyre si dhe në nxitjen kundër tyre përmes shkrimeve dhe audiove. Prandaj ata të ngutur duhet ta dinë se: nuk është prej obligimit vëllazëror islam ndihmimi i atyre armiqëve kundër vëllezërve të tyre nga rradhët e kërkuesve të dijës , thirrësave dhe të tjerëve të ngjashëm.
4. Kjo dukuri gjithashtu shkakton prishjen e njerëzve të rëndomtë dhe të të dalluarve, shkakton përhapje dhe promovim të gënjeshtrave dhe thashethemeve të kota, bëhet shkas i përgojimeve të shumta dhe bartjes së llafeve, si dhe bëhet shkas për hapjen e derës së sherrit përpara shpirtrtave të ligj, të cilët janë mësuar me përhapjen e dyshimeve dhe nxitjen e trazirave dhe janë të kujdesshëm në ngacmimin e besimtarëve pa kurrfarë të drejte.
5. Po ashtu, shumica e thashethemeve janë të pavërteta, aspak reale, s’janë veçse hamendësime të zbukuruara nga shejtani për njerëzit e hamendësimeve të mashtruar nga ai. Allahu i lartësuar ka thënë: “O ju që keni besuar! Shmanguni prej shumë dyshimeve, meqë disa dyshime janë mëkat” (Huxhurat: 12).
Prandaj, besimtari duhet që fjalën e vëllaut të vet ta interpretojë siç është më së miri, siç kanë thënë disa nga pararendësit (Umer ibnul Khattab): “Për një fjalë të thënë nga vëllau yt mos mendo keq, përderisa mund ta interpretosh pozitivisht”.
6. Ixhtihadatet e (hulumtimet shkencore të) disa dijetarëve dhe kërkuesve të dijës në çështjet ku lejohet ixhtihadi (hulumtimi) dhe janë të aftë për të, ata nuk qortohen për to e as nuk turpërohen. Nëse ka ndokush që i kundërshton ata në ato, atëherë le t’i polemizojë ata me mënyrën më të mirë, duke pasur për qëllim arritjen tek e vërteta nga rruga më e afërt, si dhe të largojë cytjet e shejtanit dhe përplasjet mes besimtarëve. Nëse kjo nuk është e mundur, dhe ndokujt ia merr mendja që patjetër duhet të sqarojë kundërshtimin, atëherë kjo le të jetë me shprehjet më të mira dhe me fjalët më të buta, pa kurrfarë sulmimi, kritikimi apo ngacmimi në fjalë. Mundet të thërrasë në të vërtetën apo të distancohet (nga ai ixhtihad) pa e cenuar nderin e askujt (pa e sulmuar) ose pa akuzime në qëllime (nijete), ose pa fjalë të pahijshme. Pejgamberi — alejhis selam — në të tilla raste u drejtohej njerëzve kështu: “Ç’është me disa njerëz që thanë kështu e ashtu?” Sahih Ebu Davud (es Sahiha 2064).
Burimi: Artikull i Shejhut (rahimehullah) në disa gazeta ditore të Saudisë, si në El Xhezire, Er Rijad dhe Esh-Sherkul Evsat, ditën e shtunë më 22/6/1412.
Përshtati në shqip:
Zejd Haziri
Të Ngjashme
- Njësimi i Allahut në Emrat dhe në Cilësitë e Tij Shejh Abduselam Berxhes
- Lutja ndaj Allahut për Dije të Dobishme Ibën Rexheb el Hanbeli
- Njohuritë e Dobishme dhe Njohuritë e Padobishme Ibën Rexheb el Hanbeli
- Përçmimi i Lakmisë për Pasuri dhe Famë Ibën Rexheb el Hanbeli
- Analizë e Mahnitshme nga Ibën Kajim el Xheuzije Udha e Besimtarëve