Po mendoja sa e shumtë është ajo që na jep Allahu dhe sa pak kërkon prej nesh! Në mendje më erdhi njeriu që ka gradën më të ulët në Xhenet. Shpërblimi i tij? Të paktën sa dhjetë dynja! A ka ndonjë njeri që e ka pasur në zotërim të gjithë dynjanë? Ndoshta. Sulejmani? Dhul Karnejni? Në Xhenet ai që shpërblehet më pak do të ketë sa dhjetë dynja.
Çfarë pune ka bërë ky? A është falur tërë jetën e tij? Ka agjëruar tërë jetën? Ka dhënë zekat, sadaka, ka qenë respektues i prindërve, është kujdesur për një jetim, është bërë shkak për udhëzimin e miliona njerëzve?! Çfarë ka bërë ai për t’u shpërblyer kaq shumë? Dhjetë dynja!!! Ndoshta ky është prej atyre që i përfshin hadithi profetik: “Do të dalë prej zjarrit ai që ka thënë ‘La ilahe il lall llah’ dhe në zemrën e tij ka mirësi (apo iman) sa pesha e kokrrës së elbit. Do të dalë prej zjarrit ai që ka thënë ‘La ilahe il lall llah’ dhe në zemrën e tij ka mirësi (apo iman) sa pesha e kokrrës së grurit. Do të dalë prej zjarrit ai që ka thënë ‘La ilahe il lall llah’ dhe në zemrën e tij ka mirësi (apo iman) sa pesha e një grimce.” Transmeton Buhari me nr. 44.
Përse e them këtë? Sepse ky është personi i fundit që del prej zjarrit dhe njeriu i fundit që hyn në Xhenet. Aty do të jetojë përjetësisht si mbreti i mbretërve me një mbretëri, pasuri dhe lumturi që nuk do t’a arrinte kurrë në këtë dynja, në një shoqëri të njerëzve më të mirë që ka nxjerrë njerëzimi gjatë gjithë historisë së tij. Në shoqërinë e Profetëve dhe shokëve të tyre, dijetarëve dhe dëshmorëve, të sinqertëve dhe muslimanëve të të gjitha kohërave. Në shoqërinë e Zotit të botëve dhe të engjëjve. Allahu do të jetë i kënaqur me të dhe nuk do të zemërohet më kurrë.
Nëse e mendon edhe më mirë shpërblimin e tij e kupton se sa pak ka bërë ky person dhe sa shumë i ka dhënë Allahu i Madhëruar, Bujari i Madh, i pashembullt. Nëse do të thuhej se do të kesh mbretëri sa gjithë dynjaja dhe do të jetosh përjetësisht, s’ka vdekje, s’ka plakje, s’ka stres. Pa brenga dhe pikëllime, vetëm lumturi, kënaqësi, dhe përjetime të çasteve më të bukura… a do të punoje tërë jetën për këtë? Sikur të punoje 70 vjet pa pushim për të fituar lumturinë dhe përjetësinë, përsëri puna e 70 vjetëve do të ishte shumë pak në këmbim të shpërblimit që po merr.
E megjithatë neve nuk ka kërkohet 70 vjet punë, adhurim pa pushim e pa ndërprerë. Nuk na kërkohet të falemi çdo një orë apo çdo gjysëm ore që të arijmë 50 namaze në ditë, por vetëm 5. Në këtë kuptim vjen edhe hadithi që tregon se 2 rekatet sunet të sabahut janë më të mira se dynjaja dhe çka ka në të, sepse e gjithë dynjaja do të shkojë ndërsa ato dy rekate që i fal do të shpërblehesh për to përjetësisht.
Nuk na kërkohet të japim të gjithë pasurinë tonë por vetëm 2.5% të saj. Nuk na kërkohet të agjërojmë çdo ditë të vitit për 12 muaj, por vetëm një muaj. Nuk na kërkohet të shkojmë çdo vit në Haxh, por vetëm një herë në jetë. Ka prej engjëjve të cilët që kur i ka krijuar Allahu qëndrojnë në ruku apo në sexhde. Neve nuk na kërkohet të kryejmë adhurimin e engjëjve, prandaj këtë pak që na kërkohet le t’a bëjmë! Këtë pak që bëjmë të mos na duket se po bëjmë shumë, dhe të mos na duket e rëndë e as e lodhshme. Por t’a bëjmë me dashuri për Allahun, me shpresën për t’u afruar tek Ai, me shpresën se Ai do të na dojë! E imagjinon dot të të dojë Allahu? Të jesh i përkëdheluri, i afruari, i privilegjuari i një deputeti, i një ministri, i një kryeministri, i një mbreti, i një pushtetari të fuqishëm, i një të pasuri me një pasuri marramendëse?! Jo. Shumë më shumë se kaq, pafundësisht më tepër se aq, pakrahasimisht shumë më tepër se aq. Të jesh i dashur i Zotit të botëve! Atij që ka në dorë depot e qiejve dhe tokës, i Pasuri që nuk i shteron pasuria, i Gjithpushtetshmi që ka në dorë të gjitha krijesat, i Gjalli që s’vdes kurrë!
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve