Sexhdja e falenderimit

Kur njeriut i vjen nga Allahu ndonjë mirësi apo i largohet ndonjë e keqe, është e pëlqyer për të të shkojë në sexhde, sepse sexhdja është punë e mirë dhe Allahu i Madhëruar ka thënë: (… dhe bëni punë të mira)[1].

Transmetohet nga Ebu Bekra -radiallahu anhu-: “Profetit -alejhi selam- kur i vinte ndonjë lajm i gëzueshëm binte menjëherë në sexhde”[2].

Transmetohet nga Enes bin Malik se “Profeti alejhi selam është përgëzuar njëherë për diçka dhe menjëherë ka rënë në sexhde”[3].

“Profeti -alejhi selam- ka rënë në sexhde kur i erdhi letra e Aliut për islamin e fisit hamedan”[4].

Transmetohet nga Tarik bin Zijad: “Aliu ka bërë sexhde kur e ka parë Dhul-thedijen të vrarë mes khauarixhve”[5].

Transmetohet nga Abdurrahman bin Keab bin Malik nga babai i tij se ka thënë: “Kur ia pranoi Allahu atij teuben ai ra në sexhde”[6].

Shejhu ynë (Albani) Allahu e mëshiroftë, në librin El-Irua pas verifikimit të disa haditheve të sexhdes së falënderimit thotë: “Në përgjithësi nuk duhet të dyshojë njeri me llogjikë në lejimin e sexhdes së falënderimit pasi të ketë parë këto hadithe e aq më tepër kur ky është dhe zakoni i selefëve”.

Gjykimi i kësaj sexhdeje është si gjykimi i sexhdes së leximit e cila nuk ka kushtet e namazit si abdesi, drejtimi nga kibla, tekbiri dhe dhënia e selamit.

Në librin El-Ikhtijarat thuhet: “Sexhdja e falënderimit nuk ka nevojë për abdes si sexhdja e leximit”

Enciklopedia e thjeshtuar e Fikhut

Autor Husejn el Auajshe

Përktheu Teuta Xeka

[1] Suretu El-Haxh: 77.

[2] E transmeton: Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibën Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.

[3]E transmeton Ibën Maxheh dhe e saktëson shejh Albani

[4] Shiko librin El-Irua.

[5] E transmeton Ahmedi dhe e saktëson shejh Albani.

[6] E transmeton Ibën Maxheh dhe hadithi është edhe tek Buhariu e Muslimi.