Si e rregullon Kurani shoqërinë në përgjithësi

May 31, 2017

Si e rregullon Kurani shoqërinë në përgjithësi? Në këtë aspekt Libri i Allahut e ka ndriçuar rrugën dhe i ka zgjidhur problemet. Shiko si e porosit pushtetarin dhe drejtuesin e shtetit se si të sillet me popullin që e udhëheq:

“Dhe ji i thjeshtë me ata që të pasojnë prej besimtarëve.” [Suretu Shuara: 215]
“Me mëshirë prej Allahut ti u tregove i butë me ta, e sikur të ishe treguar i ashpër me zemër të ngurtë ata do të arratiseshin prej teje. Tregohu falës ndaj tyre, kërkoi falje Allahut për ta dhe këshillohu me ta.” [Ali Imran: 159]

Shiko si e porosit Kurani mbarë shoqërinë që të sillet mirë me prijësit e saj: “O ju që keni besuar, bindjuni Allahut dhe bindjuni të dërguarit të Tij, dhe atyre që drejtojnë çështjet tuaja.” [Nisa: 59]

Shiko si e porosit njeriun të sillet me shoqërinë e tij të veçantë, siç janë fëmijët dhe gruaja e tij: “O ju që keni besuar, ruajini vetet dhe familjet tuaja prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Mbi të vigjilojnë engjëj të ashpër dhe të vrazhdë, ata nuk e kundërshtojnë Allahun në atë që i urdhëron dhe i zbatojnë me përpikmëri urdhërat e Tij.” [Tahrim: 6]

Shiko gjithashtu se si e porosit njeriun të jetë syçelë, i vëmendshëm dhe i vendosur në shoqërinë e tij të veçantë. Madje e urdhëron që nëse shikon diçka që nuk duhet, të falë dhe të mos ndëshkojë. Pra fillimisht e urdhëron të jetë i vendosur dhe i vëmendshëm, e së dyti falës dhe tejkalues: “O ju që keni besuar, me të vërtetë ka prej grave dhe fëmijëve tuaj që janë armiqtë tuaj, prandaj bëni kujdes ndaj tyre. E nëse falni dhe nuk hakmerreni, me të vërtetë Allahu është Falës i madh, i Mëshirshëm.” [Tegabun: 14]

Shiko si i urdhëron pjesëtarët e shoqërisë në mënyrë të përgjithshme sesi të sillen me njëri-tjetrin: “Me të vërtetë Allahu urdhëron për drejtësi, bamirësi, dhe që t’u jepni të afërmve tuaj. Dhe ndalon nga veprat e turpshme, të urryerat, dhe tejkalimi i kufijve. Ai ju këshillon juve në mënyrë që të përkujtoheni (të merrni mësim).[Nahl: 90]

“O ju që keni besuar, largojuni hamendësimeve, sepse me të vërtetë disa prej hamendësimeve janë gjynah. Mos e përgjoni njëri-tjetrin dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin.” [Huxhurat: 12]

“Të mos tallet një grup njerëzish me njerëz të tjerë, ndoshta ata (të tallurit) janë më të mirë (se tallësit). E as disa gra me gratë e tjera, ndoshta ato (të tallurat) janë më të mira se ato (tallëset). E mos e etiketoni njëri-tjetrin me nofka të këqija, sa i keq është etiketimi i keq pasi keni besuar. E kush nuk pendohet të tillët janë të padrejtë.” [Huxhurat: 11]

“Dhe ndihmohuni mes vete në bamirësi dhe devotshmëri, e mos u ndihmoni në gjynahe dhe armiqësi.” [Maideh: 2]
“Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër.” [Huxhurat: 10]
“…. dhe ata konsultohen mes vete.” [Shura: 38]

Asnjë nga pjesëtarët e shoqërisë nuk shpëton nga dikush që e sulmon nga anëtarët e shoqërisë apo që e armiqëson, dhe çdonjëri prej anëtarëve ka nevojë për ta trajtuar këtë sëmundje e cila është sëmundje e përgjithshme. Allahu i Lartësuar e ka treguar ilaçin e saj në tri vende të ndryshme në Librin e Tij. Ai sqaroi në to mënyrën e trajtimit të armikut njerëzor që është evitimi i keqbërjes ndaj tij dhe përballjen e saj (të keqes) me të mirë. Ndërsa nga shejtani prej xhinëve nuk ka ilaç veç kërkimit të mbrojtjes së Allahut prej të keqes së tij.

Vendi i parë është fjala e të Lartësuarit në fund të sures Araf: “Ji i butë, urdhëro për vepra të mira dhe largohu nga injorantët.” [Araf: 199]

Ndërsa për armikun prej xhinëve thotë: “E nëse të vjen ndonjë ngacmim prej shejtanit, kërko mbrojtjen e Allahut sepse me të vërtetë Ai është Dëgjues, i Gjithëdijshëm.” [Araf: 200]

Vendi i dytë është te kapitulli “El muminun”: “Të keqen ktheje me mënyrën më të mirë, Ne e dimë mirë atë që ata thonë.” [Muminun: 96]

Ndërsa për armikun prej shejtanëve thotë: “Dhe thuaj: Zoti im, të kërkoj mbrojtje nga ngacmimet e shejtanëve dhe të kërkoj mbrojtje që ata të mos prezantojnë.” [Muminun: 97-98]

Vendi i tretë është tek kapitulli “Fussilet”, ku Allahu i Lartësuar ka shtuar se ky ilaç qiellor i jep fund kësaj sëmundjeje djallëzore. Ai shton gjithashtu se me shërimin qiellor nuk u jepet sukses të gjithë njerëzve, por vetëm atyre që kanë fatin më të madh, më fatlumëve. “Të keqen ktheje me mënyrën më të mirë. E kështu mes teje dhe atij të cilit kishte armiqësi do të të bëhet miku yt më i afërt. Por këtë nuk e arrijnë veçse ata që janë të durueshëm, dhe nuk e arrin veçse ai që është më fatlumi.” [Fussilet: 34-35]

Dhe thotë për armikun e llojit tjetër: “E nëse të vjen ndonjë cytje prej shejtanit kërko mbrotjen e Allahut. Me të vërtetë Ai është Dëgjuesi, i Gjithëdijshmi.” [Fussilet: 36]

 

Marrë nga libri: “Islami është fe e plotë”.

Autor: Muhamed el Emin esh Shenkiti, Allahu e mëshiroftë.

Shkroi: Emin Bilali

Loading...