Prejardhja fisnike e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

Prejardhja fisnike e të Dërguarit të Allahut

(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

 

Allahu i Madhëruar thotë:

اللَّهُ أَعْلَمُ حَيْثُ يَجْعَلُ رِسَالَتَهُ

“Allahu e di më mirë se kujt ia jep mesazhin e Vet…”

Kur Herakliu, perandori i Bizantit e mori në pyetje Ebu Sufjanin lidhur me Profetin (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), ndër pyetjet që i drejtoi ishin: “Cila është origjina e tij?” – Ebu Sufjani tha: “Origjina e tij është nga një derë e fisme dhe ka prejardhje fisnike.” – Herakliu tha: “Kështu ka ndodhur me të gjithë profetët. Ata përzgjidheshin (prej Allahut) nga soji më i mirë i popullit të tyre.”

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) është zotëria më i nderuar i bijëve të Ademit dhe më fisniku ndër ta, si në këtë botë ashtu edhe në botën e amshueshme.

Ai është emërtuar me disa emra. Është quajtur Ebul Kasim (babai i Kasimit), Ebu Ibrahim (babai i Ibrahimit), MUHAMED, Ahmed, El-Mahi (Mposhtësi)[1], El-Akib (Përmbyllësi)[2], El-Hashir (Tubuesi)[3], El-Mukaffi (Pasuesi)[4], Profeti i mëshirës, Profeti i ngadhënjimit, Vula e profetësisë, Abdullahi (Robi i Allahut)[5].

Bejhekiu ka thënë: “Disa nga dijetarët kanë përmendur shumë emërtime dhe cilësi të tij, të cilat i gjejmë në Kuranin fisnik. Allahu i Madhëruar të Dërguarin e Tij (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) e quan: Pejgamber, profeti i cili nuk di shkrim dhe lexim, dëshmues (i ditës se gjykimit), përgëzues, qortues, thirrës për tek Zoti (që i fton njerëzit për në besimin e drejtë), pishtar ndriçues, i dhembshur, i dashur dhe i mëshirshëm, përkujtues (u përkujton njerëzve argumentet e Zotit), mëshirë që i është dhuruar botës, mirësi nga Zoti dhe udhëzues i drejtë.”

Ai është Muhamedi i biri i Abdullahut, ndërsa ky ishte i biri i Abdulmutalibit, ky i Hashimit, ky i Abdumenafit, ky i Kusajit, ky i Kilabit, ky i Murra-s, ky i Ka’bit, ky i Luejit, ky i Galibit, ky i Fehrit, ky i Malikut, ky i En-Nadrit, ky i Kenanes, ky i Khuzejmes, ky i Mudrakes, ky i ljasit, ky i Mudarit ky i Nezarit, ky i Meadit, ky i Adnanit i cili padyshim që ka qenë nga pasardhësit e Ismailit (aljehi selam!), por nuk dihet saktësisht se sa breza ka pasur midis tyre.

Ky varg gjenealogjik i sipërpërmendur është i mirëpranuar nga të gjithë dijetarët dhe historianët musliman.[6]

Të gjitha fiset arabe të Hixhazit[7] bashkohen në këtë rrënjë gjenealogjike. Për këtë arsye, në shpjegim të ajetit kuranor:

قُل لَّا أَسْأَلُكُمْ عَلَيْهِ أَجْرًا إِلَّا الْمَوَدَّةَ فِي الْقُرْبَىٰ ۗ

“Thuaju: “Për këtë nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi tjetër prej jush, përveç respektit (për mua) për hir të farefisnisë (që kemi).” Esh Shura 23

Ibën Abasi, por edhe komentatorë të tjerë kanë thënë: “Nuk ka asnjë fis prej fiseve kurejshite që nuk bashkohet me fisin e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem).”[8]

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Kam ardhur në jetë prej martese dhe jo prej imoraliteti, që prej Ademit e deri kur më ka lindur nëna dhe babai im, si dhe nuk më ka prekur asgjë prej ndyrësive të injorancës.”[9] – Këtë hadith e ka transmetuar Ibën Adiji nga Ali ibën Ebi Talib (radijAllahu anhu), me zinxhir transmetimi të mirë.

Nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Unë jam dërguar (si Pejgamber) në brezin më të mirë të të gjithë brezave të pasardhësve të Ademit, qysh nga krijimi i tyre (e deri në fund)”.[10]

Nga Uathileh ibën el-Eska transmetohet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Me të vërtetë Allahu ka përzgjedhur Ismailin prej bijve të Ibrahimit, dhe përzgjodhi prej bijve të Ismailit Beni Kenanen, dhe përzgjodhi nga Beni Kenaneh Kurejshët, dhe përzgjodhi Beni Hashimët prej Kurejshëve, dhe më përzgjodhi mua prej Beni Hashimëve”[11]

Transmeton Imam Ahmedi nga El Mutalib ibën ebi Ueda’ah, se Ibën Abasi (radijAllahu anhu) ka thënë: “Profetit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) i erdhën fjalë se njerëzit po flisnin rreth origjinës familjare të tij. Ai hipi në minber (foltore), u drejtua nga njerëzit dhe tha: “A e dini se kush jam unë?” – Të pranishmit u përgjigjën njëzëri: “Ti je i Dërguari i Allahut.” Tha: “Unë jam Muhamedi, i biri i Abdullahit, i cili ishte i biri i Abdul-mutalibit. Allahu i krijoi të gjitha gjallesat, dhe më bëri mua më të mirin e tyre. Ai i ndau ato në dy grupe, dhe më vendosi mua tek më i miri ndër ato të dyja. Pastaj Allahu i ndau njerëzit në popuj dhe fise, e më vendosi mua tek më të mirët. Pastaj Allahu i ndau njerëzit në familje e më vendosi mua në më të virtytshmen e të gjitha familjeve dhe tek më të mirët ndër ju.”[12]

Transmetohet saktësisht në “Es Sahih”[13] se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Unë jam zotëria i bijve të Ademit në Ditën e Kijametit, dhe nuk e them për mburrje.”[14]

 

Shkëputur nga Libri: “Historia Profetike e Saktësuar”

Përktheu: E. AJDINI

[1] Me dërgimin e të cilit u mposht mosbesimi dhe tirania.

[2] Ai me të cilin u mbyll vargu i profetëve, dhe që pas të cilit nuk dërgohet më profet tjetër.

[3] Pranë tij do të grumbullohen njerëzit kur të ringjallen në Ditën e Gjykimit.

[4] Ai që pasoi profetët; vula e profetësisë. Ky emër është i ngjashëm me El-Mahi.

[5] Dy emrat e fundit, si dhe emrat Muhamed dhe Ahmed i gjejmë në Kuranin fisnik, ndërsa pjesa tjetër e tyre janë transmetuar në hadithe, ashtu siç gjenden në librat: “Tekhrixh et-Tahaui” faqja: 292, “El Ehadith es Sahiha” me nr 1571 dhe 1628, “Err Rraud en-Nedir” me nr 401 dhe 1017.

[6] Them (autori): Kjo është arsyeja që e kam sjellë në këtë libër, duke iu përmbajtur metedologjisë që kam vendosur që në fillim të kësaj pune, ashtu siç e kam sqaruar në parathënien e librit. Ndërsa shejkhu Ebu Zehra, në librin e tij “Vula e profetësisë”, vëllimi 1 faqja: 87, sjell një transmetim nga Ibën Abasi (radijAllahu anhuma) ku thuhet: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), përmendte deri te stërgjyshi i tij i hershëm Adnan, e pastaj nuk vazhdonte më tej. – Pastaj thoshte: Gjenealogjistët që shtojnë më tej gënjejnë! A nuk u mjafton fjala e Allahut të Madhëruar “Shumë breza pati mes tyre…” El Furkan 38.” – Siç duket, ky autor nuk e ka ditur se ai transmetim është i pasaktë, madje është i trilluar. Në zinxhirin e tij të transmetimit ka një gënjeshtar të vetëdeklaruar si i tillë, ashtu siç e kam sqaruar këtë çështje në librin tim “El ehadithu ed-Daifeh uel meuduah – Hadithet e dobëta dhe ato të trilluara.” Me nr 111.

[7] Hixhazi është pjesa veri-perëndimore e Gadishullit Arabik.

[8] E transmeton Buhariu në “Et Tefsir, surja Esh Shura”.

[9] Kam treguar për rrugët e transmetimit të këtij hadithi në librin tim “Irvau el galil” me nr 1972. Kur i studion të gjitha rrugët e transmetimit të hadithit, të bëhet e qartë se ai vlerësohet si hadith “hasen – i mirë”. Nisur nga kjo, hadithin e kam shënuar edhe në librin “Sahihu el xhemiu es Sagir” me nr 3218-3220.

[10] “El ehadith es sahiha” me nr 809

[11] Them (El Albani): I njëjti burim i mësipërm me nr 302. Hadithi është me zinxhir të dobët transmetimi. Atë e shënon Tirmidhiut në “Sunënin” e tij (e transmetojnë edhe të tjerë përveç tij) dhe jo në Sahihun e Muslimit siç shprehet autori.

[12] Shiko për më tepër “Tekhrixh el mishket” me nr 5757, si dhe “Sahihu el xhemia” me nr 1485.

[13]“ Vëllimi me hadithe të sakta”, por në këtë rast nuk e ka përcaktuar për cilin “Sahih” bëhet fjalë.

[14] Padyshim që hadithi është i saktë, por t’ia atribuosh “Sahihut” në këtë mënyrë të padefinuar se për cilin ndër ta bëhet fjalë nuk është e saktë. Në rastin konkret bëhët fjalë për “sahihun” e Muslimit vëllimi 7, faqja: 59, prej transmetimeve të Ebu Hurejrës, i cili e transmeton nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), por pa shtojcën “dhe nuk e them për mburrje”. Gjithashtu edhe tek dy shujukhët (Buhariu dhe Muslimi), po nga Ebu Hurejra me fjalët: “Unë jam zotëria i të gjithë njerëzve në Ditën e Kijametit…” Hadithi i plotë është tek kapitulli i Shefeas (Ndërmjetësimit). Analizën e hadithit e gjen në librin “Dhilalu el-xheneti fi tekhrixhi es-suneti” me nr 811. Ndërsa me shtojcë, e ka transmetuar Ibën Hibani (si dhe të tjerë po ashtu), ashtu siç gjendet në “Es Sahihah” me nr 1571.