Vlera e Xhamisë Aksa

May 22, 2021

Vlera e Xhamisë Aksa.
Vijon…..
Xhamia Aksa është ndërtuar mbi një kodër të ulët me majë të sheshtë. Ajo me këtë përshkrim mendohet të jetë përmendur në Kuran, në ajetin ku Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e bëmë të birin e Merjemes dhe nënën e tij mrekulli, dhe i strehuam ata te një kodër e sheshtë dhe me ujë të rrjedhshëm.” Suretu El-Muminun: 50.
Katade dhe Ed-Dahak (dy komentues të mëdhenj të Kuranit) thonë: Ai vend është Xhamia Aksa.
Ibn Kethiri thotë: Ky përcaktim (përcaktimi i Katades) është më afër me përshkrimin e ajetit të Kuranit, dhe Allahu e di më mirë të vërtetën.
Në mes të vendit të sheshtë gjendet një shkëmb i cili ka qenë kibla jonë e parë dhe kibla e Beni Israilëve.
Sot vendi i sheshtë i kësaj kodre është i rrethuar me një mur të trashë i cili ka disa porta, dhe çfarë përfshin ky mur quhet Xhamia Aksa. Vlera e Xhamisë Aksa ka ardhur si rezultat i ndikimit të disa faktorëve historikë.
Prej tyre janë:
1 – Është xhami e ndërtuar nga profetët e Allahut për adhurimin e Tij.
Kjo gjë tregon se ajo është xhami e ndërtuar mbi bazën e devotshmërisë për Allahun e Madhëruar, sepse në Kuran thuhet: “Xhamia që është ndërtuar mbi bazën e devotshmërisë që në ditën e parë të saj, e meriton më shumë se çdo xhami tjetër të falesh në të.” Suretu Et-Teube: 108.
Fjala e tij; [mbi bazën e devotshmërisë] d.m.th. për hir të Allahut të Madhëruar dhe për t’a adhuruar atë, pa e përzier me asnjë nijet tjetër qoftë ai shirk i madh apo i vogël, si syfaqësia, fama etj.
Xhaminë Aksa siç u tha edhe më lart, i pari e ndërtoi Jakubi – alejhi selam – pastaj e rindërtoi Sulejmani – alejhi selam -, pastaj u kujdesën për të profetët e Beni Israilëve dhe ndjekësit e tyre.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy xhamitë e tjera sepse edhe ato u ndërtuan mbi bazën e devotshmërisë: Qabja nga Ibrahimi – alejhi selam – dhe tjetra nga profeti Muhamed – salallahu alejhi ue selam.
2 – Këtë xhami e kanë mbushur me dhikër dhe ibadet profetët e Beni Israilëve dhe umetet e tyre.
Umeti i Beni Israilëve ka pasur shumë profetë dhe shumë adhurues, të cilët kur i janë shfaqur Profetit tonë – salallahu alejhi ue selam – ka kujtuar se është umeti i tij, siç ka ardhur në hadith: “Më janë shfaqur umetet e profetëve dhe kam parë profet që kishte një grup njerëzish, profetë që kishte një apo dy burra dhe profetë që nuk kishte asnjë. Pastaj m’u shfaq një e zezë e madhe dhe mendova se është umeti im, por më thanë se ai është Musa dhe umeti i tij.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Disa nga ngjarjet e profetëve të përmendura në Kuran mendohet të kenë ndodhur në Xhaminë Aksa, si ajo e Zekerijës, Merjemes, Jahjës dhe Isait – alejhim selam.
Në suren Ali Imran bien në sy dy mihrabë; njëri i Zekerijës dhe tjetri i Merjemes, dhe mendohet të jenë të Xhamisë Aksa.
Zekerija – alejhi selam – mendohet gjithashtu të ketë qenë kujdestari i Xhamisë Aksa, kurse Merjemja – alejha selam – ishte vajzë e dhuruar për Xhaminë Aksa për të shërbyer në të.
Në lidhje me Jahjën dhe Isën – alejhima selam – ka ardhur një hadith i saktë, ku thuhet se ata i mblodhën Beni Israilët në Xhaminë Aksa për t’ju përcjellë porositë e Allahut dhe çfarë thuhet në to! El-Harith el-Esharij – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Allahu e porositi Jahjën birin e Zekerijës – alejhi selam – për pesë gjëra që t’i veprojë dhe t’i urdhërojë Beni Israilët t’i veprojnë ato. Mirëpo ai u vonua dhe Isa – alejhi selam – i tha (Jahjës): Allahu të ka porositur për pesë gjëra që t’i veprosh vet dhe t’i urdhërosh Beni Israilët t’i veprojnë ato. Pra, ose do i urdhërosh ti ata ose do t’i urdhëroj unë! Jahja – alejhi selam – i tha (Isës): Kam frikë se nëse do t’a bësh ti atë gjë para meje, Allahu do të ma shembë tokën poshtë këmbëve apo do të më dënojë.
Atëherë ai (Jahja) i mblodhi Beni Israilët në Bejtul-Makdis dhe xhamia u mbush plot, madje disa u ulën edhe nëpër ballkone. Ai u tha atyre: Allahu më ka porositur për pesë gjëra që t’i veproj ato vet dhe t’ju urdhëroj edhe juve që t’i veproni:
E para: Të adhuroni Allahun dhe të mos i shoqëroni Atij shok. Shembulli i atij që i bën shok Allahut është si shembulli i një burri që ka blerë një rob me pasurinë e tij të veçantë, flori apo serm, dhe i thotë atij: Kjo është shtëpia ime dhe kjo është puna ime. Puno dhe më sill prodhimin! Ai punonte dhe prodhimin i’a çonte një tjetri i cili nuk ishte zotëria i tij. Kush prej jush e pranon të jetë robi i tij kështu?! Atëherë Allahu është Krijuesi dhe Furnizuesi juaj, prandaj adhurojeni atë dhe mos i shoqëroni shok!
E dyta: Allahu u ka urdhëruar për namaz. Kur të faleni mos e ktheni kokën anash, sepse Allahu e drejton fytyrën e Tij nga fytyra e robit të Tij kur është në namaz, përderisa ai nuk e ka kthyer ,kokën.
E treta: Allahu u ka urdhëruar për agjërim. Shembulli i tij është si shembulli i një burri mes një grupi njerëzish i cili ka një qese misku, dhe të gjithëve u pëlqen era e tij. Dijeni se era e agjëruesit është më e këndshme tek Allahu se era e miskut.
E katërta: Ai u ka urdhëruar për sadaka. Shembulli i tij është si shembulli i një burri të cilin e ka zënë rob armiku dhe i ka lidhur duart pas qafës, dhe kur e sjellin për t’i prerë kokën ai u thotë: A mundem t’a kompensoj veten time? Dhe ai e kompenson veten e tij me pak e me shumë derisa lirohet.
E pesta:Ai u ka urdhëruar për t’i bërë shumë dhikër Allahut. Shembulli i tij është si shembulli i një burri të cilin e ndjek armiku me shpejtësi, dhe ai shkon te një kështjellë e fortifikuar dhe futet brenda duke mbrojtur kështu veten e tij. Kështu është robi; nuk e mbron veten e tij prej shejtanit veçse me dhikrin e Allahut.” E transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu, dhe e saktëson sheih Albani.
Vijon…..
Dr. Abdullah Nabolli
Loading...