Shirku i asgjeson të gjitha punët

Shirku i asgjeson të gjitha punët

Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed) si dhe atyre që kanë qenë para teje: Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.[1]

Ajeti tregon se nuk lejohet t’i shoqërosh Allahut diçka në adhurim; as engjëll, as profet, as ndonjë njeri të mirë prej evlijave dhe as ndonjë idhull. Shirku (t’i bësh Allahut shok) është gjynahu më i madh, padrejtësia më e madhe në botë dhe trillimi më i madh. Allahu i Madhëruar thotë: “Padyshim, kushdo që i bën shok Allahut ka trilluar gjynah të madh.”[2] Prandaj, kush i shoqëron diçka Allahut në teuhidin Rububije apo në teuhidin Uluhije, apo në teuhidin El-esma ues-sifat, ai konsiderohet mushrik. Veprat e tij asgjesohen dhe vendi i tij është zjarri nëse vdes në atë gjendje.

Dobitë që përfitohen nga ky ajet:

E para: Pohimi se Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është i Dërguari i Allahut, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed).”

E dyta: Thirrja për në teuhid dhe ndalimi nga shirku ka qenë misioni i të gjithë të dërguarve. Allahu i Madhëruar në librin e Tij thotë: “Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt.[3]

E treta: Largimi nga shirku është kusht për saktësimin dhe pranimin e çdo vepre (adhurimi).

E katërta: Shirku është shkak për asgjesimin e veprave dhe humbjen në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Allahu thotë: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.[4]

Po ashtu thotë: “E kushdo që i bën shok Allahut, ai me të vërtetë ka humbur humbje të largët.[5]

E pesta: Fjala e Allahut “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim)” – edhe pse i drejtohet të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka për qëllim umetin e tij.

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

——————————————

[1] Ez-Zumer: 65

[2] En-Nisa: 48

[3] En-Nahl: 36

[4] Ez-Zumer: 65

[5] En Nisa, 116