Shembuj të Penduarish

February 22, 2023

Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Thuaj: O robërit e Mi që i keni tejkaluar caqet kundër vetvetes (duke kryer ligësi e gjynahe)! Mos i humbni shpresat nga mëshira e Allahut. Vërtet që Allahu i fal të gjitha gjynahet, Ai është Falësi i madh, Mëshirëploti.” |Zumer: 53|

Transmetohet nga Burejde, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Ma’iz ibën Malik El-Eslemij ka shkuar tek i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe i ka thënë:

“O i Dërguar i Allahut! Unë i kam bërë vetes padrejtësi, kam bërë zina (imoralitet) dhe dua të më pastrosh nga ky mëkat.”

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ktheu atë. Ai i shkoi përsëri të nesërmen dhe i kërkoi të njëjtën  gjë, por i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ktheu përsëri. Pasi që e ktheu çoi fjalë në mesin e popullit të tij për të pyetur për shëndetin mendor të tij, dhe ata iu përgjigjën duke thënë që ai ishte në rregull nga ana mendore. Pas kësaj që ndodhi ai i shkoi të Dërguarit të Allahut për herë të tretë dhe ai çoi fjalë përsëri, por ata iu përgjigjën në të njëjtën mënyrë.

Kur i shkoi përsëri për herën e katërt atëherë ai urdhëroi që të gurëzohej (në mënyrë që të pastrohej nga mëkati siç e kërkoi – sh.p.).

Gjithashtu shkoi te i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, një grua prej fisit Gamid (fis prej fiseve të atëhershme – sh.p.) e i tha:

“O i Dërguar i Allahut! Unë kam bërë zina (imoralitet) dhe dua të më pastrosh nga ky mëkat që kam bërë.”

Ai e ktheu ashtu siç e ktheu Ma’izin. Ndërkohë, ajo i shkoi përsëri të nesërmen dhe i tha:

“O i Dërguar i Allahut! Pse po më kthen? Mos vallë do të më kthesh ashtu siç ktheve Ma’izin? Pasha Allahun, unë jam shtatzënë.”

Atëherë ai iu përgjigj: “Meqë nuk do të kthehesh, shko dhe hajde pasi të lindësh.”

Pasi lindi, ajo i shkoi bashkë me fëmijën e i tha: “Kam lindur, ky është fëmija.”

Ai iu përgjigj: “Shko dhe hajde pasi të kalojë koha e gjidhënies.”

Kur mbaroi afati i gjidhënies ajo shkoi te i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, së bashku me një fëmijë i cili kishtë në dorë një copë buke, e iu drejtua duke thënë:

“E mbarova afatin e gjidhënies o i Dërguar i Allahut, fëmija ka filluar të hajë ushqimin.”

I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ia dha fëmijën një personi prej muslimanëve dhe urdhëroi që gruaja të gurëzohej.

Halid ibën Uelidi (njëri prej sahabëve – sh.p.) e gjuajti në kokë dhe gjaku i saj ra në fytyrën e tij, e ai e shau atë.

I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e dëgjoi dhe i tha:

“Ngadalë o Halid! Pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij, ajo ka bërë një teube (është penduar) që sikur vjelësi i taksave (tregon sesa i madh është mëkati i tij – sh.p.) të pendohej në atë formë atij do t’i falej mëkati.”

Pastaj urdhëroi që t’i falej xhenazja, e fali atë dhe e varrosën.

Transmeton Muslimi me nr. 1695, Ebu Daudi me nr. 4440, dhe Tirmidhiu me nr. 1435.

Shpjegimi:

Shokët e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, arritën një nivel të lartë besimi porse ata nuk ishin të pagabueshëm. Sa herë që dikush prej tyre binte në një mëkat ai shpejtonte t’i drejtohej Allahut me pendim, dhe gjithashtu kërkonte dënimin përkatës në mënyrë që të pastrohej nga gjynahu (jo të gjithë kërkonin dënimin, disa prej tyre mjaftoheshin me kërkimin e faljes – sh.p.).

Dobitë:

  • Grada e lartë e besimit që kishin shokët e të Dërguarit të Allahut, Allahu qoftë i kënaqur me ta, dhe sinqeriteti i pendimit të tyre.
  • Mëshira e madhe e Allahut dhe pranimi i pendimit të atyre që kthehen me pendim.

 

Shkëputur nga libri: “Mësimet e përditshme”.

Shkroi: Rashid El-AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Loading...