Shembuj të bukur në hadithet e sakta Profetike – Hadithi i Parë –

  • Shembulli im dhe shembulli i Profetëve para meje.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se i dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë:

“Shembulli im dhe shembulli i Profetëve para meje është njësoj si shembulli i një personi që ndërtoi një shtëpi të cilën e bëri të hijshme dhe të zbukuruar, përveç vendit (të mbetur bosh) të një tulle në një qoshe muri. Njerëzit filluan të silleshin rreth saj dhe t’a pëlqenin shumë duke thënë: A nuk do vendoset edhe ajo tullë?! Unë jam plotësuesi dhe unë jam vula e profetëve!” [1]

Xhabir bin Abdilah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) tregon se i dërguari i Allahut (alejhi salatu ues selam) ka thënë:

“Shembulli im me atë të profetëve të tjerë është si shembulli i një personi që ka ndërtuar një shtëpi duke e plotësuar dhe hijeshuar atë, përveç vendit të një tulle (që nuk e kishte vendosur). Njerëzit filluan të hynin brenda dhe e pëlqenin shumë atë duke thënë: Ah sikur të plotësohej edhe ajo tullë!” [2]

Xhabir bin Abdilah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell nga Profeti (alejhi salatu ue selam) se ka thënë:

“Shembulli im dhe shembulli i profetëve të tjerë është si shembulli i një personi që ndërtoi një shtëpi duke e plotësuar dhe hijeshuar atë, përveç një tulle që nuk e kishte vendosur. Njerëzit filluan të hynin në shtëpi dhe të mahniteshin pas saj, duke thënë: Ah sikur të mos mungonte ajo tullë!” I dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) tha: “Unë jam vendi ku vendoset tulla dhe unë erdha për të qenë vula e profetëve.” [3]

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:

Në këtë hadith i dërguari i Allahut (alejhi selam) e shëmbëllen varganin fisnik të profetëve dhe dërgimin e tyre tek njerëzit kohë pas kohe, me një shtëpi të ngritur në themele të forta dhe të ndërtuar në formën e saj të plotë. Ndërkohë, i zoti i kësaj shtëpie ishte kujdesur shumë në ndërtimin dhe zbukurimin e saj, aq sa shtëpia e kishte arritur kulmin e bukurisë dhe hijeshisë. Nga kjo ndërtesë kishte mbetur vetëm një vend tulle që nuk ishte vendosur dhe që do të plotësonte dhe hijeshontë të gjithë ndërtesën. Në këtë mënyrë, i dërguari i Allahut (alejhi selam) e shëmbëlleu veten e tij dhe mesazhin me të cilin ishte dërguar – si mesazh përmbyllës – me këtë tullë e cila plotësonte të gjithë strukturën e ndërtesës. Allahu e dërgoi Muhamedin (alejhi salatu ue selam) të plotësonte ndërtesën e imanit dhe udhëzimin Hyjnor. Me ardhjen e tij njerëzimi do të shihte rrugën e ndriçuar dhe shkaqet e lumturisë, sepse u plotësuan moralet e larta dhe shtyllat e forta të drejtësisë dhe të së vërtetës. Mesazhi i tij ishte përmbyllës i të gjitha shpalljeve hyjnore, dhe ishte plotësim i të gjitha legjislacioneve të mëhershme.

Legjislacioni Islam përmblodhi çdo gjë që ishte e shpërndarë dhe vendosi në jetë çdo gjë që i nevoitej njeriut në këtë botë dhe në botën tjetër. Ai do të ishte rregullatori i të gjitha aspekteve jetësore dhe do t’u mjaftonte njerëzve sado që kohët të kalonin dhe sado që gjendja e tyre të ndryshonte.

Dobi dhe mësime:

1 – I dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) e dinte se është zotëriu i bijve të Ademit, i pari të cilit do ti hapet dheu i varrit në ditën e gjykimit dhe i pari që do të ndërmjetësojë dhe do t’i pranohet ndërmjetësimi – siç jemi njoftuar në hadithet e sakta. Në këtë hadith ai tregoi modesti të madhe mes vëllezërve të tij pejgamberë, duke na treguar se është pjesë e kësaj ndërtese të madhe profetike. Kjo modesti le të shërbejë për të edukuar cilindo që nuk ka dëshirë të jetë pjesë e një projekti (ndërtese), por gjithmonë tenton të jetë vetë projekti (ndërtesa)! Çfarë pozite gëzon ai krahasuar me profetin e zgjedhur, Muhamedin (alejhi salatu ue selam)?!

2 – Në rrafshin social ky hadith na mëson se si duhet të punojmë në grup dhe se njeriu nuk mundet t’a ndërtojë dhe t’a prefeksionojë diçka të madhe duke qenë i vetëm. Me vëllezërit e tij ai mundet t’a arrijë një gjë të tillë. Allahu i Lartësuar kur i shpalli Musait (alejhi selam) i tha: “Ne do të forcojmë ty me vëllanë tënd dhe që të dyve do t’ju japim fuqi.”[4] Ndërsa Profeti (alejhi selam) tregon duke thënë: “Dora e Allahut është me xhematin.”[5]

I dërguari i Allahut (alejhi selam) dha shembullin më të mirë në historinë e tij të bukur, dhe në një punë të përbashkët me sahabët (shokët e tij besnikë) arriti t’a përhapte fenë e Allahut në çdo skaj të gadishullit arabik.

3 – Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Në këtë hadith shfaqen vlerat e të dërguarit (alejhi selam), sepse ai ishte vula e pejgamberëve dhe me anë të tij Allahu i plotësoi legjislacionet e fesë.”[6] Allahu i Lartësuar thotë: “Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguar i Allahut dhe vula e profetëve. Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.”[7]

Gjithashtu ka thënë: “Sot ua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush, dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.”[8]

Sa e madhe është mirësia e Allahut ndaj njerëzve, sa e gjerë është mëshira e Tij ndaj tyre! U dërgoi atyre profet pas profeti, urdhër pas urdhëri, i udhëzoi me libër pas libri deri në momentin kur e plotësoi këtë fe dhe dërgoi për mbarë njerëzimin vulën e Pejgamberëve Muhamedin (alejhi salatu ue selam).[9]

4 – Fjala e tij: “Unë jam plotësuesi dhe unë jam vula e profetëve!” Kuptojmë se legjislacioni me të cilin ai erdhi është më i ploti nisur nga shumë aspekte. Nëse shohim në legjislacionet e mëhershme të profetëve do vëmë re se disa i kushtonin rëndësi çështjes së hallallit dhe haramit, si rasti i legjislacionit të Musait (alejhi selam), ose që i kushtonte rëndësi punëve të zemrës siç ishte legjislacioni i Isait (alejhi selam). Ndërsa ky legjislacion (sheriat) erdhi i plotësuar në të gjitha sferat e jetës; në besim, adhurime, vepra, morale, shitblerje etj. Ai ishte sqarues i të gjitha aspekteve.[10]

5 – Ky hadith i saktë dhe shumë të tjerë hedhin poshtë të gjitha pretendimet e atyre që shpallën profetësinë pas profetit të fundit Muhamedit (alejhi selam), sepse ai ishte vula e të gjithë pejgamberëve. Këtu përfshihen gënjeshtarët dhe mashtruesit e kohëve të mëhershme, si rasti i Musejleme gënjeshtarit që u shfaq në Nexhd, apo Esued el Ansiut që u shfaq në Jemen, apo dhe në kohët tona si rasti i Ahmed el Kadianit i cili pretendoi në mënyrë fatale se është profet që i vjen shpallja. Për t’u vërtetuar edhe më tej fjala e Profetit tonë (alejhi selam) që thotë: “Nuk ka për tu bërë kiameti derisa të dalin dexhalë mashtrues afërsisht tridhjetë, dhe çdokush do të pretendojë se është i dërguari i Allahut.”[11]

Bazuar në këto hadithe dhe plot të tjera, muslimanët që nga koha e Profetit e deri më sot i kanë konsideruar si jomyslimanë të gjithë ata që besojnë se mbas Muhamedit (alehji selam) ka profet, edhe nëse këta njerëz falen dhe agjërojnë dhe e mbajnë veten për musliman! Ja se çfarë thonë disa dijetarë të shquar të Islamit:

Imam Ebu Hanife (150 h.) – Një njeri u vetëshpall profet në kohën e Ebu Hanifes dhe tha: Më jepni kohë deri sa t’u sjell argumente. Ebu Hanifja tha: Kush kërkon prej tij ndonjë argument ka dalë nga feja, dhe kjo në bazë të fjalës së Profetit (alejhi selam) që thotë: “Nuk ka profet pas meje.”

Ebu Hamid El-Gazali (Gazali i famshëm) (505 h.): “I tërë umeti unanimisht (me ixhma) ka kuptuar prej fjalëve “S’ka profet mbas meje” si dhe nga historia e jetës së Profetit, se pas tij nuk ka për  të pasur kurrë as profet (nebij) e as të dërguar (resul). Nuk pranohet asnjë interpretim dhe asnjë përjashtim, dhe kushdo që del kundër ka dalë kundër Ixhmasë (unanimitetit).”[12]

6 – Pejgamberët e Zotit (alejhim selam) janë pishtarët e udhëzimit. Ata orientojnë për nga e mira dhe janë të denjë për t’u marrë shembull. Feja e tyre është e njëjtë dhe aludon në monoteizmin e pastër dhe adhurimin e Allahut të Vetëm dhe pa ortak, paçka se legjislacionet e tyre ishin të ndryshme. Ajo që kërkohet prej nesh është të besojmë në shpallejt e tyre, t’i duam dhe të ndjekim gjurmët e tyre.

Përgatiti: Fatjon Isufi

[1] E përcjell Buhariu me nr. 3535 dhe Tirmidhiu në Sunenin e tij.

[2] E përcjell Buhariu me nr. 3535 dhe Muslimi me nr. 2286.

[3] E përcjell Ahmedi në Musned. Hadithologu shqiptar Shuajb Arnauti (Allahu e mëshiroftë), në gjykimin e këtij hadhithi ka thënë: Senedi i tij është i saktë dhe konform kushteve që kanë vendosur Buhariu dhe Muslimi. Gjithashtu e përcjell Ibn Ebi Shejbe 11/499, Buhariu me nr. 3534 dhe Muslimi me nr. 2287.

[4] Suretu Kasas: 35.

[5] E përcjell Ibn Hibani në sahihun e tij, ndërsa Shejh Shuajb Arnauti në gjykimin e këtij hadithi ka thënë: Senedi i tij është i saktë.

[6] Neveviu në “Sherh Sahih Muslim” 15/51.

[7] Suretu Ahzab: 40.

[8] Suretu el Maide: 3.

[9] Enciklopedia e fikhut të zemrave 1/141.

[10] “Perfeksioni i legjislacionit Islam” i autorit Muhamed el Munexhid.

[11] Transmeton Buhariu me nr. 3534, dhe Muslimi me nr. 2287 etj.

[12] Për më tepër shih shkrimin e dobishëm me titull: “Muslimanë! Ruhuni nga sekti Ahmedij” i hoxhës Justinian Topulli.