Vlera e teuhidit

February 27, 2023

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhindët veçse që ata të më adhurojnë vetëm Mua.” |Suretu Dharijat: 56|

Gjithashtu ka thënë: “Dhe me të vërtetë që Ne kemi dërguar te çdo umet të dërguar (duke shpallur): Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni dhe i rrini larg tagutit (shejtanëve ose çdo gjëje tjetër që adhurohet pos Allahut). Pati prej atyre popujve të cilët Allahu i drejtoi, pati edhe të tjerë të cilët e merituan dhe iu bë e pashmangshme rruga e gabuar. Udhëtoni pra nëpër tokë dhe shikoni se si ishte fundi i atyre të cilët përgënjeshtruan (të vërtetën).” |Suretu Nahl: 36|

Transmetohet nga Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Cilido që e takon Allahun duke mos i shoqëruar shok në adhurimin e Tij do të hyjë në Xhenet. E kushdo që do ta takojë Atë duke i shoqëruar shok në adhurimin e Tij do të hyjë në zjarr (xhehenem).” Transmeton Muslimi me nr. 93.

Gjithashtu transmetohet nga Muadh ibn Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë:

“Kisha hipur një ditë në një gomar pas Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e ai më tha:

O Muadh, a e di se cila është e drejta e Allahut mbi robërit e Tij dhe cila është e drejta e tyre ndaj Tij?

Iu përgjigja: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.

Ai ma ktheu duke thënë:

E drejta e Allahut mbi robërit e Tij është që ta adhurojnë Atë pa i shoqëruar shok në adhurim, ndërsa e drejta e tyre ndaj Tij (e kjo si mirësi prej Tij dhe jo si detyrim – sh.p.) është që mos t’i dënojë nëse ata nuk i shoqërojnë shok në adhurimin e Tij.” Transmeton Buhariu 6/58, 2856, dhe Muslimi me nr. 30.

Shpjegimi:

Teuhidi (njësimi dhe veçimi i Allahut në adhurim) është baza e adhurimeve dhe konsiderohet si bindja më madhështore ndaj Allahut. Ai është njësimi dhe veçimi i Allahut në adhurim, dhe mohimi i çdo lloj gjëje e cila adhurohet përveç Allahut të Madhëruar. Njerëzit dhe xhindët u krijuan në mënyrë që të realizojnë këtë teuhid, e gjithashtu për këtë shkak u dërguan Pejgamberët, paqja e Allahut qoftë mbi të gjithë. Allahu i Madhëruar i ka premtuar atij të cilit e realizon këtë teuhid që do ta fusë në Xhenet, pavarësisht se deri ku arrijnë mëkatet e tij.

Dobitë:

  • Vlera që ka teuhidi dhe se ai është shkaku më i madh për hyrjen në Xhenet dhe shpëtimin nga zjarri, dhe se ai është kusht për hyrjen në Xhenet.
  • Ai është shkaku i krijimit të xhindëve dhe njerëzve dhe i dërgimit të Profetëve, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi ta.

 

Shkëputur nga libri: “Mësimet e përditshme”.

Shkroi: Rashid El-AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Loading...