Shenjat e Kijametit (Pjesa III)

December 25, 2013

Shenjat e Kijametit (Pjesa III)

Studim nga Dr.Abdullah Nabolli

Shenja e nëntë e afrimit të Orës së fundit.

Shfaqja e gënjeshtarëve pretendues të profetësisë.

Të pretendojë dikush se Allahu i ka sjellë shpalljen ndërkohë që Allahu nuk i ka dhënë diçka të tillë, kjo është nga padrejtësia më e madhe. E si mos të jetë e tillë kur kjo gjë do të thotë t’u sjellësh njerëzve në emër të Allahut diçka që nuk është prej Tij.

Allahu në Kuran i ka klasifikuar këta lloj njerëzish në një grup me ata që shpifin për Allahun gënjeshtra dhe me ata që pretendojnë se mund të bëjnë një libër si Libri që Allahu ka zbritur. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:“E kush mund të jetë më zullumqar sesa ai i cili shpif për Allahun gënjeshtra, apo thotë: Më ka zbritur shpallja dhe nuk i ka zbritur gjë apo ai që thotë: Do të sjell diçka njësoj si ajo që Allahu ka zbritur”(Suretul-En’am: 93).

Historia ka regjistruar disa gënjeshtarë pretendues të profetësisë pas profetit Muhamed alejhis-salatu ues- selam,dy prej tyre që në kohën e Profetit alejhis-salatu ues- selam:

1- El-Es’ued El-Anesi.

Ibn Kethiri në El-Bidaje ue En-Nihaje shënon: Jemeni në kohën e Profetit alejhis-salatu ues- selam ishte në dorë të persianëve dhe mëkëmbësi i tyre në Jemen ishte një burrë me emrin Badhan. Pas letrës që Profeti alejhis-salatu ues- selam i nisi Kisras, mbretit të persianëve dhe i kërkon hyrjen në Islam, ai ndjehet i ofenduar dhe i shkruan mëkëmbësit të tij në Jemen Badhanit, të nis dikë që ta marrin Profetin alejhis-salatu ues- selam për ta çuar para tij. Badhani nis dy komandantë të tij për tek Profeti alejhis-salatu ues- selam për të parë çështjen e tij dhe qëndrojnë tek Profeti alejhis-salatu ues- selam një muaj. Në fund Profeti alejhis-salatu ues- selam u thotë: Shkoni dhe thuani atij se Zoti im këtë natë ka vrarë zotin tuaj. Kur kthehen komandantët tek Badhani, mbërrin edhe lajmi i vrasjes së Kisras të cilin e kishin vrarë bijtë e tij dhe shohin se kishte ndodhur pikërisht atë natë që kishte njoftuar Profeti alejhis-salatu ues- selam. Kjo gjë bëhet shkak që Badhani të futet në Islam dhe pas tij i gjithë Jemeni. Profeti alejhis-salatu ues- selam ia jep Badhanit drejtimin e Jemenit dhe i çonte herë pas herë njerëz për t’u mësuar atyre Islamin.

Pas vdekjes së Badhanit pushteti kalon te i biri tij Shehr bin Badhani dhe në kohën e tij del një prej banorëve të Jemenit që quhet El-Es’ued El-Anesij duke pretenduar profetësinë. Atë e ndjekin shumë njerëz dhe arrin të vrasë Shehr bin Badhanin dhe të dëbojë shokët e Profetit alejhis-salatu ues- selam që kishin ardhur për t`i mësuar islamin popullit të Jemenit. Ai martohet me gruan e Shehr bin Badhanit pas vdekjes së tij e cila quhej Zadha dhe ishte vajza e xhaxhait të Fejruz Ed-Dejlemij njëri prej komandantëve të tij.Fejruzi bashkë me disa komandantë të tjerë ishin të pa kënaqur nga El-Esuedi dhe vendosin ta vrasin dhe për këtë gjë i flasin vajzës së xhaxhait të tij Zadhas, gruas së  El-Esuedit dhe të gjithë së bashku arrijnë më në fund ta vrasin El-Esuedin dhe Jemeni i  kthehet përsëri Islamit.

2-Musejleme El-Kedhab.

Transmeton Ibn Abasi radijallahu anhu se Musejleme vjen bashkë me ca njerëz të fisit të Beni Hanifete tek Profeti alejhis-salatu ues- selam dhe thotë (para njerëzve): Nëse Muhamedi ma lë mua profetësinë pas tij, do ta ndjek. Ndërkohë vjen Profeti alejhis-salatu ues- selam me një copëz dege palme në dorë bashkë me Thabit bin Kajs bin Shemmasin radijallahu anhu dhe ndalon para Musejlemes dhe i thotë: “Sikur të më kërkoje këtë degëz nuk do ta kisha dhënë dhe nuk ke për të dalë nga caktimi i Allahut për ty. Nëse do të ma kthesh shpinën ka për të vrarë Allahu dhe unë shoh se ti ke për ta bërë atë që kam parë në ëndërr”. (E transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Ibn Kethiri shënon se Musejleme kur u kthye në El-Jemame u tha njerëzve se unë jam ortak me Muhamedin në profetësi dhe filloi duke folur njerëzve me fjalë të cilat pretendonte se i vinin nga Allahu duke i shëmbëllyer ato me Kuranin psh:

Allahu i ka bërë mirësi shtatzënës, ka nxjerrë prej saj njerëz që ecin, mes lëkurës dhe zorrëve.”

“Pasha ato që bluajnë, pasha ato që bëjnë brumë, pasha ato që bëjnë bukë, pasha ato që bëjnë përshesh dhe pasha ato që i hanë!”

“O bretkosë e bija e dy bretkosave, fishkëlleji atyre dy fishkëllima, ujin nuk e turbullon dhe pirësin nuk e pengon, kokën e ke në ujë dhe bishtin në baltë.”

E vraftë Allahu se këto nuk ngjajnë aspak me ajetet e Kuranit.

Ai gjithashtu ua bëri hallall njerëzve alkolin, zinanë dhe ua hoqi detyrën e namazeve.

Menjëherë pas vdekjes së Profetit alejhis-salatu ues- selam atij i bashkohen shumë njerëz të fisit Benu Hanife dhe bëhet trazirë e madhe. Ebu Bekri radijallahu anhu nis ushtrinë e tij në udhëheqjen e Khalid bin Uelidit radijallahu anhu dhe i rrethon ata, ku vritet Musejlemeja duke marrë me vete edhe llagapin El-Kedhab që do të thotë gënjeshtar i madh.

Prej profetëve të rremë është gjithashtu edhe Tulejha El-Esedij nga fisi Benu Esed.

Ibn Kethiri shënon se pas vdekjes së profetit Muhamed alejhis-salatu ues- selam doli dhe u tha njerëzve të fisit të tij: Pasha Allahun një profet nga Beni Esed është më mirë se një profet prej Beni Hashim (fisi i Profetit alejhis-salatu ues- selam). Muhamedi vdiq prandaj më ndiqni mua.

Khalid bin Uelidi radijallahu anhu  arrin ta thyejë ushtrinë e tij dhe Tulejha arratiset, por më vonë vjen dhe rikthehet përsëri në Islam, pendohet dhe vdes mysliman.

 

Janë shumë njerëz që kanë pretenduar profetësinë pas Profetit alejhis-salatu ues- selam duke rendur pas përfitimeve që mund t’u japë kjo fjalë por ajo që ka lidhje me temën është se Profeti alejhis-salatu ues- selam ka njoftuar se shfaqja e profetëve të rremë është shenjë prej shenjave të afrimit të Orës së fundit të dynjasë siç transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu se Profeti alejhis-salatu ues- selam ka thënë: “Nuk ka për të ardhur Ora e fundit (e dynjasë) derisa të shfaqen profetë gënjeshtarë afërsisht tridhjetë veta secili prej tyre pretendon se është i dërguari i Allahut”.  (E transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Ibn Haxheri rahimehullah thotë : Nuk është për qëllim në këtë hadith çdo njeri që pretendon se është profet sepse ata nuk numërohen (janë më shumë se tridhjetë) por për qëllim janë ata që kanë pasues dhe formojnë rezistencë. Allahu i ka shkatërruar ata që e kanë këtë fjalë dhe kanë mbetur prej tyre dhe ca të tjerë (që nuk kanë dalur akoma) që do të përfundojnë si shokët e tyre deri tek i fundit që do të jetë Dexhali i madh.

 

Shenja e dhjetë e afrimit të Orës së fundit të dynjasë.

Ngritja e dijes dhe përhapja e injorancës.

 

Allahu i Madhëruar dërgoi profetët dhe zbriti librat në mënyrë që njerëzit të shohin qartë rrugën drejt Allahut siç thotë ai vetë në Kuran:“Ne dërguam profetët tanë me argumente të qarta dhe zbritëm me ta libra dhe peshoren që njerëzit të ecin drejt” (Suretul-Hadid: 25).

Apo siç thuhet në një ajet tjetër: “Ne u sollëm atyre Librin të cilin e shtjelluam me dije dhe e bëmë udhëzim dhe mëshirë për çdo popull që beson”. (Suretul-Araf: 52).

Kështu njerëzit nëpërmjet fjalëve të profetëve dhe librave të Allahun morën dije e cila ua ndriçonte atyre rrugën për tek  Allahu.

E kundërta e dijes është injoranca, e cila vjen si rezultat i mosbesimit dhe i refuzimit të dijes profetike. Allahu i Madhëruar e shëmbëllen injorancën me errësirën, siç thotë Ai në Kuran: “Si errësirat në detin e thellë të cilin e mbulon dallga, e mbi të dallga tjetër, e mbi të retë. Errësira njëra mbi tjetrën nëse e nxjerr dorën tij nuk e sheh dot. Kujt nuk i bën Allahu dritë nuk ka për të pasur dritë”(Suretun-Nur: 40).

Pra, shoqëritë ku nuk përhapen mësimet profetike jetojnë nën errësirën e injorancës dhe shoqëritë apo popujt ku përhapen mësimet profetike dhe librat e Allahut jetojnë nën dritën e besimit.Këtë gjë e kuptuan mjaft mirë ndjekësit e profetëve duke e ruajtur këtë dije të marrë prej tyre dhe duke e përcjellur atë brez pas brezi.

Shkaku kryesor i ruajtjes së dijes profetike ishin dijetarët të cilët nuk kursyen asgjë për këtë qëllim të lartë. Sa më shumë njerëz që merren me dije të ketë në një shoqëri aq më shumë dritë do të ketë në të dhe sa më pak dijetarë të ketë në një vend aq më pak dritë do të ketë, sepse dija pakësohet dhe vendin e saj do ta zërë injoranca.

Profetit alejhis-salatu ues- selam njofton se në kohën e fundit të dynjasë do të ngrihet dija dhe vendin e sajë do ta zërë injoranca siç transmetohet nga Enes bin Maliku radijallahu anhu  se Profeti alejhis-salatu ues- selam ka thënë: “Prej shenjave të Orës së fundit është të ngrihet dija dhe të zërë vend injoranca ”. (E transmeton Buhariu dhe Muslimi).

E njëjta gjë transmetohet nga Ebu Musa El-Esh’arij dhe Ebu Hurejra radiallahu anhum.

Një hadith tjetër shpjegon se ngritja e dijes ndodh me vdekjen e dijetarëve siç u tha më lart. Transmetohet nga Abdullah bin Amr bin El-Asi radijallahu anhu se e ka dëgjuar Profetin alejhis-salatu ues- selam duke thënë: “Allahu nuk e merr dijen duke e shkulur atë nga njerëzit (prej zemrave të tyre) por e merr dijen duke marrë dijetarët (vdekja e tyre). Derisa kur nuk mbetet asnjë dijetar, njerëzit marrin për udhëheqës injorantët, për t`i pyetur dhe ata u japin përgjigje pa dije duke humbur veten dhe të tjerët”.(E transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Shenja e njëmbëdhjetë e afrimit të Orës së fundit.
Pirja e alkoolit
.

Alkool sipas Islamit është çdo pije dehëse që dëmton logjikën dhe të arsyetuarit e njeriut. Profeti alejhis-salatu ues- selam thotë: “Çdo pije dehëse është alkool dhe çdo alkool është haram”. (E transmeton Muslimi). Omeri radijallahu anhu thotë: “Alkool është çdo pije që të largon logjikën”. (E transmeton Buhariu dhe Muslimi).
I pari ajet që ka trajtuar çështjen e alkoolit në Islam ka qenë fjala e Allahut: “Të pyesin ty për alkoolin dhe lojërat e fatit, thuaju se në to ka gjynah të madh dhe dobi për njerëzit por gjynahu është më i madh se dobia e tyre” (Suretu el-Bakara: 219).
Allahu në këtë ajet tregon se alkooli ka gjynah të madh dhe dobi. Gjynahu që vjen nga alkooli në këtë ajet është për qëllim ai ajo barrë mëkati që fitohet prej punëve të këqija që rrjedhin për shkak të konsumimit të alkoolit, sepse njerëzit kur pinin deheshin, ziheshin me njëri tjetrin dhe vriteshin, pra nuk i referohej vetë konsumimit të alkoolit sepse alkooli nuk është ndaluar me këtë ajet siç thotë Taberiu.
Lind pyetja: ç’dobi ka alkooli përderisa Allahu thotë se ka dobi?
Njerëzit pretendojnë se ka dobi shëruese, largon mërzitjen dhe është mundësi fitimi për të fituar jetesën duke e prodhuar dhe  shitur konsumatorëve.
Për sa i përket pretendimit se është kurim për ndonjë sëmundje, këtë gjë e ka mohuar Profeti alejhis-salatu ues- selam siç thuhet në një hadith të transmetuar nga Tarik bin Sueid El-Xhu’fi radijallahu anhu  i cili e ka pyetur Profetin alejhis-salatu ues- selam për alkoolin dhe ai e ndaloi ta prodhonte atë dhe atëherë ai i thotë: Unë e prodhoj atë për ilaç. Ai (Profeti alejhis-salatu ues- selam) i thotë: “Ai nuk është ilaç por është sëmundje”. (E transmeton Muslimi).
Ndërsa për sa i përket pretendimit se alkooli është qetësues, të largon mërzitjen dhe se është mjet fitimi, këtë gjë e ka përmendur Taberiu dhe Ibn Kethiri. Mirëpo kjo dobi është shumë e vogël në krahasim me dëmin që shkakton. I mjafton besimtarit përmendja e Allahut për ta qetësuar zemrën e tij siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran duke përmendur cilësitë e të kthyerve tek Ai (Allahu): “Ata që besuan dhe  që zemrat e tyre qetësohen me përmendjen e Allahut. Vërtetë  zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut”( Suretur-Rad: 28). Po ashtu i mjafton atij edhe namazi siç thotë thotë Hudhejfeja radijallahu anhu: “Profeti alejhis-salatu ues- selam kur i ndodhte diçka shpejtonte për në namaz” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Gjithashtu i mjaftojnë atij mjetet hallall të fitimit të cilat janë të shumta dhe me më shumë bereqet.
Ky ajet siç thamë nuk ndalonte alkoolin por lajmëronte se alkooli është burim i shumë këqijave që për shkak të tij mund të fitonin shumë gjynahe dhe se ka pak dobi të cilat nuk mund krahasohen me të këqijat e mëdha që vinin prej tij, prandaj dhe sahabët vazhduan ta konsumonin, mirëpo konsumimi i tij ra ndesh me namazin i cili kërkonte vëmendje dhe përkushtim. Në një hadith Aliu radijallahu anhu thotë: Na ftoi një burrë prej ensarëve mua dhe Abdurrahman bin Auf dhe na dha për të pirë alkool para se të bëhej haram. Aliu u priu atyre në namazin e akshamit dhe lexon “Kul ja Ejjuhel-Kafirun” dhe nuk arriti ta lexonte drejt dhe zbriti ajeti: “O ju që keni besuar, mos iu afroni namazit kur jeni të dehur derisa të dini se çfarë po thoni” (Suretu en-Nisa: 43) E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Në një transmetim tjetër përshkruhet mënyra se si i lexoi ajetet: Thuaj, o ju mohues! Unë adhuroj atë që ju adhuroni. Edhe ju jeni adhurues të atij që unë adhuroj. Edhe unë jam adhurues i atij që ju adhuroni. Për mua është feja ime dhe për ju është feja juaj. (E transmeton Taberiu).

Omeri radijallahu anhu pas zbritjes së këtij ajeti ku Allahu e ndalonte njeriun  t`i afrohej namazit kur është i dehur, sikur e ndjeu se pas këtyre ajeteve pritej diçka shtesë dhe i lutet Allahut duke thënë: O Allah, na e qartëso përfundimisht çështjen e alkoolit! Atëherë Allahu i Madhëruar zbret dhe gjykimin përfundimtar ku thuhet: “O ju që keni besuar! Alkoli, lojërat e fatit, adhurimi i idhujve dhe parashikimi i fatit janë pisllëk prej veprave të shejtanit, prandaj braktisini ato që të shpëtoni. Shejtani do që nëpërmjet alkoolit dhe lojërave të fatit të hedhë mes jush armiqësi dhe urrejtje dhe t’u pengojë nga përmendja e Allahut dhe nga namazi. Pra, a do të hiqni dorë përfundimisht?!” E transmeton Taberiu me zinxhir të saktë.
Me këtë ajet u ndalua alkooli dhe mori fund njëherë e përgjithmonë deri në Ditën e Kiametit.

Kur zbritën këto ajete jo të gjithë sahabët ishin të pranishëm në momentin e zbritjes së tyre dhe prej tyre kishte edhe njerëz që në ato momente po pinin alkool dhe në një hadith tregohet se si e pritën ata këtë lajm.
Transmetohet nga Enes bin Maliku radijallahu anhu se thotë: Isha duke i shërbyer alkool Ebu Ubeide bin El-Xherrahut, Ebu Talhas, Ubej bin Kabit dhe ndërkohë  vjen një burrë dhe thotë: Alkooli është bërë haram. Atëherë Ebu Talha thotë: O Enes, shko te kjo shtambë dhe thyeje atë! Unë shkova, mora një gurë dhe i gjuajta shtambës nga poshtë dhe ajo u thye. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Në disa transmetime thuhet se në atë mexhlis ishte edhe Muadh bin Xhebeli, Ebu Duxhane dhe Sehl bi El-Bejda.
Pra, sahabët që në momentin e parë që u lajmëruan se alkooli është ndaluar as nuk tentuan ta kundërshtojnë këtë urdhër të Allahut edhe pse ishin në atë moment duke e pirë atë, madje e zbatuan menjëherë urdhërin siç i kishin dhënë besën Profetit alejhis-salatu ues-selam për dëgjim dhe bindje.
Këtë ndalim e shoqëruan edhe katër gjëra të tjera:
1- Mallkimi i dhjetë kategorive në lidhje me alkoolin.
Mallkim në gjuhën e sheriatit do të thotë: Përzënie nga mëshira e Allahut.
Transmetohet nga Enes bin Maliku radijallahu anhu se ka thënë: “Profeti alejhis-salatu ues-selam i ka mallkuar dhjetë kategori në lidhje me alkoolin: shtrydhësin e saj, atë që ia kërkon tjetrit ta shtrydhë, atë që e pi, atë që e mban, atë që i kërkon tjetrit ta mbajë, atë që e servir, atë që e shet, atë që e ha fitimin që vjen prej tij, atë që e blen për vete dhe atë që e blen për tjetrin”. E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.
2- Kërcënim me futje në xhehenem.
Transmetohet nga Abdullah bin Umeri radijallahu anhu se Profeti alejhis-salatu ues-selam ka thënë: “Kush pi alkool, Allahu nuk ia pranon namazin për dyzet ditë, e nëse pendohet Allahu ia pranon pendimin. Nëse kthehet(në pirjen e alkolit), Allahu nuk ia pranon namazin për dyzet ditë, e nëse pendohet, Allahu ia pranon pendimin. Nëse kthehet, Allahu nuk ia pranon namazin për dyzet ditë, e nëse pendohet, Allahu ia pranon pendimin. Nëse kthehet për herë të katërt, Allahu nuk ia pranon namazin për dyzet ditë,por edhe nëse pendohet, Allahu nuk ia pranon më pendimin dhe i jep për të pirë prej lumit të fëlliqur” E pyesin Ibn Umerin se kush është lumi i fëlliqur? Ai u thotë: Lum prej qelbit të banorëve të zjarrit. E transmeton Termidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.
3- Dënimi i përcaktuar për të në dynja.
Transmetohet nga Enes bin Maliku radijallahu anhu se një ditë sjellin tek Profeti alejhis-salatu ues-selam një burrë që kishte pirë alkool dhe ai e qëllon atë me dy degë palme dyzet herë dhe po ashtu ka bërë edhe Ebu Bekri. Kur erdhi koha e Umerit, ai konsultohet me njerëzit dhe Abdurrahman bin Aufi radijallahu anhu i thotë: Dënimi më i vogël është tetëdhjetë. Atëherë Umeri urdhëron që të rrihen me tetëdhjetë gjuajtje. E transmeton Muslimi.
4- Braktisja e vendeve ku pihet alkool.
Transmetohet nga Umer bin El-Khatab radijallahu anhu se Profeti alejhis-salatu ues-selam ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe Ditën e Kiametit të mos ulet në një tryezë ku pihet alkool” E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.

Pas këtyre që përmendëm u larguan myslimanët nga alkooli për afërsisht 14 shekuj me përjashtim të disa rasteve të rralla që nuk merren në konsideratë deri në kohët tonë kur u përziem me jomyslimanët dhe morëm zakonet e tyre dhe filluam ta konsumojmë, ta prodhojmë, ta tregtojmë dhe të zbukurojmë me të tryezat e gostive.
Këtë e shohim çdo ditë dhe ne shpesh herë të çuditur themi: A mund ta bëjë këtë gjë një mysliman që beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit?! Pastaj mendohesh pak dhe thua: A mund të jetë mysliman ai që e bën këtë gjë?!
Nuk gjen dot përgjigje tjetër veçse të thuash: Ora e fundit është afruar siç thotë Enes bin Maliku radijallahu anhu se e ka dëgjuar Profetin alejhis-salatu ues-selam duke thënë: “Prej shenjave të Orës së fundit të dynjasë është: Të ngrihet dija dhe të zërë vend injoranca,e të pihet alkooli”. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
vazhdon……

Loading...