Shkaqet fetare të shtimit të bereqetit

Shkaqet fetare të bereqetit (shtimit të të mirave dhe vazhdimësisë së tyre).

1) Thënia “Bismilah” (në veçanti) dhe përmendja e Allahut (me lutje) kur hyn në shtëpi.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kur dikush nga ju hyn në shtëpinë e tij dhe e përmend Allahun gjatë hyrjes dhe para ushqimit, atëherë shejtani largohet duke thënë: Nuk paska ushqim për ne në këtë shtëpi dhe as vendqëndrim.”

2) Falja e namazit.
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Porosite familjen tënde që të falin namazin dhe bëj durim në këtë. Nuk të kërkohet ty rrizk sepse Ne ju furnizojmë. Përfundimi i lavdishëm u përket njerëzve të devotshëm!”

3) Leximi i Kuranit.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Lexojeni suren Bekare sepse angazhimi me të është bereqet, dhe lënia e saj është humbje. Asaj sureje nuk i bëjnë dot ballë magjistarët.”

4) Ngrënia e ushqimit së bashku.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Hani së bashku dhe mos u veçoni, sepse të qënurit së bashku ka bereqet.”

5) Dalja herët nga shtëpia në kërkim të rrizkut ditor.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Umetit tim i është dhënë bereqeti në nisjen herët të ditës (në kërkim të rrizkut).”

6) Mbështetja e sinqertë tek Allahu.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nëse do i mbështeteshit Allahut ashtu siç duhet do t’u furnizonte njësoj siç i furnizon shpendët, të cilët dalin në mëngjes të uritur dhe kthehen të ngopur.”

7) Të qënurit besnik dhe i çiltër në shitblerje.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Shitësi dhe blerësi kanë të drejtën e zgjedhjes derisa të ndahen nga njëri-tjetri (me një transaksion të mbyllur). Nëse janë të çiltër dhe tregojnë realitetin atëherë do u jepet bereqet në shitblerjen e tyre. E nëse gënjejnë dhe fshehin, atëherë e kanë të zhdukur bereqetin e atij transaksioni.”

8) Sadakaja.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk pakësohet pasuria nga dhënia e sadakasë.”

Kjo nënkupton se sadakaja vetëm se e shton pasurinë. Këtë e përforcon hadithi tjetër: “Çdo ditë zbresin dy engjëj në tokë dhe luten: O Allah! Zëvendësoja atij që jep dhe zhdukja atij që bën kopraci.”

9) Falënderimi për të mirat aktuale i ruan ato dhe shton të tjera.
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Nëse falënderoni (për çfarë u kam dhënë) do t’ua shtoj akoma më tepër.”

10) Mbajtja e lidhjeve familjare.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush dëshiron që t’i shtohet rrizku dhe t’i shtohet jeta, atëherë le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”

11) Shpeshtimi i kërkimit të faljes nga Allahu.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush kërkon falje vazhdimisht Allahu do t’i bëjë rrugëdalje nga çdo vështirësi, çlirim nga çdo brengë, dhe do t’a furnizojë prej nga nuk e pret.”

12) Devotshmëria është çelësi i të mirave dhe shtimit të tyre.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “E sikur banorët e vendbanimeve të besonin dhe të ishin të devotshëm, do u jepnim bereqete nga qielli dhe toka.”

 

Përktheu: Shuajb Rexha