Rëndësia e përkujdesjes ndaj prindërve

Dijetari i madh Ibn Xheuzi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kam vënë re se djelmoshat e kohës sonë nuk i kushtojnë rëndësi përkujdesjes ndaj prindërve, dhe nuk e shikojnë si çështje obligative prej obligimeve fetare. Ata çojnë zërin para baballarëve dhe nënave të tyre sikur mos ta besonin se bindja ndaj tyre është prej obligimeve fetare. Gjithashtu, i shkëpusin lidhjet farefisnore për të cilat janë të urdhëruar që t’i mbajnë në librin e Allahut. Allahu ka ndaluar që të shkëputen këto lidhje në mënyrën më të ashpër, kurse ata i paraprijnë kësaj me bojkot e grindje.”

Më pas ai përmend tekstet fetare në lidhje me këtë temë, dhe thotë: “Le ta dijë ai i cili përkujdeset për prindërit e tij se sado që të përkujdeset në maksimum për ta, ai nuk do të arrijë kurrë që t’i falënderojë siç e meritojnë.” Transmetohet nga Zurate ibn Ibrahim se një person erdhi tek Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) dhe i tha: “Unë kam nënën e cila ka arritur moshë të madhe të pleqërisë, dhe se ajo nuk mund ta kryej nevojën e saj personale vetëm se mbi shpatullat e mia. E përgatis atë për nevojën e saj dhe e kthej kokën pas. A thua vallë e kam shlyer hakun e saj? Ai i tha: Jo. Ai i tha: A nuk po e mbaj mbi shpatullat e mia dhe e kam mbyllur veten në përkujdesjen ndaj saj? Umeri i tha: Ajo e bënte diçka të tillë me ty dhe shpresonte që t’i të jetoje, kurse ti po shpreson ta heqësh qafe atë.”

Një person erdhi tek Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) dhe i tha: Kam ardhur me nënën time nga Hurasani duke e mbajtur mbi shpinë dhe ashtu kam kryer edhe ritet e Haxhit bashkë me të. A thua vallë e kam kryer hakun e saj? Ai i tha: Jo, as një dhimbje prej dhimbjeve të saj (të lindjes).”

Pas kësaj Ibn Xheuzi tha: Përkujdesja ndaj tyre është që t’u bindesh në atë që urdhërojnë përderisa nuk është diçka e ndaluar fetarisht, si dhe t’u japësh përparësi atyre ndaj adhurimeve vullnetare. Të largohesh nga ajo që të ndalojnë e të shpenzosh për ta. Të synosh gjërat që ata dëshirojnë si dhe t’u shërbesh atyre në mënyrën më të plotë. Të tregohesh i sjellshëm me ta dhe të ruash autoritetin që kanë, duke mos u ngritur zërin e as duke mrrolur fytyrën. Mos t’i thërrasë në emër si dhe të ecë pas tyre, dhe të tregohet i durueshëm nëse shikon diçka që nuk e pëlqen.

Marrë nga libri “Respekti ndaj prindërve” i Ibn Xheuzit.

Përktheu: Ylli Rama