Vdekja e nënës dhe e gjyshit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe takimi i tij me Behiran rrugës për në Sham.
Vdekja e Amines, nënës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
E ëma e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ndërroi jetë në vitin 48 para hixhretit, që korrespondon me vitin 575 gregorian.
Kur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem mbushi gjashtë vjeç, nëna e tij Amine e mori atë me vete për të vizituar dajat e tij në fisin Benu Adij bin Nexhar në Medine. Bashkë me ta ishte edhe dadoja e tij Umu Ejmeni radijAllahu anha. Ata udhëtonin mbi dy deve. Në Medine nëna e tij qëndroi me të në shtëpinë e Nabigës që ndodhej pranë varrit të babait të tij Abdullahut, birit të Abdulmutalibit, i cili kishte ndërruar jetë në Medine dhe ishte varrosur aty. Ajo qëndroi me të tek dajat e tij për një muaj, pastaj u nis për t’u kthyer në Mekë. Por kur arritën në vendin e quajtur Eb’ua, nëna e tij Amineja ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë. Atëherë Umu Ejmeni emri i së cilës ishte Berakah, e mori me vete dhe e solli përsëri në Mekë. Umu Ejmeni e donte shumë Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe ajo kujdesej për të me dashuri dhe përkushtim të madh. Edhe Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e respektonte dhe sillej mirë me të. Më vonë, kur ai u rrit e liroi nga skllavëria dhe e martoi me Zejd ibën Harithen radijAllahu anhu nga i cili ajo pati një djalë që e quajtën Usame ibën Zejd. Umu Ejmeni ndërroi jetë pesë muaj pas vdekjes së të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Marrja në kujdestari nga ana e gjyshit të tij, Abdulmutalibit.
Kur ndërroi jetë Amineja, nëna e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ai ishte vetëm gjashtë vjeç dhe kujdestaria i kaloi gjyshit të tij Abdulmutalibit. Abdulmutalibi ishte një burrë me nder dhe pozitë të lartë në Mekë dhe njihej për virtytet e mira. Kurejshët e quanin atë “El Fadl” (i virtytshmi) për bujarinë dhe virtytet e tij. Pas vdekjes së babait, Hashimit, Abdulmutalibi kishte marrë përsipër detyrën e mikpritjes së pelegrinëve. Abdulmutalibi e donte shumë nipin e tij Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe e vlerësonte më shumë se bijtë e vet. Ai tregohej më i butë me të sesa me fëmijët e tij. Ibën Is’haku tregon: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem jetonte me gjyshin e tij, Abdulmutalibin birin e Hashimit, pas vdekjes së nënës së tij Aminës bijës së Uehbit. Abdulmutalibit i shtrinin një shtrojë në hijen e Qabes dhe djemtë e tij uleshin përqark saj duke e pritur të dilte, por asnjëri nuk guxonte të ulej mbi shtrojë nga respekti për të. Kur vinte i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ndërkohë që ishte ende një fëmijë i vogël, i fortë dhe i shëndetshëm, ulej mbi shtrojë. Xhaxhallarët e tij përpiqeshin ta largonin, por Abdulmutalibi kur e shihte këtë situatë u thoshte: ‘Lëreni djalin (nipin) tim! Pasha Allahun, ai do të bëhet njeri i madh!’ Pastaj e ulte pranë vetes mbi shtrojë dhe ia përkëdhelte shpinën me dorën e tij, dhe gëzohej nga sjellja e tij.” Sa herë që Abdulmutalibi ulej për të ngrënë, pyeste për të dhe thoshte: “Sillmani djalin tim këtu!” – dhe ata ia sillnin menjëherë pranë. Kur iu afrua vdekja, Abdulmutalibi ia la amanet djalit të tij Ebu Talibit që ta ruante dhe të kujdesej për nipin e tij Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Vdekja e Abdulmutalibit dhe amaneti për Ebu Talibin që të kujdesej për Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Kur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem mbushi tetë vjeç, ndërroi jetë gjyshi i tij Abdulmutalibi. Në çastet e fundit të jetës Abdulmutalibi ia la amanet të birit Ebu Talibit ruajtjen, mbrojtjen dhe kujdesin për të. Ai ia besoi këtë detyrë posaçërisht Ebu Talibit, sepse Abdullahu – babai i Profetit – dhe Ebu Talibi ishin vëllezër nga e njëjta nënë. Kështu që pas vdekjes së Abdulmutalibit, Ebu Talibi e mori përsipër kujdestarinë e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ibën Sa‘di dhe Ibën Asakiri përcjellin nga Ibën Abasi dhe të tjerë, se; kur vdiq Abdulmutalibi, Ebu Talibi e mori Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në kujdestarinë e tij. Ai e mbante gjithnjë me vete dhe e donte shumë, madje më shumë se fëmijët e tij. Nuk flinte veçse pranë tij, i jepte ushqim veçmas dhe e trajtonte në mënyrë të veçantë. Thuhej se kur fëmijët e Ebu Talibit uleshin për të ngrënë bashkë ose veçmas, nuk ngopeshin. Por kur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem hante me ta, ata ngopeshin dhe madje u tepronte. Kur uleshin fëmijët e Ebu Talibit për të ngrënë drekën ose darkën, ai u thoshte: “Prisni derisa të vijë djali im.” Dhe kur Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem vinte e hante me ta, ushqimi u mjaftonte të gjithëve. Ndërsa kur ai nuk hante me ta, nuk u mjaftonte. Po ashtu, kur pinin qumësht, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem pinte i pari dhe pastaj e merrnin enën fëmijët e tjerë dhe pinin prej saj, dhe ngopeshin të gjithë nga një enë e vetme. Ndërkohë që secili prej tyre kur pinte vetëm, i duhej një enë e plotë vetëm për vete. Kur e vërente këtë situatë Ebu Talibi i thoshte: “Vërtet ti je i bekuar!”
Udhëtimi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me xhaxhain e tij Ebu Talibin për në Sham (Levant):
Kur Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i mbushi dymbëdhjetë vjeç, xhaxhai i tij Ebu Talibi udhëtoi drejt Shamit me një karvan tregtie dhe e mori edhe atë me vete. Kur karvani zbriti në Busra, ata kaluan pranë një murgu që quhej Behira i cili e njihte mirë Ungjillin dhe ishte njeri me pozitë të lartë në fenë e krishterë. Aty Behira e pa Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe nisi ta vështrojë e të bisedojë me të. Pastaj iu kthye Ebu Talibit dhe i tha:
– Çfarë e ke këtë djalë?
Ebu Talibi tha: – Djali im (ai e quante shpesh birin e tij për shkak të dashurisë dhe kujdesit të madh që kishte për të).
– Nuk është biri yt. Nuk është e mundur që babai i këtij djali të jetë gjallë.
– Është djali i vëllait tim.
– Po babait të tij çfarë i ka ngjarë?
– Ka vdekur kur nëna e tij ishte shtatzënë me të.
– The të vërtetën. Ktheje menjëherë në vendin e tij dhe ki kujdes nga hebrenjtë, sepse për Zotin, nëse e shohin këtu do tentojnë t’i bëjnë keq. Nipi yt do të bëhet njeri i madh.
Atëherë Ebu Talibi u kthye me nxitim drejt Mekës.
Tirmidhiu e transmeton këtë ngjarje kështu: Ebu Talibi doli drejt Shamit dhe me të doli edhe Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem së bashku me disa pleq nga fisi i kurejshëve. Kur u afruan pranë murgut Behira, ata ndaluan të shlodhnin kafshët. Murgu doli t’i takonte ndërkohë që më parë nuk dilte kurrë e as nuk u kushtonte vëmendje kur kalonin andej. Teksa ata po zgjidhnin kafshët, murgu nisi të kalonte mes tyre derisa kapi për dore të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe tha:
– Ky është prijësi i botëve, ky është i Dërguari i Zotit të botëve që Allahu do ta dërgojë mëshirë për gjithë njerëzit.
Disa nga pleqtë e kurejshëve i thanë: – Nga e di ti?
Ai tha: – Kur zbritët nga gryka, nuk mbeti pemë e gur pa u përkulur në shenjë nderimi, dhe ata nuk përkulen veçse për profetët. Unë e njoh edhe nga vula e profetësisë poshtë shpatullës së tij sa një kokërr molle. Pastaj u kthye e u përgatiti ushqim. Kur ua solli, Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte duke ruajtur devetë. Murgu tha: – Ma sillni edhe atë!
Kur Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem erdhi, mbi të qëndronte një re që i bënte hije. Kur iu afrua karvanit, pa që ata e kishin zënë hijen e pemës dhe u ul jashtë hijes. Por hija e pemës u përkul mbi të. Murgu tha: – Shikoni! Hija e pemës kaloi tek ai!
Ndërkohë ai nisi t’iu lutet atyre që të mos e çonin në tokën e romakëve, sepse nëse romakët do ta shihnin do ta njihnin nga përshkrimi dhe do ta vrisnin. Papritur panë shtatë burra romakë që po vinin. Murgu i priti dhe u tha: – Ç’ju solli këtej?
Ata thanë: – Pritet të dalë një profet këtë muaj dhe në çdo rrugë janë dërguar njerëz për ta gjetur. Neve na kanë dërguar nga kjo anë.
Murgu tha: – A ka mbetur pas jush dikush më i mirë se ju?
Ata thanë: – Jo, neve na është dhënë lajmi për këtë rrugë.
Murgu tha: – Atëherë, a mund ta ndalë dikush çka ka vendosur Allahu të ndodhë?
Ata thanë: – Jo.
Atëherë, ata i dhanë besën dhe qëndruan me të.
Pastaj murgu Behira tha: – Ju betohem në Allah, kush prej jush është kujdestari i tij?
Ebu Talibi tha: – Unë jam.
Murgu vazhdoi t’i lutej e ta këshillonte derisa Ebu Talibi vendosi ta kthejë Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në Mekë. Bashkë me të Ebu Bekri dërgoi edhe Bilalin. Ndërkohë murgu i dha me vete simite dhe vaj. (Transmeton Tirmidhiu me nr. 3948 dhe Hakimi me nr. 4275.)
(Shënim përkthyesi): Autorët e biografisë profetike e përmendin pothuajse të gjithë këtë ngjarje me disa ndryshime, por jo me zinxhirë të plotë, ndërsa versioni i Tirmidhiut është me zinxhir të plotë deri tek Ebu Musa Eshariu radijAllahu anhu. Me këtë zinxhir e kanë transmetuar dhe dijetarë të tjerë të hadithit, si; Ibën Ebi Shejbeh, Ibën Hibani, Bejhekiu, Hakimi etj. Imam Dhehebiu, Ibën Sejjid en-Nas etj. e kanë klasifikuar të dobët këtë hadith, për shkak se në fund të tij thuhet se Ebu Bekri dërgoi Bilalin mbrapsht me Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem si dhe për disa arsye të tjera. Imam Dhehebiu i ka kushtuar një pjesë të veçantë kritikës së këtij hadithi dhe ka renditur arsyet pse ky hadith nuk mund të jetë i saktë. Më kryesorja nga këto arsye është se përmendja e Ebu Bekrit dhe Bilalit në këtë hadith bie ndesh me versionin historik, që thotë se në këtë udhëtim Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka qenë 12 vjeç ndërsa Ebu Bekri ka qenë më i vogël se Pejgamberi, dhe Bilali mbase nuk kishte lindur akoma. Kështu që hadithi nuk mund të jetë i saktë, ose së paku kjo pjesë e hadithit është shtuar gabimisht, ndërsa pjesa tjetër është e saktë siç ka thënë Ibën Haxheri. Shkaku i dytë që e bën të dyshimtë vërtetësinë e këtij hadithi, është se këtë hadith e transmeton vetëm një person i vetëm i cili quhej Ebu Nuh Kurad. Kuradi ndonëse ishte i besueshëm në mesin e dijetarëve të hadithit, mirëpo ai është kritikuar nga disa prej tyre se ka transmetuar disa hadithe që nuk i ka transmetuar askush tjetër veç tij, gjë që i bën ato të dyshimta, një ndër të cilët është dhe transmetimi i kësaj ngjarjeje.
Ndërkohë një palë tjetër e dijetarëve të hadithit, si: Tirmidhiu, Hakimi, Sujuti, Albani etj. janë të mendimit se ky hadith nuk mund të hidhet poshtë për shkaqet e lartpërmendura. Nuk vërtetohet nga burime të sakta se mosha e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në këtë udhëtim ka qenë 12 vjeç, por ai mund të ketë qenë edhe më i madh në moshë. Sa i takon faktit që ky hadith transmetohet vetëm nga Kuradi, këta dijetarë thonë se Kuradi ishte i besueshëm në mesin e dijetarëve të hadithit, dhe transmetimi i tij nuk mund të hidhet poshtë për sa kohë që nuk bie ndesh me transmetimin e dikujt tjetër që është më i fortë apo më i saktë se ai.
Si përfundim, çështja e vërtetësisë së kësaj ngjarjeje midis dijetarëve të hadithit është e diskutueshme ku disa e konsiderojnë të vërtetë e disa jo, andaj dhe nuk mund të thuhet prerazi nëse ky hadith është i saktë apo i dobët. Allahu është më i Dijshmi!
Marrë nga libri: “Ed durar es senije”.
Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi
Të Ngjashme
- Ambicia që nuk njeh moshë Udha e Besimtarëve
- Si nisi Orientalizmi: gjurmët e fshehta të misionit të Raymond Lull Udha e Besimtarëve
- Kur do ta arrijmë përkushtimin e sahabëve në namazin e tyre? Udha e Besimtarëve
- Mësime nga Hendeku: Sinqeriteti dhe qëndrueshmëria e besimtarëve përballë hipokrizisë Udha e Besimtarëve
- Ofensiva e mongolëve në territoret muslimane Udha e Besimtarëve