Vlerat e xhamisë!

October 23, 2015

I Dërguari i Allahut (SalAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “A doni t’ju tregoj për një vepër, me anë të së cilës Allahu u fshin mëkatet dhe u rrit gradat? Ata thanë: Sigurisht, o i Dërguari i Allahut! Ai tha: Përsosja e abdesit edhe në kushte të vështira, ecja e gjatë për në xhami, si dhe pritja e namazit (tjetër) pas kryerjes së namazit të mëparshëm. Ky është ribati[1], ky është ribati, ky është ribati.” (E përcjell Muslimi.)

Gjithsesi vlerat e xhamisë nuk mbarojnë me kaq, për më tepër Allahu i Madhëruar i ka premtuar atij njeriu, që ndërton një xhami, se do t’i ndërtojë një shtëpi në xhenet. Osman bin Afani përcjell, se e ka dëgjuar Profetin (SalAllahu alejhi ue selem) duke thënë: “Kush ndërton për hir të Allahut një xhami, Allahu do t’i ndërtojë atij një të tillë në xhenet.” (E përcjell Tirmidhiu, ndërsa Albani e konsideron hadith të saktë.)

Hasan Basriu ka thënë: “O ti besimtar! Nga xhamia nuk do të mbetesh pa përfituar pesë gjëra: E para; mëshirën e Allahut, e cila shlyen gabimet e mëparshme, e dyta; gjetjen e një njeriu të mirë, të cilin e do për hir të Allahut, e treta; të njohësh fqinjin tënd dhe të preokupohesh për të vizituar të sëmurin apo të varfrin në mesin e tyre, e katërta; ruan dëgjimin dhe shikimin tënd nga harami, dhe e pesta; dëgjon ajete që të udhëzojnë.”

Për të treguar rëndësinë e xhamisë si dhe vlerën e saj të madhe, puna e parë që bëri i Dërguari i Allahut (SalAllahu alejhi ue selem) çastin që hyri në Medinen e Ndritur ishte ndërtimi i një xhamie. Kjo vepër tregon qartë rëndësinë e ekzistencës së xhamisë në një shoqëri Islame, e nga këtu kuptohet vendi që zë xhamia në Fenë Islame.

Pra, xhamia përmban një veçori thelbësore në shoqërinë Islame për vetë faktin se është epiqendra e parë nga ku ka filluar thirrja Islame dhe nga ku ka buruar udhëzimi hyjnor. Në qiellin e saj ngrihet thirrja për në besim dhe punë të mira, në minberin e xhamisë mësohet besimi dhe puna e mirë, mbi tokën e saj praktikohen punë të mira. Për më tepër ajo është tryeza rreth së cilës mblidhen mendimet dhe emocionet, është vendqëndrimi, i cili edukon njerëzit e zgjedhur dhe prijësit, që mbartin pishtarët ndriçues e udhëzues me të cilët përshkojnë vendet,  duke mbartur me vete atributet e xhamisë, aromën dhe pastërtinë e saj.

Burrat e hershëm që mbartën flamujtë dhe iu përgjigjën thirrjes drejt krenarisë, ishin luanët e xhamive dhe frekuentuesit e shtëpive të Allahut, ku në krye qëndrojnë; dijetarët, juristët, letrarët dhe njerëzit e zgjedhur, të cilët u diplomuan në mënyrën më të mirë nga ai vend.

Shejhul Islam Ahmed bin Abdu Selami thotë: “Xhamitë në atë kohë ishin vendtubimet e popullit dhe vendqëndrimet e imamëve. Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) e themeloi xhaminë e tij mbi devotshmërinë dhe aty praktikohej namazi, leximi, dhikri, kërkimi i diturisë, mësimi i të ligjëruarit, veç të tjerash aty praktikohej mënyra e udhëheqjes dhe pikërisht aty lidheshin flamujt, caktoheshin udhëheqësit dhe njiheshin personalitetet. Aty mblidheshin muslimanët sa herë që i shqetësonte ndonjë çështje që kishte të bënte me fenë dhe jetën e tyre.”

Nga e gjithë kjo që u tha dilet në përfundim, se xhamia kryen disa detyra, e ne po përmendim disa prej tyre:

  • Xhamia është shkollë, që edukon shpirtrat duke i lidhur ata me Krijuesin e tyre, me qëllim që t’i drejtohen Atij dhe të qëndrojnë para Tij.
  • Xhamia është shkollë ku muslimanët mësojnë çështjet e fesë së tyre. I Dërguari i Allahut (SalAllahu alejhi ue selem) u mësonte shokëve të tij Islamin në xhami dhe çdo gjë tjetër, që ishte në interes të fesë dhe të jetës së tyre.
  • Xhamia ishte vendi ku kryheshin proceset gjyqësore, jepeshin fetvatë dhe pikërisht aty realizohej thirrja, udhëzimi dhe mësimi i muslimanëve.
  • Xhamia ishte vendi ku bëheshin diskutimet rreth problemeve të popullit nën dritën e Kuranit dhe Sunetit.

Të drejtat që gëzon xhamia:

Është e rëndësishme të përmendim disa norma, të cilat duhen të praktikohen kundrejt xhamisë, në ndërmjet tyre hyjnë:

  • Pastrimi dhe parfumosja e saj.
  • Të mos hyjmë pa qenë të pastër.
  • Të mos ngremë zërin duke shqetësuar namazlijtë, ata që lexojnë Kuran apo ata që falin namazin e natës.
  • Ndalohet shitblerja në xhami, sepse ato janë themeluar për t’u përmendur Allahu. Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kë të dëgjoni ndonjërin që po kryen shitblerje në xhami, i thoni: Allahu mos i dhëntë fitim tregtisë tënde.” (E përcjell Tirmidhiu, ndërsa Albani e konsideron si hadith të saktë.)
  • Nuk lejohet të kërkohen sendet e humbura në xhami. Muslimi në Sahihun e tij përcjell se Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kë të dëgjoni që kërkon sendin e tij të humbur në xhami, thuajini: Allahu mos e ktheftë atë gjë tek ti, sepse xhamitë nuk janë ngritur për këto gjëra.”

Nuk lejohet të kryhen ekzekutimet penale në xhami, në këtë mënyrë nuk lejohet të qëndrojë pirësi i alkolit apo imorali, gjithashtu nuk lejohet të pritet dora e vjedhësit duke qenë në xhami.

  • Nuk duhet të teprohet në zbukurimin e ndërtimit të xhamive, sepse ndërtimi i vërtetë i saj bëhet me namaz, dhikër dhe përkushtim. 8- Falja e dy rekateve sunete për përshëndejten e xhamisë, këtë e pohon fjala e Profetit (SalAllahu alejhi ue selem) që thotë: “Kur të hyjë ndonjëri nga ju në xhami, të mos ulet derisa të falë dy rekate.” (E përcjell Buhariu dhe Muslimi.)

Përktheu Fatjon Isufi

[1] 1Termi “ribat” nënkupton armatën e përbërë nga kuajt dhe ushtarët, të cilët qëndrojnë përballë armikut për të parandaluar ikjen e tyre. Në këtë hadith Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) e shëmbëllen atë që pret namazin e ardhshëm me luftëtarët.

Loading...