Shkaqet e konflikteve të shumta që hasen sot në mesin e muslimanëve

Shkaqet e konflikteve të shumta që hasen sot në mesin e muslimanëve

Cdokush i cili merr pjesë në jetën e shoqërisë islame në mënyrë aktive, vëren me keqardhje të madhe konfliktet e shumta, zënkat, msopajtimet, të cilat e bëjnë njeriun të ndjehet në siklet të madh dhe me të drejtë të pyesë me zë apo pa zë: pse vallë e gjithë kjo?

A nuk na takon neve si besimtarë muslimanë, si pasues të Librit të Allahut dhe Sunetit të Profetit, që të jemi njerëzit më parësorë për tu bashkuar rreth kushtetutës më të drejtë, normave më fisnike, afrimitetit që nuk mund të arrihet në asnjë lloj metode tjetër përvec islamit? A nuk duhet të jemi më dashamirësit për njëri-tjetrin? A nuk i kemi rrugët e zgjidhjes së gjykimit të drejtë dhe dhënies fund këtyre belave ose më së paku minimizimi i tyre në atë që kemi mundësi?

Ndaj është e nevojshme që të njohim shkaqet e këtyre mospajtimeve dhe konflikteve ashtuqë t`u ruhemi paraprakisht dhe të pastrojmë dhe korrigjojmë vetet nëse jemi të zhytur në ndonjë prej tyre , në mënyrë që të kontribuojmë sadopak sinqerisht në shuarjen e konflikteve

1)Mashtrimi pas vesveseve të  shejtanit me të cilat ia zbukuron njeriut shtysën për t`i hyrë në hak tjetrit. Allahu thotë: “Thuaju robërve të Mi, të flasin atë që është më e mira, sepse shejtani fut ngacmime ndërmjet tyre, vërtetë shejtani është armik i hapur për njeriun”.

Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shejtani i ka humbur shpresat që të adhurohet nga namaz-falësit në Gadishullin Arabik, por shpreson dhe ngulmon në nxitjen e konflikteve mes tyre”.

2)Shpikjet në fe, sajesat dhe trillimet, duke folur për  fenë e Allahut atë që nuk është e vërtetë, gjë e cila shkakton reagimin e pasuesve të Sunetit, në mbrojtjen e fesë nga devijimet, ashtuqë të ruhet e pastër ashtu sic është shpallur. Ebul Alijeh thotë: Përmbajuni Sunetit të Profetit salallahu alejhi ue selem  dhe rrugës që ndoqën shokët e tij, ruhuni nga shpikjet në fe të cilat shkaktojnë mes njerëzve armiqësi dhe urrejtje.

Autori i librit el Ibaneh thotë: Shpikësit në fe dalin nga uniteti në përcarje, nga rregullsia në coroditje, nga mirëkuptimi në përplasje,nga  përputhja në kundërshti, nga dashuria në urrejtje, nga këshilla dhe dashamirësia në mashtrim dhe armiqësi, Zoti na ruajtë nga dedikimi në ndonjë emër tjetër përvec islamit dhe Sunetit.

3)Zemërimi dhe natyra inatcare, duke qenë një nga metodat më të suksesshme të shejtanit për dëmtimin e njeriut. Ibn Rexheb el Hanbelij thotë: Allahu i ka lavdëruar ata që falin edhe kur janë të zemëruar,sic shprehet në ajetin Kuranor: “ E kur zemërohen ata falin” , kjo sepse  zemërimi e shtyn njeriun që të mos mbajë drejtësi dhe të mos flasë të vërtetën, pikërisht në atë moment ndodh largimi i zemrave dhe acarimi i marrëdhënieve mes muslimanëve.

4)Smira, zilia, urrejtja e të mirave tek tjetri, gjë e cila shkakton përgojime, ofendime dhe përpjekje të lloj-llojshme për ta rrëzuar figurën e tjetrit. Shejhul islam Ibn Tejmijeh ka thënë: Njeriu mund të sprovohet me zilinë ndaj dikujt që i është dhënë dituri e dobishme ose vepra të mira. Zilia është ves i përcmuar në tërësi, por nëse ndodh nga dikush nga ata që  i dedikohen diturisë është përngjasim me popullin që kanë merituar zemërimin e Allahut (cifutët).

Padyshim, një nga format më të shëmtuara të smirës është kur dikush të paraqitet në formën e këshillës dhe dashamirësisë, ndërkohë që realisht shfryn dëshirën e tij për ta dëmtuar personalitetin tënd.

5)Thashethemet, transportimi i fjalëve nga njëri tek tjetri me qëllimin e nxitjes së secilës palë ndaj tjetrës, duke shkaktuar ftohjen e marrëdhënieve, duke i mbushur zemrat me pakënaqësi, duke ndërprerë lidhje, duke ndarë të afërm. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk hyn në xhenet  thashethemaxhiu”.

Përjashtohet rasti kur njeriu dëshmon për padrejtësinë që po i  bëhet.

6)Polemikat dhe debatet, të cilat kanë si qëllim mbrojtjen e pozicioneve partiake klanore, si dhe triumfin me cdo kusht duke e mposhtur tjetrin qoftë dhe me gjëra aspak parimore dhe me metoda  djallëzore. Imam el Axhurri ka thënë: Të gjithë njerëzit e urtë dhe të mencur janë të mendimit se polemika në shumicën e rasteve largon zemrat e vëllezërve, shkakton përcarjen pas unitetit dhe ftohjen pas afrimitetit.

Imam Maliku thotë: Debatet e ngurtësojnë zemrën dhe shkaktojnë pakënqësi.

Hasan e l Basri  dëgjoi disa njerëz të cilët po debatonin mes tye, ndaj tha: Këta janë mërzitur nga adhurimi, nuk e peshojnë atë që flasin, e kanë të dobët devotshmërinë, ndaj dhe flasin e debatojnë.

Dikush tjetër nga selefët ka thënë: Kur Allahu ia do të mirën dikujt ia hap portën e veprave dhe ia mbyll portën e debateve, ndërsa kur Allahu ia do të keqen dikujt, ia mbyll portën e veprave(nuk i jep sukses për të mira) dhe ia hap portën e debateve.

Kuptohet që nga kjo përjashtohet ai debat që zhvillohet në formë bashkëbisedimi dashamirës, duke ruajtur normat dhe etikën e debatit, si dhe duke pasur qëllim të mirë që debati të jetë konstruktiv, vecanërisht nëse debati zhvillohet në prani të dikujt që është  mbi palët dhe që ka autoritetin e duhur për të garantuar pranimin e rezultatit të debatit nga palët. Allahu thotë: “ Polemizo me ta në mënyrën më të mirë”.

7) Pasimi i tekave, përmbushja e dëshirave dhe ideve me cdo kusht, shfryrja e inateve dhe hatërmbetjeve të dunjasë në formën e cështjeve fetare. Kjo gjë e bën njeriun të jetë i predispozuar për të shkelur normat dhe për të bërë zullum. Allahu thotë: “ Mos pasoni tekat dhe t`i shmangeni drejtësisë”.    Ibn Rexheb el Hanbelij ka thënë: Kur në mesin e nejrëzve u shtua debati dhe u shtua ndarja mes tyre, kjo solli urrejtjen mes tyre dhe ofendimin e ndërsjelltë, ku secili shfaqet sikur po e urren tjetrin për hir të Allahut por në të vërtetë është duke pasuar tekat e tij, duke mos dhënë angazhimin e duhur për kërkimin dhe njohjen e cështjeve mbi të cilat e ka bazuar urrejtjen e tij.

8) Padrejtësia që i bëjnë njëri-tjetrit sa herë që nuk bien dakort për dicka dhe përpjekja për imponim të mendimit në cështje të cilat në të vërtetë pranojnë larmishmëri mendimi dhe fushë të lirë veprimi, pa u përndjekur nga një valë qortimi. Në cdo kohë dhe brez, dijetarët e islamit që nga koha e sahabëve kanë pasur mendime të ndryshme, por në përgjithësi nuk lejonin që kjo të shkaktonte urrejtje dhe përcarje me palën tjetër që kishte një mendim ndryshe(brenda kuadrit të larmishmërisë së pranuar). Imam Ahmedi e përmendte Is-hak bin Rahujen duke e lavdëruar, pavarësisht mospajtimeve mes tyre, duke thënë: Nuk e ka kaluar urën e Horasanit askush më i mirë se sa Is-haku, pavarësisht se nuk është dakort me ne në disa cështje, kjo sepse njerëzit gjithmonë do kenë mospajtime mes tyre.

9) Fanatizmi pas dikujt apo dickaje përvec të vërtetës, qoftë ky fanatizëm ndaj një grupi apo fisi apo partie apo një personi të caktuar, gjë e cila i bën ata të shkelin parimet e ligjëruara nga Allahu dhe të duan apo urrejnë, të miqësojnë apo armiqësojnë  sipas fanatizmit të tyre.

Shejhul islam Ibn Tejmijeh ka thënë: Nuk i takon askujt që të caktojë një figurë-kushdo qoftë ai– dhe të dojë apo të urrejë për shkak të përputhjes me të në fjalë dhe vepra, sepse përndryshe do jetë nga ata që Allahu i ka cilësuar duke thënë: “ Ata të cilët e përcanë  fenë e tyre në grupacione ku secili i gëzohet idesë së tij”. Nuk i takon askujt që të thërrasë në dicka apo ta besojë atë, vetëm sepse e ka thënë filani nga ata që ai i do, por le të thërrasë në të sepse është nga ato cështje që i ka urdhëruar Allahu dhe Profeti.

10) Mendimi i keq për muslimanin dhe paragjykimi. Sapo dëgjon dicka, ia jep menjëherë vendimin dhe e nxjerr përfundimin, pa e verifikuar më parë lajmin, pa njohur rrethanat dhe kushtet, ndërkohë që Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Largohuni nga paragjykimet sepse paragjykimi është thënia më e gënjeshtërt(gënjeshtra më e madhe)”.   Mendimet e mbrapshta burojnë nga zemrat e sëmura, që gjurmojnë të metat, që angazhohen me të tjerët dhe harrojnë vetet, që nuk ia duan të mirën tjetrit, në vend që ta ndihmojnë duan ta fundosin. Harrojnë thënien e selefëve: Përpiqu ta justifikosh vëllanë tënd qoftë dhe me 70 justifikime, e edhe nëse nuk gjen dot justifikim thuaj: Ndoshta ai ka një justifikim që unë nuk e di.

Është kjo lloj zemërgjerësie dhe dashamirësie për të cilën kemi nevojë, e cila kërkon përmirësimin e vëllait gabimtar  dhe jo shkatërrimin e tij, nuk kemi nevojë për zemrat e sëmura hipokrite që arrijnë të shohin qimen tek syri i tjetrit dhe nuk vërejnë traun e tyre që u ka bllokuar sytë dhe mendjet e tyre.  Cdokush i cili ndjek këtë metodë të mbrapshtë në këtë pikë, do shpërblehet në këtë dunja me të njëjtën monedhë nga njerëzit me kalimin e kohës, atë gur që ai sot ua hedh njerëzve padrejtësisht, do i kthehet nesër i shumëfishuar.

11) Shpeshherë konfliktet mes njerëzve kanë si burim garimin për poste dhe autoritet, duke bërë që të garojnë qoftë dhe duke shkelur  vlerat e të tjerëve, madje duke përdorur masën e gjerë naïve për të arritur interesa të ngushta meskine, gjë e cila con në urrejtjen mes njerëzve dhe në pengimin e përparimit të atyre që e meritojnë, duke i frenuar dhe njerëzit që të përfitojnë prej tyre. Allahu thotë: “ Vallë, a i  kanë zili njerëzit për mirësitë  që Allahu u ka dhënë atyre?!”  . I sheh injorantët e këtij lloji  se si bëjnë cmos që ta zhvlerësojnë njeriun e specializuar në një profil të caktuar dhe më pas përpiqen që të jenë ata kalorësit e mejdanit, megjithëse nuk kanë asnjë ditë shkollë dhe asnjë gram dituri në atë fushë, duke pretenduar dicka të pamerituar. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur t`i lihet cështja në dorë atyre që nuk janë të aftë për të, prite Kijametin”.

12) Bisedat e fshehta dhe thurjet në grupe të fshehta, të cilat në shumicën e tyre janë biseda inrigante ngatërrestare, biseda të përsëritura mizerisht pa asgjë të re dhe të dobishme, por vetëm përngjasimin me gratë e liga llafazane. Allahu thotë: “ Në të vërtetë bisedat e fshehta nxiten nga shejtani ashtuqë  të shkaktojnë mërzi tek besimtarët”

13)Shakatë e tepruara, sepse cdo gjë e tepruar që i kalon kufinjtë, jep efektin e kundërt me atë të dëshiruarin.Shpeshherë fillohet me shaka dhe shndërrohet në pakënaqësi. Umer bin Abdulazizi ka thënë: Ruhuni nga shakatë sepse shkaktojnë acarime,urrejtje dhe tërheqin drejt të shëmtuarave.

Dikush tjetër nga selefët ka thënë: Cdo gjë ka fillesat e saj dhe zanafilla e armiqësisë është shakaja.

14) Mos rregullimi i safeve në namaz, mos bashkimi i këmbëve dhe supeve për të qenë pranë njëri tjetrit. Nga parimet evërtetuara është se afrësia fizike ndikon në afërsinë shpirtërore. Profeti salallahu alejhi ue selem  ka thënë: “ Pasha Allahun, do i rregulloni dhe drejtoni safet në namaz ose Allahu do ua përcajë zemrat tuaja”. Pra, fakti që personi i rri larg vëllait të tij në namaz, në adhurimin më të mirë, lë për të treguar se të njëjtën gjë do bëjë dhe në gjëra të tjera nëse do kishte nevojë për të.

Duke shpresuar  që të na shërbejë kjo përmbledhje e shkaqeve të konflikteve si një përkujtim që t`u shmangemi atyre sa të mundemi ashtuqë të shërbejmë si përmirësues konkret në shoqërinë islame dhe jo si degradues të saj, e lusim Allahun të na japë sinqeritet në fjalë dhe vepra, të na ndricojë me të vërtetën dhe të na përmirësojë  gjendjen tonë.

Origjina e këtij materiali është një hytbe e mbajtur nga shejhu Sultan el Id, imam dhe hatib në qytetin e Rijadit.

Përktheu dhe përshtati : Shuajb Rexha