Rregulli i katërt: Emrat e Allahut tregojnë për qënien e Allahut dhe cilësitë e Tij në tre mënyra (aspekte):
1) Përputhje (realiteti ose gjuhësore). 2) Përmbajtje kuptimore. 3) Nëpërmjet rrjedhojës që rrjedh nga ai emër. Shembulli i kësaj: Emri El Haliku (Krijuesi) tregon për qënien (ekzistencën) e Allahut (me përputhje realiteti) dhe për cilësinë e krijimit me përputhje (gjuhësore). Po ashtu, nëpërmjet përmbajtjes kuptimore tregon për qënien e Allahut, po ashtu tregon për cilësinë e krijimit nëpërmjet përmbajtjes kuptimore, ndërsa tregon për cilësinë e diturisë dhe fuqisë (mundësisë për gjithçka) me rrjedhojë[1].
Prandaj, Allahu kur ka përmendur krijimin e qiejve dhe të tokës duke thënë: “Ashtu që ta dini se Allahu ka fuqi (mundësi) për çdo gjë dhe se Ai ka përfshirë çdo gjë me dituri.” | Et Talak: 12. Argumentimi (arsyetimi) me rrjedhojë është shumë i dobishëm për nxënësin e dijes nëse mediton rreth kuptimit siç duhet dhe nëse i jep Allahu sukses për të kuptuar lidhjen që ekziston, duke arritur që nga një argument i vetëm të nxjerrë çështje të shumta. Dije se rrjedhoja nga fjala e Allahut dhe nga fjala e të dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është gjithmonë e vërtetë, kuptohet nëse është nxjerrë drejt dhe saktë ajo rrjedhoj, sepse fjala e Allahut dhe të Dërguarit të Tij janë të vërteta dhe rrjedhoja që del nga e vërteta është e saktë. Kjo për vet faktin se Allahu e di shumë mirë se çfarë rrjedh nga fjala e Tij dhe nga fjala e të dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ndaj themi që dhe ajo rrjedhojë ka qenë e qëllimshme nga Allahu.
Kurse përsa i përket rrjedhojës që rrjedh nga fjala e dikujt tjetër veç Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ka tre situata:
1-T’i përmendet thanësit rrjedhoja e fjalës së tij dhe ai e pranon dhe i përmbahet asaj, p.sh.; Ai që i mohon cilësitë vepruese të Allahut i thotë atij që i pohon se pohimi që i bën cilësive vepruese për Allahun ka si rrjedhojë të pranosh se ka veprime të Allahut që janë të reja (në kohë). Pohuesi i cilësive thotë: Po, i përmbahem kësaj sepse Allahu ka qenë, është dhe do të jetë veprues i asaj që Ai dëshiron. Dhe siç dihet fjalët dhe veprimet e Allahut nuk kanë mbarim, siç tha i Lartësuari: “Sikur të ishte deti bojë për të shkruar fjalët e Zotit tim do mbaronte deti para se të mbaronin fjalët e Zotit tim, edhe sikur të sillnim një det tjetër shtesë si ai i pari.” | El Kehf: 109. Dhe ka thënë: “E sikur të gjitha pemët e tokës të ishin lapsa dhe atij deti t’i shtoheshin shtatë dete të tjerë, nuk do mbaronin fjalët e Allahut.” | El Lukman: 27. Realizimi i veprimeve të Tij rishtazi në kohë nuk nënkupton mangësi në lidhje me Allahun.
2-Situata e dytë: T’i përmendet rrjedhoja e thënies thënësit të saj por ai e refuzon të ketë lidhje ndërmjet thënies rrjedhojës (pra e hedh poshtë). P.sh: Mohuesi i cilësive i thotë pohuesit: Pohimi yt sjell si rrjedhojë që Allahu të jetë i ngjashëm me krijesat në cilësitë e Tij. Pohuesi thotë: Jo, kjo nuk është e thënë (nuk e nënkupton këtë rrjedhojë te pretenduar), sepse cilësitë e Krijuesit janë të dedikuara Atij dhe nuk u përmendën si koncept i përgjithshëm pa asnjë lloj specifikimi ashtu që të ketë vend për atë që the. Pra, cilësitë e Tij janë specifike vetëm për Të siç i takojnë Atij.
Ashtu siç ti o mohues i cilësive pohon që Allahu ka qënie (ekzistencë) dhe thua se qënia e Tij nuk përngjason me asnjë krijesë, atëherë çfarë dallimi ka ndërmjet qënies dhe cilësive?! Gjykimi i rrjedhojës në këto dy raste është i qartë. [2]
3-Situata e tretë: Të mos ketë diçka të shprehur në lidhje me rrjedhojën, pra situatë e heshtur. Nuk përmendet pohimi i rrjedhojës dhe as nuk refuzohet. Gjykimi në këtë rast është t’i atribuohet thënësit, sepse nëse i përmendet atëherë ekziston mundësia që ai t’i përmbahet ose ta refuzojë. Ekziston mundësia që duke ia përmendur atë rrjedhojë e kupton pavlefshmërinë e thënies së tij dhe tërhiqet prej saj, sepse rrjedhoja e gabuar tregon për pasaktësinë e thënies (mendimit). Për shkak të këtyre dy supozimeve të fundit nuk mund të arrihet në përfundimin se; rrjedhoja e fjalës së dikujt është njësoj si ta ketë shprehur me gojën e tij. Nëse dikush thotë: Përderisa kjo rrjedhojë u nxor nga thënia e tij do të thotë se është njësoj si thënia sidomos kur lidhja mes tyre është e fortë. Themi: Ky pretendim është i refuzuar për vetë faktin se njeriu përjeton gjendje të ndryshme shpirtërore apo fizike që ia imponojnë të mos i ketë parasysh të gjitha rrjedhojat e supozuara nga thëniet e tij. Mund të jetë i shkujdesur, të harrojë, të mos jetë në gjendje të logjikojë qartë përkohësisht, ose detyrohet të thotë diçka i shtyrë nga presioni i debatit pa u menduar thellë në rrjedhojat e thënies etj.
Vazhdon. . .
Autor: Muhamed bin Salih el Uthejmin
Përktheu: Shuajb Rexha
[1] Sh.p. Kjo d.m.th. se Krijuesi për të qenë i tillë duhet të ketë dituri gjithëpërfshirëse rreth asaj që do krijojë, dhe të posedojë fuqinë dhe mundësinë për ta realizuar atë krijim.
[2] Sh.p.: Në situatën e parë rrjedhoja merret në konsideratë dhe pohohet, ndërsa në situatën e dytë mohohet, hidhet poshtë dhe nuk vlen.
Dosje: Allahu
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve