Vëllazërimi islam

May 7, 2010

Muftiu i Saudisë Shejhu i Nderuar Abdulaziz Ali Shejh

Me të vërtetë falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar, Atë falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. I lutemi Allahut të na ruajë nga të këqijat e veteve dhe punëve tona. Cilindo që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë, askush nuk mund ta humbasë prej saj, dhe cilindo që Allahu e humbet  prej kësaj rruge, askush nuk mundet ta udhëzojë.

Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një,  të Vetëm e të Pashok, gjithashtu dëshmoj dhe deklaroj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, paqja dhe lavdërimet e  Allahut  qofshin mbi të, familjen dhe shokët e tij deri në ditën e gjykimit.

O ju njerëz! Frikësojuni Allahut me një frikë të sinqertë.

O robër të Allahut! Lidhja e besimit është lidhja më e fortë, nyja e besimit është nyja më e fortë, dhe vëllazëria e besimit është vëllazëria më e ngushtë.

Lidhja e besimit nuk mund të zgjidhet kurrë për shkak se ajo ka hedhur rrënjët në zemrën e besimtarit. Ajo është një lidhje që shfaqet si rrjedhojë e besimit të sinqertë dhe të vërtetë.

Për këtë Allahu i Madhëruar thotë: “Shokët atë ditë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, me përjashtim të atyre që ishin të devotshëm.”

Po, është e vërtetë se vëllazërimi i krijuar nga besimi është vëllazërim i përhershëm, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Ky vëllazërim është ngritur mbi besimin e sinqertë dhe si rrjedhojë është vëllazëri e qëndrueshme të cilës nuk mund ti shkëputen lidhjet, dhe në ditën e gjykimit besimtarët do të jenë miq të dashur për njëri-tjetrin. Allahu i Madhëruar thotë: “Shokët atë ditë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, me përjashtim të atyre që ishin të devotshëm.”

Çdo lidhje që nuk ngrihet mbi besimin, është lidhje e përkohshme e cila mbaron me mbarimin e shkakut dhe qëllimit mbi të cilin u krijua.

Lidhja e besimit është lidhje e palëkundëshme, për shkak se është ngritur mbi bazën e besimit në Allahun dhe fenë e Tij.

O ju muslimanë! Allahu i Madhëruar ua ka përmendur robërve të tij besimtarë këtë lidhje të fortë, duke e quajtur si mirësi që ua dhuroi atyre, duke thënë:

“Përkujtoni kur ishit armiq të njëri-tjetrit ndërsa ai ua bashkoi zemrat, kështu që me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër.”

Gjithashtu, duke përmendur vëllazërimin në besim, thotë: “Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër, prandaj përmirësoni ndërmjet vëllezërve tuaj.”

Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar na tregon miqësinë e sinqertë që posedojnë besimtarët, duke thënë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin.”

O ti musliman! Lidhja dhe vëllazërimi në islam dhe besim janë ngritur mbi rrënojat e injorancës së shkuar, e cila ndërtoi lidhjet dhe vëllazërimin mbi moralet e injorancës, siç ishin; lidhjet farefisnore, lidhjet kombëtare, gjuhësore dhe rracore.

Islami i ndërtoi lidhjet e vërteta mbi një bazë të vetme që është besimi.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ai është që të fuqizoi ty me ndihmën e Tij dhe me besimtarët, Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe nëse do të shpenzoje çdo gjë që ndodhet në tokë, nuk do të arrije ti bashkoje zemrat e tyre, por Allahu e bëri një bashkim të tillë sepse Ai është i Gjithëfuqishëm, i Urtë.”

Vëlla i nderuar musliman! Duke u nisur nga kjo që thamë, duhet të dimë se besimtari posedon të drejta ndaj një besimtari tjetër.

Këto të drejta burojnë nga besimi i vërtetë dhe janë të domosdoshme. E drejta e parë që kërkohet nga ti, është; ta duash vëllain musliman për hirë të Allahut të Madhëruar, sepse kjo është e vetmja dashuri e përjetshme. Ajo është e tillë për shkak se nuk është ngritur mbi interesat kapitale, interesat vetjake apo qëllime të tjera të kësaj bote. Përkundrazi, ajo është dashuri ndaj një besimtari i cili i beson Allahut dhe të dërguarit të Tij (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) duke iu kushtuar fese së Allahut. Pra, ti e do për shkak të rrugës që ndjek ai në veçanti.

Ky është vëllazërimi islam i cili tregon sinqeritetin dhe vërtetësinë e besimit.

Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Nëse ekzistojnë tre gjëra tek një person ai do ta shijojë ëmbëlsinë e besimit; kur të jetë Allahu dhe i dërguari i Tij më i dashur tek ai se kushdo tjetër, të dojë një njeri vetëm për hirë të Allahut, të urrejë kthimin në kufër (mosbesim) pasiqë Allahu e shpëtoi prej tij, ashtu sikurse urren që të hidhet në zjarr.”

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: Kush do dhe urren për hirë të Allahut, miqëson dhe armiqëson për hirë të Tij, ai do të arrijë dashurinë dhe miqësinë nga ana e Allahut të Madhëruar. Askush nuk do ta ndiejë ëmbëlsinë e besimit edhe nëse falet dhe agjëron shumë, derisa të jetë i tillë (të dojë dhe të urrejë për hirë të Allahut të Madhëruar).

Vazhdon Ibën Abasi duke thënë: Shumica e miqësive që lidhen sot janë për hirë të kësaj bote, por, dijeni se kjo gjë nuk do t’ju bëjë kurrë dobi këtyre njerëzve.

Ibën Abasi na tregon se shumica e miqësive tek njerëzit janë ngritur mbi interesat e kësaj bote, dhe se kjo gjë nuk ka vlerë dhe nuk sjell ndonjë mirësi.

Kjo për vetë faktin se ai që të do për një çështje, do të vijë një kohë që ajo çështje do të ndërpritet dhe kështu do vazhdojë të të urrejë.

Në të kundërtën, ai që të do për hirë të Allahut të Madhëruar, kjo dashuri do të jetë e përhershme me ndihmë dhe sukses nga Allahu i Madhëruar.

O ti musliman! Nga të drejtat që posedon vëllai ndaj vëllait të tij musliman është këshilla kur vëren tek ai ndonjë gabim apo kundërshtim të fesë, qoftë në fjalë apo në vepra.

Dashuria e plotë ndaj këtij besimtari arrihet kur e këshillon me këshillë të sinqertë, duke iu drejtuar me zemër të mbushur me mëshirë dhe keqardhje, duke bërë të pamundurën për ta ruajtur nga dënimi i Allahut të Madhëruar.

Besimtari është pasqyrë e vëllait të tij, nuk duhet të gëzohet kur vëllai gabon apo ta miratojë gabimin që ai bën. Nuk duhet të gëzohet me mangësitë e tij, por duhet të angazhohet me vëllain e tij besimtarë duke e këshilluar për hirë të Allahut. Duhet të jetë këshillë vetëm për vetëm në mënyrë që ti riparojë gabimet e tij, ti drejtojë moralet e shtrembëra dhe ta drejtojë në rrugën e drejtë.

Sa herë që të vërejë ndonjë mangësi tek vëllai i tij, të shpejtojë për ta këshilluar, për ta drejtuar e inkurajuar në mirësitë e Allahut, pse jo dhe ti tërheqë vërejtjen nga dënimi i Tij. D.m.th.; të shpejtojë për ta shpëtuar atë nga dënimi i Allahut të Lartësuar.

Pra, nuk duhet të gëzohet me gabimet e tij dhe nuk duhet ti miratojë kundërshtimet e fesë që ai bën, sado të vogla qofshin ato. Të dëshirojë për të, atë që dëshiron për veten e tij.

Ashtu siç nuk pranon ndonjë kundërshtim për veten e tij, ashtu nuk duhet ta pranojë edhe për vëllain e tij besimtar.

Në një hadith, Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Feja është këshillë. I thanë: Për kë o i dërguari i Allahut? Tha: Është këshillë për Allahun, librin, të dërguarin e tij, prijësat dhe muslimanët në përgjithësi.”

Xherir bin Abdilah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: I kam dhënë besën Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) të fal namazin, të jap zekatin dhe të këshilloj çdo musliman.

Ai që këshillon, nuk injoron dhe as nuk përgojon tek të tjerët. Ai e mbulon atë që shikon dhe mundohet me çdo mundësi për vepra të mira, ky është morali i mirëfilltë i një besimtari.

Jobesimtari bën të kundërtën, gëzon me gabimin e tjetrit duke e përhapur atë në çdo anë dhe duke gëzuar për këtë mangësi. Lusim Allahun të na falë dhe të na ruajë.

Nga të drejtat që posedon vëllai ndaj vëllait të tij musliman, është mbulimi i të metave të tij, pra, i mbulon të metat vetëm atëherë kur ky mbulim e ndalon nga gabimi që do të bëjë.

Nëse shikon një gabim nga vëllai musliman, duhet t’ia mbulojë atë pasi ta ketë këshilluar dhe të mos e injorojë përpara njerëzve, e as të mos e përhapë turpin që ai ka bërë. Duhet ta këshillojë dhe ta mbulojë pa harruar dhe dëshirën e mospërhapjes së të keqes në mesin e mulimanëve, në kundërshtim me ata që gëzohen kur ndodhin gabime dhe përhapin gjëra të kota.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ata të cilët dëshirojnë që të përhapet e keqja tek besimtarët, ata i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu di e ju nuk dini.”

Nga të drejtat që posedon vëllai ndaj vëllait të tij musliman, është zgjidhja e problemeve dhe brengave të tij, duke ia lehtësuar sipas mundësive vështirësitë që ka. E gjithë kjo bën pjesë tek të drejtat që posedon vëllai ndaj vëllait të tij musliman.

Në një hadith, Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush ia lehtëson një muslimani një brengë nga brengat e kësaj bote, Allahu do t’ja lehtësojë atij një brengë nga brengat e botës tjetër.”

Ai që i lehtëson vuajtjet një të pamunduri, Allahu do t’ja lehtësojë vuajtjet e tij në botën tjetër.

Ai që mbulon të metat e një muslimani, Allahu do t’ja mbulojë atij në këtë botë dhe në botën tjetër.

Nga të drejtat që posedon vëllai ndaj vëllait të tij musliman, është qëndrimi pranë tij në kohë krizash dhe problemesh, të ndihmuarit e tij në kohë vështirësish.

Në një hadith, Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) thotë: “Allahu e ndihmon robin e Tij, përderisa ai ndihmon vëllain e tij.”

Nga të drejtat që posedon vëllai ndaj vëllait të tij musliman, është ti jap mendim në gjërat e hajrit nëse ai i kërkon mendim, në çështjet e fesë apo qoftë dhe në problemet e kësaj bote.

Në këtë rast ai i jep mendim si për veten e tij, sepse atij që i merret mendim duhet të jetë njeri i besueshëm.

Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ju urdhëron që tu jepni amanetin të zotërve të tyre.”

Pra, nëse një besimtar të kërkon mendim për një çështje, jepi mendimin më të mirë duke përdorur njohuritë dhe kuptimin që ta ka dhuruar Allahu.

Nëse kuptimi dhe njohuritë e tua janë të kufizuara, atëherë kërko ndihmë nga dikush tjetër i cili i posedon këto dhunti, në mënyrë që ky besimtar të mos bierë në gabim.

Nga të drejtat që posedon vëllai ndaj vëllait të tij musliman, është ti lehtësojë punët në shlyerjen e borxhit. Nëse ai nuk mundet ta bëjë një gjë të tillë, të mos e ngarkojë me gjëra që nuk mundet ti përballojë apo të parashtrojë ankesa kundër tij, të mos e injorojë përpara njerëzve por ta durojë derisa Allahu ti lehtësojë punët.

Allahu i Madhëruar thotë: “Në qoftë se ai (borxhliu) është në gjendje të vështirë, priteni derisa të vijë një lehtësim. E nëse ia falni në emër të lëmoshës, ajo është më e mirë për ju nëse e dini.”

Allahu i Madhëruar do të futë në xhenet një njeri, i cili u linte porosi punonjësve që tua lehtësonin njerëzve çështjet e borxhit dhe tu linin afat. Pas kësaj, Allahu i Madhëruar tha: Unë jam më parësorë që ta bëj një vepër të tillë, kështu që urdhëroi që ky njeri të futej në xhenet.

Nga të drejtat që posedon vëllai ndaj vëllait të tij musliman, është ti ruaj nderin kur flasin njerëzit e papërgjegjshëm dhe shpifin shpifësit. Ta mbrojë nga njerëzit e zhveshur nga të mirat, madje në këtë rast duhet të mbrojë dhe nderin e tij duke mos lejuar asnjë njeri të ulët apo me besim të dobët që të shfryhet në nderin e tij, apo ta akuzojë me gjëra të cilat Allahu e di se ai është i pastër nga ato.

Nëse nderi i një muslimani shahet në praninë e ndonjërit, dhe ai i del në ndihmë duke e mbrojtur, Allahu i Madhëruar do t’ia ruaj fytyrën këtij njeriu nga zjarri i xhehenemit në ditën e gjykimit.

Gjithashtu, duhet ta ndihmojë në momentin kur e dëshiron për vete një gjë të tillë, sepse ai që zhgënjen vëllain e tij në një vend ku dëshiron të triumfojë, Allahu i Madhëruar do ta zhgënjejë atë në një vend ku pret të jetë triumfues.

Mos u lejo njerëzve me moral të ulët të stërgjaten, duke prekur nderet e muslimanëve e duke i akuzuar me gjëra prej të cilave ata janë të pastër.

Ruaji nderet e tyre në mënyrë që të të ruajë Allahu nga dënimi i ditës së gjykimit.

Nga të drejtat që posedon vëllai ndaj vëllait të tij musliman, është të mos mbartë fjalë me qëllim që të përçajë shokët apo të ndodhin kontradita ndërmjet tyre, sepse përgojuesi është i lig; ndan vëllain nga vëllai i tij, shokun nga shoku i tij, madje sherri mund të arrijë deri aty sa të pwrçajë gjirin e ngushtë të familjes, siç është; babai me fëmijën apo burri me gruan.

Nga të drejtat që posedon vëllai ndaj vëllait të tij musliman, është të mos e lëndojë me fjalë apo me vepra. Në një hadith, Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Musliman është ai nga i cili muslimanët e tjerë janë të qetë nga dora dhe gjuha e tij. Besimtarë është ai të cilit njerëzit i besojnë gjakun dhe pasuritë e tyre.”

O ti musliman! Besimi i mirëfilltë kërkon nga ti atë që ka sqaruar Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), duke thënë: “Besimtari është vëlla i besimtarit; nuk i bën padrejtësi, nuk e gënjen, nuk e nënçmon e as nuk e zhgënjen. Dijeni se devotshmëria ndodhet këtu (dhe bënte me shenjë në krahërorin e tij).”

I mjafton një njeriu si punë e keqe të nënçmojë vëllain e tij besimtarë. Muslimanët kanë kufij të cilët nuk duhet ti shkelin ndaj njëri-tjetrit, ato janë; gjaku, pasuria dhe nderi i tyre.

O ti musliman! Nga të drejtat që gëzon një musliman tek ti është të mos flasësh gënjeshtra, sepse ndoshta ai të mendon të besueshëm dhe kur tu tregojë të tjerëve fjalët e tua, mund ta akuzojnë për gënjeshtër.

Gjithashtu, nga të drejtat që posedon ai ndaj teje është të mos i bësh padrejtësi, qoftë në gjakun, pasurinë apo nderin e tij.

Mos i moho të drejtat e tij dhe as mos i fsheh ato, por jepi hakun që i takon ashtu siç dëshiron për veten tënde. Mos e zhgënje në mesin e njerëzve apo të përhapësh gabimet e tij duke përdorur njohuritë që ke për të, mos e injoro në mesin e shoqërisë dhe as mos u trego të metat dhe lajthitjet e tij.

Mbuloi të metat e tij dhe lute Allahun që ta falë dhe ta ruajë nga të metat, sepse ai që shfaq të metat e vëllait të tij, nuk ka dyshim se Allahu mund ta shërojë atë nga të metat dhe të sprovojë përhapësin e tyre.

Në një thënie tjetër, thuhet: Kush e injoron vëllain e tij me ndonjë gabim, nuk do të vdesë derisa ta veprojë vetë një gabim të tillë.

Mos e nënçmo atë sepse e ke vëlla në besim, e nëse ke më shumë pozitë, pasuri apo farefis, dije se vëllazërimi islam është mbi të gjitha këto.

Besimtari i vërtetë e shikon vëllazërimin në besim si një vëllazërim të qëndrueshëm, prandaj nuk duhet t’ia lejojë vetes që për shkak të pozitës ta injorojë apo nënçmojë vëllain e tij, i cili nuk e gëzon një gjë të tillë.

Gjithashtu, nuk duhet t’ia lejojë vetes që me pasurinë dhe tregëtinë që posedon, ti shikojë vëllezërit që nuk kanë me nënçmim dhe përbuzje.

Përsëri, nuk duhet t’ia lejojë vetes që me forcën dhe zellin që posedon, ti shikojë të dobëtit dhe të pamundurit me përbuzje dhe nënçmim.

Duhet që besimtari të ketë vlerë dhe pozitë tek ai, sepse epërsia tek Allahu u takon vetëm punëve të mira.

Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk është pasuria apo fëmijët tuaj që iu afrojnë tek Ne, por është vetëm besimi dhe veprat e mira. Të tillët shpërblehen shumëfish për atë që vepruan, dhe ata janë në dhoma të larta të shpëtuar.”

Allahu më dhëntë mua dhe juve bereqet në Kuranin Famëlartë, dhe më dhëntë dobi mua dhe juve në ajetet përkujtuese dhe të urta që gjenden në të. Ua them këto fjalë duke kërkuar falje për gabimet nga Allahu i Madhëruar, për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët. Kërkoni falje dhe pendohuni tek Ai, vërtetë Ai është që fal shumë, është Mëkatfalës i madh.

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar, falënderime të panumërta, të bereqetshme dhe të mira ashtu siç dëshiron dhe kërkon Zoti ynë. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut, Një,  të Vetëm e të Pashok.  Gjithashtu, dëshmoj dhe deklaroj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, paqja dhe lavdërimet e  Allahut  qofshin mbi të, familjen dhe shokët e tij deri në ditën e gjykimit.

O ju njerëz! Frikësojuni Allahut me një frikë të sinqertë.

O robër të Allahut! Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Nuk beson ndonjëri nga ju, derisa të dojë për vëllain e tij atë që do për vete.”

Vërtet, ky hadith është madhështor, madje është një testament shumë i rëndësishëm nga Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) sepse ai na këshillon me këtë gjë. Na tregon se besimi i plotë arrihet vetëm atëherë kur të duam për të tjerët atë që duam për veten tonë.

Kur të duam për të tjerët atë që duam për vetet tona, në këtë rast kemi arritur besimin e plotë, e dihet se këtë gradë nuk e arrijnë vetëm se të devotshmit.

Të duash për vëllain tënd atë që do për vete, do të thotë; të duash për të shëndetin e mirë ashtu siç e do për vete, të duash për të pasurinë dhe rrizkun e bollshëm ashtu siç e do për vete, të duash për të udhëzimin dhe përqëndrimin në rrugën e drejtë ashtu siç e do për vete, të duash për vëllain tënd mirësjelljen e tij me gruan dhe familjen ashtu siç e do për vete, të duash për të gëzimin në këtë botë dhe në botën tjetër ashtu siç e do për vete, të duash ta shikosh të devotshëm, të mirë, të përqëndruar, ruajtës të islamit dhe moraleve e normave të tij ashtu siç dëshiron për vete.

Gjithashtu, duhet ta urresh të keqen për të ashtu siç e urren për vete, pra, çdo gjë që e urren për vete duhet ta urresh edhe për vëllain tënd musliman.

Kjo që thamë është argument i një besimi të vërtetë dhe të mirëfilltë.

Besimtari nuk duhet ta mashtrojë vëllain e tij në shitblerje apo ti bëjë hile, nuk duhet ta tradhëtojë në amanetin e tij apo ti përhapë të fshehtat e tij, nuk duhet ta mashtrojë në pasurinë dhe familjen e tij, duhet ta ruajë atë ashtu siç mund të ruajë veten e tij.

Kështu ishin të parët tanë të mirë, kështu ishin njerëzit e zgjedhur të këtij umeti ku në krye qëndrojnë sahabët e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), të cilët treguan shembujt më të bukur në vëllazërimin e vërtetë që buronte nga besimi, vepër me të cilën i kaluan gjithë të tjerët, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tyre dhe i shpërbleftë nga ne dhe islami me shpërblime të mira.

O vëlla musliman! Mësoje veten me gjëra të hajrit sepse shejtani iu premton varfëri dhe iu urdhëron për gjëra të shëmtuara, poshtëroje armikun tënd dhe bëhu këshillues, mbulues i të metave, ndihmues dhe zgjidhës i problemeve, halleve dhe brengave të vëllezërve të tu. Ndihmoi ata në gjërat që u bëjnë dobi, bëhu dëshirues i fshehjes së të metave të tyre dhe dëshirues i devotshmërisë dhe qëndrueshmërisë së tyre në të vërtetën.

Kjo është detyra jote të cilën ta kërkon besimi, nëse e vepron dije se është shenjë e mirë.

Lusim Allahun të na dhurojë sukses neve dhe juve për të bërë punë dhe për të thënë fjalë të mira, vërtet Allahu ka fuqi për çdo send.

Dijeni, Allahu iu mëshiroftë, se fjala më e mirë është fjala e Allahut dhe udhëzimi më  i mirë është udhëzimi i Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Punët më të këqija janë shpikjet në fe, çdo shpikje të shpie në humbje dhe çdo humbje të shpie në zjarrin e xhehenemit.

U këshilloj që të mbaheni me grupin e muslimanëve sepse Dora e Allahut qëndron mbi xhematin (bashkimin), e ai që largohet nga xhemati largohet për në zjarr.

Bëni salauate (përshëndetje), Allahu u mëshiroftë, mbi robin dhe të dërguarin e Allahut, Muhamedin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ashtu siç u ka urdhëruar Zoti juaj në librin e Tij duke thënë: “Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e tij me madhërim e mëshirojnë të dërguarin. O ju që keni besuar, madhëronie atë dhe përshëndeteni me selam.”

Në një hadith, Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush bën për mua një salat, Allahu i Madhëruar i bën atij dhjetë salauate.”

O Zoti ynë, përmende robin tënd në parinë e lartë me të mira dhe jepi atij bereqet, zotërisë së bijve të Ademit, prijësit të të devotshmëve dhe njerëzve të mirë. O Zoti ynë, përfshiji në kënaqësinë tënde shokët e tij, prijësat e drejtë; Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, gjithë shokët e tij deri në ditën e fundit, na përfshi dhe neve në mëshirën dhe faljen Tënde o më i Mëshirshmi i të mëshirshmëve.

O Zoti ynë, lartësoje islamin dhe muslimanët dhe poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët, ndihmoje njësimin dhe njësuesit, bëje të qetë këtë vend dhe të gjitha vendet islame o Zoti i të gjitha botëve.

O Zoti ynë, dhuro qetësi në vendet ku jetojmë dhe përmirësoi prijësat dhe ata që na udhëheqin, o Zoti ynë, jepu atyre sukses në gjërat që i bëjnë dobi islamit dhe muslimanëve, o Zoti ynë, na ruaj nga sprovat e dukshme dhe të padukshme, o Zot, jepi sukses prijësit tonë në gjërat që Ti je i kënaqur. O Zot, tregoja të drejtën të drejtë dhe jepi sukses që ta pasojë atë, tregoja të keqen të keqe dhe jepi sukses që ti largohet asaj, o Zot, jepi bereqet atij në jetë dhe në punë, jepi shëndet dhe ruaje nga çdo e keqe. Jepi sukses pasardhësit të tij në gjërat që të gëzojnë dhe drejtoje në punët dhe fjalët që thotë, bëji të gjithë ndihmëtarë në gjëra të mira dhe të dobishme, vërtet Ti ke mundësi për çdo send.

O Zot, na fal neve dhe vëllezërit tanë besimtarë që ishin para nesh dhe mos lër në zemrat tona smirë për ata që besuan, Zoti ynë, vërtet Ti fal dhe je Mëshirues i madh.

Zoti ynë, ne i bëmë padrejtësi vetveteve tona e nëse nuk na fal e nuk na mëshiron, atëherë do të jemi të dështuar.

O Zot, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga zjarri.

O robër të Allahut! Vërtet Allahu urdhëron për drejtësi, bamirësi dhe ndihmë për të afërmit dhe ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna, iu këshillon me qëllim që të merrni mësim.

Përmendeni Allahun e Lartësuar në mënyrë që t’ju kujtojë, dhe falënderojeni për mirësitë e Tij që t’ua shtojë ato. Përmendja e Allahut është gjëja më e madhe, Allahu e di atë që veproni.

Përktheu Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...