Pse u zbrit Kurani?
Allahu i Madhëruar në vazhdim të ajeteve të agjërimit, duke treguar për muajin e Ramazanit, thotë:
شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنْزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ
“Muaji i Ramazanit është (muaji) në të cilin zbriti Kurani. Ai zbriti udhëzim për njerëzit, argumentues i udhëzimit dhe dallues i tij.” Suretu El-Bekare: 185.
Kjo pjesë e ajetit përveç përmendjes së muajit të Ramazanit si muaji i zbritjes së Kuranit, përmban edhe qëllimin e zbritjes së tij.
Allahu i Madhëruar në këtë ajet e përshkruan qëllimin e zbritjes së Kuranit me tre fjalë:
1- Udhëzim për njerëzit (El-Hudá).
2- Argumente udhëzimi (Bejjinát minel-Hudá).
3- Dallues i udhëzimit (El-Furkán).
E para: Udhëzim për njerëzit.
Fjala [Udhëzim] është përkthim i fjalës arabe “El-Hudá” e përdorur në ajet. Me këtë fjalë në gjuhën arabe cilësohet ai që u rrëfen rrugën të tjerëve. Musai -alejhi selam- kur e humbi rrugën gjatë kthimit të tij për në Egjipt, pa nga larg një zjarr dhe i tha familjes së tij:
امْكُثُوا إِنِّي آنَسْتُ نَارًا لَعَلِّي آتِيكُمْ مِنْهَا بِقَبَسٍ أَوْ أَجِدُ عَلَى النَّارِ هُدًى
“Qëndroni se pashë një zjarr! Ndoshta u sjell prej tij ndonjë urë, apo gjej te zjarri hudá (udhëzim).” Sure Taha: 10.
Musai -alejhi selam- në këtë ajet përdor fjalën hudá dhe për qëllim ka udhërrëfyesin siç thonë komentuesit e Kuranit, sepse ky është kuptimi i fjalës hudá. Ai shpresonte se te zjarri do të gjente dikë që t’i tregonte atij rrugën e kthimit për në Egjipt.[1]
Atëherë, përderisa me fjalën hudá cilësohet ai që u rrëfen rrugën të tjerëve, po kur me të cilësohet Kurani çfarë do të thotë?
Për të njohur domethënien e fjalës hudá në lidhje me Kuranin, na duhet të shohim te ato ajete që japin më shumë detaje rreth Kuranit në lidhje me këtë fjalë, si p.sh. në ajetin:
يَهْدِي إِلَى الْحَقِّ وَإِلَى طَرِيقٍ مُسْتَقِيمٍ
“Ai (Kurani) udhëzon për në të vërtetën dhe për në rrugën e drejtë.” Suretu El-Ahkaf: 30.
Komentuesit e Kuranit thonë: E vërteta e përmendur në këtë ajet është besimi i drejtë me të cilin ka ardhur Kurani, ndërsa rruga e drejtë janë ritet e atij besimi.[2]
Kurani është cilësuar me fjalën hudá e cila në origjinën e përdorimit të saj është për udhërrëfyesin, për të treguar qëllimin e zbritjes së atij i cili është udhëzimi për në besimin e drejtë dhe detajet e atij udhëzimi. Shejhu i Islamit IbnTejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë realitet thotë: “Allahu i Madhëruar ka sqaruar në librat e tij se çfarë duhet të synojnë njerëzit dhe cilën rrugë duhet të ndjekin. Ai u ka bërë të ditur se duhet të synojnë Allahun, i Vetmi që meriton adhurimin, e të mos adhurojnë tjetërkënd veç Tij. U ka bërë të ditur rrugën (që i çon për tek Ai) dhe ajo është mënyra e adhurimit të Tij. Kështu që fjala udhëzim përmban sqarimin se kë duhet të adhurojnë njerëzit dhe me çfarë t’a adhurojnë atë.”
Kurani është libër udhëzimi për në besim, për të njoftuar si të besosh Allahun dhe si t’a adhurosh Atë. Nëse përmend njohuri të tjera si për shembull histori, ai nuk është libër i mirëfilltë historie. A nuk e ke parë se në Kuran përmenden shumë ngjarje historike por në shumicën e rasteve të parenditura, sepse Kurani nuk është libër historie. Ai merr prej historisë çfarë i përshtatet ndonjë tematike të veçantë besimi, për t’a ilustruar atë ose për t’a argumentuar, por jo domosdoshmërisht për të renditur historinë. E njëjta gjë vlen për çdo fushë tjetër të njohurive si; gjeografia, gjeologjia, astrologjia, biologjia, mjekësia, kur Kurani përmend ndonjë gjë rreth tyre.
Pas fjalës udhëzim të përmendur në ajet tregohet se kujt i drejtohet ky udhëzim dhe përmendet fjala njerëz.
Përmendja e fjalës njerëz në numrin shumës tregon se ky udhëzim u drejtohet njerëzve në përgjithësi, pa dallim racash e kombësish. Kjo do të thotë se librat e zbritura nga Allahu i Madhëruar janë si profetët të cilëve ua ka zbritur ato libra. Muhamedi -alejhi selam- është i dërguari i Allahut për të gjithë njerëzit dhe kështu është edhe Kurani, libri i tij. Ndërsa profetët e tjerë janë dërguar te popujt e veçantë, dhe kështu janë edhe librat e tyre të cilët u drejtohen popujve të veçantë. Librat si Teurati, Zeburi dhe Inxhili, janë udhëzime të drejtuara vetëm për Beni Israilët në kohën e tyre, sepse ashtu ishin edhe profetët e tyre.
Përmendja e fjalës njerëz tregon gjithashtu se udhëzimet e Kuranit në origjinë janë për botën e njerëzve dhe jo për botët e tjera, si p.sh. bota e xhinëve për të cilët jemi njoftuar se banojnë mes nesh dhe janë të ngarkuar me detyra si ne, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:
وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنْسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ
“Nuk i kam krijuar xhindët dhe njerëzit veçse për të më adhuruar.” Sure Edh-Dharijat: 56.
Pra, xhinët janë krijesa të ngarkuara me përgjegjësinë e adhurimit të Allahut si njerëzit, por me çfarë udhëzimesh?
Në Kuran përmendet se xhinët e kanë dëgjuar Kuranin në kohën e profetit Muhamed -alejhi selam- dhe e kanë marrë atë si udhëzimin e Allahut për ta. Në lidhje me këtë ngjarje në Kuran thuhet:
وَإِذْ صَرَفْنَا إِلَيْكَ نَفَرًا مِنَ الْجِنِّ يَسْتَمِعُونَ الْقُرْآنَ فَلَمَّا حَضَرُوهُ قَالُوا أَنْصِتُوا فَلَمَّا قُضِيَ وَلَّوْا إِلَى قَوْمِهِمْ مُنْذِرِينَ * قَالُوا يَاقَوْمَنَا إِنَّا سَمِعْنَا كِتَابًا أُنْزِلَ مِنْ بَعْدِ مُوسَى مُصَدِّقًا لِمَا بَيْنَ يَدَيْهِ يَهْدِي إِلَى الْحَقِّ وَإِلَى طَرِيقٍ مُسْتَقِيمٍ *يَاقَوْمَنَا أَجِيبُوا دَاعِيَ اللَّهِ وَآمِنُوا بِهِ يَغْفِرْ لَكُمْ مِنْ ذُنُوبِكُمْ وَيُجِرْكُمْ مِنْ عَذَابٍ أَلِيمٍ * وَمَنْ لَا يُجِبْ دَاعِيَ اللَّهِ فَلَيْسَ بِمُعْجِزٍ فِي الْأَرْضِ وَلَيْسَ لَهُ مِنْ دُونِهِ أَوْلِيَاءُ أُولَئِكَ فِي ضَلَالٍ مُبِينٍ
“Kujto, kur Ne dërguam te ti një grup xhinësh për të dëgjuar Kuranin. Kur erdhën, ata i thanë njëri-tjetrit: ‘Heshtni!’ Dhe kur përfundoi (leximi) u kthyen te populli i tyre si këshillues. * Ata thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një Libër të shpallur pas Musait i cili vërteton shpalljet para tij, udhëzon për në të vërtetën dhe për në rrugën e drejtë. * O populli ynë, përgjigjjuni thirrësit të Allahut dhe besojini Atij! Ai do t’ua falë gjynahet tuaja dhe do t’u shpëtojë prej dënimit të dhembshëm. * Ata që nuk i përgjigjen thirrësit të Allahut nuk do mund t’i ikin Atij në Tokë dhe s’kanë mbrojtës tjetër përveç Tij. Ata janë në humbje të madhe.” Suretu El-Ahkaf: 29-32.
Në këtë ajet tregohet qartë se xhinët pasi e dëgjuan Kuranin e besuan atë, dhe shkuan për t’i paralajmëruar të tjerët prej llojit të tyre dhe për t’i ftuar në udhëzimet e këtij libri duke u thënë: Përgjigjuni thirrësit të Allahut!
Pra, edhe xhinët si njerëzit janë të përfshirë në udhëzimet e Kuranit dhe kërkohet prej tyre ndjekja e tij. Shejhu i Islamit IbnTejmje -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje thotë: “Është detyrë të dihet se Allahu i Madhëruar e ka dërguar Muhamedin -alejhi selam- për të gjithë njerëzit dhe xhinët. Nuk ka njeri dhe as xhind veçse e ka detyrë besimin e Profetit Muhamed -alejhi selam- dhe ndjekjen e tij. Ata duhet t’a besojnë atë në çfarë njofton dhe t’i binden në çfarë urdhëron. Kujt i bëhet i ditur dërgimi i tij dhe nuk e beson atë, atëherë ai është mohues njeri qoftë apo xhind.”[3]
Mospërmendja e xhinëve në ajetet e agjërimit kur tregohet për Kuranin edhe pse ata realisht janë të përfshirë, duhet të jetë për shkak se Kurani në origjinë është udhëzim i drejtuar për njerëzit, pastaj xhinët janë urdhëruar të na ndjekin neve në ato udhëzime.
Së fundi, nga trajtimi i kësaj pjese ajeti përfitohet si më poshtë:
1- Kurani është zbritur udhëzim për në besimin e drejtë.
2- Udhëzimi për në besimin e drejtë është njoftimi se ‘Si t’a besosh Allahun dhe si t’a adhurosh Atë?’
3- Kurani është udhëzim për të gjithë njerëzit, pa dallim rrace e ngjyre.
4- Kurani në origjinë është udhëzim për botën e njerëzve, pastaj në të janë përfshirë edhe bota e xhinëve.
Vijon………
————————————
[1] Shih ‘Tefsir Et-Taberij’: 18/276.
[2] Shih ‘Tefsir Ibn Arafe’: 4/21.
[3] Shih librin ‘Mexhmu El-Fetaua’: 11/303.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve