Suneti është shpallje nga Allahu i Lartësuar

Hassan bin Atijjeh [1] (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Xhibrili (alejhi selam) vinte tek i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) me Sunet (i shpallte Sunetin) ashtu siç vinte me Kuran. Dhe ai i’a mësonte atë (Sunetin) ashtu siç i mësonte Kuranin.”[2]

Dobitë që përfitohen:

E para: S’ka dyshim se Kurani dhe Suneti janë shpallje nga Allahu i Lartësuar. I Madhëruari thotë: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore që i vjen atij.”[3]

E dyta: Kurani dhe Suneti janë dy burimet bazë të legjislacionit Islam. Prej tyre përftohen argumentet legjislative Islame dhe gjykimet e jurisprudencës (fikhut). Tek to kthehen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me legjislacionin Islam (Sheriatin).

E treta: Obligueshmëria e të punuarit me Sunet. Sufjan eth-Theuri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nuk më ka arritur ndonjë hadith nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) veçse kam punuar me të qoftë dhe një herë të vetme.”[4]

E katërta: Të punuarit me sunetin e saktë profetik është tregues i dashurisë për Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

E pesta: Shpërblim i madh është për atë i cili i ringjall dhe punon me sunetin profetik në një kohë ku shumë prej muslimanëve janë neglizhent ndaj tyre. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush ringjall në Islam një sunet të mirë ka shpërblimin e atij dhe të gjithë atyre të cilët punojnë me të pas tij, pa u pakësuar prej shpërblimeve të tyre asgjë.[5]

E gjashta: Kush nuk pi nga burimi i Sunetit ka për të vdekur i etur në detin e bidateve.

E shtata: Lënia e Sunetit është humbje.[6] Shejh Salih el-Feuzanit (Allahu e ruajtë!) i’u parashtrua kjo pyetje: Ekziston një xhemat të cilët e emërtojnë veten e tyre “El Kuranijun”. Këta pretendojnë se nuk marrin për bazë asgjë tjetër përveç Kuranit. A është e drejtë të gjykohet se ata janë jobesimtarë?

Shejhu (Allahu e ruajttë!) u përgjigj: Nuk ka dyshim për kufrin e tyre. Ata janë gënjeshtarë në atë që thonë se “Nuk marrim për bazë asgjë tjetër përveç Kuranit”. Kurani na ka urdhëruar që t’a pasojmë të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e prej pasimit është dhe të punuarit me Sunetin e tij [7] ngase Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit në mënyrë që të mëshiroheni.”[8] Po ashtu thotë:  “E nëse i bindeni atij do të jeni të udhëzuar.”[9]

Gjithashtu ka thënë: “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit.”[10] I Madhëruari thotë:  “Atë që ua jep i Dërguari merreni, e nga ajo që u ndalon largohuni prej saj.”[11] Kurani përmban dispozita të përgjithshme që i shpjegon vetëm i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në Sunetin e tij. Allahu i Lartmadhëruar ka përmendur në Kuran namazin dhe faljen e tij, por a na ka sqaruar numrin e rekateve të namazit të drekës, ikindisë, akshamit, jacisë dhe të sabahut? A na i ka sqaruar Kurani këtë gjë? Kjo është sqaruar në Sunetin e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) me fjalën e tij: “Faluni ashtu siç më shihni mua duke u falur.”[12]

Po ashtu në Kuran përmendet zekati dhe urdhëri për dhënien e tij, por a e ka sqaruar Kurani nisabin[13] e zekatit dhe sasinë që merret prej pasurive nga ku nxirret zekati? Të gjitha këto i ka sqaruar i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Pra, Suneti është sqaruesi (treguesi) i Kuranit, prandaj (nisur nga kjo) ai që nuk punon me Sunet nuk ka punuar as me Kuran.

Ka disa gjëra që nuk përmenden në Kuran por me to ka ardhur Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe ka urdhëruar në to, si p.sh.; ndalimi i martesës së një burri me gruan dhe njëkohësisht (nën një kurorë) edhe me tezen e saj, martesa e një burri me gruan dhe njëkohësisht (nën një kurorë) edhe me hallën e saj. Kjo nuk përmendet në Kuran. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) sqarimin rreth bashkimit të një burri me një grua dhe po ashtu edhe me hallën apo tezen e saj [14] e ka bërë përmes Sunetit të tij. Prandaj, për ne është detyrë të punuarit me Sunet siç është (detyrë) të punuarit me Kuran. Allahu i Lartësuar thotë: “Atë që ua jep i Dërguari merreni, e nga ajo që ai u ndalon largohuni prej saj!”[15]

Për “El-Kuranijunët” ka treguar Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i cili nuk flet nga vetja, kur thotë: “Nuk është e largët koha kur një person i ngopur mirë dhe i ulur në kolltukun e tij të thotë: Mes nesh dhe jush është libri i Allahut, çfarë gjejmë në të hallall e konsiderojmë hallall, dhe çfarë gjejmë në të haram e konsiderojmë haram.” Më pas tha: “Mua më është dhënë Kurani e më është dhënë edhe njëherë sa ai.”[16] Pra, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) na ka treguar në lidhje me ta (El Kuranijunët) dhe na ka paralajmëruar për rrezikshmërinë e tyre. [17]

Shkëputur nga libri: Perla dhe margaritarë nga dijetarët tanë.

Përgatiti: Unejs Sheme

———————————————–

[1] Ai është Hasan bin Atijeh Ebu Bekër el-Muharibijju (vdiq në vitin 130 h.) prej dijetarëve të njohur të Islamit. Ibën Hibani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ka qenë njeriu më i nderuar i kohës së tij.” Shih “Meshahiru Ulemai el-Emsar”. Ka qenë prej banorëve të Shamit dhe është shejhu i imam El-Euzait. Hasan bin Atijjeh ka transmetuar nga Ebu Umameh el-Bahelij, Seid bin el-Musejib, Nafiu dhe të tjerë. Imam Ahmedi dhe Jahja bin Mein kanë thënë për të se është thikah. Imam Dhehebiu ka thënë: “Jahja bin Meini (Allahu e mëshiroftë!) thotë se ka qenë kaderij.”

Them (Dhehebiu): “Ndoshta ai është kthyer nga kjo gjë dhe është penduar.” Shih “Sijeru ealami en-nubela”. Imam El-Euzai (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kur falte namazin e ikindisë qëndronte dhe përmendte Allahun në xhami derisa perëndonte dielli.”

[2] Shënon Ebu Daudi në “El-Merasil” (536), Ed-Daramiu në “Es-Sunneh” (588), Ibën Battah në “El-Ibaneh el-Kubra” (228) etj. E ka saktësuar Hafidh Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) në “El-Fet’h” (13/291).

[3] Kaptina En Nexhm, 3-4.

[4] “Es-Sijjeru”, vëllimi 2.

[5] Shënon Muslimi (1017).

[6] Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) në “Et-Taliku ala Sahihi Muslim”, vëllimi 3.

[7] Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “U kam lënë dy gjëra, për sa kohë të kapeni pas tyre nuk do të humbisni: Librin e Allahut dhe sunetin e të Dërguarit të Tij.” Shih “Mishkatul Mesabih” (1/66/187). Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Të kapurit pas Litarit të Allahut bëhet duke punuar me sunetin, i cili është sqarues i Kuranit.

[8] Ali Imran, 132.

[9] En Nur, 54.

[10] En Nisa, 59.

[11] El Hashr, 7.

[12] Shënon Buhariu (631) nga hadithi i Malik bin el Huejrith (radijAllahu anhu).

[13] Kuotën e përcaktuar.

[14] I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk lejohet bashkimi (në martesë) i një gruaje dhe hallës së saj, apo i një gruaje dhe tezes së saj.” Shënon Buhariu me nr. (5109) dhe Muslimi me nr. (1408).

[15] El Hashr, 7.

[16] Shënon Imam Ahmedi (17174 dhe 17194),  Ebu Daudi (4604), Tirmidhiu (2664) dhe Ibën Maxhe (12).

[17] Shkëputur nga “Mësime nga shpjegimi i librit “Zhvlerësuesit e Islamit”.