SAHABËT
”O Profet i Zotit, për Allahun, nuk të themi ty siç i thanë bijtë e Israilit Musait: Shko ti dhe Zoti yt e luftoni, ne po rrimë këtu! Por të themi: Shko ti dhe Zoti yt e ne do të luftojmë bashkë me ju!” (Mikdadi i biri i Amrit.)
Lindja e një kolosi në një popull të caktuar të botës nuk përbën ndonjë çudi, pasiqë në çdo popull kanë lindur kolosë. Te populli i mongolëve lindi Xhengiz khani, te grekët lindi Aleksandri i Madh, te gjermanët lindi Bismarku, tek italianët lindi Garibaldi. Veç këtyre, u shfaqën shumë udhëheqës dhe mendimtarë të tjerë të cilët kontribuan në ndryshimin e gjendjes së popujve të tyre të cilët u njohën në histori si kolosë, edhe pse disa prej tyre ishin kolosë vetëm në sytë e popujve të tyre.
Ajo që të çudit në të vërtetë është që të shfaqet një brez i tërë kolosësh në një popull të vetëm, në një kohë të vetme, përnjëherësh! Jo për të ndryshuar vetëm gjendjen e popullit të tyre, por për të ndryshuar Allahu nëpërmjet tyre gjendjen e mbarë botës deri në ditën e fundit. Nuk po flasim për një kolos të vetëm por po flasim për një brez të veçantë në llojin e vet, një brez si i cili as ka njohur e as ka për të njohur ndonjëherë njerëzimi. Po flasim për shokët e Muhamedit të birit të Abdullahit, po flasim për brezin e sahabëve.
Sahabi quhet ai njeri i cili është takuar me Profetin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) duke qenë musliman, dhe ka ndërruar jetë në këtë gjendje.
Këta kolosë Allahu i Madhëruar i ka përshkruar në formën më të bukur në një verset Kuranor tejet mahnitës. Arsyeja që ai verset është mahnitës është se ai është i vetmi në të gjithë Librin e Allahut në fjalët e të cilit janë mbledhur bashkë të gjitha shkronjat e gjuhës arabe. Asnjë nga shkronjat e alfabetit të gjuhës arabe nuk ka ngelur pa u përmendur në atë verset! Sekretin e shumëllojshmërisë së shkronjave të përmendura në të do të përpiqemi t’a mësojmë pasiqë t’a kemi cituar këtë verset të bukur, i cili është cekur në suren ‘El Fet’h’:
”Muhamedi është i dërguari i Allahut. Ata të cilët janë me të janë të ashpër ndaj të pafeve dhe të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata tek bien në ruku dhe në sexhde duke kërkuar mirësinë e Allahut dhe kënaqësinë e Tij. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat, ndërsa në Ungjill shembulli i tyre përshkruhet si; një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet, e pastaj rritet e fortë me kërcellin e vet duke i gëzuar mbjellësit. (Kështu përshkruhen ata) Me qëllim që nëpërmjet tyre Ai t’i zemërojë mohuesit. Për ata midis tyre që besojnë dhe bëjnë veprua të mira Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh.”
Të të bëhet i mundur përjetimi i domethënies së këtij verseti të bukur në përshkrimin që ai u bën sahabëve të nderuar, të duhet t’a imagjinosh këtë ilustrim të bukur hyjnor. Imagjino një fidan të vogël përqark të cilit çelin disa filiza të tjerë që e përforcojnë dhe e rrethojnë fidanin kryesor nga çdo anë. Filizat rrethues e përforcojnë dhe i’a shtojnë atij qëndrueshmërinë. Falë këtyre filizave përforcues fidani i vogël bëhet i fortë dhe ngrihet lart drejt qiellit, duke u bashkuar me to dhe duke u formuar kështu një trup i ri i fuqishëm dhe i qëndrueshëm, zemra e të cilit është fidani kryesor ndërsa muret e tij janë filizat e dytë të cilët çelën nga fidani kryesor. Ai trup u ngrit lart plot krenari saqë bujqërit kur kalonin pranë tij mahniteshin tej mase, ndërkohë që njeriu mosbesues hidhërohej kur kalonte pranë tij tek shikonte fortësinë dhe qëndrueshmërinë e tij.
Për Allahun, nuk ka përshkrim tjetër në asnjë nga gjuhët e botës që t’i përshkruajë sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) më mirë se ky përshkrim i mrekullueshëm hyjnor.
Muhamedi, i dërguari i Zotit, është fidani kryesor nga i cili çelën filizat e tjerë që janë sahabët e nderuar. Ndërsa bujqëritt të cilët synojnë mënyrën e saktë të kultivimit janë besimtarët e sinqertë. Ata vështrojnë me kujdes fidanin e shëndetshëm për të mësuar nga ai bazat e kultivimit të saktë (ky është një nga argumentet mbi obligueshmërinë e pasimit të traditës së sahabëve). Ndërsa të pafetë hidhërohen nga bukuria dhe fortësia e tij, andaj nëse i mban mëri dikujt prej sahabëve sikur dhe për një moment të shkurtër, dije mirë se ti je në rrezik të madh. Atëherë ty të përshtatet fjala e Zotit të gjithësisë: ”Nëpërmjet tyre (sahabëve) Ai synon që të hidhërojë të pafetë.”
Tashmë është më se e qartë arsyeja e vërshimit të sulmeve mediatike kundër sahabëve të Profetit (Paqja qoftë mbi të), sepse sahabët simbolizojnë murin e fortë i cili rrethon zemrën që simbolizon Profetin (Paqja qoftë mbi të). Sakaq, nëse pushtuesit arrijnë të shembin murin e fortë të kësaj ndërtese atëherë terreni për të sulmuar zemrën do të mbetet i hapur. Për t’a shpjeguar këtë më mirë më duhet të them: Nëse ne i lejojmë orientalistët dhe bashkëpunëtorët e tyre nga radhët e hipokritëve që të sulmojnë dhe të hedhin hije dyshimi mbi figurën e sahabëve, padyshim që shumë shpejt ky sulm do t’i drejtohet vetë figurës së Profetit (Paqja qoftë mbi të!). Pikësynimi kryesor i këtyre pushtuesve është pikërisht zemra e ndërtesës e cila është vetë Profeti (alejhi selam).
Kritika drejtuar një sahabiu cilido qoftë ai, bën që feja Islame të vendoset përballë rrezikut. Janë pikërisht këta njerëz të cilët përçuan deri tek ne Kuranin dhe traditën profetike. Me fjalë të tjera, ata na e përçuan neve fenë Islame. Nëse ne vëmë në dyshim përçuesit dhe mbartësit e fesë, s’ka dyshim se do të vëmë në dyshim edhe vetë fenë.
Të pranosh kritikën ndaj këtyre kolosëve do të thotë të pranosh se Kurani dhe suneti që ata na kanë përçuar nuk janë të saktë, e për rrjedhojë ky version i fesë Islame që ne njohim nuk është autentik. Të pranosh kritikën që i drejtohet sahabëve do të thotë të pranosh të shuhet feja Islame e bashkë me të të shuhemi edhe ne.
Për Allahun, nëse dikush do t’ju ofendonte një mik tuajin me siguri që do të hidheshit përpjetë dhe do i jepnit një shuplakë fytyrës. Mjerë për ju, si është puna me ju?! A nuk meritojnë sahabët që ne t’i mbrojmë ashtu si e mbrojtën ata mikun e tyre (Profetin) në mbrojtjen e të cilit dhanë edhe jetët e tyre?! S’ka dyshim se t’u dalësh sahabëve në mbrojtje do të thotë t’i dalësh vetë Islamit në mbrojtje. Këta gjigandë nuk u bënë të mëdhenj nga hiçi, por përkundrazi, para se çdonjëri prej tyre të kthehej në një nga kolosët e brezit të vet ata ishin fryt i tre faktorëve themelorë që ndikuan në formimin e personalitetit të secilit prej tyre.
Faktori i Parë: Përzgjedhja hyjnore.
Allahu e përzgjodhi të dërguarin e Tij nga mesi i gjithë njerëzimit që ai t’i përçonte botës mesazhin e Tij të fundit. Por jetëgjatësia e këtij të dërguari si njeri që ishte, ishte e kufizuar, andaj lypsej që Allahu të përzgjidhte për të dikë që t’a përkrahte sa ishte gjallë në përmbushjen e misionit të tij. Pas vdekjes mesazhin e tij t’ua përçonte popujve të tjerë të botës të paprekur dhe të pashtrembëruar. S’kishte sesi të bëhej i qartë ndryshe argumenti i Zotit ndaj njerëzimit mbi përçimin e mesazhit autentik tek ata. Nuk i lypset shumë zgjuarsi atij që i studion me kujdes historitë e sahabëve, që të kuptojë siç duhet se Allahu i Madhërishëm i përzgjodhi ata një për një që të përmbushnin misionin për të cilin u krijuan.
Fisi Eus dhe fisi Hazrexh nuk ishin me origjinë nga Medineja. Ata rridhnin nga fisi Ezd i cili u shpërngul nga Jemeni fill pas shembjes së digës së Merebit. Kush i shtyu ata që të zgjidhnin Medinen si vendbanimin e tyre të ri ku disa vite më pas u shpërngul i dërguari i Allahut (alejhi selam)? Madje, pikësëpari, kush bëri që diga e Merebit të shembej? Selman Farisiu u shpërngul në një aventurë të habitshme nga tokat Perse për në tokat e Shamit, më pas në ato të Irakut e më pas në ato të Turqisë në kërkim të së vërtetës së përjetshme, por nuk pati sukses. Pasi ai personalisht nuk arriti t’a gjejë të vërtetën, atëherë një bandë kusarësh e rrëmbyen dhe e çuan atë pikërisht në Medine pa dëshirën e tij (aty ku e gjeti të vërtetën që kërkonte prej vitesh).
Faktori i dytë: Edukata Profetike.
Mbase ajo që më së shumti i dallon sahabët nga pjesa tjetër e njerëzimit në të gjitha kohërat, është fakti se ata patën fatin të mësojnë drejtpërdrejtë nga mësuesi më i madh i njerëzimit Muhamedi (Paqja qoftë mbi të). Kjo bëri që ata të njihen në histori si nxënësit më të mëdhenj të mësuesit më të madh në botë. Sahabët e morën ujin nga burimi të kulluar dhe të papërzier me ndonjë element të dyshimtë, ndërkohë që ne e kemi marrë atë të përzier me elementë të dyshimtë të shumtë. Andaj, medoemos konceptimi i tyre ndaj Kuranit dhe Sunetit është më i qëlluar se ai i joni, sepse ata bashkëjetuan në mënyrë faktike me Profetin (alejhi selam).
Konceptimi i tyre ndaj Kuranit dhe Sunetit është pikërisht konceptimi i saktë i fesë, dhe ne jemi të detyruar që Kuranin dhe Sunetin t’a konceptojmë sipas konceptimit të tyre e jo sipas konceptimit tonë personal. Prandaj, nëse sahabët e kanë komentuar një verset Kuranor në një formë të caktuar dhe vjen dikush nga muslimanët e mëvonshëm dhe e komenton atë ndryshe, atëherë komentimi i sahabëve gjykohet si komentimi i saktë pa asnjë dyshim. Ata kanë përjetuar momentet e shpalljes së verseteve Kuranore, njihnin shkaqet e zbritjes së tyre dhe e njihnin domethënien e përmbajtjes së tyre. Mënyra e sahabëve në zbatimin e Kuranit dhe sunetit gjykohet si mënyra e saktë e zbatimit të fesë Islame.
Faktori i tretë: Beteja me vetveten.
Kohëve të fundit nëpër qarqet e rinisë së epokës së rizgjimit na ndodh që të dëgjojmë një shprehje që përsëritet shpesh: “Hapini për ne dyert e luftës së shenjtë!” S’ka dyshim se këta të rinj i kanë lexuar tregimet mbi aktet e mëdha heroike që realizuan heronjtë e sahabëve, andaj ata kërkojnë t’i imitojnë duke bërë thirrje për hapjen e derës së luftës së shenjtë. Mirëpo, e vërteta e cila nuk u ka shkuar nëpër mend është se çështja e luftës së shenjtë nuk është aspak aq e thjeshtë. Ajo që na takon neve para se të mendojmë për luftën e shenjtë është që t’i drejtojmë vetes pyetjet: A e fal namazin e sabahut në kohën e tij? Lëre më nëse e fal apo jo në xhami? A çohesh natën për të falur namazin e natës? A e lë dot pa ndjekur ndeshjen e ekipit kombëtar kur thirret ezani për faljen e namazit? A merresh me ushtrime fizike ose a di të vraposh të paktën? A e lë dot duhanpirjen para se të angazhohesh me luftën e shenjtë?
Është interesant fakti se si shumë prej të rinjve, me gjithë synimet e drejta që kanë në kërkesën e tyre për luftën e shenjtë, mendojnë se për t’u bërë hero siç ishin heronjtë e sahabëve në betejën e Bedrit dhe Uhudit mjafton të hedhësh krahëve një armë dhe ja ku u bëre. Në fakt rruga e luftës së shenjtë është shumë më e gjatë nga ç’mund të mendohet, dhe pse fundi i saj është rrokja e armëve (e jo fillimi siç mendojnë disa). Sahabët e nderuar nuk arritën t’i realizojnë ato akte heroike dhe të fitojnë atë lavdi të përjetshme vetëm se pas një beteje të ashpër e cila ishte më e madhe se ajo që kërkojnë të rinjtë tanë në ditët e sotme. Ajo është pikërisht beteja me vetveten. Metali i fortë nuk bëhet aq i fortë vetëm pasi të dalë nga poçeja përvëluese e zjarrit. Musab bin Umejri para se të mbarte flamurin e Islamit në betejën e Uhudit shkoi në Mekë pasi pranoi Islamin. Sahabëve nuk i’u desh më shumë se një vit në Medine për të triumfuar në betejën e Bedrit, ndërkohë që i’u deshën trembëdhjetë vite në Mekë për të ndërtuar burra të fortë të cilët nuk i druheshin vdekjes. Mbase surprizohesh nga fakti se namazi i natës ishte i detyrueshëm në fillimet e propagandës Islame, madje rrokja e armëve për të luftuar ishte e ndaluar përgjatë gjithë periudhës mekase në mënyrë që t’u bëhej e mundur vazhdimësia afatgjatë e disiplinimit vetjak, pikërisht beteja me vetveten.
Përktheu Rexhep Milaqi
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve