Vlerat e muajit Shaban

January 31, 2025

Pse ky muaj quhet Sha’ban?

Sha’ban është emri i një muaji i cili u quajt kështu sepse arabët në këtë muaj shpërndaheshin për të kërkuar ujë ose për të kryer bastisje.

Agjërimi në muajin Sha’ban.

Aishja ka thënë:

“Pejgamberi ﷺ agjëronte aq shumë saqë ne mendonim se nuk do të ndalonte, dhe e ndërpriste agjërimin aq gjatë saqë ne mendonim se nuk do agjëronte më. Nuk e kam parë të plotësojë ndonjë muaj të tërë me agjërim përveç Ramazanit, dhe nuk e kam parë të agjërojë më shumë se në Sha’ban.” (Buhariu me nr. 1833, dhe Muslimi me nr. 1956.)

Në një transmetim tjetër nga Muslimi me nr. 1957, thuhet:

“Ai ﷺ agjëronte tërë muajin Sha’ban, ose përveç disa ditëve të tij.”

Një grup dijetarësh, përfshirë Ibën Mubarekun, mendonin se Profeti ﷺ nuk e ka agjëruar të gjithë muajin Sha’ban por shumicën e tij. Kjo mbështetet nga transmetimi i Aishes (tek Muslimi me nr. 1954), ku thotë:

“Nuk di që Profeti ﷺ të ketë agjëruar ndonjë muaj të plotë përveç Ramazanit.”

Ndërsa Ibn Abasi ka thënë:

“Profeti ﷺ nuk e ka agjëruar të plotë ndonjë muaj përveç Ramazanit.” (Buhariu me nr. 1971, Muslimi me nr. 1157.) Ibn Abasi gjithashtu e shihte të papëlqyeshme që dikush të agjëronte një muaj të plotë përveç Ramazanit.

Ibn Haxheri ka thënë:

“Agjërimi i Profetit ﷺ në Sha’ban ishte më i shumtë se në muajt e tjerë.”

Pse Profeti ﷺ agjëronte shumë në Sha’ban?

Usama ibn Zejd e pyeti Profetin ﷺ:

“O i Dërguar i Allahut, nuk të kam parë të agjërosh në ndonjë muaj më shumë sesa në Sha’ban.”

Profeti ﷺ i tha:

“Ky është një muaj për të cilin njerëzit nuk kujdesen shumë, dhe ai është midis Rexhebit dhe Ramazanit. Është një muaj në të cilin veprat ngrihen tek Zoti i botëve dhe unë dëshiroj që veprat e mia të ngrihen ndërsa jam duke agjëruar.” (Transmeton Nesaiu dhe e ka saktësuar Albani. “Sahih et-tergib uet- terhib” fq. 425.)

Në një transmetim të Ebu Daudit me nr. 2076, thuhet:

“Muaji më i dashur për Profetin ﷺ për ta agjëruar ishte Sha’bani, dhe pastaj e vazhdonte me Ramazanin.” (E ka saktësuar Albani, “Sahih Sunen Ebi Daud” 2/461.)

Ibn Rexhebi ka thënë:

“Agjërimi në Sha’ban është më i vlefshëm se agjërimi në muajt e shenjtë (Rexheb, Dhul-Ka’deh, Dhul-Hixheh dhe Muharrem). Ai shërben si përgatitje për Ramazanin ashtu siç janë sunetet para dhe pas namazit për të plotësuar mangësitë e namazit farz.”

Profeti ﷺ ka thënë:

“Sha’bani është një muaj që njerëzit e lënë pas dore duke qenë midis dy muajve të mëdhenj, Rexhebit dhe Ramazanit.”

Shumë njerëz gabimisht mendojnë se agjërimi në Rexheb është më i vlefshëm se në Sha’ban, por kjo nuk është e vërtetë.

Vlera e adhurimit në kohë të neglizhencës.

Ky hadith gjithashtu tregon rëndësinë e adhurimit në kohë kur shumica e njerëzve janë të pavëmendshëm. Kjo ngjan me praktikën e disa sahabëve që falnin namaz mes akshamit dhe jacisë duke thënë se kjo është një kohë e pavëmendjes.

Ndër përfitimet e adhurimit në kohë të neglizhencës janë:

1. Është më i fshehtë dhe më i sinqertë. Agjërimi është një adhurim që mbetet midis njeriut dhe Allahut, dhe disa prej të parëve agjëronin fshehurazi pa e ditur askush.

2. Vepra e mirë është më e vështirë në kohë të pavëmendjes, dhe kjo e bën atë më të vlefshme.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Adhurimi në kohë trazirash është si hixhreti tek unë.” (Muslimi me nr. 2984.)

Pse Profeti ﷺ agjëronte shumë në Sha’ban?

Dijetarët kanë përmendur disa arsye për këtë:

1. Për të kompensuar tre ditët e agjërimit të çdo muaji nëse i kishte humbur për shkak të udhëtimit ose angazhimeve të tjera.

2. Gratë e tij zakonisht kompensonin agjërimin e Ramazanit në Sha’ban, dhe ai ﷺ agjëronte së bashku me to.

3. Sepse është një muaj që njerëzit e neglizhojnë.

Agjërimi i detyrueshëm dhe vullnetar në Sha’ban.

Nëse dikush ka ditë të pambaruara nga Ramazani i kaluar duhet t’i agjërojë para se të hyjë Ramazani i ardhshëm.

Agjërimi në fund të Sha’banit.

Në një hadith të saktë një burrë e pyeti Profetin ﷺ:

“A ke agjëruar diçka nga ditët e fundit të këtij muaji?

Ai iu përgjigj: Jo.

Profeti ﷺ tha: Kur të mbarosh agjërimin (e Ramazanit), agjëro dy ditë.” (Buhariu 4/200, Muslimi 1161.)

Në një hadith tjetër, Profeti ﷺ tha:

“Mos e filloni agjërimin e Ramazanit një ose dy ditë më herët, përveç nëse dikush ka një zakon të mëparshëm të agjërimit.” (Buhariu 1983, Muslimi 1082.)

Tre situata të agjërimit në fund të Sha’banit:

1. Agjërimi me qëllim të përgatitjes për Ramazan, dhe kjo është e ndaluar.

2. Agjërimi për një nijet specifik (si agjërimi i ditëve të mbetura, të shpagimit ose të zotimit), dhe kjo lejohet.

3. Agjërimi vullnetar pa ndonjë arsye specifike. Disa dijetarë e kanë konsideruar të papëlqyeshëm, ndërsa të tjerë e kanë lejuar.

Pse është e papëlqyeshme të agjërohet në prag të Ramazanit?

1. Për të mos shtuar në muajin e Ramazanit atë që nuk është prej tij, ashtu siç është e ndaluar të agjërohet ditën e Bajramit.

2. Për të ndarë mes agjërimit farz dhe atij vullnetar.

Profeti ﷺ kur pa dikë duke u falur pas ikametit të sabahut, i tha:

“A do ta bësh sabahun katër rekate?” (Buhariu 663.)

 

Përshtati: Rexhep Milaqi

Burimi: “Islam sual-xheuab”.

Dosje:

Loading...