Sinqeriteti dhe qëllimi i pastër

January 16, 2023

Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Kush ka për qëllim jetën e kësaj bote dhe të mirat e saj Ne do t’ua plotësojmë atyre shpërblimin e veprave të tyre në të, dhe atyre nuk do t’ju mungojë gjë. Të këtillëve në botën tjetër u përket vetëm xhehenemi. Ajo që punuan dhe vepruan ka dështuar dhe është asgjësuar.”

| Surja Hud: 15-16 |

Transmetohet nga Umer ibn el Hattabi Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë:

“Me të vërtetë që veprat janë sipas qëllimit, e secili merr atë që ka si synim nga vepra e tij. Ai i cili emigron (bën hixhret) për hir të Allahut dhe për hir të të dërguarit të Tij, atëherë emigrimi (hixhreti) i tij është për Allahun dhe të dërguarin e Tij. Kush emigron (bën hixhret) për dynjanë apo për t’u martuar, atëherë emigrimi (hixhreti) i tij është për atë që ka për qëllim.” Transmeton Buhariu, 1/9 (1), Muslimi 1907, Ebu Daudi 2201 dhe Tirmidhiu 1647.

Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Hurejrja Allahu qoftë i kënaqur me të se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë:

“Personi i parë i cili do të merret në llogari ditën e gjykimit do të jetë një njeri i cili ka rënë dëshmor. Pasi merret dhe njihet me mirësitë që ka patur në dynja dhe i pranon ato, atëherë i thuhet: Çfarë ke bërë me ato mirësi? Ai ka për t’u përgjigjur: Kam luftuar për Ty derisa kam rënë dëshmor. Atij do t’i thuhet: Gënjeve! Ke luftuar që njerëzit të thonë që ishe trim gjë që e kanë thënë. Pastaj urdhërohet dhe hidhet në zjarr pasi të tërhiqet zvarrë mbi fytyrën e tij.

Personi tjetër që do të merret në llogari është një njeri që e ka mësuar dijen, ua ka mësuar atë të tjerëve dhe e ka lexuar Kuranin. Pasi merret dhe njihet me mirësitë që ka patur në dynja dhe i pranon ato, atëherë i thuhet: Çfarë ke bërë me ato mirësi? Ai ka për t’u përgjigjur: E kam mësuar dijen, ua kam mësuar atë të tjerëve dhe e kam lexuar Kuranin për Ty. Atij do t’i thuhet: Gënjeve! E ke mësuar dijen që të thuhet për ty dijetar, dhe e ke lexuar Kuranin të thuhet që e ke lexuar atë e ashtu është thënë. Pastaj urdhërohet dhe hidhet në zjarr pasi të tërhiqet zvarrë mbi fytyrën e tij.

Personi tjetër që do të merret në llogari është një njeri i pasur i cili ka dhënë prej saj sadaka në të gjitha format e mundshme. Pasi merret dhe njihet me mirësitë që ka patur në dynja dhe i pranon ato, atëherë i thuhet: Çfarë ke bërë me ato mirësi? Ai ka për t’u përgjigjur: Kam dhënë sadaka në të gjitha format e mundshme për Ty. Atij do t’i thuhet: Gënjeve! E ke bërë që të thuhet se je bujar e është thënë. Pastaj urdhërohet dhe hidhet në zjarr pasi të tërhiqet zvarrë mbi fytyrën e tij.” Transmeton Muslimi 1905 dhe Tirmidhiu 2382.

Shpjegimi:

Qëllimi është baza e veprave. Pranimi apo refuzimi i veprës së njeriut sillet rreth qëllimit të vepruesit të saj. Ai i cili vepron diçka me sinqeritet për hir të Allahut duke synuar me atë vepër shpërblimin e botës tjetër, duke i shtuar kësaj dhe pasimin e sunetit, atëherë kjo vepër do t’i pranohet. E nëse ka për qëllim diçka tjetër përveç Allahut dhe nuk ka sinqeritet në kryerjen e asaj vepre, siç është për shembull shirku, atëherë vepra e tij është e refuzuar dhe për atë person do të ketë përfundim të keq.

Dobitë:

  • Prej kushteve të pranimit të veprës është sinqeriteti, gjë e cila konsiston në kërkimin e fytyrës dhe shpërblimit të Allahut të Madhëruar nga ajo vepër.
  • Rëndësia e sinqeritetit, sepse vepra e cila kryhet pa sinqeritet ka si rezultat përfundim të keq për atë person.
  • Pamja e bukur dhe e plotë e një vepre të caktuar nuk mjafton që ajo të jetë e pranuar tek Allahu.
  • Obligueshmëria e rregullimit dhe përmirësimit të qëllimit në të gjitha veprat dhe kujdesi që duhet patur në këtë pikë.

 

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Dosje: , ,

Loading...