Shfaqja e pozitës së dijetarëve dhe lidhja e njerëzve me fetvatë e tyre

April 10, 2023

Shfaqja e pozitës së dijetarëve dhe lidhja e njerëzve me fetvatë e tyre.

Vihet re dukshëm mungesa e dijetarëve me përvojë tek shumë nisma me vullnet të mirë dhe mbështetja e tyre mbi ide dhe teori, ku shumica e atyre që i udhëheqin nuk kanë hise në dijen fetare.

Këtu fshihet një problem i madh, sepse konsiderimi i diçkaje si gjë e mirë apo përdorimi i emocioneve të zbrazura nga dija fetare sjell për përmirësuesit në veçanti dhe për shoqërinë në përgjithësi tragjedi dhe probleme të ndryshme.

Kushedi sa fatkeqësi dhe taksirate kanë hequr disa shoqëri Islame për shkak të sjelljeve të zhveshura nga tekstet fetare, dhe fundi i tyre ishte fatal.

Prandaj, cilido që synon të përmirësojë duhet që thirrjen e tij ta ndërtojë mbi metodologjinë e dijes së pastër duke u kthyer në fetvatë e dijetarëve me përvojë, për të cilët është dëshmuar se kanë akide të pastër dhe metodologji të shëndoshë. Kjo ishte përsa u përket atyre që synojnë të përmirësojnë.

Sa u takon njerëzve në përgjithësi duhet që këta thirrësa dhe promovues vlerash ta vënë në dukje tek njerëzit rolin e dijetarëve, pozitën dhe dinjitetin e lartë të tyre. T’iu bëjnë me dije se muslimani duhet të kthehet tek ata në gjërat problematike që kanë të bëjnë me fenë e tyre dhe se dijetarët gëzojnë pozitë të lartë. Kushdo që tenton të cënojë apo të prekë pozitën e tyre ka për tu ngarkuar me mëkat, si dhe e ka ekspozuar veten para një vepre të ndaluar.

Prandaj kini shumë kujdes nga zhvlerësimi apo pakësimi i vlerës së dijetarëve, si dhe nga distancimi prej fetvave dhe mendimeve të tyre në marshin tuaj të përmirësimit. Është për të ardhur keq kur shikon se një pjesë e madhe e atyre që synojnë përmirësimin kanë një ftohje dhe distancë nga njerëzit e dijes, mësimit apo konsultimit me ta.

I lutemi Allahut t’i ruaj dijetarët e sunetit dhe t’i forcojë në mposhtjen e çrregulluesve dhe atyre që e duan fesadin! Vërtet, Allahu dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve.

I lutemi Allahut që t’iu japë sukses thirrësve me vullnet të mirë në dije të dobishme dhe vepra të mira!

 

Marrë nga libri: “Shenja në rrugën e përmirësimit”.

 Autor: Abdul Aziz Sed’han

 Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...