Me të vërtetë falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë të vetëm e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. I lutemi Allahut të na ruajë nga të këqijat e vetëve dhe punëve tona. Cilindo që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë, askush nuk mund ta humbasë prej saj dhe cilindo që Allahu e humbet prej kësaj rruge, askush nuk mund ta udhëzojë për në të.
Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut, Një të Vetëm e të Pashoq dhe dëshmoj e deklaroj se Muhamedi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) është rob dhe i Dërguari i Tij.
Allahu i Lartëmadhëruar thotë : “O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun (duke ndjekur Urdhrat e Tij dhe duke u tërhequr nga ndalimet e Tij) ashtu siç duhet pasur frikë nga Ai (bindjuni Atij, falënderojeni vazhdimisht Atë dhe kujtojeni gjithnjë) dhe mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë (e plotësisht të nënshtruar ndaj Allahut)”. [Sure Ali Imran: 102].
“O njerëz! Jini të bindur (dhe përmbushni detyrimet) ndaj Zotit Tuaj, i Cili ju krijoi ju nga një (shpirt) njeri i vetëm (Ademi); dhe prej tij Ai krijoi bashkëshorten e tij dhe nga ata të dy Ai krijoi burra e gra të shumtë, dhe kijeni frikë Allahun nëpërmjet të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella, dhe mos i ndërprisni marrëdhëniet me barkun tuaj (të afërmit). Sigurisht, Allahu është kurdoherë Gjithëvëzhgues përmbi ju”. [Sure en Nisa: 1].
“O ju që keni besuar! Plotësojeni detyrimin ndaj Allahut dhe kijeni frikë Atë dhe flisni (gjithnjë) të vërtetën. Ai do t’ju drejtojë ju tek veprat e mira e të drejta dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij (Muhamedit, paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin me të), me të vërtetë që ka arritur fitoren më të madhe (do të pranohet në Xhenetin e Begatë).” [Sure el Ahzabë: 70,71].
Padyshim që fjala më e bukur dhe më e drejtë është fjala e Allahut të Lartëmadhëruar, udhëzimi më i mirë është udhëzimi dhe orientimi i profetit Muhamed (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!), punët më të këqija janë ato të shpikurat dhe s’ka dyshim se çdo shpikje në fenë e Zotit është bidat dhe se çdo bidat është humbje dhe se çdo humbje e ka vendin në zjarrin e Xhehenemit.
O muslimanë! (Asnjeri nuk i vë në dyshim) sprovat që përjetojnë sot muslimanët, vështirësitë me të cilat ndeshen e fatkeqësitë që ata heqin e pësojnë, padyshim që janë të mirënjohura nga të gjithë ju. Vërtet që ata kanë armiq të cilët nuk i mëshirojnë e nuk qëndrojnë të shkujdesur ndaj tyre. Kjo është tradita e Allahut te krijesat e tij; të sprovojë të mirin me të keqin, në mënyrë që të përzgjedhë nga radhët e muslimanëve më të mirët (ajkën) e tyre. Themi kështu, sepse nëpërmjet sprovave dallohet ai që e meriton nderimin, prej atij që e ka hak përbuzjen. Allahu i Lartësuar thotë: “Apo mendoni se do të hyni në Xhenet pa sprovime të atilla të cilat u erdhën edhe atyre të cilët kanë kaluar para jush? Ata u goditën me varfëri të thellë e mjerime dhe u tronditën aq shumë, saqë edhe i Dërguari mes tyre dhe ata që besonin me të thanë: ‘Kur do të vijë Ndihma e Allahut’? Po. Padyshim, Ndihma e Allahut është afër” [Sure el Bekare: 214].
Prej atyre gjërave me të cilat besimtari e lidh zemrën e tij, është se triumfi (fitorja) u përket personave që besojnë, sepse Allahu thotë: “….ndërsa për besimtarët ishte si detyrë për Ne që t’i ndihmonim” [Sure err Rrum: 7]. Gjithashtu besimtari e ka të qartë se Allahu premton dhe kurrsesi nuk e thyen atë, pasi Ai thotë: “…E kush është më i vërtetë në besën e tij sesa Allahu!?” [Sure et Teube: 111].
E megjithatë, ndonëse koha e sprovimit është zgjatur, muslimanët kanë mbetur po ata, dobësia e tyre s’ka ndryshuar dhe poshtërimi i tyre është po i njëjti, përveç asaj që dëshiron Allahu.
Nuk ia vlen të qëndroj gjatë me ju duke qarë mbi gërmadha, pasi kjo gjë nuk i ndreq ato e as të numëroj tragjeditë e muslimanëve, sepse kjo nuk i shëron dot. Të qarët mbi gërmadha është metoda e harekijunëve (partiakëve), të cilët ulërijnë që nga minberet, për të ngacmuar ndjenjat e muslimanëve dhe për t’i ndërgjegjësuar ata në mënyrë formale për atë çka zotërojnë armiqtë e tyre, gjë e cila ngjall pesimizmin në shpirtrat e vet. Kjo gjë ndodh, sepse muslimanët nuk dëgjojnë gjë tjetër, veçse ligjërata mbi fuqinë (kapacitetin) e dinakërinë e armikut dhe epërsinë e tij në qytetërim, si edhe fjalime mbi dobësinë e muslimanëve dhe fatkeqësitë e gjëmat e tyre. Këto fjalë gjejnë tek personat me ndërgjegje bosh, një fryrje (mburrje) false, e cila shumë shpejt shuhet. Kështu, në vend që t’iu ofrojnë muslimanëve ilaçin që u saktëson (përmirëson) fenë e tyre, për t’i lidhur ata me Allahun, që Ai t’i përkrahë e t’i ndihmojë, ata nuk bëjnë gjë tjetër, veçse tregojnë një realitet të hidhur që ata përjetojnë, nga përsëritja e ndodhive të të cilit nuk përfitojnë asgjë.
Përgatitja me besim dhe ajo materiale
Ajo që e ka për detyrë ta kuptojë çdo musliman, është që ai të njohë atë që duhet të kryejë, në mënyrë që të realizojë faktorët, përmes të cilëve Allahu sjell triumfin. Gjithashtu, prej traditave (ligjeve në gjithësi) të Allahut është se për çdo pasojë e ka një shkak dhe se Allahu i Lartëmadhëruar u ka përcaktuar muslimanëve të cilët kërkojnë triumfin, të realizojnë dy kushte madhështore, nën të cilat degëzohen të tjera kushte, por ne po mjaftohemi me këto.
Kushti i parë: Përgatitja me besim. E themi këtë, sepse Allahu i Lartëmadhëruar e ka lidhur fitoren me ata njerëz që janë të denjë për të. Kështu Ai i Patëmetë thotë: “O ju që keni besuar!Nëse ju ndihmoni Allahun (në çështjen e Tij, fenë e Tij), Ai do t’ju ndihmojë juve dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.” [Sure Muhamed: 7].
Kushti i dytë: Përgatitja materiale. Allahu i Patëmetë thotë: “Dhe bëni gati kundër tyre gjithë fuqitë që keni bashkë me kalorinë (dhe mjetet e sotme më të përkryera për luftë) për ta frikësuar armikun e Allahut dhe tuajin…” [Sure el Enfal: 60].
Përgatitja me besim është devotshmëria ndaj Allahut
Padyshim që Allahu e ka përcaktuar përfundimin e mirë për njerëzit e devotshëm, ndaj ai që nuk i bindet Atij, e kundërshton Atë, i shoqëron Atij ortak (bën shirk) apo shpik bidate në fenë e Tij, nuk mund të jetë kurrsesi prej të përzgjedhurve, të cilët meritojnë të ndihmohen nga Allahu i Lartëmadhëruar. E si mund të ndodhë kjo, kur Allahu i Lartësuar thotë: “…Pra fryti dhe fundi më i mirë (Xheneti) është për Muttekinët ( të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam)” [Sure Ta Ha: 132].
Dhe thotë: “I tha Musai popullit të tij: “Kërkoni mbështetje tek Allahu dhe jini të duruar. Vërtet që toka është e Allahut. Ai ia trashëgon atë kujtdo që Ai dëshiron nga robërit e Tij dhe fundi (i shkëlqyer) është për Muttekinët ( të përkushtuarit ndaj Allahut në Besimin e Pastër Islam)” [Sure el Araf: 128].
Dhe thotë: “(Sepse) sigurisht që Allahu është me ata që i frikësohen Atij (duke i përmbushur detyrimet ndaj Tij) dhe që janë Muhsinunë (mirëpunues në Rrugë të Allahut)” [Sure en Nahl: 128].
Dhe thotë: ” Por nëse ju qëndroni të duruar dhe bëheni Muttekinë (të përkushtuar ndaj Allahut), as dëmi më i vogël nuk do t’ju vijë nga dinakëria e tyre. Sigurisht Allahu është i Ditur (informuar) për gjithçka që ata bëjnë.” [Sure Ali Imran: 120].
Dhe thotë: ” Sigurisht nëse qëndroni me durim dhe përkushtim edhe nëse armiku vërshon e sulet mbi ju, Zoti juaj do t’ju ndihmojë me pesë mijë engjëj me shenja të qarta që ti dalloni” “Allahu e bëri këtë vetëm e vetëm si mesazh përgëzues për ju e si qetësues për zemrat tuaja. Dhe nuk ka asnjë fitore vetëm se nga Allahu, i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues” [Sure Ali Imran: 125-126].
Në disa ajete të tjera të Kuranit Fisnik, Allahu e shtjellon më hollësisht këtë çështje duke thënë: ” ..Dhe Allahu u tha:” Unë jam me ju nëse ju kryeni rregullisht faljet, jepni Zekatin dhe besoni në të Dërguarit e Mi, i nderoni dhe i ndihmoni ata dhe lini tek Allahu hua të mirë (për ta marrë në Jetën e Pastajme prej Tij)…” [Sure el Maide: 12].
Me këtë i bëhet e qartë kujtdo që logjikon se Allahu i Lartëmadhëruar do ta ndihmojë këtë umet (popullin islam), por triumfi (fitorja) u përket atyre që janë të denjë për të. Fitorja nuk vjen me dëshirat dhe imagjinatat me të cilat harekijunët ngacmojnë ndjenjat e njerëzve. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nuk do të jetë as sipas dëshirave tuaja (të muslimanëve), as sipas dëshirave të popujve të Librave të parë (çifutë e kristianë).Kushdo që punon të ligën, do të shpërblehet për të dhe nuk do të gjejë mbrojtës apo ndihmues tjetër në vend të Allahut.” [Sure en Nisa: 123].
Ky lajm fisnik na jep të kuptojmë se mbrojtja dhe ndihma e Allahut nuk u përket njerëzve të këqij (që kryejnë vepra të liga). E themi këtë, sepse armiku i muslimanëve nuk triumfon ndaj tyre për shkak të fuqisë së vet, por në të vërtetë ai triumfon vetëm atëherë kur Zoti i tyre i braktis ata dhe i lë të mbështeten në vetveten e tyre. Në këtë rast fitorja i takon atij që ka epërsi ndaj kundërshtarit. Vetëm Allahu është Ai të Cilit i kërkohet ndihmë.
Allahu i Lartëmadhëruar nuk u bën padrejtësi robërve të tij as sa thërrmija (grimca) e si atëherë ne tregohemi të shkujdesur ndaj detyrave tona dhe kërkojmë të drejtat. Në të vërtetë, ajo që duhet të kihet parasysh, është se ne duhet të zbatojmë ato gjëra me të cilat Allahu i Lartëmadhëruar na ka urdhëruar. Kjo është gjëja më e vlefshme që mund të shqyrtojnë (diskutojnë, mësojnë) muslimanët ndërmjet tyre e jo të llogarisin e numërojnë fuqinë e armikut të vet. Në këtë rast u thuhet atyre:”A ka ndonjë fuqi që ta mposhtë Allahun?!
Devotshmëria ndaj Allahut përmban dy elemente:
1. Të njësuarit e Allahut (teuhidi)
2. Ndjekja e plotë të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!)
Elementi i parë: Teuhidi (të njësuarit e Allahut)
Gjëja më madhështore me të cilën duhet të përgatiten muslimanët për të qenë të fuqishëm ndaj armikut të tyre, është që të lidhen me Allahun me teuhid (njësimin e tij), dashuri, shpresë, frikë, kthim tek Allahu (me pendim e nënshtrim), frikë-respekt, mbështetje, qëndrim përpara Tij dhe duke qenë të panevojshëm për të tjerët përveç Tij. Allahu i Lartësuar e ka bërë të qartë në Librin e Vet se ata që e meritojnë t’u sigurohet vazhdimësia në tokën e Tij, janë ata në zemrat e të cilëve është rrënjosur frika nga qëndrimi përpara Allahut dhe nga Kërcënimi i Tij. Kështu, Ai thotë :”Ndërsa ata që nuk besuan u thanë të Dërguarve të tyre: “Me të vërtetë që ne do t’ju përzëmë nga vendi ynë ose ju të ktheheni në fenë tonë”.Por Zoti i tyre u frymëzoi këtë Mesazh:”Vërtet që ne do t’i shkatërrojmë Dhalimunët (mosbesimtarët, keqbërësit, shkatërruesit).” “Dhe padyshim që Ne do t’ju bëjmë ju të trashëgoni tokën pas tyre. Kjo është për të atillët që kanë frikë të qëndrojnë para Meje (Ditën e Llogarisë ose që kanë frikë Ndëshkimin tim) dhe i tremben Kërcënimit Tim (për ndëshkim).” [Sure Ibrahim: 13-14].
Këta janë ithtarët e teuhidit të pastër e të kulluar, të cilëve Allahu u ka premtuar triumfin, fuqizimin, sigurinë dhe vazhdimësinë në tokë. Ai thotë: “Allahu u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, se Ai patjetër do t’u sigurojë atyre vazhdimësinë (e fuqisë së tashme të udhëheqësve) në tokë, ashtu siç ua siguroi Ai këtë atyre përpara tyre dhe se Ai do t’u sigurojë fuqinë për të zbatuar e përmbushur fenë e tyre, atë të cilën Ai e ka zgjedhur për ta (Islamin). Dhe padyshim që Ai do tu japë në shkëmbim siguri e ruajtje pas frikës së tyre, (me kusht që) këta besimtarë të më adhurojnë vetëm Mua dhe të mos bashkojnë gjë tjetër (në adhurim) me Mua..” [Sure en Nur: 55].
A i kanë kushtuar vëmendje muslimanët këtij kushti madhështor “…të më adhurojnë vetëm Mua dhe të mos bashkojnë gjë tjetër (në adhurim) me Mua?”
A e meriton fitoren ai njeri që e lidh shpresën e tij me gurin?
A e meriton fitoren ai njeri që që i kërkon ndihmë ndonjë njeriu të vdekur?
A e meriton fitoren ai njeri që i bën sexhde (përulet) varrit?
A e meriton fitoren ai njeri që bën tauaf (rrotullohet si adhurim) rreth tyrbes së ndonjë njeriu të mirë?
A e meriton fitoren ai njeri që ia dorëzon të fshehtat dhe veprat e tij të dukshme ndonjë veliu apo betohet për profetin?
Të gjithë këta nuk janë të denjë për të triumfuar. Prej këtij lloji njerëzish janë të shumtë në gjirin tonë, madje ata janë pjesa më e madhe e shumicës.
Imam Ahmedi transmeton me zinxhir të saktë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka thënë: “Përgëzoje këtë umet me madhështi, fe, lavdi, triumf dhe konsolidim (fuqizim) në tokë. Cilido prej tyre që punon një vepër të botës së ardhshme për këtë dynja, për të nuk do të ketë pjesë në botën tjetër”. Përgëzimi ka ndodhur, ndërsa premtimi do të realizohet patjetër pa pikë dyshimi. Meditoni mbi kushtin e sinqeritetit në fjalën e Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!): ” Cilido prej tyre që punon një vepër të botës së ardhshme për këtë dynja” d.m.th vepra që ai punon është e mirë, por ai me këtë vepër ka për qëllim (synon) këtë dynja dhe mallin (plaçkën) e saj të lirë. Për këtë arsye atij nuk i jepet fitorja (nuk ndihmohet nga Allahu) e si do të jetë çështja e atij, puna e të cilit nuk është nga ato të botës së ardhshme d.m.th. nuk është bindje ndaj Allahut të Lartëmadhëruar?!
Shkroi: Abdul Maik Ramadani
Të Ngjashme
- Kurani nuk përmban kontradikta Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Urtësia e Allahut në shpalljen e Kuranit pjesë-pjesë Udha e Besimtarëve
- Qëndrimi i Ehli Sunetit në lidhje për atë që bën gjynahe të mëdha Shejh Abduselam Berxhes
- Besimi në peshoren e veprave tek Ehli Suneti Udha e Besimtarëve
- Syfaqësia Udha e Besimtarëve