Sahabiu i nderuar: Ikrime ibn Amër ibn Hisham

September 14, 2025

Ikrime ibn Amr ibn Hisham, komandanti i “Njësisë së Vdekjes” në ditën e Jermukut

Babai i tij ishte ai që njihej me nofkën Ebu Xhehli.

Kur ushtria romake, e cila ishte disa herë më e madhe se ushtria e muslimanëve në numër dhe pajisje, vendosi të shkatërronte ushtrinë islame duke i rrethuar nga të gjitha anët, ky hero i shquar mysliman mori vendimin më të vështirë në jetën e çdo njeriu: Ikrime mori vendimin e vdekjes.

Ai thirri me një zë që ushtonte si bubullimë: — “O muslimanë, kush më jep besën për vdekje?!”

 

Atëherë, iu bashkuan 400 vetë, të cilët u bënë njësia e njohur në histori si “Njësia Islame e Vdekjes.”

Kur e pa këtë, Halid ibn Uelid u drejtua tek Ikrima dhe tentoi ta ndalonte nga kjo sakrificë. Por Ikrima me fytyrë të ndriçuar e shikoi atë dhe i tha:

— “Largohu prej meje, o Halid! Ti ke një të kaluar të lavdishme me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Ndërsa unë dhe babai im kemi qenë ndër armiqtë më të mëdhenj të tij. Lërmë të shlyej atë që kam bërë më parë! A nuk kam luftuar kundër të Dërguarit të Allahut në shumë beteja? E tani të iki (frikësohem) nga romakët?! Kjo nuk do të ndodhë kurrë!”

Atëherë, Njësia e Vdekjes u lëshua mbi armikun, dhe romakët u tronditën kur panë një grup njerëzish si luanë të egërsuat që i godisnin dhe u copëtonin kafkat.

Njëri pas tjetrit, luftëtarët e kësaj njësie sulmonin dhjetëra e dhjetëra ushtarë të perandorisë romake.

Ikrime ibn Ebu Xhehl vetë depërtoi deri në zemër të ushtrisë romake për të çarë rrethimin ndaj muslimanëve. Dhe me të vërtetë, ai arriti të hapte një çarje në radhët e armikut, duke u hedhur mbi ta si një njeri i vendosur për vdekje.

Komandanti i romakëve urdhëroi që të gjitha shigjetat të drejtoheshin kundër tij. Kali i Ikrimes u rrëzua nga shigjetat e shumta që u ngulën mbi të. Por ai zbriti menjëherë dhe vazhdoi të luftonte në këmbë, duke iu hedhur dhjetëra romakëve.

Romakët e shigjetuan zemrën e tij dhe Muslimanët, kur panë këtë pamje heroike, u përfshinë nga ndjenja krenarie dhe u lëshuan të gjithë për t’u bashkuar me komandantin e tyre, të gatshëm të vdisnin ashtu siç i kishin dhënë besën.

Romakët nuk mund t’u besonin syve të tyre kur panë katërqind luftëtarë që vraponin me këmbët e tyre drejt vdekjes së sigurt. Atëherë Allahu hodhi frikë në zemrat e jobesimtarëve dhe ata filluan të tërhiqeshin e të iknin, ndërsa thirrjet “Allahu Ekber!” i ndiqnin pas nga gojët e njësisë së Ikrimes. Kështu, kjo njësi e sakrificës arriti të çajë rrethimin ndaj ushtrisë islame.

Pas betejës, Halid ibn Uelidi filloi të kërkonte kushëririn e tij, Ikrimen, derisa e gjeti të shtrirë pranë dy prej luftëtarëve të njësisë së tij: Harith ibn Hishamin dhe Ajash ibn Ebi Rabia, të tre të mbuluar nga gjaku.

Harith ibn Hisham kërkoi pak ujë. Por para se ta pinte, e pa Ikrimen pranë vetes dhe tha:

— “Jepjani Ikrimes së pari, se ai është më i etur se unë.”

Kur uji iu afrua Ikrimes, ai deshi të pinte, por pa Ajashin pranë vetes dhe tha: — “Jepjani Ajashit më parë.”

Kur iu afrua Ajashit, edhe ky tha:

— “Nuk pi dot para vëllait tim, që kërkoi ujin i pari.”

Kur njerëzit u kthyen tek Harithi, e gjetën se kishte ndërruar jetë. Shikuan për Ikrimen, por edhe ai kishte rënë dëshmor. Dhe kur u kthyen tek Ajashi për t’i dhënë një pikë ujë, edhe ai kishte dhënë shpirt.

Historitë e këtyre trimave duhet t’ua mësoni fëmijëve tuaj, jo Aleksandrin e Madh, as Napoleonin, as Mesin, as Kristiano Ronaldon, e as të tjerë.

Ata duan që ne ti harrojmë luanët tanë muslimanë, por kjo nuk do të ndodhë inshallah. Përkundrazi, ne do ta rikthejmë lavdinë e tyre, me lejen e Allahut.

Përhapeni këtë histori dhe tregojuni fëmijëve tuaj se çfarë është heroizmi i burrave, sakrifica e shpirtit për ngritjen e flamurit të Islamit, për mbrojtjen e atdheut dhe për arritjen e nderit dhe lavdisë.

📚 Burimet: “El-Bidaje ue’n-Nihaje” – Ibn Kethir. “Tarihu’t-Tabari” – Imam Taberi “Sijeru a‘lamin-nubela” – Imam Dhehebi

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...