Domosdoshmëria e fesë në jetën e njeriut

March 22, 2021

Pyetje: Pse u duhet njerëzve feja? A nuk mjafton të kemi ligje (të caktuara nga njeriu) që rregullojnë jetën e njerëzve?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!

Nevoja e njeriut për fe është më e madhe se nevoja e tij për diçka tjetër në jetë, sepse njeriu duhet të dijë ata që pëlqen Allahu dhe ato që e zemërojnë Atë. Ai ka nevojë të veprojë në interes të tij dhe të largojë gjërat që mund ta dëmtojnë. Sheriati (legjislacioni islam) është ai që bën dallimin midis veprimeve që sjellin dobi dhe veprimeve që mund të shkaktojnë dëm. Ky sheriat është drejtësia e Allahut në krijesat e Tij dhe është drita e cila shkëlqen mes robërve të Tij. Njerëzit nuk mund të jetojnë pa ligje (sheriat) që do t’i ndihmojnë për të bërë dallimin midis asaj që duhet dhe asaj që nuk duhet të bëjnë.

Përderisa njeriu ka vullnet ai duhet të dijë patjetër se çfarë dëshiron, çfarë është e dobishme apo e dëmshme? A është e mirë apo e keqe për të?

Disa prej këtyre gjërave mund të njihen në mënyrë instiktive, disa prej tyre mund të dihen duke i punuar në një mënyrë racionale, dhe disa mund të njihen vetëm nga mësimet dhe udhëzimet e të dërguarve (profetëve dhe shpalljeve). Shih “Et Tedmurijen” nga shejhul-islam Ibën Tejmije, fq. 213 – 214, dhe “Miftah dar es-seadeh”, vëll. 2, fq. 383.

Pavarësisht se sa mbresëlënëse dhe tërheqëse mund të jenë shkollat ​​ateiste dhe materialiste të mendimit, dhe pa marrë parasysh sa ide dhe teori mund të kenë, individët dhe shoqëritë nuk mund të bëjnë kurrë pa fenë e vërtetë. Ato kurrë nuk mund t’iu përgjigjen nevojave të trupit dhe shpirtit. Sa më shumë që individi zhytet në ato ide aq më e sigurt bëhet se ai nuk mund të gjejë siguri ose të shuajë etjen, dhe se nuk ka rrugëdalje përveçse përmes fesë së vërtetë.

Ernest Renan thotë: “Është e mundur që gjithçka që duam të zhduket dhe të menduarit racional, shkenca dhe industria të pushojnë së ekzistuari, por është e pamundur që feja të eleminohet. Përkundrazi, ajo do të mbetet si provë se mendimi materialist që dëshiron t’a kufizojë njeriun në rrugën e ngushtë të jetës bazë të kësaj bote është i rremë.”  Shih librin “Feja” nga Abdullah Derraz, fq. 87.

Muhamad Ferid Uexhdi thotë: “Është e pamundur që ideja e fesë të zvogëlohet sepse ajo është prirja më e rafinuar e shpirtit dhe emocioni i saj më fisnik, ashtu sikurse është prirja që fisnikëron njeriun. Kjo prirje do të rritet dhe natyra fetare e njeriut do të mbetet për aq kohë sa ai ruan atë arsye që i mundëson të bëjë dallimin midis bukurisë dhe të shëmtuarës. Ky instinkt do të rritet në përputhje me nivelin e tij të racionalitetit.” Libri “Feja” fq. 87.

Nëse njeriu është larg Zotit atëherë sipas nivelit të njohurisë dhe mirëkuptimit ai do të kuptojë shkallën e injorancës së tij ndaj Zotit dhe atributeve të Tij, si dhe injorancën ndaj vetes dhe asaj që është e mirë ose e keqe për të, çfarë çon në lumturi dhe çfarë çon në dënim. Në këtë pikë njeriu i mençur do të lëvizë nga gjendja e mendjemadhësisë dhe krenarisë drejt përulësisë dhe nënshtrimit, dhe do të kuptojë se pas gjithë kësaj njohurie është i Gjithëdijshmi, i Urti, dhe se pas natyrës qëndron një Krijues i Plotfuqishëm. Kjo e vërtetë e detyron kërkuesin objektiv të besojë në të fshehtën, të pranojë fenë e vërtetë, t’i përgjigjet thirrjes së natyrshmërisë njerëzore dhe instinktit të lindur. Nëse një person nuk e bën këtë, ai shkon kundër natyrës së tij të lindur dhe fundoset në nivelin e kafshëve memece.

Kështu që ne mund të konkludojmë se ndjekja e fesë së vërtetë, ajo e cila bazohet në besimin vetëm në Allahun (teuhid) dhe adhurimin e Tij në mënyrën që Ai ka përshkruar, është elementi thelbësor i jetës nëse njeriu do të jetë një rob i vërtetë i Zotit të botëve. Kjo për të arritur lumturinë dhe për të qenë i lirë nga lodhja dhe rraskapitja në këtë botë dhe në botën tjetër. Vetëm në këtë mënyrë arsyeja mund të përmbushë dëshirat e saj, ndërsa pa të njeriu nuk mund të përmbushë ambiciet e tij më të larta.

Feja është një element thelbësor për pastrimin e shpirtit dhe disiplinimin e emocioneve, sepse në fe emocionet fisnike gjejnë tokë pjellore dhe një pranverë të pashtershme për t’i ndihmuar ata të arrijnë qëllimet e tyre.

Feja është element thelbësor për forcimin e fuqisë së vullnetit dhe furnizimin e tij me motivet dhe fuqinë më të madhe, për t’i rezistuar faktorit të pafuqisë dhe dëshpërimit.

Mbi këtë bazë, nëse dikush thotë se njeriu është natyrshëm i shoqërueshëm po ashtu duhet të themi se njeriu është fetar për nga natyra e tij. (Marrë nga libri “Feja”, fq. 84, 98).

Njeriu ka dy pika të forta; njohuri dhe vullnet, dhe lumturia e tij përfundimtare varet nga ai që i fiton të dyja. Njohja e plotë mund të arrihet vetëm duke ditur sa vijon:

1 – Njohjen e Allahut, Krijuesit dhe Siguruesit, i Cili e krijoi njeriun nga asgjëja dhe i jep begati.

2 – Njohjen e emrave dhe cilësive të Allahut dhe ndikimin e këtyre emrave mbi robërit e Tij.

3 – Njohjen e rrugës për të arritur tek Ai.

4 – Njohjen e pengesave dhe epidemive që e pengojnë njeriun nga kjo rrugë, dhe mirësinë e madhe që arrin kur ecën në të.

5 – Njohja e vetvetes ashtu siç duhet dhe njohja e asaj që i duhet shpirtit, çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për të.

Këto pesë çështje do t’i plotësojnë njohuritë e një personi. Arritja e fuqisë së vullnetit të përsosur mund të arrihet vetëm duke i kushtuar vëmendje të drejtave të Allahut mbi robërit e Tij dhe duke i përmbushur ato sinqerisht, duke iu përmbajtur kësaj dhe duke dëshmuar për mirësitë e Allahut. Këto dy pika të forta mund të përsosen vetëm me ndihmën e Allahut, kështu që njeriu ka nevojë për Allahun t’a udhëzojë atë në rrugën e drejtë në të cilën Ai i udhëzon miqtë e Tij të ngushtë. (Shih librin “El-Feuaid”, fq. 18-19.)

Pasi që e kuptuam se feja e vërtetë është mbështetja hyjnore që drejton potencialet e njeriut, atëherë duhet të dimë gjithashtu se feja është një mburojë për shoqërinë. Jeta njerëzore mund të jetë e fortë vetëm kur ka bashkëpunim midis anëtarëve të shoqërisë. Ky bashkëpunim mund të arrihet vetëm me anë të një sistemi që rregullon marrëdhëniet midis tyre, përcakton detyrat dhe mbron të drejtat. Ky sistem ka nevojë për një parandalues ​​që do të pengojë dikë nga shkelja dhe do t’a inkurajojë të ndjekë sistemin, një që mbart peshë në zemrat e njerëzve dhe i pengon të kapërcejnë kufijtë e tij. Cili është ky autoritet? Unë them se nuk ka asnjë fuqi në tokë që mund të përputhet me fuqinë e fesë në mbrojtjen e shenjtërisë së sistemit, garantimin e koherencës së shoqërisë, stabilitetin e sistemit të saj dhe sigurimin e mjeteve të paqes dhe sigurisë.

Arsyeja për këtë është se njeriu ndryshon nga të gjitha qëniet e tjera të gjalla dhe veprimet e tij vullnetare drejtohen nga diçka që nuk mund të shihet e as të dëgjohet, pra besimi fetar që disiplinon zemrën dhe udhëzon aftësitë e tij. Njeriu udhëhiqet në mënyrë të pashmangshme nga besimi i tij, qoftë i shëndoshë apo i përzier. Nëse besimi i tij është i shëndoshë gjithçka tjetër do të jetë e shëndoshë, por nëse është i përzier gjithçka tjetër do të jetë e përzier.

Religjioni dhe besimi janë dy gjërat që e rregullojnë njeriun dhe – siç mund t’a shohim në shumicën e rasteve – ato janë dy llojesh:

  • Besimi në rëndësinë e virtytit dhe dinjitetit njerëzor, dhe vlerave të tjera abstrakte që i bëjnë shpirtrat fisnikë të ndiejnë turp të shkojnë kundër parimeve të tyre, edhe nëse u kursehen pasojat e ndëshkimit fizik.
  • Besimi në Allahun dhe se Ai gjithmonë është duke parë dhe e di se çfarë ka në zemrat tona. Ai di sekretet madje edhe ato që janë më të fshehtat. Autoriteti i sheriatit bazohet në urdhrat dhe ndalimet e Tij. Ai e bën një person të ndihet i ndrojtur para Allahut nga dashuria për Të ose nga frika ndaj Tij, ose prej të dyjave. Padyshim që ky lloj besimi është më i forti mes llojeve që përmendëm dhe mbart më shumë peshë dhe ndikim në zemrën e njeriut. Është më i aftë t’i rezistojë stuhive të dëshirës dhe përmbysjeve të emocioneve, dhe ka më shumë efekt në zemrat e masave dhe elitës.

Feja është garancia më e mirë për të siguruar që njerëzit të jetojnë me njëri-tjetrin mbi bazën e drejtësisë, dhe kështu ajo bëhet një domosdoshmëri shoqërore. Nuk është për t’u habitur që marrëdhënia e fesë me kombin është si ajo e zemrës me trupin.

 

Përshtati: Fatjon Isufi

Loading...