Trajtim i disa dukurive të njoftuara nga Profeti -alejhi selam-
Shtimi i pasurisë mes muslimanëve
Profeti Muhamed – alejhi selam – ka njoftuar se pasuria para orës së fundit të dunjasë do të shtohet në umetin e tij.
Sahabiu i nderuar Auf bin Malik – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhi selam – i ka thënë: “Numëro gjashtë ngjarje para orës së fundit të dynjasë: Vdekja ime, pastaj çlirimin e xhamisë së Aksasë, pastaj një vdekje masive që u merr mbarë si sëmundja e tërbimit të bagëtive, pastaj shtimi i pasurisë derisa t’i jepen burrit 100 dinarë (monedha floriri) dhe të mbetet i pakënaqur…”[1]
Dinari është monedhë floriri e cila në kohën e profetit tonë Muhamed -alejhi selam- peshonte 4.25 g flori i pastër. Pra 100 dinarë janë të barabarta me 425 g flori i pastër.
Ndërsa Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë:
“Nuk ka për të ardhur ora e fundit e dynjasë derisa të shtohet pasuria mes jush dhe të jetë me bollëk, derisa i zoti i pasurisë të bierë në hall se kush mund t’ia pranojë sadakanë. Do t’i ofrohet pasuri tjetrit dhe ai do të thotë: Nuk kam nevojë për të.”[2]
Këto hadithe tregojnë se pasuria në këtë ymet do të shtohet aq sa ajo sasi e cila dikur mund të konsiderohej e madhe me vonë do të jetë e papërfillshme, dhe se pasuria do të jetë e pranishme në duart e të gjithëve aq sa nuk do të ketë njeri nevojë për sadaka (lëmoshë).
Shkaqet e shtimit të pasurisë.
Pasuria është një prej domosdoshmërive të jetës në këtë botë, sepse Allahu i Madhëruar e ka krijuar njeriun me nevoja. Ai ka nevojë; të ushqehet, të vishet, të strehohet, të lëvizë, të martohet, të kujdeset për familjen etj. Për të gjitha këto nevoja kërkohet pasuri dhe ai në këtë botë ndryshe nga bota tjetër duhet t’a sigurojë vetë atë. Kjo, për shkak se Allahu i Madhëruar jetën e kësaj bote e ka ndërtuar mbi bazën e rregullit të sprovës që Ai të shohë si do të punojnë krijesat e Tij. Ky rregull siç ka prekur shumë aspekte të natyrës njerëzore ka prekur edhe atë të nevojës për pasuri, duke e bërë njeriun të përjetojë situata të ndryshme; herë me shumë pasuri e herë me pak pasuri, situata të cilat realizohen nëpërmjet shkaqeve universale dhe ato fetare.
Shkaqet universale të shtimit të pasurisë.
Shkaqet universale janë ata faktorë të cilët ndikojnë në mbledhjen e pasurisë dhe që kanë të bëjnë me mënyrën e organizimit të jetesës në tokë si: puna, stabiliteti dhe drejtësia.
E para: Puna.
Pasuria si çdo gjë tjetër në këtë botë është pronë e Allahut, Krijuesit të saj, dhe Allahu i Madhëruar për arritjen e saj ka bërë shkak kryesor punën dhe përpjekjen e robit.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
هُوَ الَّذِي جَعَلَ لَكُمُ الْأَرْضَ ذَلُولًا فَامْشُوا فِي مَنَاكِبِهَا وَكُلُوا مِنْ رِزْقِهِ وَإِلَيْهِ النُّشُورُ
“Ai (Allahu) është ai i Cili ua ka nënshtruar tokën, prandaj ecni në anët e saj, hani prej furnizimit të Tij dhe dijeni se tek Ai keni për t’u ringjallur!”[3]
Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e ajetit thotë: “Domethënia e tij është: Ecni nga të doni në krahinat e saj dhe shkoni ku të doni në provincat e saj për të fituar dhe për tregëti!”[4].
Sociologu më me famë i Islamit Ibn Khalduni i cili ka vdekur në vitin 808 të hixhretit -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje thotë: “Dije se fitimi arrihet me përpjekje në sigurimin e tij dhe me synim në mbledhjen e tij! Kështu furnizimi patjetër ka nevojë për përpjekje dhe punë, qoftë edhe kur nuk duhet tjetër veç marrjes apo vajtjes te vendi i tij. Nëse është zanat kjo është e qartë, e nëse është kafshë apo bimë apo metal i çmuar edhe aty siç dihet duhet puna njerëzore sepse përndryshe nuk përfitohet prej tyre.”[5]
E dyta: Stabiliteti.
Që njeriu të arrijë të përfitojë prej mundësive të riskut të cilat Allahu i Madhëruar i ka vendosur në tokë ka nevojë për stabilitet dhe siguri.
Kur ua numëronte mirësitë e Tij banorëve të Mekës, Allahu ndër të tjera u thoshte:
أَوَلَمْ نُمَكِّنْ لَهُمْ حَرَمًا آمِنًا يُجْبَى إِلَيْهِ ثَمَرَاتُ كُلِّ شَيْءٍ رِزْقًا مِنْ لَدُنَّا وَلَكِنَّ أَكْثَرَهُمْ لَا يَعْلَمُونَ
“A nuk u kemi mundësuar atyre të jetojnë në një vend të shenjtë e të sigurt, ku u vjen çdo lloj prodhimi? Ai është furnizim prej Nesh, por shumica e tyre nuk e dinë.”[6]
Nëse Meka nuk do të ishte vend i sigurt dhe me stabilitet nuk do të arrinin tek ata prodhimet e të tjerëve, sepse në natyrën njerëzore është largimi nga rreziku. Nëse siguria dhe stabiliteti i mungojnë njeriut, ai nuk do arrijë dot të rendë pas rrizkut dhe të punojë për të. Këto të dyja atij ia siguron dhe garanton shteti, që do të thotë se mirëqenia e një vendi nuk do të ngrihet pa ekzistencën e shtetit.
Ibn Khalduni -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje përsëri shprehet: “Jetesa në bashkësi është e domosdoshme për njerëzit dhe ata në bashkësi kanë nevojë për një gjykues që t’i drejtohen atij. Gjykimi i tij ndonjëherë i referohet ligjeve të zbritura prej Allahut, i cili ua bën detyrë nënshtrimin para tij për shkak të besimit në shpërblimin dhe dënimin e njoftuar nga përcjellësi i tij. E ndonjëherë i referohet ligjeve të logjikës njerëzore (ato të vendosura nga njerëzit) të cilat ua bëjnë detyrë nënshtrimin ndaj tyre për shkak të shpërblimit që presin prej tij në interes të tyre. Prej të parës arrihet dobia e saj në dynja dhe në ahiret, sepse ligji sheriatik e di mirë përfundimin e interesave për shkak të kujdesit të tij për shpëtimin e robërve në botën tjetër, ndërsa prej tjetrës arrihet vetëm dobia e dynjasë.”[7]
Domethënia e fjalëve të tij -Allahu e mëshiroftë- është se pa gjykatësin i cili në këtë rast është shteti që ruan mes të tjerash sigurinë dhe stabilitetin, nuk arrihen të mirat e kësaj bote.
E treta: Drejtësia.
Që njerëzit të arrijnë të përfitojnë prej të mirave materiale duhet të jenë të barabartë para mundësive të rrizkut.
Allahu i Madhëruar kur flet për ekuilibrat e botës thotë:
وَالسَّمَاءَ رَفَعَهَا وَوَضَعَ الْمِيزَانَ
“Ai (Allahu) ngriti qiellin dhe vendosi peshoren.”[8] d.m.th.: vendosi drejtësinë siç thonë shumë prej komentuesve të Kuranit.
Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje, thotë: “Drejtësia është baza e çdo gjëje. Nëse çështja e dynjasë ndërtohet mbi bazën e drejtësisë do të ngrihet edhe nëse ai që e ka ndërtuar atë nuk ka pjesë në ahiret, e nëse ajo nuk ndërtohet mbi bazën e drejtësisë nuk ka për t’u ngritur edhe nëse ai që është përpjekur ka besim për të cilin mund të shpërblehet me të në ahiret.”[9]
Këto janë shkaqet kryesore universale për shtimin e pasurisë, dhe quhen universale sepse janë rregulla të përgjithshme të krijimit me të cilat drejtohet bota dhe organizohet jeta e saj, dhe nuk kanë lidhje me besimin e njeriut dhe mohimin e tij. Ato na shpjegojnë gjithashtu edhe prezencën e pasurisë në duart e atyre që nuk e besojnë Allahun, sepse kështu e ka ndërtuar Allahu këtë botë: Kush i bën shkaqet do t’i ndodhë rezultati, ama askush nuk duhet të mendojë se ato ndikojnë vetvetiu siç mendojnë shumë prej atyre që i ka hutuar çështja e dynjasë, sepse kjo është gabim dhe është shirk. Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje thotë: “T’i kushtosh rëndësi vetëm shkaqeve është shirk që bie ndesh me njësimin e Allahut (Teuhidin). T’i mohosh plotësisht ato si shkaqe është akuzim i ligjeve të Allahut dhe mohim i urtësisë së Tij. T’i neglizhosh ato duke e ditur se janë shkaqe është mangësi logjike.”[10]
Fjala e tij për mbështetjen vetëm te shkaqet [është shirk] d.m.th. nëse mendon se shkaqet si; puna, siguria, stabiliteti dhe drejtësia ndikojnë vetvetiu në arritjen e mirëqenies, atëherë ata janë bërë zota imagjinarë dhe ky është shirku.
Fjala e tij për mohimin e shkaqeve [është akuzim i ligjeve të Allahut] d.m.th. nëse mendon se rrizku i Allahut vjen prej tij pa shkaqet si: puna, siguria, stabiliteti dhe drejtësia, atëherë do të thotë se Allahu i ka bërë këto rregulla pa ndonjë qëllim dhe urtësi dhe kjo është akuzë ndaj Tij sepse veprimet e Tij gjithmonë përmbajnë qëllime dhe urtësi.
Fjala e tij për neglizhimin e shkaqeve kur dihet se janë shkaqe [është mangësi logjike] d.m.th. nëse i beson se ato janë shkaqe e nga ana tjetër i neglizhon, kjo do të thotë se problemi nuk është më tek besimi por tek logjika e robit.
Shkaqet fetare të shtimit të pasurisë.
Njeriu është gjendur në këtë botë për adhurimin e Allahut dhe nënshtrimin ndaj Tij, dhe ky qëllim ka bërë që begatitë e Allahut të Madhëruar në dynja të ndikohen edhe nga realizimi i këtij qëllimi nga ana e njerëzve. Kështu që qielli dhe toka të japin begatitë e Zotit dhe robi të ketë sukses në arritjen e tyre, përveç shkaqeve universale kërkohen edhe shkaqet fetare. Pra, shkaqet fetare janë ata faktorë të cilët ndikojnë në shtimin e pasurisë dhe që kanë të bëjnë me realizimin e qëllimit të krijimit, por që nuk ndikojnë në mënyrë të njëanshme pa shkaqet universale si: besimi, devotshmëria dhe falënderimi.
Për sa u përket dy të parave: besimit dhe devotshmërisë, ato i ka përmendur Allahu në Kuran së bashku në një ajet ku thuhet:
وَلَوْ أَنَّ أَهْلَ الْقُرَى آمَنُوا وَاتَّقَوْا لَفَتَحْنَا عَلَيْهِمْ بَرَكَاتٍ مِنَ السَّمَاءِ وَالْأَرْضِ
“Sikur banorët e atyre vendeve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe nga toka.”[11]
Ibn Kethiri thotë: “Janë për qëllim uji i qiellit dhe bimët e tokës.”[12] Përderisa këto të dyja simbolizojnë begatinë dhe pasurinë, atëherë ajeti do të thotë se Allahu i Madhëruar e ka bërë besimin dhe devotshmërinë prej shkaqeve fetare të furnizimit me pasuri.
Ja një shembull ku tregohet se mosrealizimi i qëllimit të krijimit ul mirëqenien dhe pakëson rrizkun! Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
وَضَرَبَ اللَّهُ مَثَلًا قَرْيَةً كَانَتْ آمِنَةً مُطْمَئِنَّةً يَأْتِيهَا رِزْقُهَا رَغَدًا مِنْ كُلِّ مَكَانٍ فَكَفَرَتْ بِأَنْعُمِ اللَّهِ فَأَذَاقَهَا اللَّهُ لِبَاسَ الْجُوعِ وَالْخَوْفِ بِمَا كَانُوا يَصْنَعُونَ
“Allahu sjell për shembull vendin i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin furnizimet e bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan mirësitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën si ndëshkim për atë që bënë.”[13]
Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë ajet thotë: “Me këtë shembull janë për qëllim (përsëri) banorët e Mekës, sepse ajo ishte vend i sigurt, i qetë dhe me stabilitet, ndërkohë që të tjerët jashtë saj grabiteshin. Ndërsa kush futej në këtë vend ndihej i sigurt. Ata i mohuan këto mirësi dhe më e madhja prej tyre dërgimin e Profetit Muhamed -alejhi selam, prandaj Allahu i Madhëruar ua ndryshoi ato dy gjendje me të kundërtat e tyre: me uri dhe me frikë. I bëri ata të shijojnë urinë pasi që u eksportohej çdo prodhim dhe furnizimi i bollshëm u tregtohej nga çdo vend, kur kundërshtuan profetin dhe refuzuan të jenë vetëm se kundër tij. Atëherë profeti -alejhi selam- u lut kundër tyre që të dënoheshin me shtatë vite mjerim si shtatë vitet e Jusufit -alejhi selam- ndaj ata i kapi zia dhe u iku çdo gjë derisa filluan të hanin lëkura bagëtish.”[14]
Besimi i shoqëruar me devotshmëri që është kryerja e detyrave të Allahut bën që njerëzit t’i shijojnë mirësitë e Allahut, e nëse ata falënderojnë atëherë falënderimi i bën që Allahu t’ua shtojë akoma më shumë, siç thuhet në Kuran:
لَئِنْ شَكَرْتُمْ لَأَزِيدَنَّكُمْ
“Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’ua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia.”[15]
Falënderimi për të cilin është premtuar shtimi i mirësive është një pozitë më e lartë, siç thotë Ibn El-Kajimi (Allahu e mëshiroftë): “Falënderimi shfaq ndikimin e mirësisë: në gjuhën e robit me lavdërim dhe njohje, në zemrën e tij me dëshmi dhe dashuri, dhe në gjymtyrët e tij me nënshtrim dhe bindje.”[16]
Nëse gjendja e krijesave do të jetë e tillë me Allahun, Krijuesin e tyre, dhe ata bashkojnë shkaqet fetare me shkaqet universale do të vërshojnë mirësitë e Tij siç vërshojnë lumenjtë madje edhe më shumë. Fjala e lartpërmendur e Allahut: “…do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka”, nuk mund të kuptohet mirë veçse nëse imagjinon anijen e Nuhut -alejhi selam- e cila lundroi kur u mbyt toka në ujë, kur Allahu i Madhëruar e urdhëroi qiellin të lëshojë ujin e tij dhe tokën të nxjerrë ujin e saj dhe toka u shkatërrua me përmbytje për shkak të zemërimit të Allahut me njerëzit. E kundërta e saj do të ndodhë me njerëzit për të lundruar në mirësitë e Allahut kur krijesat të fitojnë kënaqësinë e Tij.
Shtimi i pasurisë në këtë umet.
Shumica e muslimanëve në kohën e Profetit -alejhi selam- ishin të varfër, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:
لِلْفُقَرَاءِ الَّذِينَ أُحْصِرُوا فِي سَبِيلِ اللَّهِ لَا يَسْتَطِيعُونَ ضَرْبًا فِي الْأَرْضِ يَحْسَبُهُمُ الْجَاهِلُ أَغْنِيَاءَ مِنَ التَّعَفُّفِ تَعْرِفُهُمْ بِسِيمَاهُمْ لَا يَسْأَلُونَ النَّاسَ إِلْحَافًا
«(Sadakatë) u takojnë të varfërve të cilët iu përkushtuan çështjes së Allahut dhe nuk kanë mundësi të ecin në tokë (për të fituar jetesën). Kush nuk i njeh ata kujton se janë të kamur, për shkak se nuk i’a shtrijnë dorën askujt.»[17]
Dhe thotë gjithashtu:
لِلْفُقَرَاءِ الْمُهَاجِرِينَ الَّذِينَ أُخْرِجُوا مِنْ دِيَارِهِمْ وَأَمْوَالِهِمْ يَبْتَغُونَ فَضْلًا مِنَ اللَّهِ وَرِضْوَانًا وَيَنْصُرُونَ اللَّهَ وَرَسُولَهُ أُولَئِكَ هُمُ الصَّادِقُونَ
«U takojnë muhaxhirëve të varfër të cilët u përzunë nga vendlindja me pasuritë e tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë e Allahut dhe duke ndihmuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht, ata janë besimtarët e sinqertë.»[18]
Në këto dy ajete përmenden dy faktorë që ndikonin në varfërimin e tyre:
1 – Pamundësia për të ecur në tokë për të fituar, sepse u preokupuan me punë të tjera më të mëdha si; ndihma e fesë së Allahut dhe e të dërguarit të Tij -alejhi selam.
2 – Mungesa e stabilitetit, sepse u nxorën me forcë nga shtëpitë dhe pasuritë e tyre dhe morën rrugën e emigrimit.
Që të dy këta faktorë bënë që ata të varfërohen, sepse siç u tha më lart shtimi i pasurisë varet nga shkaqe universale dhe shkaqe fetare, dhe atyre u mungonin shkaqet universale për shkak të situatës në të cilën ndodheshin. Mirëpo, situata më pas do të ndryshonte që të përmbushej premtimi i Allahut në Kuran dhe në Hadith.
Në Kuran thuhet:
وَعَدَ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنْكُمْ وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ لَيَسْتَخْلِفَنَّهُمْ فِي الْأَرْضِ كَمَا اسْتَخْلَفَ الَّذِينَ مِنْ قَبْلِهِمْ وَلَيُمَكِّنَنَّ لَهُمْ دِينَهُمُ الَّذِي ارْتَضَى لَهُمْ وَلَيُبَدِّلَنَّهُمْ مِنْ بَعْدِ خَوْفِهِمْ أَمْنًا يَعْبُدُونَنِي لَا يُشْرِكُونَ بِي شَيْئًا
«Allahu u ka premtuar atyre që besojnë prej jush dhe bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë ashtu si i ka bërë ata para tyre. Do t’ua forcojë fenë e tyre me të cilën Ai është i kënaqur, dhe frikën do t’ua shndërrojë në siguri që të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim).»[19]
Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë ajet thotë: “Ky është një premtim i madh prej Allahut për Profetin e tij -salallahu alejhi ue selam- se; Ai do t’a bëjë umetin e tij udhëheqës në tokë dhe me ta do të rregullohet toka, do t’u nënshtrohen robërit dhe do t’ua zëvendësojë frikën e tyre prej njerëzve me siguri dhe udhëheqje për ta.”
Ndërsa në hadith thuhet se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Allahu ma ngjeshi tokën derisa pashë lindjen dhe perëndimin e saj. Sundimi i ymetit tim do të arrijë në çdo vend që pashë dhe muu m’u dhanë dy thesaret: i kuqi dhe i bardhi (floriri dhe argjendi).”[20]
Ky ndryshim do të vinte – siç shihet qartë nga argumentet – si rezultat i bashkimit të këtij ymeti mes shkaqeve fetare dhe atyre universale.
Shkaqet fetare, sepse pasuesit e kësaj feje do të mbajnë fenë e drejtë dhe devotshmërinë ndaj saj larg shirkut dhe idhujtarisë deri në ditën e Kiametit.
Ndërsa shkaqet universale, sepse me kalimin e sundimit të dynjasë në dorën e tyre do të përhapej; qetësia, stabiliteti, siguria, drejtësia, mundësia për të punuar etj.
Shtimi i pasurisë në këtë ymet dhe shenjat e kohës së fundit.
Ndryshimet që do të ndodhnin në historinë e njerëzimit me shfaqjen e ymetit të Muhamedit -alejhi selam- patjetër do të lidheshin me ngjarjet e kohës së fundit, sepse vetë profeti Muhamed -alejhi selam- është shenjë e orës së fundit dhe çdo dukuri që e pason atë bën pjesë tek ato shenja. Prandaj dhe profeti -alejhi selam- në hadithet e lartpërmendura e lidh dukurinë e shtimit të pasurisë me ngjarjet e kohës së fundit.
Të kthehemi edhe njëherë te hadithet për të parë disa detaje të kësaj dukurie.
Hadithi i parë është hadithi i Auf bin Malik – radiallahu anhu – se Profeti alejhi selam i ka thënë: “Numëro gjashtë ngjarje para orës së fundit të dynjasë: Vdekja ime, pastaj çlirimin e xhamisë së Aksasë, pastaj një vdekje masive që u merr mbarë si sëmundja e tërbimit të bagëtive, pastaj shtimi i pasurisë derisa t’i jepen burrit 100 dinarë (monedha floriri) dhe të mbetet i pakënaqur.”
Fjala e tij [mbetet i pakënaqur] është për shkak se e sheh shumë të vogël dhe të pavlerë atë shumë.
Kjo situatë e përmendur në këtë hadith mendohet të jetë koha e Uthmanit -radillahu anhu- siç është vënë në dukje nga shumë dijetarë, mes tyre shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- i cili në lidhje me vërtetimin e këtij hadithi thotë: “U çlirua xhamia e Aksasë pas vdekjes së tij (alejhi selam) dhe konkretisht në kohën e Omer ibn Hatabit. Pastaj ra murtaja e madhe në Sham, murtaja e Amuasit gjithashtu në kohën e Omerit prej së cilës kanë vdekur Muadh ibn Xhebeli, Ebu Ubejde ibn El-Xherah dhe shumë të tjerë. Ajo ishte murtaja e parë që ra në Islam dhe ndodhi siç kishte lajmëruar Profeti, sepse ajo i mori ata si sëmundja e tërbimit të bagëtive. Pastaj u shtua pasuria në kohën e Uthman ibn Afanit aq sa i jepej ndonjërit prej tyre 100 dinarë dhe ai mbetej i pakënaqur. U shtua aq shumë pasuria sa një kalë blihej me peshën e tij (në monedha).” [21]
Es-Sujuti, historian i njohur i cili ka shkruar për kohën e halifëve të parë -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Në vitin 30 sipas Hixhretit u çliruan qyteti Xhur dhe shumë zona të Hurasanit. U çlirua gjithashtu Neisaburi – thuhet se u bë me marrëveshje dhe thuhet edhe me forcë, Tusi dhe Serkhasi – që të dyja me marrëveshje, dhe po ashtu Bejhaku. Kur u çliruan këto krahina të mëdha iu shtuan të ardhurat Uthmanit (radiallahu anhu) dhe atij filloi t’i vinte pasuria nga çdo anë aq sa caktoi magazina dhe shtoi hiset e njerëzve.”[22]
Ibn Sirini, një tabiin i njohur i cili ka jetuar shumë afër asaj kohe thotë: “Në kohën e Uthmanit u shtua pasuria aq sa një robinë është shitur me peshën e saj në monedha, një kalë është shitur me 100 mijë dirhem, dhe një pemë palme është shitur me një mijë dërhem.”[23]
El-Hasen El-Basrij, tabiin i njohur i cili ka arritur kohën e Uthmanit -radiallahu anhu- në lidhje me kohën e tij thoshte: “Në atë kohë, çdo ditë dikush thërriste në emër të Uthmanit: O njerëz, shkoni e merrni hiset tuaja! Dhe shkonin e i merrnin ato të plota. O njerëz, shkoni e merrni furnizimet tuaja! Derisa kam dëgjuar me veshët e mi duke thënë: Shkoni e merrni veshje! Shkoni e merrni gjalpë dhe mjaltë! Begati të shumta dhe mirësi të mëdha.”[24]
Duket qartë se burimi kryesor i këtyre të ardhurave ishte lufta në rrugën e Allahut, burime të cilat i administroi shumë mirë Uthmani -radiallahu anhu- dhe u ngrit me to mirëqënia e njerëzve.
Ndërsa hadithi tjetër është hadithi i Ebu Hurejrës -radiallahu anhu- se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Nuk ka për të ardhur ora e fundit e dynjasë derisa të shtohet pasuria mes jush dhe të jetë me bollëk, derisa i zoti i pasurisë të bierë në hall se kush mund t’ia pranojë sadakanë. Do t’i ofrohet pasuri tjetrit dhe ai do të thotë: Nuk kam nevojë për të.”
Ibn Haxheri, dijetar i njohur në komentimin e haditheve thotë se ky hadith përfshin tre situata[25]:
E para: Shtimi i pasurisë në kohën e sahabëve.
Koha e sahabëve ishte koha e çlirimeve të mëdha ku u shtuan të ardhurat nga lufta në rrugën e Allahut.
Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- shënon: “Kur u çlirua qyteti El-Medein (kryeqyteti i persianëve) gjetën në arkën e Kisras një mijë dinar.”[26]
Sasia e përmendur në këtë citat sipas llogarive tona është e barabartë me një miljard dinarë dhe që të gjitha monedha floriri të pastër.
Ngjarja e Medainit ka ndodhur në kohën e Umerit -radiallahu anhu- në vitin 16 sipas Hixhretit, dhe kjo dukuri më pas do të arrinte kulmin në kohën e Uthmanit -radiallahu anhu- siç u tha më lart.
E dyta: Shtimi i pasurisë derisa të arrijë në masë e bollëk.
Kjo situatë përputhet me atë që ka ndodhur në periudhën e fundit të kohës së sahabëve, në kohën e sundimit të Umer bin Abdulazizit – Allahu e mëshiroftë.
Ibn Kethiri në lidhje me këtë kohë thotë: “Umer bin Abdulaziz erdhi në pushtet pas Sulejman bin Abdulmelik dhe qëndroi dy vjet e gjysmë. Ai e mbuloi tokën me drejtësi dhe u shtua pasuria aq sa njeriun e preokuponte se kujt t’ia jepte sadakanë e tij.”
Ja disa kronika të kohës së Umer bin Abdulazizit të cilat vërtetojnë mendimet e historianëve.
Umer bin Usejd prej familjes El-Khatabi dhe bashkëkohës i Umerit, thotë: “Nuk vdiq Umer bin Abdulazizi derisa i bëri njerëzit të vinin me sasi të mëdha pasurie dhe të thoshin: Shpërndajeni ku të dini mes të varfëve! Ai kthehej me pasurinë e tij sepse nuk gjente njeri kujt t’ia jepte, sepse Umeri nuk kishte lënë njerëz nevojtarë.”[27]
Jahja bin Said El-Ensarij, bashkëkohës i Umerit thotë: “Më dërgoi njëherë Umer bin Abdulazizi për sadakatë e Afrikës dhe i mblodha ato. Kërkova për të varfër që t’u jepja dhe nuk gjeta sepse Umeri nuk linte nevojtar, atëherë bleva disa robër dhe i lirova.”[28]
Muhamed bin Kajs El-Kas, shoqërues i Umerit thotë: “E kam parë Umer bin Abdulazizin duke falur jacinë, pastaj kërkoi një qiri prej pasurisë së përbashkët për të shkruar për çështjet e njerëzve dhe për pasuritë e marra pa të drejtë që t’u kthehen çdo vendi. Kur ai gdhinte, ulej për të gjykuar për kthimin e pasurive të marra padrejtësisht dhe urdhëronte për shpërndarjen e sadakave atyre që i meritojnë. Kam parë prej atyre që përfitonin sadakatë dhe vitin tjetër kishte vetë deve prej të cilave jepte sadaka.”[29]
Sulejman bin Daud El-Khaulani bashkëkohës i Umerit thotë: “Më dërguan me 150 dërhem për t’i shpërndarë të varfërve dhe shkova te Maxhishuni (dijetar i Medines) dhe pyeta. Ai më tha: Nuk di njeri nevojtar sepse Umer bin Abdulazizi nuk ka lënë njeri nevojtar.”[30]
Të gjitha këto kronika tregojnë për një standard të lartë jetese, dhe shkaku kryesor në këtë rast është drejtësia dhe luftimi i përfitimeve të padrejta, sepse në kohën e Umer bin Abdulazizit -Allahu e mëshiroftë- shfaqet për herë të parë kthimi i pasurive të përfituara padrejtësisht.
E treta: Shtimi i pasurisë dhe arritja e bollëkut në kohën e kthimit të Isait -alejhi selam.
Për këtë situatë ka ardhur një hadith nga profeti Muhamed -alejhi selam- që thotë:
“Nuk ka për të ardhur ora e fundit e Dynjasë deri sa të zbresë Isai i biri i Merjemes, gjykatës dhe prijës i drejtë. Ai do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin, dhe do të shtohet pasuria derisa askush të mos e pranojë atë.”[31]
Në këtë hadith bëhet fjalë për një situatë shumë afër orës së fundit të Dynjasë, dhe për më gjatë rreth saj do të flasim kur të arrijmë inshallah te shenjat e mëdha.
Këto janë disa detaje të njohura të kësaj shenje dhe shkaqet e saj.
Lusim Allahun e Madhëruar t’a bëjë këtë mund shkak për përmirësimin e gjendjes së myslimanëve për të bashkuar mes shkaqeve fetare dhe universale, me qëllim që Allahu i Madhëruar të na japë premtimin e Tij për sundim dhe mëkëmbje në tokë! Amin!
Shkroi: Dr Abdullah Nabolli
[1] E transmeton Buhariu.
[2] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[3] Suretu El-Mulk: 15.
[4] Shih tefsir Ibn Kethir (8/179).
[5] Shih fjalët e autorit në librin Tarikh: 1/477.
[6] Suretu El-Kasas: 57.
[7] Shih fjalët e autorit në librin e tij El-Mukadime: 185.
[8] Suretu Er-Rahman.
[9] Shih fjalët e autorit në librin Mexhmu El-Fetaua: 28/146.
[10] Shih fjalët e autorit ne librin Medarixh Es-Salikijn: 1/257.
[11] Suretu El-Earaf: 96.
[12] Shih fjalët e autorit në tefsirin e tij: 3/451.
[13] Suretu En-Nahl: 112.
[14] Shih fjalët e autorit në tefsirin e tij: 4/607-608.
[15] Suretu Ibrahim: 7.
[16] Shih fjalet e autorit në librin e tij Medarixh Es-Salikijn: 2/234.
[17] Suretu el-Bakara: 273.
[18] Suretul-Hashr: 8.
[19] Suretu En-Nur: 55.
[20] E transmeton Muslimi.
[21] Shih fjalët e autorit te libri El-Xheuab Es-Sahih: 6/86-87.
[22] Shih librin e autorit me titull Tarijh El-Khulefa: 123.
[23] Shih librin “El-Istijab” të Ibn Abdul-Berr: 3/1041.
[24] Shih librin “El-Istijab” të Ibn Abdul-Berr: 3/1041.
[25] Shih librin e autorit me titull Fet’h El-Barij: 13/87.
[26] Shih librin e autorit El-Bidaje ue En-Nihaje: 7/76.
[27] Shih librin “Tarijh Dimeshk” të Ibn Asakir: 45/195.
[28] Shih librin Siratu Umer bin Abdulaziz e Ibn Abdil-Hakem: 65.
[29] Shih librin Et-Tabekat të Ibn Sead: 5/268.
[30] Shih librin “Tarijh Dimeshk” të Ibn Asakir: 37/388.
[31] E transmeton Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe, dhe e saktëson shejh Albani.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve