Tri këshilla për jetën e përditshme

October 23, 2021

TRI KËSHILLA PËR JETËN E PËRDITSHME

1- T’i jemi mirënjohës Allahut të Madhëruar për të gjitha mirësitë që na ka falur, qofshin ato të dukshme apo të padukshme. Mirësitë e Allahut ndaj nesh janë të panumërta: ‘’A nuk e dini ju se Allahu nënshtroi për të mirën tuaj çka në qiej e çka në tokë dhe plotësoi ndaj jush të mirat e Tij të dukshme e të fshehta, e megjithatë prej njerëzve ka që polemizojnë në çështjen e Allahut duke mos pasur as dituri, duke mos qenë i udhëzuar dhe duke mos pasur libër të ndritshëm.’’ (Lukman: 20)

‘’Dhe Ai i’u dha nga të gjitha ato që i kërkuat (që kërkoi nevoja juaj). Edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut ndaj jush nuk do të arrini t’a bëni.’’ (Ibrahim: 34)

‘’Dhe çdo të mirë që e keni ajo është prej Allahut, madje edhe kur u godet e keqja ju vetëm te Ai e ngritni zërin (me lutje).’’ (Nahl: 53)

Mirënjohja dhe falënderimi për mirësitë është një prej shkaqeve të ruajtjes së mirësive dhe shtimit të tyre: ‘’Dhe (pëkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi: Nëse falënderoni Unë do t’ua shtoj  të mirat!” (Ibrahim: 7)

Mirënjohja për mirësitë shprehet nëpërmjet falënderimit me gjuhë por edhe nëpërmjet shfrytëzimit të mirësive në punë të mira, si p.sh.; shfrytëzimi i pasurisë për nevojat vetjake dhe familjare, dhënia e zekatit, dhënia e lëmoshës, dhënia e borxhit etj. Shfrytëzimi i shëndetit dhe i gjymtyrëve të trupit për punë të dobishme si; falja e namazit, agjërimi, kryerja e haxhit, ndihma fizike ndaj të tjerëve etj. Të gjitha këto janë forma të mirënjohjes ndaj mirësive, sepse në këto raste njeriu po i përdor mirësitë që i ka falur Zoti për qëllime të mira dhe nuk po i përdor për qëllime të dëmshme.

2- Përmirësimi i vetes. Besimtari duhet të jetë gjithmonë në përmirësim të vetes së tij, si nga ana e moralit po ashtu dhe nga ana e punëve të mira. Që të arrihet kjo ai duhet t’a ketë veten e tij në vëzhgim dhe mbikqyrje të vazhdueshme. Duhet të jetë i organizuar dhe i sistemuar në çështjet e tij e jo i shkujdesur dhe i pavëmendshëm. Prej urtësisë së orareve të namazit është organizimi i jetës dhe disiplinimi i besimtarit që të jetë i sistemuar dhe i organizuar në çështjet e tij. Prej urtësisë së agjërimit është që besimtari të jetë i vetpërmbajtur dhe i ndershëm. Prej urtësisë së zekatit dhe lëmoshës është që besimtari të jetë bujar dhe human. Kështu që besimtari duhet të organizohet për përmirësimin e sjelljes duke e frenuar veten nga mëkatet si; përgojimi, theshethemet, shpifjet, paragjykimet, arroganca, fyerja, ofendimi, përbuzja, dhe tallja. Gjithashtu duke disiplinuar veten me vetpërmbajtje, ndershmëri dhe devotshmëri, dhe të organizohet për përmirësimin e punëve të mira duke qenë i përpiktë me detyrat fetare dhe shoqërore. Më pas të ketë një program për përmirësim të mëtejshëm si; leximi i një libri, leximi dhe mësimi i pjesëve të Kuranit përmendësh, pjesëmarrja në mësime, pjesëmarrja në veprimtari bamirësie, pjesëmarrja në namazet e xhenazeve, vizita e të sëmurëve etj.

3- Shtimi i istigfarit. Istigfari (kërkimi i faljes) është virtyt që Allahu e pëlqen. Sado të kujdesshëm dhe të vëmendshëm që mund të jemi, ne jemi njerëz dhe kemi gabime dhe të meta prandaj istigfari duhet të jetë pjesë e përditshmërisë sonë. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka treguar se ka arritur t’i numëronte Profetit (Paqja qoftë mbi të) deri në njëqind istigfare në një tubim. Në fund të sures Nasr e cila u shpall për të njoftuar Profetin (Paqja qoftë mbi të) për përfundimin e misionit të tij dhe afrimin e kohës së vdekjes, ai u urdhërua që të madhëronte Allahun dhe të bënte istigfar. Profeti (Paqja qoftë mbi të) pas çdo namazi e kishte traditë që të bënte tri herë istigfar.

Istgfari ka mirësi të shumta, si; pohimi i të metave dhe dobësisë para Zotit, shtimi i rrizkut dhe mirëqenies: ‘’O populli im, kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe pendohuni tek Ai. Ai u lëshon shi me bollëk dhe fuqisë suaj i shton fuqi, e mos refuzoni e të bëheni mëkatarë!” (Hud: 52)

Është garanci prej ndëshkimit të Zotit: ‘’Por All-llahu nuk do t’i dënojë ata derisa ti (Muhamed) je në mesin e tyre. Dhe Allahu nuk do t’i dënojë derisa ata kërkojnë falje (istigfar).’’ (Enfal: 33)

 

Përgatiti: Rexhep Milaqi

Dosje: , ,

Loading...