Shejhul islam Ibn Tejmije është burgosur gjithsej shtatë herë dhe më poshtë janë detajet e secilës prej tyre.
1- Burgimi i parë.
Vendi: Damask. Viti: 693 H.
Shkaku: Kur një i krishterë me emrin Asaf en Nesrani ofendoi të Dërguarin e Allahut ﷺ lajmi i shkoi Shejhul Islamit. Ai bashkë me dijetarin El Fariki shkuan te përfaqësuesi i sulltanit dhe e njoftuan për rastin. Ky i fundit urdhëroi që Asafi të sillej aty dhe ai erdhi. Kur njerëzit e panë filluan ta qëllonin me gurë. Përfaqësuesi i sulltanit u zemërua dhe urdhëroi rrahjen e shejhut dhe shokut të tij para Asafit, e më pas i burgosi.
Fryti i këtij burgimi: Pas lirimit, Shejhul-Islami shkroi librin e tij madhështor “Es-sarim el meslul ala shatimi er-Resul” (Shpata e mprehtë kundër fyesit të të Dërguarit).
2- Burgimi i dytë:
Vendi: Egjipt. Kohëzgjatja: Nga 26 Ramazan 705 H deri më 23 Rabi el-Evel 707 H (1 vit e 6 muaj).
Shkaku: Njëri prej dijetarëve maliki Ibn Mahluf debatoi me shejhun rreth çështjeve të Arshit, të folurit të Allahut dhe zbritjes së Tij. Mospajtimi u ashpërsua dhe shejhu u burgos.
Në këtë burgim dolën në pah qëndrimet heroike të shejhut dhe sinqeriteti i tij me Allahun, si dhe shumë gjëra që e mbushin shpirtin dhe e qetësojnë zemrën.
Për më shumë, shih ngjarjet e vitit 705 në veprën “El bidaje ue nihaje”.
Këtë herë bashkë me të u burgos edhe vëllai i tij Sherefudin. Nga gjërat e bukura që përmenden është se vëllai i tij Sherefudini teksa ishte në burg iu lut Allahut duke kërkuar ndëshkim për ata që i kishin burgosur të vëllanë, por atë e ndaloi Shejhul-Islami dhe i tha: “Përkundrazi, thuaj: O Allah, jepu atyre dritë me të cilën udhëzohen drejt së vërtetës!”
3- Burgimi i tretë:
Vendi: Egjipt. Viti: 707 H.
Kohëzgjatja: Disa ditë (e pacaktuar).
Shkaku: Sufijt e akuzuan për ndalimin e kërkimit të ndihmës dhe ndërmjetësimit përmes krijesave. Ai u thirr në një këshill dhe i ofruan tri mundësi: 1. Të kthehej në Damask. 2. Të qëndronte në Egjipt me kushte. 3. Të pranonte burgimin. Ai zgjodhi burgimin ku qëndroi për një kohë, pastaj u bind të kthehej në Damask.
Fryti i këtij burgimi: Shkroi librin e famshëm “Er-rred ala el-Bekri” (Kundërpërgjigja ndaj Bekrit mbi çështjen e kërkimit të ndihmës).”
4- Burgimi i katërt. Vendi: Egjipt. Viti: 708 H. Kohëzgjatja: Më shumë se dy muaj.
Shkaku: Kur shejhu vendosi të kthehej në Damask pas konsultimit që kishte bërë me shoqëruesit e tij dhe pasi kishte udhëtuar një ditë e një natë, u dha urdhëri nga guvernatori i Egjiptit që ai të kthehej mbrapsht. Kur u kthye gjykatësit malikitë nuk ranë dakord rreth tij. Shejhu kur pa mos dakortësinë e tyre u tha: “Unë shkoj në burg dhe bëj atë që është më e dobishme.”
Njerëzit filluan të shkonin për ta vizituar, për të mësuar dhe për të marë fetva prej tij.
5- Burgimi i pestë. Vendi: Egjipt. Viti: 709 H.
Shkaku: Kur kundërshtarët e tij panë ndikimin e madh që kishte shejhu si dhe numrin e madh të njerëzve që e rrethonin, vendosën ta burgosin përmes një kurthi të ngritur nga Nasr el Menbexhi dhe el Xhashinkir, me synimin që dikush ta vriste shejhun brenda në burg.
Atij i erdhën disa prej të parëve të fisit Tedmura dhe e njoftuan për këtë (rrezikun që i kanosej). Atëherë Shejhul-Islami tha fjalët e tij të famshme:
“Nëse më vrasin kjo do të jetë për mua shehidllëk. Nëse më dëbojnë kjo do të jetë për mua emigrim për hir të Allahut. E nëse më burgosin do ta kem burgun një vend adhurimi. Unë jam si delja, në cilëndo anë që të kthehet ajo kthehet dhe bie mbi leshin e saj.”
Kështu, ata humbën shpresën prej tij dhe u larguan.
Nuk kaluan shumë ditë dhe pushtetin e mori mbreti Ibn Kalavun i cili e liroi Shejhun, ekzekutoi Xhashinkirin dhe shkarkoi Nasr el-Menbexhin i cili vdiq në vendadhurimin e tij.
Butësia e Shejhut: Kur guvernatori (valiu) dëshiroi të hakmerrej ndaj gjykatësve dhe dijetarëve të fikhut që kishin qenë përkrahës të Xhashinkirit dhe ishin po ata që kishin dhënë fetvanë për burgimin e Shejhul-Islamit, ai kërkoi mendimin e Shejhul-Islamit.
Mirëpo Ibn Tejmije duke e kuptuar qëllimin e tij, foli mirë për ta dhe i tha:
“Nëse ata vdesin nuk do të gjesh të ngjashëm me ta në shtetin tënd. Ndërsa sa më përket mua ata janë të falur nga ana ime; unë ia kam falur çdokujt që më ka bërë padrejtësi. Ndërsa ai që ka fyer Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Allahu do merret vetë me të.”
Ibn Mahluf el Maliki thotë: “Nuk kemi parë më të devotshëm se Ibn Tejmije. I bëmë ç’ishte e mundur për ta dëmtuar, por kur pati mundësi për t’u hakmarrë na fali.”
Veprat e shkruara në këtë periudhë: “Minhaxh es-Sunneh”, “El Istikameh”, “Err-Rad ale el-Xhehmijje” etj.
6- Burgimi i gjashtë. Vendi: Damask.
Kohëzgjatja: 12 Rexheb 721 H – 10 Muharrem 722 H (rreth 6 muaj pa dy ditë).
Shkaku: Çështja e atij që betohet kur divorcon gruan. Gjatë këtij burgimi shkroi disa libra për këtë temë.
7- Burgimi i shtatë (i fundit). Vendi: Damask.
Kohëzgjatja: 6 Shaban 728 H deri në natën e vdekjes së tij (2 vjet, 3 muaj e 14 ditë).
Shkaku: Çështja e ndalimit të udhëtimit vetëm e vetëm për të vizituar varrin e Profetit ﷺ.
Fazat e këtij burgimi:
Faza e parë: Shkroi libra të shumtë si “Err-Red ala el-Ihnai” dhe dha shumë fetva për pyetje që i erdhën nga jashtë burgut.
Faza e dytë: Kur kundërshtarët e tij panë ndikimin e madh të shejhut urdhëruan konfiskimin e të gjitha fletëve dhe lapsave. Ai vazhdoi të shkruante me qymyr. Nxënësi i tij Ibn AbdulHadi përmend në librin “El Ukud ed-durijje” disa fetva të shkruara me dorën e tij me qymyr.
Adhurimi në këtë fazë: Shejhu iu përkushtua leximit të Kuranit dhe studimit të tij bashkë me një dijetar që ishte me të në burg. E lexoi Kuranin 80 herë.
Ajeti i fundit që lexoi ishtë: “Vërtet, besimtarët e devotshëm do të jenë në kopshtet e Xhenetit ku rrjedhin lumenj, në kuvendin e së vërtetës (në Xhenet) tek një Sundues i Plotfuqishëm.” | El Kamer: 54-55.
Gjatë këtij burgimi Ibn Tejmije thoshte: “Këtë herë Allahu më hapi në kuptimet e Kuranit gjëra që nuk m’i kishte hapur më parë. Do të dëshiroja që gjithë jetën time ta kisha kaluar në komentimin e tij.”
Shejhul-Islami pati qëndrime madhështore dhe të mëdha që dëshmojnë për gradën e lartë që ai kishte tek Allahu dhe te krijesat e Tij, pikërisht gjatë kohës së qëndrimit të tij në këto burgje.
Nuk i kam përmendur të gjitha për shkak të gjatësisë dhe numrit të madh të tyre, prandaj kthehu t’i lexosh në vendet ku janë përmendur në literaturë.
Përpiloi: Abdullah ibn Fejsal el Uesabi
20 Dhul-Hixhe 1441 H.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Ibn Tejmije
Të Ngjashme
- Dijetarët reformatorë nuk u shpëtojnë kurrë sulmeve Udha e Besimtarëve
- Kur injoranca përplaset me dijen: një përgjigje për sulmet ndaj shejh Albanit Udha e Besimtarëve
- Kur fjala dhe vepra bëhen një Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Si i përgatiste Allahu Profetët për udhëheqje Udha e Besimtarëve
- Kush ishte Imam Ahmed ibn Hanbel Emin Bilali