Tri këshilla nga të devotshmit

Tri këshilla nga të devotshmit

Malik bin Dinari [1] (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Njerëzit e devotshëm porositnin me tri gjëra; me burgosjen e gjuhës, me shtimin e istigfarit (kërkimin e faljes tek Allahu) dhe veçimin nga njerëzit.”[2]

Dobitë që përfitohen:

E para: Feja është këshillë dhe këshilla është prej fesë, siç ka thënë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Feja është këshillë.”[3]

E dyta: Këshilla është prej cilësive të fitimtarëve. Allahu i Lartësuar në librin e Tij thotë: “Pasha kohën! Me të vërtetë njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, këshillojnë njëri-tjetrin të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.[4] Hafidh Ibën Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Allahu i Lartësuar betohet se çdo njeri është i humbur përveç atij që cilësohet me këto katër cilësi:

  1. Besimi.
  2. Vepra e mirë.
  3. Këshillimi për të vërtetën.
  4. Këshillimi për të qenë i durueshëm në të vërtetën.[5]

 

E treta: Rreziku i gjuhës. Me anë të gjuhës njeriu shqipton (shpreh) dy dëshmitë dhe me këtë hyn në Islam. Me anë të gjuhës njeriu shqipton ndonjë fjalë kufri dhe del me këtë nga Islami. Allahu i Lartësuar thotë: “Por, në të vërtetë ata thanë fjalën e mosbesimit, mohuan pas (pranimit të) Islamit.”[6] Për shkak të gjuhës njeriu hyn në Xhenet. Një burrë tha: O i Dërguar i Allahut! Filan grua përmendet për agjërimin e pakët të saj, të sadakasë dhe namazit (vullnetar) të saj, por ajo nuk i lëndon fqinjët me gjuhën e saj. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Ajo është në xhenet.”[7] Për shkak të gjuhës njeriu hyn në zjarr. Një burrë tha: O i Dërguar i Allahut! Filan grua përmendet për namazin e shumtë (fal shumë nafile), të sadakasë dhe agjërimit të saj (vullnetar), porse ajo i lëndon (mundon) fqinjët me gjuhën e saj. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Ajo është në zjarr.”[8] Sa ka prej muslimanëve që falen madje dhe në safin/rreshtin e parë, porse i lëndon njerëzit me gjuhën e tij qoftë dhe brenda në xhami?! Frikësoju Allahut o rob i Allahut në lidhje me gjuhën tënde, ngase çështja e saj është shumë e rrezikshme. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Shumica e gabimeve të birit të Ademit janë nga gjuha e tij.”[9]

E katërta: Kush e frenon/burgos gjuhën shpëton, e kush e lëshon atë shkatërrohet. Seid bin Xhubejr (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: E kam parë Ibën Abasin t’a kapte gjuhën e tij dhe të thoshte: “Fol mirë që të fitosh, ose përndryshe hesht e të shpëtosh para se të bëhesh pishman.[10]

E pesta: Vlera e shtimit të istigfarit. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Lum për atë që gjen në regjistrin e punëve të tij shumë istigfar (kërkim falje tek Allahu).[11]

E gjashta: Istigfari është prej shkaqeve të zgjerimit të gjoksit dhe shijimit të ëmbëlsisë së besimit. Dijetari i Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kush sheh se nuk po i zgjerohet gjoksi, nuk po e arrin ëmbëlsinë e besimit dhe dritën e udhëzimit, le të shtojë pendimin e istigfarin (kërkimin e faljes tek Allahu).”[12]

Veçimi nga njerëzit në kohë trazirash për të ruajtur fenë e cila është gjëja më e shtrenjtë. Porse muslimanët ndryshojnë nga njëri-tjetri, së pari nga besimi i tyre pastaj nga koha dhe nga vendi i tyre. Kush është me besim të fortë dhe nuk ka frikë për veten e tij se mund të devijojë, në akiden apo sjelljen e tij, më e mira për të është që të përzihet me muslimanët dhe të mos ndahet prej tyre.  Për këtë kemi tekst të qartë në fjalën e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) që e transmeton Tirmidhiu e të tjerë prej autorëve të “Suneneve” nga Abdullah bin Umer bin el-Hatabi (radijAllahu anhu) i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Besimtari i cili përzihet me njerëzit dhe i duron dëmet e tyre, është më i mirë se ai që nuk përziehet me ta dhe nuk duron dëmet e tyre.”[13]

 

Shkëputur nga libri: “Perla dhe margaritarë nga dijetarët tanë”.

Përgatiti: Unejs Sheme

————————————————

[1] Ai është Ebu Jahja Malik bin Dinar. Ai u lind në kohën e Abdullah bin Abasit (radijAllahu anhu) dhe është prej tabiinëve dhe jo prej sahabëve siç mendojnë disa.

[2] “El-Hiljeh” (2/277).

[3] Shënon Muslimi (55).

[4] El-Asr: 1-3.

[5] “Lataiful-Mearif”, vëll. 1.

[6] Et-Teube: 74.

[7] Hadith autentik. “Sahihu et-Tergib uet-Terhib” (2560).

[8] Hadith autentik. “Sahihu et-Tergib uet-Terhib” (2560).

[9] Hadith i mirë (hasen). “Sahihul-Xhami” (1201).

[10] “Ez-Zuhd” (236).

[11] “Sahihul-Xhami” (3930).

[12] “El-Fetaua” (5/62).

[13] “Es-Sahihah” (939). Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “El-Huda uen-Nur” (760).