Veprat më të dashura tek Allahu sipas fjalëve të Profetit

August 9, 2025

(30) Kapitulli: Sqarimi i mohimit (kufrit) të atij që thotë: “Na ra shi për shkak të yllit filan (apo pozicionit të tij).”

46 – Hadithi i Zejd ibn Halid el Xhuheni i cili tregon:

Pejgamberi ﷺ na fali namazin e sabahut në Hudejbije pas një nate me shi. Kur e mbaroi (namazin) u kthye kah njerëzit dhe tha: “A e dini çfarë ka thënë Zoti juaj? Ata thanë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.

Ai ka thënë: Ka prej robërve të Mi që u gdhinë si besimtarë në Mua dhe mohues (kafir). Sa i përket atij që thotë: Na ra shi me mirësinë dhe mëshirën e Allahut, – ai është besimtar në Mua dhe mohues i yllit. Ndërsa ai që thotë: Na ra shi për shkak të yllit filan apo filan, – ai më ka mohuar Mua dhe ka besuar tek ylli.”

Transmeton Buhariu në Librin e ezanit 10, Kapitulli 156: Imami duhet të kthehet kah njerëzit pas dhënies së selamit.

(31) Kapitulli: Argumenti se dashuria për ensarët është prej besimit.

47 – Transmeton Enesi nga Pejgamberi ﷺ, i cili tha:

“Shenja e imanit është dashuria për ensarët, ndërsa shenja e hipokrizisë është urrejtja ndaj ensarëve.”

Transmeton Buhariu në Librin e imanit 10, Kapitulli: Shenja e besimit është dashuria për ensarët.

48 – Hadithi i Bera’ i cili thotë:

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ensarët nuk i do veçse një besimtar dhe nuk i urren veçse një hipokrit. Kush i do ata atë e do Allahu, e kush i urren ata atë e urren Allahu.”

Transmeton Buhariu në Librin e meritave të ensarëve 63, Kapitulli 4: Dashuria për ensarët.

(32) Kapitulli: Sqarimi se imani pakësohet me pakësimin e veprave të mira.

49 – Hadithi i Ebu Seid el Hudriut:

I Dërguari i Allahut ﷺ doli ditën e Kurban Bajramit ose të Fitër Bajramit për në musala (vendin e faljes), dhe kaloi pranë grave dhe u tha:

“O ju gra, jepni sadaka sepse më është treguar se ju jeni shumica e banorëve të zjarrit! Ato thanë: Pse o i Dërguar i Allahut?

Tha: Ju i përmendni shumë të metat (e burrave) dhe mohoni mirësitë e tyre. Nuk kam parë ndonjë me mangësi në mendje e në fe që ia merr mendjen burrit të arsyeshëm më shumë sesa ndonjëra prej jush. Thanë: Çfarë është mangësia jonë në arsyetim dhe në fe o i Dërguar i Allahut?

Tha: A nuk është dëshmia e gruas sa gjysma e dëshmisë së burrit? Thanë: Po.

Tha: Kjo është mangësia e saj në arsyetim. Gjithashtu, a nuk është se kur gruaja është me menstruacione nuk falet e as nuk agjëron? Ato thanë: Po.

Tha: Kjo është mangësia e saj në fe.”

(34) Kapitulli: Sqarimi se besimi në Allahun e Lartësuar është vepra më e mirë.

50 – Hadithi i Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u pyet:

“Cila është vepra më e mirë?

Ai tha: Besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij.

I thanë: Pastaj cila?

Tha: Xhihadi në rrugë të Allahut.

I thanë: Pastaj cila?

Tha: Haxhi i pranuar (i vlefshëm e i sinqertë).”

Transmeton Buhariu në: Libri i Besimit – Kapitulli 18: Ai që thotë se imani është vepër.

51 – Hadithi i Ebu Dherit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë:

E pyeta Profetin ﷺ:

“Cila është vepra më e mirë?

Tha: Besimi në Allahun dhe xhihadi në rrugën e Tij.

E pyeta: Cili prej skllevërve është më i miri për t’u liruar?

Tha: Ai që ka vlerën më të lartë dhe është më i çmuari për zotërinë e tij.

Thashë: Po nëse nuk mundem ta bëj?

Tha: Ndihmo dikë që është i paaftë apo punësoje për ndonjë nevojë.

Thashë: Po nëse as këtë nuk e bëj?

Tha: Përmbaju nga e keqja, kjo është sadaka që e bën për veten tënde.”

Transmeton Buhariu në: Libri i Çlirimit të skllevërve – Kapitulli 2: Cili është skllavi më i mirë për t’u liruar?

52 – Hadithi i Abdullah ibn Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: E pyeta Profetin ﷺ:

“Cila është vepra më e dashur tek Allahu? Tha: Namazi në kohën e vet. E pyeta: Pastaj cila?

Tha: Respekti ndaj prindërve.

E pyeta: Pastaj cila? Tha: Xhihadi në rrugën e Allahut.

I Dërguari më tregoi për këto tri gjëra dhe më tha: Po të më kërkoje më shumë do të tregoja edhe më tepër.”

Transmeton Buhariu në: Libri i kohëve të namazit – Kapitulli 5: Vlera e namazit në kohën e tij.

Shënime gjuhësore:

“Ala ithri sema” do të thotë “pas një shiu që kishte rënë”.

“Bi neu’i kedha” do të thotë “për shkak të yllit filan”, pra duke ia atribuar shiun pozicionit të një ylli të caktuar. Në arabishten klasike termi نوء i referohet pozicioneve të yjeve të cilat shënonin stinët dhe motin.

“Mu tregua (ju pashë)”: nënkupton në natën e Israsë (udhëtimit të natës drejt qiejve të lartë).

“Mohoni të mirat e bashkëshortit”: nuk i vlerësoni të mirat që ai ka bërë.

“Më i mençuri” (el-lubb): nënkupton mendjen e pastër nga çdo mangësi, çdo lubb është mendje por jo çdo mendje është lubb.

“Ai që ka kontroll në çështjet e tij” (el hazim): nënkupton atë që i menaxhon mirë veprimet dhe ndjenjat e tij.

 

Marrë nga libri: “Perlat dhe Koralet e haditheve në të cilat janë dakortësuar dy imamët” (Buhariu dhe Muslimi)

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...