Pozita e Namazit të Sabahut dhe 10 shpërblimet e tij

February 11, 2026

Cilat janë përgëzimet për atë që fal namazin e sabahut?

Janë dhjetë përgëzime 👇👇

❍ Përgëzimi i parë: Drita e plotë në Ditën e Kiametit

Profeti ﷺ ka thënë: “​”Përgëzoji ata që ecin nëpër errësirë drejt xhamive me dritë të plotë në Ditën e Kiametit.”

El-Albani, Sahih el-Xhami’, nr. 2823.

❍ Përgëzimi i dytë:

Dy rekatet sunet të sabahut janë më të mira se dynjaja dhe çfarë ka në të — Nëse kjo është vlera e dy rekateve sunet, sa mund të jetë vlera e namazit të farzit?

Profeti ﷺ ka thënë: “Dy rekatet sunete të sabahut janë më të mira se e gjithë dynjaja dhe çfarë ka në të.” Muslimi, nr. 725.

❍ Përgëzimi i tretë: Shumimi i veprave të mira përmes hapave drejt xhamisë

Profeti ﷺ ka thënë: ​”Kushdo që del nga shtëpia e tij drejt xhamisë, i shënohen dhjetë mirësi për çdo hap që hedh. Ai që qëndron në xhami duke pritur namazin është si në adhurim të vazhdueshëm dhe shkruhet prej falësve derisa të kthehet në shtëpinë e tij.” Ahmedi 17459.

❍ Përgëzimi i katërt: Dëshmia e engjëjve për këtë namaz

Allahu i Madhëruar thotë:

“Fale namazin nga mbarimi i diellit e deri në errësirën e natës, dhe (fale) namazin e agimit (Fexhrin). Vërtet, leximi i sabahut është i dëshmuar (nga engjëjt).” El-Isra: 78.

— pra, dëshmohet nga melaiket.

❍ Përgëzimi i pestë: Shpëtimi nga Zjarri

Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk do të hyjë në zjarr askush që falet para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij.”

— domethënë: Ai që fal sabahun dhe ikindinë. Muslimi, nr. 634.

❍ Përgëzimi i gjashtë: Shikimi i Allahut të Madhëruar

Nga Xherir ibn Abdullahu transmetohet se ka thënë:

“Ishim me Profetin (paqja qoftë mbi të) kur ai vështroi hënën në natën e saj të plotë dhe tha: ‘Ju do ta shihni Zotin tuaj ashtu siç e shihni këtë (hënë), duke mos u dëmtuar (apo penguar) në shikimin e Tij. Prandaj, nëse keni mundësi që të mos mposhteni (të mos i humbni) namazet para lindjes dhe para perëndimit të diellit, atëherë veproni kështu’. Pastaj lexoi: ‘Dhe lartëso me lavdërim Zotin tënd para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij’.”

Buhariu 573 dhe Muslimi 182.

❍ Përgëzimi i shtatë: Shpërblimi i faljes së gjithë natës

Profeti ﷺ ka thënë: “Kush e fal namazin e Jacisë me xhemat, është sikur të jetë falur gjysmën e natës. Ndërsa kush fal namazin e Sabahut (Fexhrit) me xhemat, është sikur të jetë falur tërë natën.” Muslimi 656.

❍ Përgëzimi i tetë: Lutja e melaikeve për të

Profeti ﷺ ka thënë: “Kush fal sabahun pastaj ulet në vendin e tij të faljes, melaiket luten për të, dhe lutja e tyre për të është: ‘O Allah, fale! O Allah, mëshiroje!’” Ahmedi, nr. 1251.

❍ Përgëzimi i nëntë: Shpërblimi i një haxhi dhe umreje të plotë

Profeti ﷺ ka thënë: “Kush e fal sabahun me xhemat, pastaj ulet duke përmendur Allahun derisa të lindë dielli, pastaj fal dy rekate, ka shpërblimin si të një haxhi dhe umreje të plotë, të plotë, të plotë.”

El-Albani, Es-Silsile es-Sahihah, nr. 3403.

❍ Përgëzimi i dhjetë: Namazi i Sabahut është mbrojtje dhe kështjellë ndaj të këqijave

Profeti ﷺ ka thënë: ​”Kush e fal namazin e sabahut, ai është nën mbrojtjen (besën) e Allahut. Prandaj, bëni kujdes që Allahu të mos ju kërkojë llogari për diçka që i takon mbrojtjes së Tij (mos cenoni atë që fal sabahub), sepse këdo që Ai e kërkon për këtë llogari, do ta arrijë dhe do ta hedhë me fytyrë në Zjarrin e Xhehenemit.” Muslimi 657.

🤲 O Allah, na bëj prej atyre që e ruajnë namazin e sabahut.

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...