Shenjat e Kijametit (Pjesa I)

December 11, 2013

Shenjat e Kijametit

Studim nga Dr.Abdullah Nabolli

Shenja e parë e afrimit të  fundit të dynjasë është dërgimi i Profetit të fundit alejhis-salatu ues- selam.

Transmetohet nga Xhabir bin Abdilahi radijallahu anhu se Profeti alejhis-salatu ues-selam kur mbante hytbe i skuqeshin sytë, e ngrinte zërin, fliste ashpër sikur të ishte paralajmërues i ardhjes së një ushtrie armike dhe thoshte: “Jam dërguar unë dhe ora e fundit e dynjasë si këta dy gishta duke treguar gishtin tregues dhe gishtin e mesit”. E transmeton Muslimi.

Transmetohet nga Ebu Xhebira radijallahu anhu se Profeti alejhis-salatu ues-selam ka thënë: “Jam dërguar në fillim të erës së orës së fundit”. E transmeton Hakimi dhe saktëson sheikh Albani.

Transmetohet nga Ibn Umeri radijallahu anhu  se Profeti alejhis-salatu ues-selam ka thënë: “Jam dërguar para orës së fundit me shpatë, derisa të adhurohet Allahu i Vetëm dhe pa shok”. E tansmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson sheikh Albani.

Imam El-Kurtubiu duke folur rreth shenjave të orës së fundit thotë:
E para e tyre është dërgimi i Profetit alejhis-salatu ues- selam sepse ai është profeti i kohës së fundit. Ai u dërgua dhe nuk ka mes tij dhe kijametit profet tjetër.

Transmetohet nga Xhubejr bin Mut’imi radijallahu anhu  se Profeti alejhis-salatu ues-selam ka thënë: “Unë kam disa emra: Unë jam Muhamedi, unë jam Ahmedi, unë jam fshirësi me të cilin Allahu fshin kufrin (mohimin), unë jam grumbulluesi, pas gjurmëve të të cilit grumbullohen njerëzit dhe unë jam vula, i cili nuk ka pas tij tjetër”. E transmeton Muslimi.

Imam Ibn Rexhebi në shpjegimin e këtij hadithi thotë:

[unë jam grumbulluesi pas gjurmëve të cilit grumbullohen njerëzit] do të thotë se ringjallja e tyre dhe grumbullimi i tyre do të jetë pas dërgesës së tij.

[unë jam vula i cili nuk ka pas tij tjetër] do të thotë se ai erdhi në fund të të gjithë profetëve dhe nuk ka pas tij profet dhe kështu dërgimi i tij është prej shenjave të kijametit.

Shenja e dytë e afrimit të Orës së fundit të dynjasë.

Çarja e hënës.

Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “U afrua Ora e fundit dhe u ça hëna.Ata kur shohin ndonjë mrekulli thonë: Kjo është magji e vazhdueshme”. (Suretu el-Kamer: 1-2)

Imam Ibn Rexhebi thotë: E ka bërë Allahu çarjen e hënës prej shenjave të afrimit të Orës së fundit dhe çarja e saj ka ndodhur në Meke para emigrimit të Profetit alejhis-salatu ues-selam.

Transmetohet nga Abdullah bin Mesudi radijallahu anhu se ai në lidhje me ajetin e lartpërmendur ka thënë: “Është çarë hëna në kohen e profeti alejhi selam në dy copa: një copë pas malit dhe tjetra mbi mal dhe profeti alejhi selam tha: dëshmoni.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi

Transmetohet nga Xhubejr bin Mut’imi radijallahu anhu se ka thënë rreth ajetit të lartpërmendur: “Është çarë hëna në Meke në kohën e Profetit alejhis-salatu ues-selam.” E transmeton Hakimi dhe e saktëson Imam Dhehebiu dhe sheikh Albani.

Transmetohet nga Hudhejfe bin El-Jemani radijallahu anhu  se ka thënë në hytben e xhumasë në El-Medain: “Allahu i Madhëruar thotë: [U afrua ora e fundit dhe u ça hëna].Ora e fundit është afruar, hëna është çarë dhe dynjaja është duke u larguar. Sot është fusha e garimit dhe nesër është garimi.” E transmeton Hakimi dhe e saktëson Imam Dhehebiu dhe sheikh Albani.

Gjithashtu çarja e hënës është përmendur dhe nga disa sahabinj të vegjël si Enes bin Maliku, Abdullah bin Umeri dhe Abdullah bin Abasi radijallahu anhum.

Imam El-Khattabi thotë: Çarja e hënës është mrekulli e madhe gati sa nuk barazohet me të asnjë mrekulli e profetëve sepse ajo ka ndodhur në trupat qiellorë -jashtë natyrës së kësaj bote të ndërlikuar- tek të cilët askush nuk mund të arrijë me hile e dredhira, prandaj dhe argumentimi me të është më i qartë dhe bindës.

E kanë mohuar këtë mrekulli disa filozofë duke thënë se sikur të kishte ndodhur do ta kishin parë të gjithë banorët e tokës dhe jo vetëm banorët e Mekës.

imam EbuIs’hak El-Zexhaxh si përgjigje për këtë dyshim të hedhur thotë: Çarja ka ndodhur natën kur shumica e njerëzve janë në gjumë dhe i kanë dyert e mbyllura siç ndodh edhe me eklipsin e hënës apo shfaqjen e yjeve të mëdha dhe nuk i shohin veçse pak njerëz. Kështu edhe çarja e hënës ishte mrekulli që ka ndodhur natën për një popull që e kërkoi dhe e sugjeroi kurse të tjerët nuk ishin duke e pritur. Dhe gjithashtu mundet që hëna të ketë qenë në një pozicion që nuk mund ta shihnin të tjerët.

Megjithatë imam Ibn Kethiri ka përmendur se në disa vende të Indisë është regjistruar çarja e hënës.

Shenja e tretë e afrimit të orës së fundit të dynjasë.

Vdekja e Profetit alejhis-salatu ues- selam.

Thamë më lart se dërgimi i profetit të fundit -Profetit Muhamed alejhis-salatu ues- selam – është shenjë e afrimit të Orës së fundit të dunjasë,  atëherë edhe largimi i tij nga kjo botë është akoma më tepër shenjë e afrimit të kësaj Ore sepse Allahu i Madhëruar në Kuran u jep dy garanci njerëzve: Nuk do t`i dënojë ata përderisa Profeti alejhis-salatu ues- selam është prezent dhe nuk do t`i dënojë ata kur janë të përkushtuar ndaj Allahut duke e adhuruar Atë dhe duke i kërkuar Atij falje.

Allahu i madhëruar në Kuran thotë:“Allahu nuk ka për t`i dënuar përderisa ti (o Muhamed) të jesh në mesin e tyre dhe Allahu nuk ka për t`i dënuar ata përderisa i kërkojnë falje Atij” (Suret-ul-Enfal: 33)

Ibn Abasi radijallahu anhu thotë: Ata kishin dy garanci: Profetin e Allahut dhe istigfarin (të kërkuarit falje Allahut). Iku Profeti alejhis-salatu ues- selam dhe mbeti istigfari.

Këto dy garanci i ka përdorur Profeti alejhis-salatu ues- selam kur ndodhi një herë në kohën e tij eklipsi i diellit dhe mendoi se kijameti po vinte. Profeti alejhis-salatu ues- selam i mblodhi sahabët për namaz dhe fali një namaz të gjatë me lexim të gjatë, me ruku të gjatë dhe me sexhde të gjatë dhe gjatë sexhdes thoshte: “O Zot, a nuk më ke premtuar se nuk do t`i dënosh ata kur unë jam në mesin e tyre?! O Zot, a nuk më ke premtuar se nuk do t`i dënosh ata përderisa janë duke kërkuar falje?!”E transmeton: Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.

Gjithashtu në një hadith tjetër të cilin e transmeton Ebu Musa El-Es’hari radijallahu anhu ku thotë: E falëm me Profetin alejhis-salatu ues- selam namazin e Akshamit, pastaj thamë: Sikur të uleshim derisa të falim me të namazin e jacisë! Ne u ulëm dhe vjen Profeti alejhis-salatu ues- selam dhe na thotë: Nuk keni lëvizur nga vendi? I thamë: O i Dërguari i Allahut, ne falëm me ty akshamin dhe thamë: Të ulemi derisa të falim me të jacinë. Ai na tha: Ju lumtë ose mirë keni bërë! Pastaj ngriti kokën nga qielli -dhe ai shpesh e ngrintë kokën nga qielli- dhe tha: “Yjet janë garanci për qiellin dhe kur të ikin yjet, i vjen qiellit afati i tij i premtuar. Unë jam garanci për shokët e mi dhe kur të iki unë, u vjen shokëve të mi afati i premtuar. Shokët e mi janë garanci për umetin tim dhe kur të ikin shokët e mi, i vjen umetit tim afati i premtuar.” E transmeton Muslimi.

Vdekjen e tij si shenjë e Orës së fundit Profeti alejhis-salatu ues- selam e ka përmendur qartë në një hadith tjetër. Transmetohet nga Auf bin Maliku radijallahu anhu  se ka thënë: Shkova te Profeti alejhis-salatu ues- selam në luftën e Tebukut dhe ai ishte nën një çadër prej lëkure dhe më tha: “Numëro gjashtë gjëra para Orës së fundit: vdekja ime….”.

Auf bin Maliku radijallahu anhu thotë: Unë u preva fare. Në një transmetim tjetër thotë: Unë qava derisa Profeti alejhis-salatu ues- selam u detyrua të më qetësonte. E transmeton Muslimi.

Shenja e katërt e afrimit të Orës së fundit të dynjasë.

Çlirimi i xhamisë së Aksasë.

Xhamia e Aksasë është një prej tre xhamive në të cilat sevapet e namazeve shumëfishohen, e ka ndërtuar profeti Sulejman alejhi selam dhe në të janë falur shumë profetë, mes tyre dhe profeti i fundit Muhamedi alejhis-salatu ues-selam në natën e israsë dhe miraxhit.

Xhamia e Aksasë, kur erdhi Islami, ishte në duart e të krishterëve dhe të krishterët si fe e devijuar nga teuhidi (njësimi i Allahut) u kishte ardhur koha ta dorëzonin këtë xhami në duart e atyre që adhurojnë Allahu Një të Vetëm dhe nuk i bëjnë Atij shok. Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Xhamitë janë të Allahut dhe mos i shoqëro Atij askënd në lutje” Suratul-Xhin: 18.

Kur e vërteta dhe teuhidi u kufizuan vetëm tek Islami atëherë e drejta për tu falur në xhaminë e Aksasë dhe për tu kujdesur për të nuk u takonte veçse myslimanëve.

Profeti alejhis-salatu ues-selam na njoftoi se çlirimi i xhamisë së Aksasë është shenjë prej shenjave të kijametit siç transmetohet në hadithin e lartpërmendur të Auf bin Malikut radijallahu anhu  ku Profeti alejhis-salatu ues-selam i thotë: “Numëro gjashtë gjëra para Orës së fundit: vdekja ime, pastaj çlirimi i xhamisë së Aksasë….”. E transmeton Buhariu.

Pra, kjo xhami në kohën e fundit do të kalojë në duart e ymetit të fundit, ymetit të profetit Muhamed alejhis-salatu ues-selam.

Kjo shenjë ka ndodhur dhe xhamia e Aksasë u çlirua në kohën e Omerit radijallahu anhu në vitin e 15 sipas hixhretit.

Imam Ibn Kethiri në librin e tij El-Bidaje uen-Nihaje shënon: Në vitin e 15 sipas hixhretit të dy komandantët e ushtrive myslimane Ebu Ubejde radijallahu anhu dhe Amr bin El-Asi radijallahu anhu pasi kishin çliruar të gjitha vendet përreth qytetit të Kudsit ku ndodhet xhamia e Aksasë, së fundi rrethojnë Kudsin. Banorët e Kudsit bëjnë një marrëveshje me Ebu Ubejden që ta dorëzojnë qytetin por me kusht që të vijë Omeri radijallahu anhu. Omeri radijallahu anhu shkon në Kuds, plotësohet marrëveshja, çlirohet xhamia e Aksasë dhe përmbushet kjo shenjë e profetësisë.

Shenja e pestë e Orës së fundit të dynjasë.

Epidemia e murtajës.

Murtaja është një sëmundje ngjitëse shumë e rëndë, që shkaktohet nga një virus i posaçëm, përhapet shumë shpejt, shfaqet me temperaturë e dobësi trupore të theksuar, me dhimbje të forta në kokë, në qafë dhe që për pasojë sjell vdekjen.

E vetmja mënyrë për të shpëtuar prej saj është kalimi në gjendje karantine siç thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam: “Nëse dëgjoni se ka rënë murtaja në një vend, mos shkoni atje dhe nëse bie në një vend ku ju jeni, mos dilni për të ikur prej saj”. E transmeton Buhariu.

Në rast se Allahu  ia cakton një myslimani për të vdekur për shkak të murtajës , vdes si shehid siç thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam: “Murtaja është shehidllëk(të rënit dëshmor) për çdo mysliman”. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Profeti alejhis-salatu ues- selam ka njoftuar se një vdekje masive do të ndodhë para Orës së fundit të dynjasë, siç thuhet në hadithin e Auf bin Malikut radijallahu anhu : “Numëro gjashtë gjëra para orës së fundit: vdekja ime, pastaj çlirimin e xhamisë së Aksasë, pastaj një vdekje masive që ju merr mbarë si sëmundja e tërbimit të bagëtive…..”.E transmeton Buhariu.

Imam Ibn Kethiri  në El-BidajeueEn-Nihaje thotë: Kjo ka ndodhur në në vitin e 18 të hixhretit në një periudhë dhjetë ditore dhe bëhet fjalë për  murtajën e Amuasit (vend në Sham afër xhamisë së Aksasë) ku kanë vdekur për shkak të saj shumë prej sahabëve të mëdhenj si: Muadh bin Xhebeli, Ebu Ubejde, Jezid bin Ebu Sufjan, Shurahbil bin Hasene, Ebu Xhendel Sehl bin Umeri dhe babai i tij dh eEl-Fadl bi nEl-Abas bin Abdulmutalibi -Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë-.

Ibn Kethiri shton: Thuhet se kanë vdekur 25 mijë veta dhe thuhet gjithashtu se kanë vdekur 30 mijë veta.

vazhdon…….

Loading...