Rregullat e shkuarjes në xhami
- Falja e dy rekateve para se të dalësh nga shtëpia.
Transmetohet nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem,ka thënë: “Kur të hysh në shtëpinë tënde, fali dy rekate, sepse ato të ndalojnë nga çdo hyrje e keqe. E kur të dalësh nga ajo, fali dy rekate, sepse ato të ndalojnë nga çdo dalje e keqe.”[1]
- Prej duave që thuhet kur del nga shtëpia.
Transmetohet nga Enesi, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem,ka thënë: “Kush thotë kur del prej shtëpisë së tij: ‘Bismil-lah, tevek-keltu alAll-llah, ve la haule ve la kuv-vete il-la bil-lah – Me emrin e Allahut! Tek Allahu mbështetem dhe nuk ka ndryshim (të gjendjes) dhe as fuqi përveçse me dëshirën e Allahut të Madhëruar!”[2]
- Duaja që thuhet kur nisesh për në xhami.
“All-llahumme-xheal fi kalbi nuran, ue fi besari nuran, ue fi sem’i nuran, ue an jemini nuran, ue an jeseeri nuran, ue feuki nuran, ue tahti nuran, ue emeemi nuran, ue khalfi nuran ue a’dh-dhim li nuran!”[3]
- Të ecurit me qetësi për në xhami.
Transmetohet nga Ebi Katade se ka thënë: “Ndërsa ishim duke u falur me të Dërguarin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ai dëgjoi zhurmat e disa burrave dhe kur mbaroi namazin tha: ‘Si është puna me ju?’ Thanë: “Po nxitonim për të arritur namazin.” Ai, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem,tha: “Mos e bëni këtë! Kur të vini në namaz, ecni me qetësi. Atë që arrini (me imamin), faleni (me të) dhe atë që iu kalon, plotësojeni.”[4]
Transmetohet nga Ebi Hurejra se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem,ka thënë: “Kur të dëgjoni ikametin, ecni me qetësi për në namaz dhe mos shpejtoni; atë që e arrini, faleni (me imamin) dhe atë që iu shpëton, plotësojeni.”[5]
Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Kur të thirret ikameti, askush të mos shpejtojë për në namaz, por të ecë i qetë dhe me dinjitet. Atë që zë (prej namazit), fale (me imamin) dhe atë që të ka shpëtuar, kompensoje.”[6]
- Çfarë thuhet kur hyn në xhami dhe kur del prej saj.
Transmetohet nga Ebi Humejd dhe Ebi Usejd se ata dy kanë thënë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem,ka thënë: “Kur dikush nga ju hyn në xhami, të thotë: “All-llahumme iftah lena ebuabe rahmetik – O Zot! Na i hap neve dyert e mëshirës Tënde!” Kurse kur të dalë nga xhamia, të thotë: “All-llahumme inni eseluke min fadlike – O Zoti im! Unë të kërkoj Ty nga bujaria Jote!”[7]
Transmetohet nga Fatimja, radijAllahu anha, bija e Profetit se ajo ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem,hynte në xhami, thoshte: “Bismilah, ues selamu ala rasulilah. All-llahumme igfir li dhunubi ue-ftah li ebuabe rahmetike – Me emrin e Allahut. Përshëndetjet më të mira qofshin mbi të Dërguarin e Allahut! O Zot! Më fal gjynahet dhe më hap dyert e mëshirës Tënde!”
Dhe kur dilte thoshte: “Bismilah, ues selamu ala rasulilah. All-llahumme igfir li dhunubi ue-ftah li ebvabe rahmetike” – “Me emrin e Allahut. Përshëndetjet më të mira qofshin mbi të Dërguarin e Allahut! O Zot! Më fal gjynahet dhe më hap dyert e mëshirës Tënde!”[8]
- Përshëndetja e xhamisë.
Transmetohet nga Ebu Katade se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem,ka thënë: “Kur dikush nga ju hyn në xhami, të mos ulet deri sa të falë dy rekate.”[9]
- Xhamitë janë vend adhurimi.
Ebu Hurejra radijAllahu anhu thotë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem,ka thënë: “Nëse shihni dikë që blen apo shet në xhami, i thoni: “Allahu mos i dhëntë fitim tregtisë tënde!” Dhe nëse shihni dikë duke kërkuar kafshën e humbur në xhami, i thoni: “Allahu mos ta ktheftë atë!”[10]
- Nuk lejohet të dalësh nga xhamia pas thirrjes së ezanit deri sa të falesh, përveç me arsye.
Ebu Hurejra radijAllahu anhu thotë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem,na urdhëroi: “Nëse jeni në xhami dhe thirret ezani, askush të mos dalë pa e falur namazin.”[11]
Ebu Sheatha ka thënë: “Një burrë doli nga xhamia pasi u thirr ezani, kurse Ebu Hurejra tha: “Ky njeri ka kundërshtuar Ebul Kasim-in (Profetin) sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.”[12]
Përgatiti dhe përktheu:
Unejs Sheme
[1]“Es Silsiletus Sahihah” (1323).
[2]“Sahihul Kelime” (44).
[3]“Mukhtesarul Bukhari” (92) dhe “Mukhtesaru Muslim” (379).
[4]Mutefekun alejhi.
[5]Buhariu, etj.
[6]Muslimi.
[7]Ahmedi, Muslimi, Nesaiu dhe Ebu Daudi.
[8]Hadith autentik. Ibën Maxheh (771).
[9]Buhariu etj. Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Këto dy rekate falen në kohen kur futesh në xhami. Fjala e tij, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:“Kur dikush nga ju hyn në xhami” është tekst i përgjithshëm dhe nuk është i kufizuar me kohë (të caktuar). Prandaj në çdo orë të ditës apo të natës kur personi futet në xhami, mos të ulet derisa të fal dy rekate.
Falja e dy rekateve kur futesh ne xhami a është vaxhib?
Shumica e dijetarëve thonë se nuk janë vaxhib. Por, fjala se falja e këtyre dy rekateve është vaxhib, është shumë e fortë. Dhe e shton më shumë këtë fjala e të Dërguarit te Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem,kur po mbante hutbe dhe një person u fut në xhami dhe u ulë, duke i thënë: “Ngrihu dhe fali dy rekate.” Duke e ditur se dëgjimi i hutbes është vaxhib dhe nuk lejohet të preokuposh me diçka tjetër nga dëgjimi i saj. Kjo tregon se falja e dy rekateve kur futesh në xhami është vaxhib.Pra, fjala se falja e këtyre dy rekateve është vaxhib, është shumë e fortë tek unë. Prandaj, nuk duhet që njeriu t’i lërë pa falur ato.” “Et-Tealiku ala el-munteka min ekhbar el-mustafa, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem” vëll. II.
[10]Hadith autentik. Tirmidhiu (1321), “Mishkatul Mesabih” (733), “Irvaul Galil” (1295) dhe “Sahihul Xhami” (573).
[11]Hadith i mirë. “Mishkatul Mesabih” (1074).
[12]Muslimi, etj.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve