Pse Allahu i Madhëruar u shfaq njerëzve shenjat e fuqisë së Tij?
Dukuritë natyrore si: eklipset, tërmetet, vullkanet, stuhitë, furtunat, përmbytjet etj. janë shenja të fuqisë së Allahut të madhëruar. Shfaqja e tyre bëhet për qortim dhe frikësim që robërit të ruajnë rregullin e Tij në Tokë.
Allahu i madhëruar në Kuran thotë:
“Ne nuk i nisim shenjat (ato të cilat tregojnë për fuqinë Tonë) veçse për frikësim.” [Suretu El-Isra: 59]
Katadja, komentuesi i njohur i Kuranit, (Allahu e mëshiroftë) në lidhje me ajetin thotë:
Allahu i frikëson njerëzit me çfarëdo lloj shenje që do me qëllim që ata të zënë mend, të kujtohen dhe të kthehen (tek Allahu).
Kam dëgjuar se Kufja (qytet në Irak) është dridhur njëherë në kohën e Abdullah bin Mesudit (radiallahu anhu), dhe ai ka thënë: “O njerëz! Zoti juaj po ju qorton prandaj pranojeni qortimin e Tij”. E transmeton Taberiu.
Pra, qëllimi i shfaqjes së shenjave treguese është qortimi, dhe detyra e robit kur Zoti e qorton është të pranojë qortimin e Tij.
Pranimi i qortimit bëhet duke shfaqur pendimin dhe nënshtrimin me dua, namaz, istigfar, sadaka etj. siç bënte Profeti -alejhi selam- i cili thotë në lidhje me eklipsin:
“Kur të shihni se u zu drita e tyre atëherë përkujtojeni Allahun.”
Ndërsa në një transmetim tjetër thotë:
“Shpejtoni për në namaz!” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Zgjedhja e këtyre veprave në raste të tilla ka një urtësi të madhe, sepse namazi dhe istigfari janë shkak i drejtpërdrejtë për largimin e sprovave.
Allahu i madhëruar në Kuran thotë:
“Allahu nuk ka për t’i dënuar kur ti të jesh në mesin e tyre, dhe Allahu nuk ka për t’i dënuar kur janë duke i kërkuar falje Atij.” [Sureu El-Enfal: 33]
Ibn Abasi -radiallahu anhu- në lidhje me ajetin thotë:
“Ata (sahabët) kishin dy garanci: Profetin e Allahut dhe istigfarin (të kërkuarit falje Allahut). Iku Profeti -alejhi selam- dhe mbeti istigfari.” E transmeton Ibn Ebi Hatim me zinxhir të saktë.
Këto dy garanci Profeti -alejhi selam- i ka përdorur në rastin e eklipsit të diellit në kohën e tij, kur u frikësua se mos ishte ora e fundit e dynjasë, siç tregon Ebu Musa El Esharij -radiallahu anhu-:
“Kur ndodhi eklipsi i diellit, Profeti -alejhi selam- u ngrit i shtangur nga frika se mos ishte ora e fundit e Dynjasë. Shkoi për në xhami dhe fali një namaz me më të gjatin qëndrim, më të gjatën ruku dhe më të gjatën sexhde që kam parë ndonjëherë prej tij.” E transmeton Buhariu.
Gjatë këtij namazi, ai në sexhde është lutur me këto fjalë:
“O Zot, a nuk më ke premtuar se nuk do t’i dënosh ata kur unë jam në mesin e tyre?! O Zot, a nuk më ke premtuar se nuk do t’i dënosh ata kur janë duke të kërkuar falje?!” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheih Albani.
O Allah, vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë! Na i fal gabimet tona dhe na udhëzo në rrugën e drejtë! Vetëm Ti ke mundësi për këtë gjë! Amin.
Dr. Abdullah Nabolli
Dosje: Lëmoshë, Namazi i Eklipsit
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve