Vdekja e dijetarëve!

Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk e shohin ata se Ne po ua zvogëlojmë tokën nga skajet e saj?” Rrad: 41

Ibën Abasi në lidhje me këtë ajet thotë: Me këtë thënie është për qëllim largimi i dijetarëve, fukahave dhe njerëzve më të mirë që jetojnë mbi tokë. Tefsiri i Taberiut.

I Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka njoftuar se në kohën e fundit do të largohet dija dhe vendin e saj do t’a zërë injoranca.

Transmetohet nga Enes bin Maliku se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Prej shenjave të Kiametit është ngritja e dijes dhe zëvendësimi i saj me injorancë.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Një hadith tjetër shpjegon se ngritja e dijes ndodh me vdekjen e dijetarëve. Transmetohet nga Abdullah bin Amër bin El-Asi se e ka dëgjuar Profetin (alejhi selam) duke thënë: “Me të vërtetë Allahu nuk e merr dijen duke e shkulur atë (prej gjokseve të njerëzve), por e merr atë me vdekjen e dijetarëve.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Vdekja e dijetarëve është prej shenjave të Kiametit. Shejh Abdulmuhsin El-Abadi (Allahu e ruajtë) ka thënë: Nuk ka dyshim se vdekja e dijetarëve është mangësi e madhe për muslimanët. Vdekja e dijetarëve është humbja e dijes e cila gjendet tek ta. Përsa i përket asaj se vdekja e tyre është prej shenjave të Kiametit, kjo saktësohet në dy “Sahihët” nga Enesi se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Prej shenjave të Kiametit është ngritja e dijes, përhapja e injorancës, konsumimi i alkoolit dhe përhapja e imoralitetit.”

Kjo padyshim se është argument se vdekja e dijetarëve është shenjë prej shenjave të Kiametit. Ngritja e dijes siç është e njohur, ndodh me largimin e mbajtësve të saj siç ka thënë Profeti (alejhi salatu ues selam): “Me të vërtetë Allahu nuk e merr dijen duke e shkulur atë (prej gjokseve të njerëzve), por e merr atë me vdekjen e dijetarëve.” Ky hadith argumenton se vdekja e tyre është prej shenjave të Kiametit.” Sherh Sunenu Ebi Daud.

Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Kush vdes në sunet (duke qenë zbatues i sunetit), le të përgëzohet! Dhemul-Kelam.

Allahu e mëshiroftë shejhun e nderuar Felah Ismail Mendekar.

Unejs Sheme