Qëndrueshmëria në fenë e Allahut

July 24, 2017

Qëndrueshmëria në fenë e Allahut.

Pasi njeriu e ka njohur Allahun dhe ka hyrë në rrugën e Tij të drejtë, nuk ka gjë më të rëndësishme për të sesa qëndrueshmëria në këtë rrugë.
Fjala që përdoret në Kuran për të treguar për këtë çështje është El-Istikame, dhe ajo referuar gjuhës arabe do të thotë mos shtrembërim dhe mos mënjanim.
Kurse përsa i përket kuptimit të kësaj fjale si term fetar, Ibn Rexhebi (një prej dijetarëve të spikatur të kohës së tij i cili ka vdekur në vitin 795 H) thotë: El-Istikame është ndjekja e rrugës së drejtë, fesë së qëndrueshme pa u mënjanuar djathtas apo majtas. Ajo përfshin kryerjen e të gjitha detyrave të jashtme apo të brendshme, dhe lënien e të gjitha të ndaluarave të jashtme apo të brendshme.
Pra kjo fjalë është ndjekja e fesë së qëndrueshme dhe qëndrueshmëria në të, dhe është mirësia më e madhe që i bën Allahu dikujt, siç thotë sheihu islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë): Më e madhja mrekulli e Allahut për dikë është vazhdimësia në istikame.
Istikamja është përmendur në shumë ajete të Kuranit dhe ato mund t’i ndajmë në tri lloje ajetesh:

1- Ajetet që paraqesin istikamen si cilësi e rrugës që duhet ndjekur.
Allahu i Madhëruar në suren El-Fatiha thotë: “Na udhëzo në rrugën e drejtë (siratal-mustekim). * Në rrugën e atyre që mbi ta ke hedhur mirësinë Tënde dhe jo në rrugën e atyre që fituan zemërimin Tënd, dhe as në rrugën e të humburve.” Suretu El-Fatiha: 6-7.
Abdullah bin Mesudi (radiallahu anhu) tregon: “Profeti (alejhi selam) na vizatoi një ditë një vijë, dhe pastaj tha: Kjo është rruga e Allahut. Pastaj vizatoi vija nga e djathta dhe nga e majta e saj dhe tha: Këto rrugë janë të ndryshme ku në krye të secilës ka një shejtan që fton në të. Pastaj lexoi fjalën e Allahut: “Kjo është rruga Ime e drejtë prandaj ndiqeni atë, dhe mos ndiqni rrugët e tjera që t’ju ndajnë nga rruga Ime.” Suretu El-En’am: 153. E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani.
Rruga e Allahut është rrugë e drejtë dhe e qëndrueshme, dhe në mënyrë që njeriu të ketë qëndrueshmëri duhet të jetë në rrugë të qëndrueshme.
Allahu i madhëruar pasi nxit njerëzit t’i luten Atij që t’i udhëzojë në rrugën e drejtë, tregon dy shkaqe që i nxjerrin ata nga rruga e drejtë:
I pari: Kundërshtimi i urdhrave.
Kjo cilësi është cilësi e çifutëve për shkak të së cilës ata humbën rrugën e drejtë. Ata e njihnin këtë rrugë por e humbën atë duke ecur sipas qejfeve dhe dëshirave të tyre, siç tregon Abdullah bin Mesudi se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Beni Israilët kur u larguan nga koha e profetëve shpikën një libër nga ana e tyre, sipas dëshirave të tyre dhe fjalëve të gjuhëve të tyre. Libri i vërtetë ishte pengesë mes tyre dhe ndjekjes së dëshirave derisa e hodhën atë pas shpine sikur të ishin injorantë. Ata thanë: Paraqiteni këtë libër para beni Israilëve! Nëse ata ju pasojnë i lini, dhe nëse ju kundërshtojnë atëherë vritini! Pastaj thanë: Jo, por dërgojani filanit – një burrë prej dijetarëve të tyre -. Ai nëse e pranon nuk do ta kundërshtojë njeri dhe nëse ju kundërshton vriteni se nuk do t’ju kundërshtojë njeri pas tij. Ata ia dërguan atij dhe ai mori një letër, shkroi në të librin e Allahut pastaj e futi në një brirë. E vari në qafë, veshi mbi të rrobat e tij, pastaj shkoi tek ata dhe ata ia paraqitën librin dhe i thanë: E beson këtë libër? Ai u tha duke bërë me shenjë nga kraharori –d.m.th. librin në brirë-: Unë besoj në këtë. E pse mos ta besoj?! Dhe kështu ata e lanë atë. Ai kishte disa shokë që e vizitonin shpesh dhe kur i erdhi vdekja dhe ia hoqën rrobat, ata gjetën bririn dhe brenda tij librin. Ata thanë: A nuk e keni parë kur thoshte: Unë besoj në këtë. E pse mos ta besoj atë?! Ai ka pasur për qëllim këtë libër që është në brirë. Kështu ranë në kundërshtim Beni Israilët duke u ndarë në shtatëdhjetë e ca grupe, më të mirët prej tyre ishin pasuesit e burrit të bririt.” E transmeton Bejhakiu dhe e saktëson sheih Albani.
Pra, ndjekja e epsheve dhe kundërshtimi i urdhrave është shkak për të humbur rrugën e qëndrueshme.
I dyti: Padija.
Kjo cilësi është e të krishterëve të cilët e humbën rrugën e drejtë nga padija. Njeriu kur nuk di ndjek atë që e mendon të qëndrueshme kur në fakt mund të mos jetë e tillë.
Sheihu islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- kur flet për shkakun e humbjes së të krishterëve, thotë: Shkaku i humbjes së të krishterëve dhe grupeve të tjera si to janë tre gjëra:
1- Terma të dyshimta të përgjithshme të përcjella prej profetëve u kapën pas tyre dhe lanë termat e qarta, dhe sa herë që i dëgjojnë ato i shpjegojnë sipas ideve të tyre si p.sh. në rastin kur Allahut flet për krijimin dhe përdor fjalën [Ne]. A do të thotë kjo fjalë se Allahu është tre?
Kjo fjalë ka dy përdorime: Ajo përdoret për ata që janë të barabartë dhe ortakë, dhe përdoret gjithashtu edhe për atë që është një, i madh, i fuqishëm dhe ka bashkëpunëtorë që i binden urdhrave të tij edhe pse ata nuk janë të barabartë me të. Atëherë, nëse do të ecim nën hijen e thënieve të tjera ku Allahu e përshkruan veten e Tij se është Një dhe askush nuk është i barabartë me të, nuk mund ta kuptojmë fjalën [Ne] veçse sipas përdorimit të dytë. Pra, Allahu dhe ushtritë e tij dhe siç thotë Ai vetë: “Nuk i di askush ushtritë e Zotit tënd veç Tij.” Suretu El-Mudethir: 31.
2- Veprime të jashtëzakonshme të cilat i menduan si mrekulli por që janë prej mashtrimeve të shejtanëve, siç humbën shumë prej mushrikëve kur shejtanët futeshin në idhujt e tyre dhe u flisnin njerëzve.
3- Lajme të përcjella nga historia i menduan të vërteta por që faktikisht janë të rreme.

2-Ajete që urdhërojnë për istikame.
Janë disa ajete që urdhërojnë për istikame dhe këtu do përmendim disa prej tyre, sepse secila prej tyre përmban diçka të veçantë.
Ajeti i parë: “Qëndro (drejt) siç je urdhëruar bashkë me ata që janë penduar me ty, dhe mos i kaloni kufijtë. Ai e sheh mjaft mirë se çfarë punoni.” Suretu Hud: 112.
Në këtë ajet Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij dhe besimtarët që e kanë ndjekur për istikame, dhe i ndalon nga e kundërta e saj që është kalimi i kufijve.
Kapërcimi i kufijve në këtë ajet sipas komentuesve të Kuranit është në dy mënyra:
1- Kapërcimi i kufijve duke e tepruar në fenë e Allahut, dhe kjo është ndalim nga bidatet në fe.
2- Kapërcimi i kufijve duke e kundërshtuar Allahun, dhe kjo kur njeriu ecën pas qejfeve dhe dëshirave të tij të cilat bien ndesh me rrugën e drejtë të Allahut.
Enesi (radiallahu anhu) tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Xheneti është rrethuar me gjëra të urryera dhe xhehenemi është rrethuar me gjëra të dashura.” E transmeton Muslimi.
Pra, xheneti i cili është shpërblimi i istikames është rrethuar me gjëra që janë të urryera, sepse shpirti i njeriut nuk e do prishjen e rehatisë së tij dhe urdhrat e Allahut kanë nevojë për përpikmëri, durim, sinqeritet etj. Ndërsa xhehenemi i cili është shpërblimi i atyre që kanë humbur istikamen është rrethuar me gjëra që janë të dashura, të cilat ose janë të ndaluara në origjinë si; zinaja, kamata, alkooli etj. ose janë të lejuara në origjinë. Por kur njeriu ecën pas tyre pa kriter ato bëhen shkak për moskryerjen e detyrave të Allahut. Kështu njeriu duhet t’i kthejë dëshirat dhe qejfet e tij sipas fesë së Allahut me qëllim që të ruaj istikamen.

Ajeti i dytë: Këshilla e Allahut të Madhëruar për Musën dhe Harunin (alejhima selam) kur thotë: “Ai u tha: Lutja juaj është pranuar prandaj qëndroni drejt dhe mos e ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë.” Suretu Junus: 89.
Kjo këshillë vjen pas një lutjeje që bënë dy profetët e Allahut kundër Faraonit i cili përgënjeshtroi të gjitha argumentet e tyre, siç e ka regjistruar Allahu në Kuran: “Musai tha: O Zoti ynë, Ti i dhe Faraonit dhe pasuesve të tij bukuri dhe pasuri të kësaj bote me të cilat po humbin të tjerët nga rruga jote. O Zoti ynë, shkatërrojua pasuritë e tyre dhe ngurtësojua zemrat e tyre që të mos besojnë derisa ta shohin dënimin e dhembshëm.” Suretu Junus: 88.
Pas kësaj duaje – siç thotë imam Taberiu -: Allahu i madhëruar i urdhëron ata të qëndrojnë të patundur në detyrën e tyre, derisa të vijë ndëshkimi i Allahut për Faraonin dhe ushtrinë e tij.
Ibën Xhurejxh (një prej komentuesve të Kuranit) thotë: Faraoni ka jetuar pas kësaj duaje dyzet vjet.
Nëse është e vërtetë kjo që thotë Ibën Xhurejxhi, atëherë i bie që Musa dhe Haruni (alejhima selam) kanë qëndruar të palëkundur në detyrën e Allahut deri në ndëshkimin e Faraonit për dyzet vjet, dhe kjo do të thotë se istikamja ka nevojë për durim.
Istikamja pa durim nuk mund të arrihet sepse ajo është ndriçim siç thotë Profeti (alejhi selam), dhe këputja e durimit do të thotë këputje e ndriçimit. Pas kësaj njeriu lëkundet në errësira dhe del nga istikamja.

Ajeti i tretë: “Thuaj: Unë jam njeri si ju, por që më zbret shpallja se i adhuruari juaj është Një prandaj qëndroni në rrugën e Tij dhe kërkoni falje. Mjerë për mushrikët.” Suretu Fusilet: 7.
Në këtë ajet Allahu i Madhëruar urdhëron për istigfar (kërkimi falje) dhe istikame. Istigfari gjithmonë është pas gjynahut dhe kjo do të thotë – Allahu e di më së miri- se gjynahet e prishin istikamen. Por në rast se njeriu i pason ato me istigfar, e ruan istikamen dhe nuk del prej saj.
Njeriu patjetër do të bier në gjynahe sepse kështu e ka krijuar Allahu në mënyrë që të dalin në pah emrat dhe cilësitë e Tij të bukura, siç thotë Profeti (alejhi selam): “Pasha Atë që në dorën e Tij është shpirti im! Nëse nuk do të bënit gjynahe Allahu do t’ju largonte dhe do të sillte të tjerë që bëjnë gjynahe, i kërkojnë falje dhe Ai i fal.” E transmeton Muslimi.
Pjesë te gjynahet kanë edhe besimtarët, dhe këto gjynahe nuk ua prishin atyre istikamen nëse i pasojnë ato me istigfar. Ebu Hurejra (radiallahu anhu) tregon se ka dëgjuar të dërguarin e Allahut duke thënë se Allahu ka thënë: “Një rob bëri një gjynah dhe tha: O Allah më fal! Allahu tha: Robi Im bëri një gjynah dhe e di se ka një Zot që i fal gjynahet dhe ndëshkon për to. Pastaj bëri një gjynah tjetër dhe tha: O Zoti im, më fal gjynahun! Allahu tha: Robi Im bëri një gjynah dhe e di se ka një Zot që i fal gjynahet dhe ndëshkon për to. Pastaj bëri përsëri një gjynah tjetër dhe tha: O Zoti im, më fal gjynahun! Allahu tha: Robi Im bëri një gjynah dhe e di se ka një Zot që i fal gjynahet dhe ndëshkon për gjynahe. Bëj çfarë të duash se unë të kam falur!” E transmeton Muslimi.

Ajeti i katërt: “Ti fto në rrugën e Allahut, qëndro drejt dhe mos ndiq qejfet e tyre. Thuaj: Besoj në atë që ka zbritur Allahu prej librit dhe jam urdhëruar të mbaj drejtësi mes jush. Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj! Për ne janë punët tona dhe për ju janë punët tuaja, dhe nuk ka më debat mes nesh dhe jush. Allahu na mbledh të gjithëve (ditën e kiametit) dhe te Ai do të kthehemi.” Suretu Esh-Shura: 15.
Në këtë ajet Allahu urdhëron për kundërshtim të mohuesve dhe istikame, sepse rrugët e tyre nuk përputhen me rrugën e Allahut dhe se pasimi i tyre do të thotë lënie e rrugës së Allahut, siç thotë Allahu i madhëruar në një ajet tjetër: “Nëse u bindesh shumicës së njerëzve në tokë, ata të humbin nga rruga e Allahut.” Suretu El-Enam: 116.

Në këto katër ajete në të cilat është përmendur urdhëri për istikame, secila prej tyre përmban nga një porosi pa të cilën nuk mund të ruhet istikamja; mospasimi i epsheve, durimi në urdhrat e Allahut, istigfari dhe pendimi nëse ndodh ndonjë gabim, dhe mosndjekja e mohuesve.
3- Ajetet që tregojnë për shpërblimin e istikames.
Ajeti i parë: Premtimi që u ka bërë Allahu xhinëve nëse do ta ndiqnin dhe do të qëndronin në rrugën e drejtë: “Nëse ata do të qëndronin drejt në rrugën e Allahut do t’iu kishim zbritur ujë të shumtë.” Suretu El-Xhin: 16.
Ed-Dahak (një prej komentuesve të hershëm të Kuranit) thotë: Ky ajet është si ajeti ku Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse banorët e fshatrave (të zhdukur) do të besonin dhe do t’i frikësoheshin Allahut, do t’u kishim hapur atyre prej bereqetit të qiellit dhe të tokës.” Suretu El-Earaf: 96.
Pra, Allahu i Madhëruar u premtoi atyre nëse do të ruanin istikamen bereqet të madh në këtë botë, bereqet ky si shiu që bie nga qielli dhe nuk numërohet dot.
Ajeti i dytë: “Ata të cilët thanë “Zoti ynë është Allahu” pastaj qëndruan drejt, u zbresin melaiket dhe u thonë: Mos kini frikë, mos u mërzisni, dhe gëzohuni me Xhenetin që u kemi pas premtuar. * Ne jemi kujdestarët tuaj në këtë botë dhe në ahiret, dhe aty keni atë që dëshironi dhe kërkoni. * Shtëpi prej Falësit dhe Mëshiruesit.” Suretu Fusilet: 30-32.
Ky është ajeti më i madh në Kuran në lidhje me istikamen dhe shpërblimin që u premton Allahu atyre që e ruajnë atë.
Thabit El-Bunani (një prej tabiinëve të hershëm) në lidhje me këtë ajet thotë: Kam dëgjuar se besimtari kur të dalë nga varri do ta presin dy melaiket që rrinin me të në dynja, dhe do t’i thonë: Mos u frikëso, mos u mërzit, por gëzohu me Xhenetin që të është premtuar! Kështu Allahu ia largon atij frikën, ia kënaq syrin dhe nuk ka ndonjë vështirësi që i mbulon njerëzit ditën e kiametit veçse besimtari është jashtë saj. Kjo për shkak të udhëzimit që i ka dhënë Allahu dhe punës që punonte në dynja.
Pra, ata që kanë istikame dhe e ruajnë atë Allahu i madhëruar i qetëson dhe u jep siguri prej çdo gjëje që përballen me të njerëzit në ditën e kiametit, ditë e cila është dita e tmerrit, e shtangies, e dehjes dhe e kllapisë. Dhe pasi i nxjerr prej saj i fut në xhenet për t’i gëzuar me atë që u kishte premtuar.
El-Hasen El-Basri (tabiini i njohur) pasi lexonte këtë ajet thoshte: O Allah, me jep istikame!

Istikamja në fjalët e Profetit (alejhi selam).
1- Istikamja është edhe porosia e Profetit tonë, siç tregon Sufjan bin Abdullah Eth-Thekafi se i ka thënë të dërguarit të Allahut (alejhi selam): O i dërguari i Allahut, më thuaj një fjalë në lidhje me Islamin që të mos pyes njeri pas teje! Profeti (alejhi selam) i tha: “Thuaj: Besoj në Allahun! Pastaj qëndro në këtë (përmbaju kësaj).” E transmeton Muslimi.
Kjo fjalë -siç thonë dijetarët- është prej urtësisë së Profetit (alejhi selam) dhe cilësisë që i ka pas dhuruar Allahu atij për të thënë fjalë të pakta dhe kuptimplote, sepse vetëm ai që bashkon mes imanit dhe istikames është i shpëtuar dhe përputhet plotësisht me ajetin e Kuranit që përmendëm më lart.
2- Theubani -radiallahu anhu- shërbëtori i Profetit (alejhi selam) tregon se Profeti ka thënë: “Qëndroni drejt dhe nuk do të thyheni! Dijeni se puna më e mirë e juaja është namazi, dhe nuk e ruan abdesin veçse besimtari.” E transmeton Imam Ahmedi dhe Ibn Maxheh, dhe e saktëson sheih Albani.
Ibn El-Kajim -Allahu e mëshiroftë- thotë: Ajo që kërkohet prej robit është istikamja që do të thotë përputhja e plotë me rrugën e drejtë, e nëse nuk arrin dot le t’i afrohet asaj.
Pra, le të afrohet duke i treguar kështu punët më të rëndësishme si namazi, abdesi etj.
3- Enes bin Maliku (radiallahu anhu) tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Nuk do të qëndrojë drejt imani i robit derisa të qëndrojë drejt zemra e tij.” E transmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani.
Këtu Profeti (alejhi selam) tregon se baza e istikames është istikamja e zemrës, siç thotë dhe Ibn Rexhebi se ajo është; të jetë zemra e robit e mbushur me dashuri për Allahun, me dashuri për bindje ndaj urdhrave të Tij dhe me urrejtje ndaj kundërshtimit të Tij.
Dhe së fundi nuk na mbetet tjetër veçse t’i lutemi Allahut. O Allah na jep një zemër të pastër, besim të sinqertë dhe istikame deri në vdekje!

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

Loading...