Shkaku më i madh i përqëndrimit në fe

January 22, 2019

Shkaku më i madh i përqëndrimit në fe

Dëshiroj t’ju pyes: Cilat janë shkaqet e përqëndrimit në fe në kohën e sprovave, dyshimeve dhe epsheve? Si mund t’a ruajë njeriu veten dhe fenë e tij?

Shkaqet e përqëndrimit në fe janë të shumta, por më e rëndësishmja prej tyre në mënyrë absolute – dhe që e kam përmendur shpesh – është; të mbushësh brendësinë tënde me mirësi dhe t’i bindesh Allahut në kohët kur je vetëm. Kryerja e gjynaheve në vetmi është prej shkaqeve të zmbrapsjes, ndërsa kryerja e adhurimeve në vetmi është prej shkaqeve të përqëndrimit dhe forcimit në fe.

Kur je vetëm dhe s’ke asnjë njeri përreth, si e ke gjendjen me Zotin tonë? Zoti ynë i Lartmadhëruar do të të shpërblejë sipas natyrës që ke, sipas gjendjes tënde në vetmi, sipas realitetit tënd. Nëse Allahu shikon prej teje; sinqeritet, çiltërsi, dëshirë për bindje dhe largësi nga gjynahet, Ai do të të shpërblejë me mirësi dhe shpërblimi i të mirës është e mira. Allahu do të forcojë, dhe nëse je në këtë gjendje nuk do të shikosh prej Allahut asgjë veç të mirës. Por nëse shfaqesh përpara njerëzve sikur je me fe, me moral, i sinqertë, ndërsa kur veçohesh bën gjynahe dhe kur je vetëm përballë të ndaluarave bie në to, kjo është nga shkaqet më të mëdha të paqëndrueshmërisë. Prej shkaqeve më të mëdha të përforcimit në fe është që të jesh në vetmi më i mirë se në shoqëri.

Nëse dikush pyet dhe thotë: Cili është dallimi mes nesh dhe sahabëve?
Veprat e sahabëve ishin më të mira se fjalët e tyre, dhe në vetmi ata ishin më të mirë se në shoqëri. Ndërsa ne fjalët i kemi më të bukura se veprat dhe në shoqëri jemi më të mirë se në vetmi. Kur tabiini Ejub es Sikhtijani përlotej gjatë përmendjes së Allahut kur ishte në shoqëri dhe vinte re se dikush po e vëzhgonte, vendoste dorën tek hunda e tij dhe thoshte: Ah sa i rëndë është ky gripi! – që njerëzit të mendonin se ishte me grip.
Ndonjëri prej tyre e kishte kokën në një jastëk me gruan e tij dhe e lagte jastëkun me lot (sh.p. nga frika prej dënimit, nga përmallimi për shikimin e Allahut, nga turpi prej Tij, apo nga përmallimi për Xhenetin) dhe gruaja e tij s’merrte vesh asgjë. Kështu ishte gjendja e sahabëve – Allahu i Lartësuar qoftë i kënaqur me ta!

 

Shejh Meshhur Hasen. 

Fetvatë e të xhumasë – 14.12.2018.

Loading...