Shtimi i diturisë deri në çastet e agonisë

Çastet e agonisë së njeriut askush nuk mund t’i përshkruajë realisht apo të arrijë t’i përcjellë siç duhet, por të gjithë e dinë se ato janë çaste të frikshme dhe momente që ta largojnë mendjen. Ato janë çastet e shpërnguljes dhe të zhvendosjes nga dynjaja për në Ahiret (botën tjetër), nga jeta drejt vdekjes. A ka në dynja çaste më tmerruese se ato?! A ka në dynja moment më të vështirë dhe më preokupues nga ky?! Kurrsesi nuk ka.

Si shpjegohet atëherë që disa njerëz në këto momente, në këto çaste përkujtojnë diturinë, shkruajnë dobi dhe tregojnë interes për dijen sikur të ishin në momentet e tyre më të mira, më aktivë dhe më të shëndetshëm se kurrë?! Po, kjo është ajo që ka shkruar historia dhe na kanë përshkruar librat me transmetime të sakta, që të mbeten përvojë, mësim i gjallë, këshillë për brezat pasardhës dhe nxitje për kërkuesit e diturisë. Sekreti i fuqisë së tyre për këtë gjë ishin ambicjet e larta dhe vullneti i hekurt.

Kjo është vërtetim i fjalës së Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – që thotë: “Dy të uritur nuk ngopen kurrë: i eturi për dituri dhe i eturi për dynjanë.”[1]

Kur u pyet imam Ahmedi: Deri kur do ta kërkosh diturinë? – Tha: Me penën në dorë deri në varr!

Këtu po rendis disa prej ngjarjeve të tyre.

  • Historia e gjykatësit Ebu Jusuf. [2]

El Kurashij përmend në librin “El xheuahir el mudijeh”[3] dhe Meula Tekijuddin et Temimij në “Et tabekatus senijjeh”[4] në jetëshkrimin e Ibrahim ibën Xherrah et Temimij (rob i liruar prej tyre), nxënësi i Ebu Jusufit dhe një tjetër që transmeton prej tij tha: “Shkova ta vizitoja atë (Ebu Jusufin) dhe e gjeta pa ndjenja (në çastet e vdekjes). Kur u përmend më tha: O Ibrahim! Cila është më e mira në hedhjen e gurëve (në haxh); t’i hedhë njeriu duke qenë në këmbë apo hipur (mbi kafshë)?

I thashë: Hipur. – Më tha: Gabove!

I thashë: Duke ecur atëherë. – Më tha: Gabove!

I thashë: Thuaj fjalën tënde në këtë çështje, Allahu qoftë i kënaqur prej teje!

Tha: Sa u takon vendeve ku qëndrohet për të bërë dua është më mirë që t’i hedhë gurët duke qenë në këmbë, ndërsa tek vendet ku nuk qëndrohet për të bërë dua më e mira është që t’i gjuajë gurët duke qenë i hipur (mbi kafshë).[5] – Pastaj u ngrita prej tij, dhe pa arritur te dera e shtëpisë së tij dëgjova britmën e vajtimit për të… vdiq Allahu e mëshiroftë!”

  • Ngarja e Ebu Zurah er Razit (v. 266).

Ibën Ebi Hatim ka thënë në “Parathënia e kritikës dhe lavdërimit” (Tekdimetul xherhi uet tadil): “Kam dëgjuar babanë tim të thotë: Ebu Zurah vdiq nga murtaja, nga barku, dhe me djersë në ballë gjatë agonisë.[6] I thashë Muhamed ibn Muslim (ibën Uaras): Çfarë mban mend në përkujtimin e atij që po vdes me fjalën ‘La ilahe il-lall llah’? – Muhamed bin Meslemeh tha: Përcillet nga Muadh ibën Xhebeli…. dhe përpara se ta plotësonte (fjalën e tij) Ebu Zurah ngriti kokën duke qenë në agoni dhe tha: Transmeton Abdulhamid ibën Xhafer, nga Salih ibn ebi Arib, nga Kethir ibn Murrah, nga Muadh ibn Xhebeli i cili transmeton se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Kush i ka fjalët e tij të fundit ‘La ilahe il lall llah’, do të hyjë në Xhenet.”  Pastaj u dëgjuan të qarat për vdekjen e tij![7]

  • Historia e Ebu Hatim er Razit (v. 277).

Tregon djali i tij Abdurrahmani në “Parathënia e kritikës dhe lavdërimit”: “Isha pranë babait tim në çastet e tij të fundit, por nuk e kuptova këtë veçse më vonë. E pyeta atë për Ukbeh ibn Abdulgafir i cili transmeton nga Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. A është sahabi ai? Dhe ai ma bëri me kokë në shenjë mohimi. Nuk u binda me kaq dhe i thashë: A më kuptove? A është sahabij? – Tha: Ai është tabiin.

Pastaj vazhdon djali i tij Ibën ebi Hatim të thotë: Puna e tij më e mirë ishte njohuria rreth hadithit dhe përcjellësve të tij. Gjatë jetës njerëzit përfitonin prej tij këto dituri, kështu Allahu i Lartësuar deshi të shfaqte në çastin e vdekjes gjendjen në të cilën ai kishte jetuar.”[8]

  • Historia e Ibën Xherir et Taberiut (v. 310).

Ka thënë Muafa en Nehrauani në “El xhelisus salih”[9]: “Më kanë treguar disa nga banorët e Eufratit se një burrë prej tyre apo nga një zonë tjetër kishte qenë prezent kur vdiq Ebu Xhafer et Taberiu, Allahu e mëshiroftë. Ai vdiq pak çaste pas kësaj historie. Atij iu përmend një lutje nga Xhafer ibën Muhamedi dhe ai kërkoi t’i sillnin një penë dhe një letër dhe e shkruajti atë. I thanë: Je në këtë gjendje dhe shkruan?! – Tha: Njeriu duhet të mos e lërë përfitimin e diturisë derisa të vdesë.”

  • Historia e Ibën Sadunit (v. 352).

Gjykatësi Ijad përmend në “Tertibul medarik”[10] në jetëshkrimin e Ebu Bekër Muhamed ibën Uesim ibën Sadun et Tajtalij, se ai ishte i njohur në të gjitha fushat e dijes dhe kishte përparuar në to. Thotë: “Kur ishte duke dhënë shpirt hyri tek ai një prej shokëve të tij dhe e thirri, por ai nuk iu përgjigj. Atëherë dikush tjetër recitoi ajetin: “Dhe u pengua mes tyre dhe asaj që ata dëshironin.” |Sebe: 54| (Sh.p.: Si përgjigje ndaj atij që e thirri për t’i treguar se ky nuk të përgjigjet dot.)

Atëherë Ebu Bekri (që po jepte shpirt) tha: Ky ajet ka zbritur për pabesimtarët, dhe në të thotë: “Ata ishin në një dyshim të madh.”[11]

  • Historia e Meserrah el Hadramij (v. 373).

E përmend po ashtu Ijadi në “El medarik”[12] në jetëshkrimin e Meserrah ibën Muslim el Hadramij (v. 373), i cili ishte prej dijetarëve dhe asketëve. Kur po jepte shpirt filloi të lexonte Kuran, derisa arriti tek surja “Ta Ha” tek fjala e të Lartësuarit: “Dhe shpejtova për tek Ti o Zoti im që të kënaqesh.” |Ta Ha: 84| Atëherë i doli shpirti!

  • Historia e Bejrun astronomit (v. 440).

Përmend Jakuti në “Irshadul erib”[13] në jetëshkrimin e Ebu Rajhan Muhamed ibën Ahmed el Hauarizmi. Aty tregon për përpjekjet e tij të mëdha për shtimin e diturive dhe shkrimin e librave, pastaj përmend një ngjarje që e përcjell dijetari i fikhut El Uelualixhij i cili thotë: “Hyra tek Ebu Rajhani (Bejruni) në momentet e tij të fundit në këtë botë, shpirti i tij jepte dhe merrte dhe i ngushtohej kraharori. Duke hequr në atë gjendje më tha: Si më the atë ditë për llogaritjen e trashëgimisë së gjysheve nga ana e mamasë? – I thashë, nga keqardhja për të: Në këtë gjendje (interesohesh për këtë punë)?! – Tha: O ti! A nuk është më mirë t’i jap lamtumirën kësaj bote duke qenë i dijshëm rreth kësaj çështjeje, sesa të largohem prej dynjasë duke qenë injorant rreth saj? Kështu unë ia përsërita këtë çështje dhe ai e mësoi. Pastaj dola prej tij. Rrugës kur po dilja dëgjova të qarat për të.”

  • Historia e Ibn Ruzbeh (v. 633).

Tek jetëshkrimi i Ahmed ibën Abdullah ibën Mu’tij el Xhezairij (v. 666) në “Dhejlut-tekjijd”[14] e Fasit, tregohet se ai e ka dëgjuar “Sahih Buhari” prej Alij ibën ebi Bekr ibën Ruzbeh në 14 tubime. Ditën që e përfunduan ai u drejtua të pranishmëve: Përpiquni ta mbaroni këtë libër sepse pasha Allahun, nuk ka mbetur kush tjetër veç jush që e dëgjon atë prej meje. Dhe atë natë vdiq!

  • Historia e Ibën Malikut autori i “Elfijes”[15] (v. 672).

Në librin “El felaketu uel meflukun” të ed Delexhij tek jetëshkrimi i imam Ebu Abdullah Xhemaludin Muhamed ibën Abdullah ibën Malik gramaticienit, dijetarit erudit,[16] thotë për të: “Ishte njeri që merrej shumë me diturinë me mësim dhe mësimdhënie, aq sa edhe ditën në të cilën vdiq mësoi pesë dëshmi.”[17]

  • Historia e Safij el Hindit (v. 715).

Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, përmend në “Muxhemu shujuhih”[18] (Libri i dijetarëve prej të cilëve ka marrë mësim) në jetëshkrimin e tij (Safij el Hindit), se ka transmetuar prej tij dy hadithe dhe thotë: “Këta dy hadithe nuk gjenden tek unë. Unë ia lexova atij kur i ishte rënduar frymëmarrja në kraharor, dhe atë ditë vdiq. Allahu na faltë neve dhe atë! Amin.”

  • Historia e Haxharit (v. 730).

Ky është njeriu i habitshëm jetëgjatë Shihabudin Ebul Abas Ahmed ibën Ebi Talib el Haxhar, dijetari i madh i hadithit.[19] Vdekur më 730 pas hixhretit. El Fasij tregon se studentët kishin lexuar para tij ditën në të cilën vdiq, në moshën 110 vjeçare afërsisht!

Them: Prandaj merr mësim nga këto ambicie të larta dhe qaj për mangësinë dhe ambicien tënde të ulët. Përpiqu të arrish atë që të ka ikur me punë serioze dhe vazhdimësi në mësim dhe shfletim. Ai që vazhdon ecjen do të arrijë dhe ‘në mëngjes njerëzit lavdërojnë ecjen e natës’.[20]

I ngjashëm me këtë është zelli i madh i disa dijetarëve, të cilët me gjithë studimin e pandërprerë që në fillimet e tyre e deri sa arritën majat e diturisë e shtuan prej saj sa mundën. Me gjithë kalimin e moshës dhe afrimin e vdekjes përsëri gjenin në vetvete dëshirë të madhe për shtimin e dijes dhe etje të papërshkrueshme për të, më shumë sesa ndjen djaloshi i ri i mbushur me fuqi dhe gjallëri.

  • Historia e Ibën Akil el Hanbelij (v.513). [21]

Në jetëshkrimin e Ebul Uefa ibën Akil el Hanbelij – Allahu e mëshiroftë – përcillet se ka thënë: “Unë gjej në veten time dëshirë për dituri edhe pse jam në moshën tetëdhjetë vjeçare, më shumë se sa gjeja kur isha njëzet vjeç.”[22]

  • Historia e Ibnul Xheuzit (v. 597).

Ja ku është dijetari i madh, i specializuar në shumë fusha të diturive islame, autor i shumë librave Ebul Feraxh ibnul Xheuzij, në fund të jetës së tij në moshën tetëdhjetë vjeçare e gjejmë duke lexuar Kuran (ulur në pozicionin e nxënësit) së bashku me djalin e vet, me dhjetë kiraetet (llojet e leximit)[23] përpara Ibnul Bakilanit.[24]
Thotë Imam Dhehebiu duke komentuar: “Shiko çfarë ambicie e lartë!”

  • Historia e Murteda ez Zebidij (v. 1205).

Dijetari i madh AbdulHaj el Ketanij thotë në “Fehrasul feharis uel ethbat”[25], tek jetëshkrimi i dijetarit të madh të gjuhës arabe hadithologut Muhamed Murteda ez Zebidij: “Edhe pse dijetarët nga të cilët kishte mësuar ishin të shumtë, me një numër të pazakontë që ua tejkalonte edhe atyre të kolegëve të tij bashkëkohës dhe mësuesve të tij, përsëri ai nuk mjaftohej me aq sa kishte prej diturisë por ishte hulumtues i vazhdueshëm dhe studiues i pandashëm. U shkruante dijetarëve të gjithë botës, aq sa kam parë me shkrimin e tij në bllokun e shënimeve të Abduselam en Nasirit një kërkesë drejtuar të gjithë dijetarëve që do t’i takonte Abduselami i përmendur. Teksti i saj ishte ky: “Kërkesë për të transmetuar prej secilit dijetar që ai do të takojë.” Datonte në vitin 1197.

Thotë El Ketanij: “Ambicje e habitshme, përkujdes dhe interesim i rrallë nga ky hafidh i madh. Këtu del në pah mosngopja e tij dhe etja e madhe për dituri. Pasi e shkroi atë kërkesë ai jetoi edhe tetë vite të tjera. Kjo është e ngjashme me atë që gjeta me shkrimin që mban emrin e Hafidh Ibnul Ebbar (v. 658) në një kërkesë që datonte një vit nga vdekja e tij.
“Dy të etur nuk ngopen kurrë, ai që kërkon diturinë dhe ai që kërkon dynjanë.”

Them: Nëse Dhehebiu dhe Ketanij e konsiderojnë etje të pashueshme, kujdes të jashtëzakonshëm ndaj diturisë dhe ambicie të lartë këtë që rrëfejnë për këta dijetarë, s’ka dyshim se; kërkimi i diturisë, kujdesi i madh, përkujtimi ndaj saj deri në çastet e fundit të jetës është treguesi më i qartë për këtë. O Allah çfarë ambiciesh dhe çfarë vullneti!!

Marrë nga libri: “Nxitësi për dituri”.

Përktheu: Emin Bilali

——————————————————

[1] Ky hadith ka ardhur nga një grup sahabësh – Allahu qoftë i kënaqur prej tyre – dhe ata janë: Enesi, Ibën Abasi ‘merfuan’ (si hadith profetik) dhe ‘meukufen’ (si fjalë e sahabit) nga Ibën Mesudi, Aishja, Ebu Seid el Hudrij dhe nga Ibën Umeri. Ka ardhur gjithashtu edhe si mursel nga Hasen el Basrij dhe si fjalë e Kab el Ahbarit. Për hadithin që transmetohet nga Enesi, imam Hakimi thotë: “Ky hadith është i saktë sipas kushteve të ty shejhave (Buhariut dhe Muslimit), por ata nuk e kanë shënuar atë (në dy të saktët e tyre). Unë nuk i kam gjetur atij ndonjë të metë.” Edhe Dhehebiu e ka miratuar atë. (Sh.p.: Kjo është fjala e autorit për këtë hadith përmbledhtas.)

[2] Sh.p.: Një nga nxënësit më të spikatur e më me dije të imam Ebu Hanifes, Allahu i mëshiroftë.

[3] 76/1.

[4] 190-191/1 vetëm se aty nuk gjendet përgjigja e tij e dytë: “I thashë: Në këmbë (duke ecur)…”

[5] Shiko “El mexhmu” (168/8) dhe “Eduaul bejan” (308/5) ku tha: “Dhe fjala më e afërt në këtë çështje është pasimi i Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – i cili ka gjuajtur gurët në Xhemratul Akabeh hipur (mbi kafshë), ndërsa ditët e teshrikut duke ecur në këmbë vajtje-ardhje. Allahu është më i Dijshmi.”

[6] Sh.p.: Këto janë shenja të mbylljes së mirë, madje atë që vdes nga sëmundjet e barkut apo të murtajës Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – e ka quajtur shehid (dëshmor), siç transmetohet tek Buhariu dhe Muslimi.

[7] Sh.p.: A ka mbyllje më të mirë se kjo? Ta mbyllësh jetën duke thënë shehadetin dhe duke transmetuar hadithin e Profetit sal lall llahu alejhi ue sel lem. Çfarë suksesi prej Allahut. Allahu na dhëntë sukses!

[8] Sh.p.: Sepse siç kanë thënë: Njeriu plaket në atë gjendje që ka kaluar rininë dhe vdes në atë gjendje që e ka kapur pleqëria.

[9] Fq. 222.

[10] 176/6.

[11] Shiko Tefsirin e Ibën Kethirit.

[12] 271/6.

[13] 182/17.

[14] 68/2.

[15] Sh.p.: Gramaticien, gjuhëtar i madh i gjuhës arabe, erudit në këtë fushë dhe të tjera. Libri i tij “Elfijet-ubnu Malik” në gjuhën arabe në formë vjershe është shumë i njohur. Aty autori – Allahu e mëshiroftë – ka përmbledhur pjesën dërrmuese të rregullave të gjuhës arabe në afërsisht një mijë vargje 988, prandaj e ka quajtur “Elfijeh” (Mijëshja) e Ibën Malikut.

[16] Sh.p.: Që zotëron njohuri e dije të thella, që ka erudicion. Shkencëtar (poet, njeri) erudit.

[17] Sh.p.: “Sheuahid nehauijeh” janë fjalët e arabëve që flasin gjuhën e pastër dhe që merren si dëshmi për të argumentuar diçka nga ana gjuhësore. Mund të jenë fjali dhe mund të jenë vargje poetike.

[18] 216/2.

[19] Kështu e përshkruan Hafidh Tekijudin el Fasij në “Dhejlut-tekjid” 58-61/2, ku citohet kjo ngjarje.

[20] Sh.p.: Kjo është një fjalë e urtë arabe që sillet si shembull për durimin. Kur njerëzit udhëtojnë dhe lodhen natën, durojnë ndaj vështirësive dhe orëve të tëra pa gjumë për të arritur në destinacion, në mengjes shohin që ja ka vlejtur lodhja që kanë kaluar kur shikojnë distancën e madhe që kanë lënë pas.

[21] Sh.p.: Autori i librit “El funun” për të cilin imam Dhehebiu thotë se i kalon 400 vëllime. Aty ka futur çdo gjë që ka ditur dhe i ka ndodhur me njerëzit e nderuar të kohës së vet me studentët e tij, dhe çdo gjë që lidhet me diturinë, çështje të thella dhe të imta dhe gjërat e çuditshme që kishte dëgjuar.

[22] “Edh dhejl ala tabekatil hanabileh” 146/1.

[23] Sh.p.: Mënyrat e leximit të Kuranit.

[24] “Sijer alamin nubela” 377/21. Ibnul Bakilanij është: Abdullah ibën Mensur ibën Imran ebu Bekër er Rabeij el Uasitij el Mukri (shejhu i këndimit të Kuranit). Vdekur më 593 hixhrij. Shiko “Marifetul Kurra” 870/2 me numër 827.

[25] 536-537/1.