Shpjegimi i Kuranit me anë të Kuranit

January 18, 2023

Në të vërtetë, shpjegimi i Kuranit me anë të Kuranit është forma më e lartë e tefsirit, pasi një pjesë e Kuranit shpjegon një pjesë tjetër.

Shembulli i parë: Allahu i Lartësuar thotë: “Për qiellin dhe për vizitorin e natës! E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është vizitori i natës? Ai është ylli që shpon terrin.” | Et Tarik: 1-3 |

Ajeti vijues “Ai është ylli që shpon terrin” shpjegon fjalën “vizitori i natës”.

Shembulli i dytë: Allahu i Lartësuar thotë: “Të pyesin ty për verën[1] dhe kumarin. Thuaju: Ato sjellin dëme të mëdha (gjynahe) por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, dëmi i tyre është më i madh se dobia.” | El Bekare: 219 |

Në një ajet tjetër përmendet ndalimi i përgjithshëm i ithmit (dëmit dhe mëkatit), që është i njëjti ndalim si për atë që gjendet në ajetin e mësipërm që ndalon pijet dehëse. Kjo përmendet në fjalën e Allahut: “Thuaj (o Muhamed): Me të vërtetë Zoti im i ka ndaluar marrëdhëniet e paligjshme seksuale, haptazi apo fshehtazi, mëkatet e çdo lloji dhe shtypjen e padrejtë.” | El-Araf: 33 |

Prandaj, fjala ithm (dëm dhe mëkat) përfshin të gjitha veprimet mëkatare që janë shkaku ose që çojnë në një mëkat tjetër. Është thënë gjithashtu se fjala ithm i referohet posaçërisht pijeve dehëse. Në këtë kuptim është thënia e një poeti:

E pi ithmin (verën) derisa më humbën shqisat dhe intelektin.

Kështu vepron ithmi (dehja) sepse mbulon mendjen dhe intelektin.

Ky përdorim i fjalës ithm për të nënkuptuar vetëm pijet dehëse nuk qëndron. Përkundrazi, mund të nënkuptojë njërën nga veprat e këqija që i përshtatet përdorimit të saj.

Në librin “Es Sihah” thuhet: Pijet dehëse mund të quhen ithm (dëm, mëkat). Shih “Fet’hul Kadir” të Sheukanit 2/200.

Shembulli i tretë: Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim, evlijatë (miqtë) e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar.” | Junus: 62 |

Fjala evlija është shpjeguar në ajetin më poshtë ku Allahu i Madhëruar thotë: “(Të tillë janë) Ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut).” | Junus: 63 |

Unë them: Ky shpjegim hedh poshtë fjalët e atyre që thonë se evlijatë janë ata që dinë të panjohurat, që kanë keramete (mrekulli), kanë një kupolë të ndërtuar mbi varret e tyre, apo ndonjë bestytni tjetër të devijuar dhe të rreme. Përkundrazi, të gjithë ata që besojnë në Allahun, respektojnë urdhrat e Tij dhe përmbahen nga veprat e ndaluara, konsiderohen prej evlijave të Allahut. Ndërsa keramatet (mrekullitë) nuk janë kusht i përcaktuar për të qenë prej evlijave – pasi ato edhe mund të shfaqen por edhe mund të mbeten të fshehura.

Disa raste të çuditshme mund të ndodhin në duart e disa sufive apo disa bidatçive, por ato bëjnë pjesë në magjinë për të cilën Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre.” | Ta Ha: 66 |

Ngjarje të tilla kanë ndodhur në duart e shumë magjistarëve në Indi dhe kudo tjetër.

Shembulli i katërt: Abdullah Ibën Mesudi radiAllahu anhu tregon[2] kur zbriti ajeti: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari).” | El Enam: 82 | Ky ajet i rëndoi muslimanët sepse thanë: Cili prej nesh nuk i bën padrejtësi vetes së tij? Atëherë i dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem tha: Nuk është për qëllim ajo që kuptuat por shirku (idhujtaria). A nuk e keni dëgjuar fjalën e Lukmanit drejtuar djalit të tij: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” | Lukman: 13 |

El Hafidh Ibën Haxher në librin “El Fet’h” ka thënë: Molepsin do të thotë nuk e përziejnë.

Prej dobive që përfitohen nga ajeti dhe hadithi: Gradët e padrejtësisë janë të ndryshme ndërsa mëkatet nuk quhen shirk. Prandaj ai që nuk i bën ortakëri Allahut, atij i përket siguria dhe ai është i udhëzuar. Kështu është shprehur el Hafidh në “El Fet’h”.

Shembulli i pestë: Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet që njeriu është krijuar i paqëndrueshëm.” | El Mearixh: 19 | Shpjegimi i këtyre fjalëve vjen në ajetin e mëposhtëm ku Allahu i Lartësuar thotë: “Kur atë e godet e keqja ai ligështohet fort, por kur i bie e mira ai bëhet koprrac.” | El Mearixh: 20-21 |

Shembulli i gjashtë: Allahu i Lartësuar thotë: “Ademi mësoi disa fjalë (si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin.” | El Bekare: 37 | Shpjegimi i këtyre fjalëve që mësoi Ademi përmenden në një ajet tjetër ku Allahu thotë: “Ata thanë: O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah. Nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” | El Araf: 23 |

Shembulli i shtatë: Allahu i Lartësuar thotë: “Ju (o njerëz) do të ndaheni në tri grupe.” | El Uakia: 7 |

Shpjegimi i tre grupeve vjen i sqaruar në ajetin e mëposhtëm ku thotë: “Njerëzit e së djathtës, sa të nderuar do të jenë fatlumët! Njerëzit e së majtës, sa të poshtëruar do të jenë fatkeqët! Dhe ata që kanë prirë (në besim) e që do të prijnë (edhe në Xhenet).” | El Uakia: 8-10 |

Marrë nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin”.

Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Fatjon Isufi

——————————————

[1] Vera nënkupton të gjitha pijet dhe lëndët dehëse.

[2] Mutefekun alejhi.

Dosje: ,

Loading...