Shpjegimi i Librit të Teuhidit – 6

Fjala e Allahut të Lartësuar:

قُلْ تَعَالَوْا أَتْلُ مَا حَرَّمَ رَبُّكُمْ عَلَيْكُمْ ۖ أَلَّا تُشْرِكُوا بِهِ شَيْئًا

“Ejani t’ju tregoj se çfarë ka ndaluar Zoti juaj: Të mos adhuroni tjetër përveç Tij.”

Surja El En’am: 151-153 [1]

——————————————-

Ejani’: afrohuni, hajdeni.

t’ju tregoj’: t’ju njoftoj, t’ju vë në dijeni.

ka ndaluar’: e ka bërë haram, e ka ndaluar. Ai i cili e vepron dënohet dhe ai i cili i largohet shpërblehet.

‘ajetet’: deri në fund të tri ajeteve të sures El En’am, prej fjalës së Allahut ‘Ejani t’ju tregoj’ deri tek fjala ‘Me këto ju ka urdhëruar dhe porositur Zoti juaj në mënyrë që të bëheni të devotshëm.’

۞۞۞

Kuptimi i përgjithshëm i ajetit: Allahu e urdhëron Profetin e Tij t’u thotë idhujtarëve të cilët; adhuronin tjetër përveç Allahut, j’a ndalonin vetes të mirat me të cilat i ka begatuar e furnizuar Allahu, vrisnin fëmijët e tyre në formë afrimi tek idhujt e tyre. Ata i bënin këto gjëra duke u nisur nga mendja e tyre dhe me kërkesën e shejtanit ndaj tyre: Ejani t’ju tregoj çfarë ka ndaluar Zoti juaj i cili përkujdeset për ju dhe u ka në dorë. T’ju tregoj se çfarë ka ndaluar me të vërtetë, e jo ndalime nga mendja apo supozime, por shpallje dhe urdhër prej Tij. Këto janë dhjetë porositë dhe urdhërat (e përmendur në këto ajete):

Së pari: U ka porositur të mos adhuroni tjetër përveç Allahut. Kjo është ndalesë e përgjithshme nga shirku dhe përfshin çdo lloj adhurimi ndaj dikujt tjetër përveç Allahut, në të gjitha llojet e adhurimeve dhe të gjithë llojet e të adhuruarve përveç Allahut.

Së dyti: U ka porositur të silleni në mënyrën më të mirë me prindërit; duke u bërë mirë atyre, duke i ruajtur, duke u kujdesur për ta, duke i ndihmuar, duke u bindur në çdo gjë përveç kur kërkojnë të kundërshtohet Allahu, dhe duke mos ngritur kokë mbi ta.

Së treti: U ka porositur të mos vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë; të mos  varrosni të gjalla vajzat tuaja dhe mos i vritni djemtë tuaj nga frika e varfërisë. Unë (Allahu) jam Ai që u jap rrizkun juve dhe atyre. Nuk jeni ju që po ua jepni rrizkun atyre e as vetes suaj.

Së katërti: U ka porositur të mos i afroheni veprave të ulëta, të dukshme apo të fshehta, pra gjynaheve të dukshme dhe të fshehta.

Së pesti: U ka porositur të mos vrisni atë që e ka ndaluar Allahu të vritet; besimtarin dhe jobesimtarin i cili është nën besën e vendit Islam (banorët e vendeve me të cilat vendi Islam ka marrëdhënie diplomatike me ta, askush nuk lejohet të vritet përveç armikut në rast lufte) përveç me të drejtë ligjore e cila e lejon vrasjen (dënimi me vdekje i ekzekutuar nga ana e shtetit ndaj kriminelit), si p.sh.; dënimi me vdekje për vrasësin, zinaqarin, renegatin (ai i cili del nga feja).

Së gjashti: U ka porositur të mos i afroheni pasurisë së jetimit (fëmija të cilit i ka vdekur babai) përveç në mënyrë të mirë duke u përkujdesur për shpenzimin e kësaj pasurie për të, dhe për t’ja ruajtur dhe shtuar atij deri kur vjen momenti për t’ja dorëzuar kur të jetë rritur (ka arritur pubertetin dhe i është larguar naiviteti aq sa është pjekur për administrimin e pasurisë).

Së shtati: ‘Matni dhe peshoni me drejtësi. Allahu nuk e ngarkon askënd më tepër sesa ka mundësi.’: mbani drejtësi në dhënie dhe marrje (tregti, peshë, masë) me aq sa keni mundësi.

Së teti: ‘dhe kur të flisni mbani drejtësi edhe nëse është kundër njeriut tuaj të afërt.’ Allahu urdhëron për drejtësi në fjalë me njeriun e afërt dhe të largët, pasiqë urdhëroi për drejtësi në vepra.

Së nënti: ‘dhe besën ndaj Allahut’: amanetin e porosinë që u dha ‘përmbajuni’ d.m.th. nënshtrojuni dhe zbatojeni. Bindjuni asaj që u urdhëroi dhe largojuni asaj që u ndaloi, veproni sipas Librit të Allahut dhe Sunetit të Profetit të Tij (alejhi selam).

Së dhjeti: ‘Këto porosi dhe urdhëra janë rruga e drejtë e cila të shpie tek Allahu dhe tek Xheneti i Tij. Ndiqeni këtë rrugë që të shpëtoni e të fitoni Xhenetin, dhe mos ndiqni rrugë të tjera përveç kësaj rruge sepse do t’ju humbin dhe devijojnë.’: porositë në këto dy ajete që t’i largoheni gjërave të ndaluara, e me e rënda nga ato adhurimi i të tjerëve përveç Allahut, dhe porositë që të kryeni detyrimet e më i rëndësishmi prej tyre Teuhidi, këto pra janë rruga e drejtë.

Ndiqeni këtë rrugë që të shpëtoni e fitoni Xhenetin dhe mos ndiqni rrugë të tjera përveç kësaj rruge.’: bidatet dhe dyshimet në fe.

sepse rrugët e tjera do t’ju humbin dhe devijojnë’: do t’ju largojnë nga feja dhe do u bëjnë lëmsh ngatërrojnë.

۞۞۞

Arsyeja e vendosjes së këtyre ajeteve në këtë kapitull:

Allahu i pa të meta përmendi në këto ajete nje mori gjërash të ndaluara dhe i filloi ato me Shirkun. Ndalimi nga shirku përmban dhe nënkupton urdhërin për Teuhid. Kjo tregon se Teuhidi është detyrimi më i madh dhe se shirku është ndalesa më e madhe.

۞۞۞

Dobitë e përfituara nga ajetet:

1 – Shirku është ndalesa dhe harami më i madh, ndërsa Teuhidi është detyrimi më i madh.

2 – Madhështia e hakut ndaj prindit.

3 – Ndalesa për vrasjen e njeriut pa të drejtë ligjore (dënimi me vdekje bëhet vetëm nga ana e shtetit), sidomos kur i vrari është nga të afërtit.

4 – Ndalesa për prekjen e pasurisë së jetimit dhe lejimi për përkujdesjen ndaj pasurisë së tij duke j’a shtuar atë.

5 – Obligueshmëria për mbajtjen e drejtësisë në fjalë dhe vepra ndaj të afërtit dhe të largëtit.

6 – Obligueshmëria për përmbajtje ndaj besës, marrëveshjeve e kontratave.

7 – Obligueshmëria për ndjekjen e Fesë Islame dhe lenien e të tjerave përveç saj.

8 – Ligjësimi i diçkaje si e lejuar ose e ndaluar është e drejtë vetëm e Allahut.

 

۩۩۩

[1] Trasmetohet nga Ubedetu ibnu Samit (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti ﷺ ka thënë: Ai i cili më jep besën mua le t’u përmbahet këtyre ajeteve: Ejani tju tregoj se çfarë ka ndaluar Zoti juaj; të mos adhuroni tjetër përveç Tij…” – deri në fund të tri ajeteve. Atë që i përmbahet këtyre ajete (i zbaton e vepron sipas tyre) do t’a shpërblejë Allahu. Ai i cili vepron në kundërshtim të ndonjë pjese të këtyre ajeteve, nëse Allahu do t’ja japë shpërblimin e tij në dunja do të jetë dënim për të. Nëse Allahu ja shtyn për në botën tjetër, Allahu e ka në dorë dhe bën ç’të dojë me të. Nëse do e fal e nëse do e dënon (megithëse Allahu është Falës i Madh, në këtë hadith e ka kërcënuar atë i cili vepron në kundërshtim me ajetet se mund t’a dënojë atë).

Trasmeton El Hakim në El Mustedrak 2/318, dhe ka thënë: Ky hadith është i saktë dhe nuk e kanë trasmetuar Buhariu dhe Muslimi. Origjina e hadithit është tek Buhariu dhe Muslimi por pa përmendje të ajeteve. Buhariu e ka trasmetuar me nr. 8, dhe Muslimi me nr. 1709.