Syfaqësia

February 27, 2023

Transmetohet nga Ebu Seid ibn Fudaleh se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, duke thënë:

“Në ditën e gjykimit kur Allahu do të mbledhë të gjitha krijesat, prej të parave e deri te ato të fundit, ditë që nuk ka dyshim se do të vijë, atë ditë dikush do të thërrasë: Kush i ka shoqëruar shok në adhurim Allahut në ndonjë prej veprave të tij, atëherë le të shkojë e ta kërkojë shpërblimin prej dikujt tjetër përveç Allahut. Me të vërtetë që Allahu është më i panevojshëm se çdokush tjetër që t’i shoqërohet shok në adhurimin e Tij.” Transmeton Tirmidhiu me nr. 3154, dhe e ka saktësuar shejh Albani në librin “Sahihul Xhemi” me nr. 482.

Gjithashtu transmetohet nga Ebu Seid el Hudriu, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, doli një ditë ndërkohë që po flisnim rreth Dexhalit, e na tha:

“A t’ju tregoj diçka e cila është më e frikshme për ju sesa Dexhali (shfaqja e tij)?

Iu përgjigjëm: Sigurisht o i Dërguari i Allahut.

Ai na e ktheu: Shirku i fshehtë. Ngrihet dikush e falet, e zbukuron namazin e tij sepse është duke e shikuar një person tjetër.” Transmeton Ibn Maxheh me nr. 4204, dhe e ka cilësuar si hadith të mirë shejh Albani në librin “Sahihul Xhemi” me nr. 2607.

Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë:

“Njeriu i parë i cili do të gjykohet në ditën e gjykimit është një prej dëshmorëve (shehidëve). Ai do të thirret para Allahut dhe do t’i tregojë mirësitë të cilat ia ka dhënë në dynja, e dëshmori do t’i pranojë ato.

Pastaj do t’i thuhet: Çfarë ke vepruar me këto mirësi?

Ai do të përgjigjet: Kam luftuar për hirin Tënd derisa kam rënë dëshmor.

Atij do t’i thuhet: Gënjen! Me të vërtetë që ke luftuar të thuhet se je trim e ashtu është thënë.

Pastaj merret e tërhiqet zvarrë me fytyrën e tij e hidhet në zjarr.

Pastaj do të gjykohet një përson i cili e ka mësuar dijen, e ka shpërndarë atë dhe ka lexuar Kuran. Ai do të thirret para Allahut dhe do t’i tregojë mirësitë të cilat ia ka dhënë në dynja, e ky person do t’i pranojë ato.

Pastaj do t’i thuhet: Çfarë ke vepruar me këto mirësi?

Ai do të përgjigjet: E kam mësuar dijen dhe e kam shpërndarë atë, dhe gjithashtu e kam lexuar Kuranin. Të gjitha këto vepra i kam bërë për hirin Tënd.

Atij do t’i thuhet: Gënjen! Me të vërtetë që e ke mësuar dijen të thuhet se je i dijshëm, e ke lexuar Kuranin të të cilësojnë njerëzit më këtë gjë dhe me të vërtetë ashtu ka ndodhur.

Pastaj merret e tërhiqet zvarrë me fytyrën e tij e hidhet në zjarr.

Pastaj do të gjykohet një i pasur të cilit i ka dhënë Allahu prej të gjitha llojeve të pasurisë. Ai do të thirret para Allahut dhe do t’i tregojë mirësitë të cilat ia ka dhënë në dynja, e ky person do t’i pranojë ato.

Pastaj do t’i thuhet: Çfarë ke vepruar me këto mirësi?

Ai do të përgjigjet: E kam shpenzuar pasurinë time në të gjitha rrugët dhe mënyrat që të kënaqin Ty, e këtë e kam bërë për hirin Tënd. 

Atij do t’i thuhet: Gënjen! Ke vepruar ashtu që të thuhet se je bujar e me të vërtetë që ashtu është thënë.

Pastaj merret e tërhiqet zvarrë me fytyrën e tij e hidhet në zjarr.“

Transmeton Muslimi me nr. 1905, dhe Tirmidhiu më gjerësisht me nr. 2382.

Shpjegimi:

Syfaqësi konsiderohet të bëhen veprat apo të zbukurohen për hir të krijesave. I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e ka konsideruar këtë si shirk dhe ka paralajmëruar umetin e tij nga kjo vepër, si rrjedhojë e të qenurit të saj e fshehtë për shumë njerëz të cilët kanë rënë në të. Shkak tjetër gjithashtu është se kjo vepër e prish veprën e mirë dhe e zhvlerëson atë.

Dobitë:

  • Frika e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, për sahabët (shokët e tij) nga syfaqësia u tërheq shumë vërejtjen atyre të cilëve nuk kanë arritur gradën e tyre.
  • Muslimani i devotshëm mund të bier në syfaqësi pa e vënë re.
  • Vepra e mirë e atij të cilit kryen syfaqësi është e refuzuar dhe nuk pranohet tek Allahu.
  • Kërcënimi i madh për atë të cilin kryen syfaqësi.

 

Shkëputur nga libri: “Mësimet e përditshme”.

Shkroi: Rashid El-AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Loading...