Shpjegimi i Librit të Teuhidit – 4

July 22, 2021

Fjala e Allahut të Lartësuar:

وَقَضَىٰ رَبُّكَ أَلَّا تَعْبُدُوا إِلَّا إِيَّاهُ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا 

“Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni tjetër përveç Tij dhe të silleni mirë me prindërit.”

Surja El Isra: 23 [1]

——————————————

Ka urdhëruar – قَضَىٰ’: urdhër dhe porosi. Këtu është për qëllim Kadaja, urdhëri fetar sheriatik, dhe jo Kadaja e kaderit – caktimi universal.

Zoti yt’: Zoti është Pronari i çdo gjëje i Cili ka në dorë të bëjë ç’të dojë me çdo gjë. Ai përkujdeset ndaj të gjitha krijesave duke u dhënë nga mirësitë e Tij.

të mos adhuroni tjetër përveç Tij’: t’a adhuroni Atë dhe të mos adhuroni tjetër përveç Tij.

dhe të silleni mirë me prindërit’: ka urdhëruar të silleni mirë me prindërit ashtu siç ka urdhëruar t’a adhuroni Atë.

۞۞۞

Kuptimi i përgjithshëm i ajetit:

Ky ajet është lajmërim se Allahu i Lartësuar ka urdhëruar dhe porositur nëpërmjet Profetërve të Tij që të adhurohet vetëm Ai, dhe të sillet fëmija mirë ndaj prindërve të tij me fjalë dhe me vepra. Të mos bëjë asnjë sjellje të keqe ndaj tyre sepse ata të dy janë përkujdesur për të kur ishte i vogël dhe i dobët derisa u rrit e u forcua.

۞۞۞

Arsyeja e vendosjes së këtij ajeti në këtë kapitull:

Teuhidi është e drejta me e rëndësishme dhe detyrimi më i fortë sepse në këtë ajet Allahu filloi me Teuhidin.

۞۞۞

Dobitë e përfituara nga ajeti:

1 – Teuhidi është detyrimi i parë për të cilin na ka urdhëruar Allahu, është e drejta dhe haku i parë ndaj robit të Allahut.

2 – Mohimi i meritës së adhurimit ndaj të tjerëve përveç Allahut dhe aprovimi i kësaj merite për Allahun të cilat gjenden tek fjala ‘La ilahe il-lAllah’, janë argument se fjala ‘La ilahe il-lAllah’ nuk qëndron përveçse mbi këto dy shtylla siç e kemi sqaruar edhe më herët.

3 – Madhështia e hakut të dy prindërve duke qenë se Allahu e përmendi hakun e tyre së bashku me hakun e Tij. Pra Ai e përmendi të dytin në radhë.

4 – Obligueshmëria e sjelljes së mirë ndaj prindërve në të gjitha aspektet e sjelljes dhe bamirësisë ndaj tyre, sepse Allahu nuk ka përcaktuar ndonjë lloj të veçantë sjelljeje.

5 – Ndalimi i sjelljes së keqe ndaj prindërve.

۩۩۩

[1] Transmetohet nga Ebi Bekrate (radiAlahu anhu) se Profeti ﷺ ka thënë tri herë: “A t’ju tregoj për gjynahet më të mëdha?’ Thanë: Padyshim o i Dërguari i Allahut! Tha: Shirku ndaj Allahut (adhurimi i të tjerëve krahas Allahut), sjellja e keqe ndaj prindërve… Ai ishte i ulur dhe i mbështetur në njërën anë, dhe tha: Padyshim që edhe dëshmia e rremë. – Vazhdoi t’a përsëriste këtë aq sa dëshironim të heshtte.” Transmeton Buhariu me nr. 2654 dhe Muslimi me nr.87.

Loading...