Pritja e muajit të Ramazanit

March 26, 2020

Jemi në prag të një muaji të begatë, një sezoni madhështor të cilit po i afrohen ditët dhe ardhja e tij. Ky muaj mbart në vete mirësi të mëdha dhe begati të shumta. Në të ka falje të gjynaheve, fshirje të gabimeve dhe shpëtim nga zjarri. Duhet që çdo musliman t’a përgatit veten e tij për ardhjen e këtij muaji duke e përmirësuar nijetin, duke pasur vullnet të lartë dhe vendosmëri të madhe, si dhe duke qenë i gatshëm të japë maksimumin për të shfrytëzuar ditët dhe netët e tij.

Sa herë që afron gëzimi i muslimanëve me hyrjen e këtij muaji, nuk kalon shumë kohë dhe ata e përcjellin këtë sezon madhështor. Sa shpejt vjen po aq shpejt edhe kalon! I Lartësuar qoftë Allahu! Vitet e kaluara kanë prezantuar me ne shumë të moshuar e të rinj, burra e gra, por këtë vit ata nuk ndodhen në mesin tonë sepse vdekja ndau mes nesh dhe atyre. Prandaj, të arrish këtë muaj të mirësive dhe këtë sezon madhështor është prej përfitimeve më madhore.

I dërguari ynë, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, i përgëzonte shokët e tij me ardhjen e këtij muaji për të treguar rëndësinë e madhe, vlerën dhe vendin e lartë që gëzon ky muaj. Ai u thoshte: “Muaji i Ramazanit ju erdhi! Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e zjarrit dhe shejtanët prangosen. Një thirrës thërret në çdo natë të këtij muaji: O ti që kërkon mirësinë, afrohu! O ti që kërkon të keqen, largohu! Allahu i Lartësuar në çdo natë të këtij muaji i shpëton prej zjarrit krijesat e Tij.”

Këto vlera i janë dhënë vetëm muajit të begatë të Ramazanit. Zemrat dridhen nga përmallimi për të shfrytëzuar këtë muaj, duke shpresuar që t’u jepet sukses të shfrytëzojnë mirësitë dhe begatitë e tij. Siç e përmenda edhe më lart se përgatitja për këtë muaj fillon duke përmirësuar nijetin dhe qëllimin e mirë, si dhe duke pasur vendosmëri të fortë për të punuar vepra dhe adhurime të mira në mënyrë që njeriu të afrohet tek Allahu i Lartësuar duke e aktivizuar veten sa më shumë. Duhet të dimë se ata që nuk i’a duan të mirën kësaj feje e dinë mirë se çfarë vlere dhe rëndësie ka ky muaj, ndaj dhe përgatiten në mënyrë që t’ua ndalojnë të rinjve muslimanë arritjen e të mirave.

Për këtë arsye shikojmë se në këtë muaj shtohen programet dhe zbavitjet, filmat dhe argëtimet ndryshe nga muajt e tjerë, aq shumë sa ndonjëherë mendon se njerëzve u erdhi sezoni i argëtimit e jo sezoni i adhurimit!! Për këtë arsye shikon se shumë prej muslimanëve e kalojnë këtë muaj të begatë duke shikuar filma e seriale të cilat përgatiten pak kohë para muajit të Ramazanit, në mënyrë që t’ua shmangin muslimanëve shfrytëzimin e të mirave që ka ky muaj madhështor. I dërguari i Allahut, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ai i cili falet gjatë muajit të Ramazanit duke pasur besim dhe duke shpresuar shpërblimin (tek Allahu), atij i falen gabimet që ka bërë më parë.”

Armiqtë e kësaj feje nuk duan që muslimanët të arrijnë këtë falje gabimesh, deri sa edhe për natën e Kadrit duan t’ua shmangin shfrytëzimin e saj. Këtë natë të Allahu e ka shenjtëruar kur thotë: “E ku e di ti se ç‘është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj.” |Kadr: 2-3|

Një mijë muaj do të thotë më shumë se sa tetëdhjetë vite në të cilat nuk kanë natën e Kadrit në të. I dërguari i Allahut, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Mosha mesatare e umetit tim është mes të gjashtëdhjetave dhe të shtatëdhjetave!” Që do të thotë se vetëm një natë prej netëve të Kadrit është më me vlerë sesa mosha mesatare e umetit të Muhamedit, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të. E me gjithë këtë i shikon disa prej muslimanëve se si u kalojnë netët e Ramazanit dhe nata që shpresohet të jetë nata e Kadrit pa ua ditur vlerën dhe pozitën. Ata nuk e ndiejnë rëndësinë e saj dhe ajo natë u kalon si gjithë netët e tjera. Pasha Allahun se kjo është fatkeqësi e madhe dhe privim që i bëhet njeriut duke qenë se na është përcjellë nga Pejgamberi ynë, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, se ka thënë: “I përçmuar është ai person të cilit i kalon muaji i Ramazanit dhe del prej tij pa i’u falur gabimet.”

Kjo do të thotë se për muslimanin mbërritja e këtij muaji me vlera madhështore duhet të zgjojë tek ai ndjenjën e pendimit dhe kthimit tek Allahu dhe bindjen ndaj Tij. Duhet që në ndërgjegjen e njeriut të rizgjohet ndjenja e mirësisë dhe garimi në adhurime e bindje ndaj Allahut. Por nëse njeriu e kalon këtë muaj në hutim e argëtim, atëherë ky muaj hyn dhe del duke e lënë atë po në atë gjendje hutimi e dëfrimi. Ndaj duhet që muslimani t’a ndiej së pari vlerën e këtij muaji dhe të dijë se ka ardhur një sezon madhështor për të përfituar prej tij. Shikoni se si tregtarët e kësaj bote nxitojnë për të arritur pasuri dhe bëjnë lloj-lloj llogarish precize në kohën e sezoneve ku pritet të fitohet në tregti, edhe nëse kjo mund të kërkojë prej tyre udhëtime në vende të largëta ku janë të gatshëm të udhëtojnë që të fitojnë sa më shumë.

Ky sezon i muajit të begatë të Ramazanit është sezon për të bërë tregti për ahiretin dhe është sezoni më madhështor fitimprurës për ahiretin. Muslimani duhet t’a përgatisë veten që t’a shfrytëzojë këtë muaj në mënyrën më të mirë duke i vendosur vetes një program të mirëstudiuar dhe të dobishëm, dhe ta detyrojë veten që t’i përmbahet atij programi. Si shembull po u sjell programin e dikujt prej selefëve (të parëve tanë të mirë) që ndiqte kur hynte muaji i Ramazanit. Ai thoshte: “Ky muaj është për të dhënë ushqim e për të lexuar Kuran.”

Pra, ai i vendosi vetes së tij këtë program në muajin e Ramazanit. Po ti, çfarë programi do të vendosësh për veten tënde? Përcaktoji synimet e tua dhe punët që do të kryesh, menaxhoje kohën tënde; mos le namaz të teravive apo namaz nate pa falur, mos lejo që të kalojë koha pa përmendur në të Allahun. Agjëruesit që do kenë më shumë shpërblime janë ata që e përmendin Allahun më shumë gjatë agjërimit të tyre. Nëse një person e përmban veten gjatë ditës nga ushqimi dhe pirja dhe gjërat që e prishin agjërimin, porse fle që prej mëngjesit deri në drekë, a mund të krahasohet agjërimi i tij me agjërimin e dikujt tjetër që këtë kohë e kalon duke lexuar Kuran? Pasha Allahun, kurrsesi nuk mund të jenë të barabartë. Vërtetë që të dy e kryen si obligim agjërimin por assesi nuk mund të jenë të barabartë në shpërblime. Dijetarët përmendin një rregull bazë ku thonë: “Personi me më shumë shpërblime në një adhurim është ai i cili më së shumti e përmend Allahun gjatë këtij adhurimi.”

Personi i cili ka më shumë shpërblime për agjërimin e tij është ai i cili e përmend Allahun më shumë gjatë agjërimit. Në kryerjen e umres më shumë shpërblime ka ai i cili më së shumti e përmend Allahun. Për haxhin njeriu që ka më shumë shpërblime është ai i cili e ka përmendur më së shumti Allahun. E kështu me rradhë mund të rendisim çdo adhurim sepse përmendja e Allahut është esenca dhe shpirti i çdo adhurimi. Namazi, agjërimi, haxhi e çdo adhurim tjetër nuk është ligjëruar vetëm se që të përmendet Allahu. Nëse njeriu i përgatit vetes një program në këtë muaj madhështor e në këtë sezon të begatë, atëherë ai do t’a detyrojë veten që t’i përmbahet atij programi.

Nëse njeriu lufton me veten duke kërkuar ndihmë tek Zoti i tij atëherë do të arrijë mirësi të shumta, ashtu si ka thënë i dërguari i Allahut, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të: “Kujdesu për gjërat që të sjellin dobi, kërko ndihmë tek Allahu dhe mos u bën i pamundur.”

E lus Allahun e Madhëruar, Zotin e Arshit, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta që të na bëjë të mundur t’a arrijmë muajin e Ramazanit, të na japë sukses në shfrytëzimin e ditëve dhe netëve të tij; të na ndihmojë t’a përmendim atë, t’a falënderojmë e t’a adhurojmë në mënyrën më të mirë, dhe të na përmirësojë gjendjen tonë! Ai ka mundësi për çdo gjë!

Përshtati: Ylli Rama

Dosje:

Loading...