Përfundimi i mirë i takon atij njeriu zemra e të cilit është e mbushur me iman, i cili e shtyn atë drejt veprave të mira.
Përfundimi i mirë është për atë njeri që besimin e ka të ngulitur në zemër, e ka shprehur me gjuhë, ka kryer vepra të mira dhe i është larguar gjërave që i ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari ﷺ.
Në momentin e vdekjes nuk ka vend për shtirje. Aty njeriu shfaq vetëm atë që ka mbartur në zemër gjatë gjithë jetës.
Prandaj, nëse dikush nuk e ka të shpeshtë gjatë ditës shqiptimin e fjalës “La ilahe il-la Allah”, vështirë se do ta thotë atë para vdekjes.
Kush e kupton këtë, e kupton se sa e vështirë është që njeriu ta shqiptojë “La ilahe il-la Allah” në çastet e fundit të jetës.
E nëse dikujt i bëhet mbarë ta thotë këtë fjalë para vdekjes, atij i është dhënë një mirësi jashtëzakonisht e madhe.
Allahu i Lartësuar thotë:
يُثَبِّتُ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ بِٱلۡقَوۡلِ ٱلثَّابِتِ فِي ٱلۡحَيَوٰةِ ٱلدُّنۡيَا وَفِي ٱلۡأٓخِرَةِۖ وَيُضِلُّ ٱللَّهُ ٱلظَّٰلِمِينَۚ وَيَفۡعَلُ ٱللَّهُ مَا يَشَآءُ
“Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje.”
| Ibrahim: 27.
Në një hadith, Profeti ﷺ e shpjegon këtë ajet duke thënë:
“Besimtari kur pyetet në varr, dëshmon ‘La ilahe il-la Allah, Muhamed Resulullah’. Kjo është fjala e Allahut: Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër.”
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)
I Dërguari i Allahut ﷺ i tha xhaxhait të tij në çastet e vdekjes:
“O xhaxhai im, thuaj ‘La ilahe il-la Allah’, fjalë për të cilën unë do dëshmoj për ty tek Allahu.”
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)
Muadh bin Xhebel përcjell se Profeti ﷺ ka thënë:
“Ai që e ka fjalën e tij të fundit ‘La ilahe il-la Allah’, do të hyjë në Xhenet.”
(Transmeton Ebu Daudi dhe Ahmedi.)
Dijetari i madh Ebu Abdullah el Kurtubi (v. 671 H) rrëfen në librin e tij “Et-tedhkira” raste të ndryshme të njerëzve, të cilëve u kërkohej në çastet e fundit të jetës të thoshin “La ilahe il-la Allah”. Mirëpo ata e refuzonin këtë fjalë dhe përsëritnin fjalë që i kishin zakon t’i përdornin gjatë jetës së përditshme.
Kjo sepse tek ata kishte dominuar angazhimi me dynjanë, preokupimi me të, ose ndonjë gjë tjetër që ua kishte mbërthyer zemrat, gjë që i pengonte të shqiptonin këto fjalë në momentet e vdekjes.
Shejh Abdurrahman es Sadi (v. 1376 H), gjatë komentimit të fjalës së Allahut në suren Ibrahim 27, thotë: Allahu i Madhëruar njofton se Ai do t’i forcojë robërit e Tij besimtarë, ata që kanë zemër të mbushur me iman, iman që nxit vepra të mira, bindje dhe nënshtrim ndaj Allahut.
Allahu i forcon këta besimtarë në këtë jetë dhe në ahiret:
– në këtë jetë i forcon në besimin e tyre të pastër, kundrejt çdo dyshimi apo shfrenimi.
– ndërsa në jetën tjetër ndihma e Tij fillon që në momentet e vdekjes. Ai i forcon në Islam dhe u dhuron përfundim të mirë.
Në varr i forcon gjatë pyetjeve të dy melekëve që të japin përgjigjet e duhura kur pyeten: “Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Kush është Profeti yt?”
Në atë çast të frikshëm dhe të vetmuar Allahu i Lartësuar i ndihmon të thonë: “Allahu është Zoti im. Islami është feja ime. Muhamedi ﷺ është Profeti im.”
Ndërsa të padrejtët i shpie në humbje në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu nuk u bën padrejtësi, por ata i bëjnë padrejtësi vetvetes.
(Marrë shkurtimisht nga “Tefsiri i Sadit”, fq. 425.)
Pra, që njeriut t’i bëhet mbarë ta thotë para vdekjes fjalën “La ilahe il-la Allah”, ai duhet të përgatitet për këtë gjatë gjithë jetës.
Lusim Allahun të na dhurojë përfundim të mirë dhe të na i bëjë rrizk ta mbyllim këtë jetë me fjalën e teuhidit: “La ilahe il-la Allah, Muhammed Resulullah!”
Dr. Fatmir Strumi
Dosje: shehadeti
Të Ngjashme
- Besimi i muslimanëve rreth Isait (Jezusit) Udha e Besimtarëve
- A e ke pyetur veten ndonjëherë: Kush të ka krijuar dhe përse? Udha e Besimtarëve
- La ilahe il-lAllah – garancia e shpëtimit Udha e Besimtarëve
- A do jenë fëmijët e jobesimtarëve të gjithë në xhenet? Shehul-Islam Ibn Tejmije
- Kënaqësia më e madhe e banorëve të Xhenetit Ibn Kajim el-Xheuzije