Qëndrimi gjithmonë pranë librave, në shtëpi apo në udhëtim

Në këtë temë ka çudira dhe gjëra të mahnitshme. Allahu i mëshiroftë ata trupa dhe i shpërbleftë me pozitat e atyre që është kënaqur me ta, për punën që kanë bërë dhe shpërblim për durimin që kanë pasur.

Imam Dhehebiu përmend në librin e tij “Tedhkiratul huffadh”[1] nga Ibn Tahir el Makdesij se ka thënë: “Dy herë kam urinuar gjak kur kërkoja diturinë e hadithit, një herë në Bagdad dhe një herë në Mekke! Ecja zbathur në të nxehtë dhe më ndodhi ajo që përmenda. Kurrë nuk kam hipur në kafshë gjatë kërkimit të diturisë së hadithit, librat i mbaja në shpinë. Nuk i kam kërkuar kurrë askujt asgjë gjatë kohës së kërkimit të diturisë, jetoja me ato që më gjendeshin.”

Dhehebiu përmend gjithashtu në “Et tedhkirah”[2] nga Deghulij se ka thënë: “Katër libra nuk i ndaj nga vetja në shtëpi apo në udhëtim: libri i Muzeniut, ‘Kitabul Ajn’, ‘Et tarikh’ i Baghdadit dhe ‘Kelileh ue dimneh’”[3]

Në jetshkrimin e imamit Hafidh el Hasen ibn Ahmed el Hemedhanij në librin “Edh dhejlu ala tabekatil hanabileh”[4], nxënësi i tij Abdulkadir er Ruhanij tregon për të dhe thotë: “Ishtei pastër prej dëshirës për pasuri, e nënçmonte atë. I shiti të gjitha ato që trashëgoi prej babait të vet – i cili ishte tregtar – dhe e shpenzoi të gjithën në kërkimin e diturisë. Udhëtoi drejt Bagdadit dhe Asbahanit disa herë në këmbë duke i mbartur librat e tij në kurriz!”

Kur u kthye prej udhëtimeve të tij të shumta në kërkim të diturisë dhe u ngul në vendin e vet, ngriti një shtëpi botimi dhe një bibliotekë ku i la vakëf të gjithë librat e tij, ku gjendeshin librat bazë të diturisë, titujt më të mëdhenj dhe librat më të bukur me shkrim të qartë.

Tek libri “El merkebetul ulja”[5] i Ebul Hasen el Malikij[6], tek jetshkrimi i gjykatësit Ahmed ibn Jezid – el emeuij nga pasardhësit e Bekijj ibn Makhled el Kurtubij – vdekur më 625 qëndron se ai ka shkruar një libër rreth ajeteve të paqarta në Kuran. Thuhet se ai është libri më i mirë i shkruar në atë temë. Dhe ai e mbante me vete kudo që të ishte, në shtëpi apo në udhëtim.

Dhehebiu kur flet në “Sijeru a’lamin nubela”[7] për jetshkrimin e gjykatësit Ramehurmuzij[8], përmend librin e tij “El muhaddith el fasl” dhe thotë: “Ky libër flet për shkencën e hadithit, sa libër i mirë që është![9] Thoshin:  Silefiu[10] pjesën më të madhe të tij nuk e ndante nga vetja atë libër.”

Po tek “Sijeru a’lamin nubela”[11] qëndron: “Hafidh Jahja ibn Abduluehhab (Ibn Mendeh) ka thënë: ‘Isha me xhaxhanë tim në një udhëtim drejt Nejsaburit. Kur arritëm pusin e quajtur ‘Mexhenneh’ xhaxhai më tha: ‘Kam qenë një herë këtu dhe një plak që merrej me mbarështimin e deveve më thotë: Po vija një herë me deve bashkë me babanë tim nga Khorasani. Kur arritëm këtu gjetëm një karvan me 40 deve të mbushura plotë me plaçkë dhe mall. Menduam se ishin pëlhura, rroba. Pastaj pamë një tendë të vogël të ngritur aty pranë ku qëndronte një plak, i cili ishte babai yt. Dikush prej nesh e pyeti për plaçkën që mbartnin devetë dhe ai iu përgjigj: Ajo është një plaçkë që pak e duan njerëzit e kësaj kohe! Ato janë hadithet e të Dërguarit të Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!”

Tek libri “Tabekatul hanabileh”[12] i Ibn ebi Ja’la dhe në “Tedhkiratul huffadh”[13] i Dhehebiut ku flitet për jetën e Is’hak ibn Mensur el Keusexhij (vdekur më 251) ka ardhur: “Nga Hassan ibn Muhammed përcillet se ka thënë: ‘Kam dëgjuar dijetarët tanë që tregonin se Is’hak ibn Mensurit i kishte ardhur lajmi se Imam Ahmed ibn Hanbeli kishte ndërruar mendim për qëndrimin që mbante në disa çështje fetare të cilat Is’haku i kishte mbajtur shënim prej tij. Atëherë ai i mblodhi ato që kishte shkruar në këtë temë dhe i mbarti në kurriz e u nis në këmbë për në Bagdad (atje ku ishte imam Ahmedi). Atje ia paraqiti ato që kishte shkruar prej tij, çdo çështje që kishte mbajtur shënim prej tij dhe, imam Ahmedi ia ripohoi edhe një herë ato që i kishte thënë dhe u mahnit nga Is’haku për veprimin që bëri!”

 

Jakuti autori i “Mu’xhemul udeba”[14] dhe Kiftij autori i “Inbahur ruuah”[15] dhe prej tij citon edhe Ibnul Khilikkan në “Uefejat”[16] tek jetshkrimi i gjuhëtarit Ibnul Khatib et Tibrizij (v.502) tregojnë se atij i ra në dorë një kopje e librit të Ez’heriut “Tehdhibul lughah” i cili kishte disa vëllime të holla dhe deshi ta studionte atë libër tek një dijetar i gjuhës. I treguan për Ebul Ala el Mearri. E mori libri dhe e vendosi në një torbë dhe e hodhi në kurriz. Ashtu eci nga Tibrizi deri në Mearrah – sepse s’kishte para të merrte një kafshë me qera për t’i hipur – dhe djersa i kulloi në torbë dhe ia lagu librat.”
Thuhet se ky libër gjendet në një prej bibliotekave vakëf në Bagdad. Ai që nuk e njeh historinë e tij mendon se ai libër ka rënë në ujë (e ka prekur ndonjë përmbytje) por ajo është djersa e Jahja ibn Aliut – Allahu e mëshiroftë!

“Nxitësi për të kërkuar diturinë”

Përktheu Emin Bilali

[1] 1243/4

[2] 824/3

[3] Libri i Muzeniut është “Mukhtesari” (Përmbledhja) e tij e njohur në fikhun shafiij.
‘Kitabul ajn’ është i Khalil ibn Ahmed el Ferahidij në gjuhë. Fjalori i parë në gjuhën arabe.
Libri ‘Ettarikh’ është i Imam Bukharit. Por ai ka tri të tillë, e ndoshta këtu është për qëllim ‘Ettarikhul kebir’, i cili është aq i famshëm sa nuk ka nevojë të prezantohet. Ka thënë Sekhauij në ‘El i’lan bit teubikh’ (fq. 79) : “Mjafton si nderim për këtë shkencë – dmth shkencën e  historisë – vetëm libri i Bukhariut ‘Et tarikh’ të cilin ai e ka shkruar në ‘reudan’* e ndershme në netët me hënë, pasi ka falur aty dy rekate për çdo njeri të cilit i shkruante jetëshkrimin (biografinë)”
*Sh.p: Një vend në xhaminë e Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – për të cilin ai ka thënë: “Hapësira mes shtëpisë sime (shtëpisë së Aishes – radijallahu anha) dhe minberit tim, është një prej kopshteve të Xhennetit, dhe minberi im është mbi ‘haudin’ (burimin) tim” Bukhari: 1789. Kitab fedailul Medineh.
Dhe ‘Kelileh ue Dimneh’ është libri i Ibnul Mukanneit në letërsinë arabe dhe tregime.
[4] 326/1

[5] “El merkabetul ulja fijmen jestehikkul kadae uel futja” fq. 117-118

[6]  Sh.p.: Me ‘kaf’ jo me ‘kef’.

[7] 73/16.

[8] Sh.p.: Nga qyteti në Iran që mban të njëjtin emër edhe sot Ramehurmuz.

[9] Thotë Dhehebiu më pas: “Libri i tij është tregues i imamllëkut të tij (dijetar i madh)!”

[10] Sh.p.: Kështu e ka vokalizuar autori me ‘kesrah’ (zanoren ‘i’ poshtë ‘sin’-it)

[11] 37/17.

[12] 114/1

[13] 524/2

[14] 26-28/20

[15] 28-29/4

[16] 192/6. Shiko gjithashtu edhe “El felakeh uel meflukun” (fq. 71).