Studenti dhe shejh Albani

November 27, 2017

Një student thotë: Ju selefijtë jeni fanatik mbas shejh Albanit, a e pranon logjika që ai të mos ketë gabuar ndonjëherë në saktësimin apo dobësimin e ndonjë hadithi?!

Përgjigje: Jo. Shejh Albani ishte njeri, dhe ai vdiq duke korrigjuar librat që kishte shkruar vet. Shejh Albani për hir të dashurisë që kishte për të vërtetën dhe prej drejtësisë së tij – kështu e mendojmë por Allahu është gjykuesi i tij – e gjeti veten gabim në shumë çështje. Ai ndërroi mendim në disa çështje të jurisprudencës islame (fikhut), ndërroi mendim në lidhje me disa hadithe që i kishte saktësuar dhe disa që i kishte dobësuar. Në fund të fundit si të gjithë dijetarët e umetit, nuk ishte ky rasti vetëm i shejh Albanit – Allahu e mëshiroftë. Njësoj si Imam Ahmedi, si Ibn Tejmijeh, kështu kanë qenë të gjithë dijetarët muslimanë. Ne e duam shejh Albanin – Allahu e mëshiroftë – por e vërteta – pasha Allahun – është më e dashur për ne edhe se vetvetet tona. E vërteta është më e dashur për ne se vetet tona!

Dhe shejkhu ynë kur ishte gjallë e dinte se ndonjë prej studentëve të tij kishte mendim të ndryshëm me të në disa çështje të fikhut, apo rreth ndonjë hadithi sa i takon saktësimit apo dobësimit të tij, dhe shejhu e miratonte këtë gjë.
Në fakt këtë fjalë ma kanë thënë edhe disa vëllezër prej “Ihuanul muslimin”, djem të rinj që faleshin te xhamia jonë në “Kuejsmeh”. Më erdhën për vizitë për të sqaruar diçka të paqartë për ta, dhe ndërmjet të tjerash më thanë: ‘Ti je fanatik pas shejkh Albanit’! Atëherë iu thashë: Unë dua të kuptoj diçka.
– Para kësaj më lejoni t’ju them se shpesh shejhu ynë përdorte një shprehje që të bën dobi në dynja para Ahiretit: ‘Nëse dikush nuk vjen dot pas teje (nuk të ndjek dot) ti shko pas tij (ulu ti me të dhe thjeshtësoje bisedën ashtu që ta kuptojë edhe ai)’.
Mua më erdhi ndër mend kjo shprehje e tij dhe u thashë çunave: Në rregull, e pranoj, unë jam fanatik mbas shejh Albanit. Por a mund të më thoni shkakun përse mendoni që unë jam fanatik mbas shejh Albanit? – Thanë: Sepse ti gjithmonë për hadithet thua: ‘E saktësoi shejh Albani, e dobësoi shejh Albani’.
Por kjo nuk është madhërim për shejh Albanin, kjo është madhërim për Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Albani (Shqiptari) ishte një prej dijetarëve të umetit që më tha mua ‘hadithi është i saktë’, por unë në fund madhëroj Profetin tim, Muhamedin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. A ka hadithe të rrejshme? Po, ka. Prandaj unë kërkova ndihmën e një dijetari edukator që ishte më i dijshmi rreth kësaj shkence (shkencës së hadithit) në faqen e tokës, në kohën tonë. U ndihmova me të për të njohur hadithet e sakta të Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem. Por unë e kuptova hallin e tyre dhe këto fjalë ata nuk i kuptonin, prandaj u thashë: O djem, po ju bëj dëshmitarë se që në mësimin tim të ardhshëm unë nuk do të them më për hadithet: ‘Saktësoi Shqiptari, dobësoi Shqiptari’, dhe do të pres të më sillni hadithet që ka saktësuar Hasen el Benna dhe Sejjid Kutub-i, dhe kështu do të them: ‘Saktësoi Hasen el Benna dhe Sejjid Kutubi, apo e kosnideroi të dobët Hasen el Benna dhe Sejjid Kutub.’ Mi sillni hadithet!
O njerëz, ka dallim të madh mes Albanit dhe Hasen el Benna-s dhe Sejjid Kutub-it! Ai është dijetar kurse këta janë larg dijes! Pra nëse keni hadithe që i ka saktësuar Hasen el Benna mi sillni, dhe unë do të them: ‘Saktësoi Hasen el Benna’.
Prandaj o vëllezër kuptojeni mirë, se unë nuk madhëroj shejh Albanin por madhëroj Profetin – sal lall llahu alejhi ue sel lem. Nga ana tjetër kjo është edhe frikë se mos jam pjesë e kërcënimit që është fjala e tij e përcjellë me rrugë të shumta transmetimi (muteuatir) : “Kush gënjen për mua qëllimisht le ta bëjë gati karrigen e tij në Zjarr!” Nga kjo kam frikë unë prandaj dhe pasoj dijetarët e hadithit.

O vëllezër, pasha Allahun, a nuk keni dëgjuar prej meje të them: ‘E saktësoi Ibn Haxheri’ apo ‘e saktësoi Irakij, e dobësoi Irakij’? Ju i dëgjoni prej meje këto fjalë apo jo? Përse pra vetëm për Albanin u ka hyrë në zemër urrejtja? Sepse në zemrat tuaja ka devijim.
Kanë thënë: Dashuria për sunetin dhe dashuria për bidatin është si çmimi dhe malli. A keni parë ndonjë tregtar që të mbajë edhe çmimin edhe mallin të dyja në dorën e tij? A keni parë ndonjë blerës që të japë paratë dhe të mos marrë mallin? Ja pra, suneti dhe bidati janë si çmimi dhe malli. Dashuria për njerëzit e sunetit dhe dashuria për njerëzit e bidatit nuk bashkohen në zemrën e njeriut. Kur zemrat tuaja u mbushën me dashuri për të devijuarit, nuk arritët që t’i doni dijetarët edukatorë. Kjo është gjendja juaj, dhe tek Allahu ankohemi.”

 

Shejh Mesh’hur Hasen, Allahu e ruajtë.

Loading...