Udhëtimi drejt vendeve të Shamit dhe takimi me murgun Behijra

January 8, 2018

Tema e dytë: I dërguari ynë udhëton drejt vendeve të Shamit me mision tregtie.

Ebu Musa el Eshari thotë: Ebu Talibi u nis për në Sham dhe me vete kishte Profetin (alejhi selam) dhe disa persona prej parisë Kurejshite. Kur mbërritën tek murgu Behijra ata u ndalën bashkë me karvanin e tyre. Aty u doli para murgu, ndërkohë që më parë ata kalonin aty por ai nuk i priste, madje as që ua hidhte sytë. Kur u ndalën me karvanin murgu filloi të çante turmën derisa e gjeti dhe e kapi për dore Profetin (alejhi selam) duke thënë: Ky është zotëria i botëve, ky është i dërguari i Zotit të botëve, këtë Allahu do ta dërgojë mëshirë për botët! Kurejshët i thanë: Ku e di ti? Ai tha: Që kur u shfaqët nga Akabeja nuk mbeti pemë e as gur vetem se ra në sexhde dhe u përul, dhe ata nuk përulen vetëm se për një Pejgamber. Unë e njoh atë përmes vulës së profetësisë e cila gjendet mes shpatullave të tij. – Pastaj u kthye dhe u dha ushqim.

Kur erdhën, ndërkohë që ai po kujdesej për devetë, ai e kërkoi (Profetin) dhe ata e sollën. Atëherë erdhi një re dhe po i bënte hije Profetit (alejhi selam), dhe kur u afrua tek ata thanë: Shikoni sesi një re i bën hije atij. Shkoi tek ata dhe pa që kishin shkuar para tij nën hijen e pemës. Kur u ul hija e pemës anoi kah ai. Ata thanë: Shikoni sesi hija e pemës anoi kah ai. Ndërsa ai po qëndronte me ta murgu u kërkoi me ngulm kurejshëve që mos ta çonin tek Romakët, sepse nëse do ta shihnin Romakët do ta njihnin përmes shenjave dhe do ta vrisnin.

Për një moment ai u kthye pas dhe pa shtatë persona që po vinin prej Romakëve, të cilët i priti dhe u tha: Pse keni ardhur? Ata i thanë: Kemi ardhur të pyesim për një profet që do të shfaqet këtë muaj. Nuk kemi lënë rrugë pa dërguar njërëz të interesohen për të. Na thanë se ai mund të jetë në këtë rrugë që kemi marrë. Ai u tha: A ju ka paraprirë ndonjë që është më i mirë se ju? Thanë: Jo, vetëm se na thanë se ai mund të jetë në këtë rrugë që kemi marrë. Tha: A e keni vënë re se nëse një çështje të cilën Allahu ka vendosur ta zbatojë, a mundet ndonjëri prej njerëzve ta zmprapsë atë? Thanë: Jo. Ata ia dhanë besën dhe qëndruan tek ai. Murgu tha: U kërkoj për hir të Allahut të më tregoni se kush është kujdestari i tij? Thanë: Ebu Talibi. Ai nguli këmbë në këtë gjë derisa e ktheu për në Meke. Murgu e furnizoi atë me ëmbëlsira dhe vaj. [‘Sahih Tirmidhi’ me nr. 3862, ‘Sahih es Sira’ fq. 29-31.]

 

“Subulus Selam Fi Sirati Hajril Enam”.

Salih Taha Ebu Islam

Loading...